Ia pa sherrin “Rent a car”, KPMSHCK refuzon ankesën e Alshiqit lidhur me largimin nga puna

11 shtator 2023 | 23:47

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës (KPMSHCK), ka refuzuar si të pabazuar ankesën e zyrtarit, Riza Alshiqi për largimin e tij nga puna si shërbyes civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

Në aktvendim thuhet se KPMSHCK lë në fuqi vendimin e Komisionit Disiplinor të MPB-së, për shqiptimin e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.

Largimi i Alshiqit nga pozita që mbante në MPB, vjen pasi “Betimi për Drejtësi” më 15 prill 2023, publikoi hulumtimin “Biznes me “Rent a car” në parking të ministrisë”, ku zbuloi se si i njëjti, krahas punës në ministri, si punë sekondare bënte biznesin me dhënie të veturave me qira. Për këtë, ai e ka shfrytëzuar pronën e shtetit.

“REFUZOHET si e pabazuar ankesa me numër A.nr.900/2023 i datës 30.06.2023 e parashtruar nga ankuesi [ E redaktuar]. II Mbetet në fuqi Vendimi me numër: 877/2023 i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Punëve të Brendshme i datës 09.06.2023”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.

Sipas vendimit të KPMSHCK-së, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave ka arritur në përfundim se Komisioni Disiplinor i MPB-së, e ka konstatuar drejtë gjendjen faktike dhe i ka zbatuar drejt dispozitat materiale dhe procedurale.

Arsyetimi i KPMSHCK-së, për ankesën e Alshiqit ndaj vendimit të Komisonit Disiplinor të MPB-së bazohet edhe në faktet të cilat janë dëshmuar nga hulumtimi i “Betimit për Drejtësi”.

“Kolegji i Këshilli ka arritur në përfundim se Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Brendshme me rastin e shqiptimit të masës disiplinore ‘Largimi nga Shërbimi Civil’ ndaj ankuesit, ka konstatuar drejtë gjendjen faktike dhe ka zbatuar drejtë dispozitat materiale dhe procedurale, ngase sipas shkresave të lëndës dhe deklarimeve të ankuesit në seancën disiplinore të datës 25.05.2023 pranë Komisionit Disiplinor konstatohet fakti se ankuesi gjatë orarit të punës me datë 03.04.2023 kishte realizuar telefonata me qëllim të dhënies të veturave të tij me qira apo ‘rent a car’ madje personave të njejtë iu ka prezantuar veturat e tij të cilat i ka mbajtë të parkuara në hapësirat e parkingut zyrtar të institucionit punëdhënës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të KPMSHCK-së.

Po ashtu, thuhet se Alshiqi kishte thënë se për kohën sa ishte larguar nga puna ‘për disa minuta’, nuk e ka dëmtuar institucionin për të cilin punon.

Në ankesën e tij, Alshiqi kishte pretenduar se hulumtimi i “Betimit për Drejtësi” ka qenë i montuar, argument ky i cili ishte vlerësuar si i paqëndrueshëm nga KPMSHCK.

“E rëndësishme është se nga e gjithë rrjedhoja e ngjarjes sikurse në datat respektive konstatohet fakti se ankuesi me vullnet të lirë dhe pa presion gjatë orarit zyrtar të punës ka kryer veprime të afarizmit apo aktiviteteve ekonomike me qëllim të përfitimit personal, madje veturat e dhëna në shfrytëzim i ka mbajtur në hapësirat e parkingut zyrtar të institucionit punëdhënës, sikurse nuk është i rëndësishëm as pretendimi i palës ankuesi se veturat e mbajtura në parkingun zyrtar nuk janë të regjistruara në emrin e biznesit por në emrin personal të ankuesit, madje një pretendim i tillë është kundërthënës pasi që edhe biznesi është pronë e ankuesit sikurse edhe veturat e dhëna apo prezantuara për dhënie në shfrytëzim janë pronë e ankuesit”, thuhet ndër tjera në arsyetimin e vendimit të KPMSHCK-së.

Ndryshe, Komisioni Disiplinor në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka marrë vendim për largimin nga shërbimi civil të zyrtarit të lartë për monitorimin e transportit qeveritar, Riza Alshiqi.

Kështu është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga Zyra për Informim e MPB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
60 vjet pas vrasjes së John Kennedy, një kujtim i…