Igballe Huduti shpallet person ‘non-grata’ në Shqipëri për 15 vjet

25 qershor 2026 | 14:52

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerr urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, për Igballe Huduti (Berisha).

Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetese vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Igballe Huduti pjesë e protestave në Shqipëri, Rama ia publikon fotografinë me Ahmadinejadin e Iranit

Urdhri i ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Kujtojmë që Igballe Huduti (Berisha) njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po kështu është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit, Mahmud Ahmandinexhad.

Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama, ka pasur një reagim ndaj saj, lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama në “Facebook”. /TVKlan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani ka njoftuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit anësor, Lorik Dobratiqi,…