“Vetëgjyqësi” nga Ogren Balluku, Neda nuk mund t’i takojë fëmijët

08 nëntor 2026 | 17:36

Çështja mes Neda Karafilit dhe Ogren Ballukut pas divorcit vijon të shoqërohet me akuza për moszbatimin e vendimit të gjykatës për takimin e fëmijëve. Këtë herë ka reaguar avokatja e Karafilit, Greta Çela, e cila pretendon se klientja e saj po pengohet të takojë djemtë, pavarësisht vendimit gjyqësor që i njeh këtë të drejtë.

Në një letër të dërguar në emisionin “Goca & Gra”, avokatja ngre akuza për shkelje ligjore dhe procedurale nga Shërbimi Përmbarimor, duke pretenduar se vendimi i gjykatës nuk po zbatohet. Sipas saj, edhe pasi ishte vendosur zyrtarisht përjashtimi i përmbarueses nga dosja, kjo e fundit kishte refuzuar ta dorëzonte çështjen.

Për këtë arsye, Çela bën me dije se është depozituar kallëzim penal për shpërdorim detyre, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka nisur procedim disiplinor.

Avokatja thekson se në këtë proces duhet të mbizotërojë interesi më i lartë i fëmijëve, të cilët nuk duhet të përdoren si pengje në konfliktin mes prindërve.

“Si avokate mbrojtëse e nënës, ndjej detyrimin profesional dhe moral të denoncoj shkeljet e rënda ligjore dhe procedurale në këtë proces, ku fëmijët vijojnë të mbeten peng i një situate të papranueshme.

Së pari, çështja mbart shkeljen flagrante të titullit ekzekutiv për takimin e fëmijëve. Pavarësisht se masa e vendosur nga gjykata është e detyrueshme për t’u zbatuar menjëherë, po përballemi me një akt të pastër “vetëgjyqësie” ku vullneti individual mbizotëron mbi urdhrat e gjykatës.

Së dyti, kjo situatë është arritur si pasojë e mos kryerjes së detyrës dhe anshmërisë së Shërbimit Përmbarimor. Paligjshmëria ka kaluar çdo kufi kur edhe pasi kryetari i zyrës së përmbarimit vendosi zyrtarisht përjashtimin e përmbarueses nga dosja, ajo refuzoi ta lëshonte çështjen, duke vepruar në kapërcim të hapur të ligjit dhe hierarkisë.

Për këtë arsye kemi depozituar kallëzim penal për “Shpërdorim detyre”, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka nisur procedim disiplinor.

Së treti, në sfondin e gjithë kësaj panorame të rënduar, mbetet sfida e madhe e mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, ku sistemi gjyqësor duhet të veprojë me standarde të larta profesionale dhe shkencore përmes provave të besueshme, për të garantuar që fëmijët të mos përdoren kurrë si armë apo si pengje në luftën e të rriturve, por të kthehen në ambientet e shëndetshme familjare ku u takon të rriten”,- shkruan avokatja.

Ndërkohë, vetë Neda Karafili ka përcjellë një mesazh përmes moderatores Ori Nebiaj, i cili u lexua në studion e emisionit. Ajo falënderoi për mbështetjen dhe kërkoi ndihmë për situatën me të cilën po përballet.

“Ju falenderoj për fjalët, as armikut tim më të madh nuk ja harroj hallin që më ka rënë. Kam nevojë për çdo ndihmë që mund të më jepet. Zoti më ka falur tre drita sysh nga të cilët nuk mund të më ndajë njeri në këtë tokë. Ju përqafoj të katërtave.”/ Zoom.al

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pamje të reja nga aksidenti i ndodhur gjatë garave ilegale…