I ndryshuan akuzën, Fjolla ka një kërkesë për Gjykatën në ditën e vendimit

14 janar 2021 | 03:11

Këngëtarja Fjolla Morina dhe partneri i saj Fisnik Syla u arrestuan më 18 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi u kapën me dy armë me vete. Kujtojmë që këngëtarja po udhëtonte me një makinë tip ‘Audi’ ndërsa i është gjetur një armë në çantë dhe një në bagazh.

Disa javë më parë përfundoi hetimi për këngëtaren. Sa i përket dy personave të tjerë që ndodheshin në makinë me të, bisnesmenit Fisnik Syla dhe shoferit Fitim Muji, Prokuroria ka vendosur që të pushojë çështjen pasi nuk ka gjetur vepër penale të kryer nga ta. Ndërsa Fjolla kreu dënimin “arrest shtëpie” në Kukës.

Mirëpo, pas disa javësh ka ndryshuar sërish akuza për Fjolla Morinën, e cila ka kaluar nga “armëmbajtje pa leje” në “trafikim të armëve dhe municioneve”. Fjolla është marrë e pandehur nga prokuroria e Kukësit, për akuzën e “Trafikut të armëve dhe municioneve” kryer në bashkëpunim. Po ashtu edhe partneri i saj, Fisnik Syla, dhe shoferin e këtij të fundit, Fitim Muji, akuzohen për këtë vepër.

Sipas “Ora News”, çështja e tyre u dërgua në gjykatë për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, por gjatë zhvillimit të seancës paraprake, gjyqtari i çështjes urdhëroi prokurorinë që të ndryshojë akuzat nga “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve” në “Trafikim të armëve dhe municioneve”.

Prokuroria e Kukësit u ka komunikuar akuzën e re tre personave të proceduar dhe tashmë çështja kundër Fjolla Morinës, Fisnik Syla dhe Fitim Mujit, ka përfunduar në gjykatën e Kukësit.

Gjatë seancës së ditës së djeshme, Fjolla ka pranuar akuzën e ngritur ndaj saj. Gjithashtu, ajo ka kërkuar të gjykohet me dënim të shkurtuar me qëllim që në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të përfitojë 1/3 e uljes së dënimit.

Përsa i përket Fisnik Sylës dhe Fitim Mujit, Gjykata ka vendosur ta pushojë ndjekjen penale, për shkak se ndaj tyre nuk ka prova që mund t’i implikojnë në trafikun e armëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë, Liburn Aliu, ka thënë në emisionin Dpt…