
I shpërblehet mundi, Komisioni me shumicë LV çon për drejtor të AKK-së emrin e Buleshkajt të KQZ-së që lobonte për certifikimin e Kurtit
Dy emra kanë shkuar për votim në Kuvend dhe njëri prej tyre pritet të zgjidhet drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Favorit është Yll Buleshkaj, që konsiderohet i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, pas disa veprimeve brenda KQZ-së, kur Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të LV-së nuk u lejohej kandidimi në zgjedhjet e 14 shkurtit. Rekomandimet e Buleshkajt atë kohë i duartrokiste LV-ja para zgjedhjeve. Tash e ka marrë vlerësimin më të madh.
Komisioni parlamentar, që e mbikëqyr Agjencinë Kundër Korrupsionit, i ka rekomanduar Kuvendit dy kandidatë, për ta zgjedhur njërin kryetar të AKK-së.
Në vlerësim kanë marrë pjesë katër anëtarë të komisionit nga LV-ja, përfshirë kryesuesit Adnan Rrustemi dhe dy nga opozita. Pikë pak më shumë i janë dhënë Ylli Buleshkajt, për ta çuar në Kuvend si më të vlerësuarin. Në vlerësim kanë munguar Besnik Tahiri dhe Blerta Deliu nga opozita, si dhe minoritetet.
Lëvizja “FOL” e ka monitoruar procesin e vlerësimit të kandidatëve. Përfaqësuesja e “FOL”, Mexhide Demiri ka përmendur një vendim të Buleshkajt, si drejtor i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikimi i Kandidatëve, në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Agjencisë Kundër Korruspion i duhet një drejtor me etikë dhe integritet të lartë. Dhe, ne të gjithë e dimë vendimin e marr në favor të partisë në pushtet nga kandidati më i vlerësuar në këtë proces”, ka thënë Demiri për “Express”.
Si është i njohur Buleshkaj në konfliktin KQZ-LV?
Gjykata Kushtetuese, përmes një aktgjykimi të publikuar në fund të 2020-s, ka argumentuar se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. I binte që, kryeministrit i tanishëm Albin Kurti, nuk do të mund të ishte pjesë e listës në zgjedhjet që do të mbaheshin
Kjo nisi një konflikt mes ish-udhëheqëses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Vladete Dakës, dhe gjithë Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo thoshte se do t’i bindej vendimit të Kushtetueses, ndërsa partia e akuzonte se po dëshironte t’i dëmtonte.
Ndërsa Buleshkaj, si drejtor i zyrës për regjistrim, i rekomandonte KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët ishin në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike në zgjedhjet e 14 shkurtit, edhe pas vendimit të Kushtetueses.
Buleshkaj rekomandonte që të certifikoheshin të gjitha partitë si pako, dhe këtë e duartrokiste Adnan Rrustemi i LV-së, që sot e kryeson komisionin ku mori vlerësimin Buleshkaj.
“Qëndrim dhe vlerësim profesional i Zyres [Zyra që e drejton Buleshkaj]. Rekomandimi i Zyrës nuk mund të ndryshohet nga anëtarët e KQZ-së që vijnë nga partitë politike. Sot KQZ-ja e ka përpara rekomandimin për të certifikuar kandidatët. Çfarëdo veprimi tjetër do të ishte antikushtetues dhe krejtësisht politik për të luftuar një subjekt politik siç është Lëvizja”, kishte shkruar Rrustemi në llogarinë e vet në “Facebook” gjatë janarit të këtij viti.
Demiri nga “FOL”, që e ka monitoruar procesin, ka thënë se Buleshkaj ka pasur paraqitje të mirë gjatë intervistimit, por nuk u duket me integritet për shkak të ndërlidhjeve me partinë në pushtet.
“Nuk ka dyshime për paraqitjen e mirë të tij në intervistë, se kemi qenë edhe monitorues direkt te ketij procesi, por qe në këtë rast kemi të bëjmë me integritetin e personit”, ka thënë Demiri.
Komisioni për përzgjedhje është përbërë nga katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosjes, një i LDK-së dhe një i PDK-së.
Votimi i kandidatëve për drejtor të Agjencisë, bëhet me votim të fshehtë.
Mandati i drejtorit të Agjencisë është 5 (pesë) vjet.