
Ibrahimi: Vendimi për mbyllje duhet të analizohet në tri rrafshe
Opinionisti Ilir Ibrahimi ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë për mbylljen e vendit duhet të analizohet në tri rrafshe.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky vendim duhet të analizohet në nivelin shëndetësor, ekonomik dhe politik.
Sipas tij, mbyllja e vendit në aspektin ekonomik nuk ka sens, kurse në atë politik është e gabuar.
Postimi i plotë i Ibrahimit:
Vendimi për mbyllje duhet të analizohet në tri rrafshe: shëndetësor, ekonomik dhe politik.
Në rrafshin shëndetësor, duke mos qenë kompetent, këtë do të ua lija ta analizojnë ekspertët e fushës.
Në rrafshin ekonomik, nuk ka sens. Humbjet janë mëdha dhe për këtë pajtohen besoj të gjithë.
Në rrafshin politik mendoj se është i gabuar dhe kjo po shihet nga reagimi qytetar, e ky reagim do të vijë e shtohet. Mendoj se qeveria e ka marrë këtë vendim nisur nga sentimenti që ka mbizotëruar para një viti. Por ky sentiment sot është ndryshe sepse kemi një vit përvojë në pandemi.
Thënë më së thjeshti – para një viti ka qenë shumë më e lehtë të ja ndalosh shqipeve makiaton se sa sot.