Identiteti dhe filozofia
Prof. dr. Lino Veljak
Me gjasë nuk duhet të ketë dilemë nëse problematika e identiteteve është ndër çështjet qendrore të të gjithë filozofisë, me ç’rast pasojat praktike të mënyrës së shtrimit të pyetjeve për identitetin dhe përgjigjes së këtyre pyetjeve në botën tonë të sotme, të karakterizuar nga dominimi i të ashtuquajturave politika të identitetit, shpesh arrijnë përmasa dramatike. Nocioni i identitetit ka dy dimensione esenciale, nga njëra anë, fjala është për identitetin individual ose personal, dhe nga ana tjetër, për identitetin e entiteteve kolektive. Dhe këtu lind pyetja: Cila është marrëdhënia midis këtyre dy identiteteve? Që në vështrim të parë është evidente se pa identitetin e parë nuk mund të ekzistojë i dyti, pra është e qartë se pa individë nuk ka shoqëri; marrëdhënia, natyrisht, nuk është njëkahëshe: nuk ka qenie njerëzore jashtë ndonjë lloj bashkësie (marinari që dyshohet se shërbeu si model për personazhin e Defoe, Robinson Crusoe, u gjet në një ishull të shkretë në një gjendje krejtësisht të egër). Pa identitet personal, nuk ka kurrëfarë identiteti social, por edhe anasjelltas: pa përcaktimin e identitetit të një kolektiviteti, nuk ka individë që mund t’i përkasin atij kolektiviteti (sepse çdo individ duhet t’u përkasë disa grupeve dhe të paktën një kolektiviteti, përndryshe ai do të ishte – siç e dinte Aristoteli – ose perëndi ose kafshë).
Identitetet individuale dhe kolektive sipas definicionit janë pluralë, disa prej tyre janë komplementarë dhe përfshirës dhe disa janë antitetikë dhe përjashtues. E gjithë kjo vjen në shprehje edhe më të fortë në botën moderne dhe postmoderne, veçanërisht në kushtet e globalizimit. Askush nuk mund të jetë njëkohësisht mashkull dhe femër në nivelin e identitetit personal (përveç në disa variante të teorive dhe praktikave queer postmoderniste), as nuk mund të jetë njëkohësisht anëtar/e i/e një komuniteti fetar të caktuar dhe person që nuk i përket asnjë komuniteti fetar, por çdo kush mund të jetë njëkohësisht pjesëtar i një grupi etnik, të ketë shtetësinë e një ose më shumë vendeve, të jetë bir, baba, vëlla dhe bashkëshort, etj. Identiteti kolektiv i amësisë, atësisë, birësisë, partneritetit në asnjë mënyrë nuk përjashton identitetet kolektive të përkatësisë në identitete të ndryshme profesionale, politike, kulturore, etj., por disa identitete kolektive nuk janë komplementarë me disa identitete të tjera kolektive (një identitet kolektiv i bazuar në ideologjinë e racizmit përjashton një identitet kolektiv të bazuar mbi idenë e barazisë së qenieve njerëzore të të gjitha ngjyrave të lëkurës, si dhe një identitet kolektiv të bazuar në besimin se ngjyra e lëkurës dhe origjina racore janë veti të parëndësishme për vlerën e një qenieje njerëzore). Nuk është e mundur – përveç në forma të çoroditura që zakonisht bazohen në të ashtuquajturin revizionizëm historik (i cili do të ishte më e përshtatshme të quhej negacionizëm) – që njëkohësisht të jesh fashist dhe antifashist, qoftë në rrafshin e identitetit personal, qoftë në rrafshin e identitetit të një grupi shoqëror. Midis njerëzve që vuajnë nga përçarja e personalitetit (skizofrenia, etj.), mund të krijohet një komplementaritet simbiotik i identiteteve antitetike dhe e njëjta gjë vlen edhe për disa identitete kolektive në situata të rritjes së theksuar të anomisë sociale. Çdo identitet (që në rrafshin logjik i përgjigjet një përkufizim, në përputhje me dispozitën e njohur të Spinozës Omnis determinatio negatio est), duke përfshirë edhe identitetet gjithëpërfshirëse, rezulton nga demarkacioni ndaj tjetrit, ndaj atij që nuk i përket identitetit. Kështu, në rastin e një identiteti gjithëpërfshirës, për shembull një identitet që rrjedh nga një përkatësi profesionale, në atë identitet nuk përfshihet as përcaktimi etnik as ai gjinor ose çfarëdo identiteti tjetër i parëndësishëm për përcaktimin e atij profesioni, në mënyrë që identiteti i parë të diferencohet në lidhje me të gjitha të tjerat, jo vetëm në lidhje me përcaktimet e një identiteti të ndryshëm profesional, por edhe me të gjitha përcaktimet e tjera, megjithëse ato nuk është e thënë të jenë në kolizion; për sa i përket vetë identitetit profesional, mund të citohet një shembull hipotetik i një bukëpjekësi të kualifikuar që në të njëjtën kohë mund të jetë një trajner profesionist sportiv, kështu që pra – në rastin e një sporti me fitim të ulët ose të një pozite të trajnerit me pagë më të ulët në një sport shumë fitimprurës – ai mund të merret me të dy profesionet paralelisht. Për më tepër, disa identitete të diferencuara janë domosdoshmërisht të pajtueshme: askush nuk mund të jetë aseksual (i privuar nga një identitet seksual, qoftë edhe nëse ai identitet është një identitet transgjenerik), kështu që identitetet seksuale dhe gjinore janë kompatibile me një sërë identitetesh të tjera dhe domosdoshmërisht i presupozojnë ato (çdo njeri jeton diku, flet një ose disa gjuhë, njëra prej të cilave është gjuha e tij amtare, etj.).
Megjithatë, pluraliteti i identiteteve nuk nënkupton barazinë dhe ekuivalencën e tyre. Është e domosdoshme të vendosen dhe të përcaktohen prioritetet identitare; modalitetet dhe zgjedhjet varen, natyrisht, si nga karakteri i personalitetit ashtu edhe nga konteksti social. Është krejtësisht e paimagjinueshme një situatë në të cilën të gjitha përkatësitë kolektive që shënojnë një identitet individual janë plotësisht të barabarta. Në çdo rast, çdo komunitet i strukturuar duhet të përcaktojë identitetin e tij primar, një ose më shumë prej tyre.
Dhe këtu përballemi me një vështirësi serioze, e cila lind nga shfaqja e absolutizimit të identiteteve që pretendojnë parësinë dhe ky absolutizim arrihet në bazë të procesit të abstraksionit. Është e lehtë, dhe shumë shpesh edhe e besueshme (gjithsesi, më e thjeshtë se sa diferencimi dhe nuancimi i vazhdueshëm) që çdo nocioni t’i jepet një kuptim unik dhe i pandryshueshëm dhe ta përdorim atë vazhdimisht në përputhje me një kuptim të tillë të fiksuar njëherë e përgjithmonë. Po kështu, është shumë e thjeshtë që hierarkia e vendosur e nocioneve të përkufizohet si e përjetshme dhe e pandryshueshme. Nëse veprohet kështu, ne kemi jo vetëm absolutizim të çdo nocioni të mundshëm (ose të paktën të secilit që është i rëndësishëm apo relevant në kontekstin e dhënë) me fiksim konsekuent të kuptimit onto-logjik të qenies së cilës i referohet nocioni i caktuar i absolutizuar, por edhe absolutizim të hierarkisë së vendosur të nocioneve, por edhe të hierarkisë së qenieve, të cilave u referohen nocionet. Kjo nuk është vetëm një çështje e hierarkisë logjike (kur marrëdhënia midis nocioneve të superordinuara dhe subordinuara përcaktohet dhe determinohet një herë e përgjithmonë), por edhe e hierarkisë ontologjike dhe aksiologjike, për çfarë mund të na mësojë bindshëm Aristoteli i vjetër.
Mirëpo, me përjashtim të disa dukurive që i përkasin qartazi sferës së patologjisë sociale, absolutizimi i identiteteve iu referohet vetëm disa identiteteve, ndër të cilat identiteti etnik dhe ai i shtetësisë zënë vendin më të spikatur. Është një situatë relativisht e thjeshtë nëse këto dy identitete përputhen pa mbetje. Ky do të ishte rasti nëse – për të përmendur një shembull hipotetik – në Greqi do të jetonin vetëm grekë etnikë dhe do të kishin nënshtetësi greke dhe nuk do të kishte grekë jashtë Greqisë. Ne e dimë se nuk ka situata të tilla në realitet dhe nëse do të gjenim disa shembuj që do ta demantonin këtë, do të zbulonim se bëhet fjalë ose për imponim të dhunshëm të identitetit etnik për të gjithë qytetarët e vendit në fjalë ose për pastërtinë etnike si rezultat i pastrimit të territorit nga anëtarët e padëshiruar të grupeve të tjera etnike. Është shumë më e ndërlikuar nëse një shtet është etnikisht heterogjen, dhe popujt që jetojnë në të jetojnë gjithashtu (qoftë në statusin e shumicës ose të pakicës) edhe në vende të tjera. Dhe pikërisht një situatë e tillë është karakteristike për shumicën e vendeve moderne.
Pikërisht në këtë kontekst duhet lexuar libri i Isuf Berishës me titull Kujtesa, historia, identiteti. Përndryshe ai është krijuar mbi bazën e disertacionit të doktoratës me të njëjtin emër të mbrojtur në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe paraqet versionin e modifikuar dhe të zgjeruar të tij.
Autori, përndryshe një nga filozofët kryesorë kosovarë të gjeneratës së vjetër (l. 1955), në këtë libër në mënyrë sistematike dhe kritike ka prezantuar dhe sistemuar përcaktuesit qenësorë të shqyrtimeve bashkëkohore globale rreth identitetit (dhe të njëjtën gjë e ka bërë edhe me debatet për këtë problematikë që u zhvilluan në Kosovë dhe në Shqipëri), për të nxjerrë një metodologji nga kontributet më të mira botërore në teoritë e identitetit që i ka mundësuar atij të analizojë në mënyrë adekuate dinamikën shumë komplekse të marrëdhënieve të identitetit etnik, kombëtar dhe atij shtetëror në Kosovë, natyrisht në radhë të parë midis anëtarëve të popullit shumicë. Duke u kufizuar në analizën e diskutimeve të zhvilluara në Kosovë (dhe në masën që kjo është e nevojshme për të kuptuar kontekstin më të gjerë shpirtëror-politik edhe në pjesët e tjera përbërëse të hapësirës kulturore shqiptare) në periudhën pas vitit 1999, të cilat fokusohen në çështjen e marrëdhënies ndërmjet identitetit shqiptar dhe atij kosovar, Berisha iu ka përgjigjur me sukses dhe bindshëm një sërë pyetjeve intriguese dhe kruciale, siç janë: Pse debati për identitetin kosovar zgjoi kaq shumë interes publik dhe pse filloi së shpejti pas përfundimit të luftës më 1999? Cilat janë supozimet sociopolitike dhe kulturore të këtyre debateve? Cila është dinamika e formimit të identiteteve dhe cila është logjika mbi bazën e së cilës vjen deri te ndryshimet në listën prioritare të identiteteve të ndryshme?
Ndryshe nga mbrojtësit e identiteteve substanciale (në fakt: të hipostazuara dhe të absolutizuara) të bazuara në narrativa mitike, Berisha afirmon pluralitetin e identiteteve, duke hedhur poshtë ekskluzivitetin e njërit prej identiteteve, duke hedhur poshtë, pra, logjikën ose ose. I vetëdijshëm se shumica e pjesëmarrësve në debatin për identitetin kosovar/shqiptar madje nuk janë as të informuar për shqyrtimet bashkëkohore të problematikës së identitetit, ai tregon se ata kombin etnik e kuptojnë kryesisht si një platformë identitare homogjene që as nuk toleron diferencimin identitar brenda shoqërisë përkatëse as nuk mund të tolerojë elementë të tjerë etnikë. Kjo vlen si për serbët (nga peshkopi Artemija deri te Ivica Daçiq), ashtu edhe për ithtarë (të shumtë, të paraqitur hollësisht në libër) të absolutizimit të identitetit kombëtar shqiptar. Në këtë mënyrë formohet “antikosovarizmi pasionant”, me të cilin identiteti shqiptar apo ai serb vendoset si përjashtues në raport me identitetin (qytetar) kosovar. Tregohet se nacionalizmi serb dhe ai shqiptar janë solidarë në mënyrë antitetike në qëndrimet e tyre të mohimit të identitetit kosovar. Nëse do të organizohet jeta politike ose shoqërore mbi supozime të tilla, atëherë do të ndërtohet një shtrat i dhimbshëm, potencialisht i përgjakshëm, i Prokrustit.
Duke mbrojtur të drejtën demokratike për vetë-identifikim dhe duke kundërshtuar absolutizimin e atyre identiteteve që janë prodhuar ose përcakuar përmes homogjenizimit të detyruar, Berisha ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vetëdijësimin për pluridimensionalitetin e identiteteve shoqërore dhe individuale. Ky kontribut është me vlerë edukative jo vetëm për shoqërinë në Kosovë por edhe për pjesëtarët e çdo kombi në botë që nuk e kanë çliruar veten nga traumat e trashëguara apo kanë mbetur të bllokuar në paragjykime dhe mite!
Ky libër është monografia e parë me bazë filozofike kushtuar problematikës së identiteteve në kontekstin e Kosovës, por duhet theksuar se metodologjia që ka përdorur autori në të paraqet një risi të rëndësishme edhe në nivel global. Në të njëjtën kohë, libri është i rëndësishëm globalisht si një kontribut autoritativ kundërshtimit kritik të metafizikës së keqe të identiteteve të absolutizuara. Dhe nuk është kurrëfarë teprimi nëse thuhet se është një nga librat më të mirë kushtuar problematikës së identiteteve në përmasa globale.
Lino Veljak konsiderohet si një prej filozofëve dhe intelektualëve më të rëndësishëm bashkëkohorë në Kroaci. Deri më tash ka botuar 11 libra autorialë, si dhe 10 përmbledhje punimesh apo libra të tjerë si bashkautor dhe/ose redaktor. Poashtu, ai është autor i qindra studimeve, artiujve, recensioneve dhe punimeve tjera të botuara në enciklopedi e fjalorë të filozofisë, si dhe në revista shkencore, profesionale, kulturore, etj. në Kroaci, hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe në botë.Për disa dekada ka qenë shef i Katedrës së ontologjisë pranë Degës së filozofisë të Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit. Për shumë vite ka qenë shef i Degës së filozofisë të Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit, si dhe shef i Studimeve të doktoratës të filozofisë pranë këtij institucioni.



