I mbijetuari i masakrës në familjen Berisha: Jemi dëshmia e gjenocidit, këtë s’do ta ndryshojë askush

26 mars 2023 | 17:03

Gramoz Berisha, njëri prej tre të mbijetuarve në masakrën ndaj familjes Berisha të Suharekës, ka përkujtuar masakrën ku iu vranë 49 familjarë.

Berisha ka shkruar se ai me të dy mbijetuarit e tjerë të familjes, janë dëshmi e gjenocidit të kryer në Kosovë, duke thënë se Kosova do t’i mbijetojë çdo stuhie pasi që i mbijetoi gjenocidit.

“Dhe këtë nuk do ta ndryshoj askush asnjëherë, as me marrëveshje, as me raporte fallce, as me gjykata të improvizuara. Ne jemi e vërteta, e Kosovës që i ka mbijetuar gjenocidit, do t’i mbijetoj dhe secilës stuhi”, ka shkruar ai.

Berisha ka shkruar se nuk do të mjaftoj një çerek shekulli e as një shekull i tërë për të shpjeguar mungesën e familjarëve tij.

“2 muaj prej tash do të shënojmë një çerek shekulli nga dita e tmerrit, nga dita kur babi, motra e vëllau ikën. Unë e mami mbijetuam. Jo vetem ata të tre por ikën edhe 46 familjarë tanë. Mbijetuam, une mami dhe gruaja e axhës tonë Shyhretja. Nuk do të mjaftoj një çerek shekulli e as një shekull i terë për të shpjeguar mungesën e tyre dhe deshminë tonë.”, ka shkruar ai.

Gramoz Berisha është mashkulli i vetëm i mbijetuar i masakrës së Suharekës. 49 anëtarë të kësaj familjeje u vranë më 26 mars në picerinë “Kalabria”, në Suharekë.

Pos Gramozit, e mbijetuar është edhe nëna e tij Vjollca si dhe kushërira Shyhrete Berisha.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një automjet është përfshirë nga flakët brenda parkimit të një…