IKD-ja kërkon anulimin e 70 konkurseve nga institucionet e Kosovës

19 shtator 2019 | 17:10

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar konkurset e shpallura nga institucionet qendrore dhe lokale, të cilat janë shpallur që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ku ka identifikuar se institucionet i sistemit të drejtësisë, ato qendrore dhe lokale duke u bazuar në ligjin e vjetër kanë shpallur së paku 70 konkurse për 261 zyrtarë publikë, në kundërshtim me ligjin.

Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt 2019, kishte miratuar Ligjin për Zyrtarët Publik, i cili ligj ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri.

I njëjti ligj ka shfuqizuar Ligjin për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës. Sipas këtij ligji, nga data 12 shtator 2019, të gjitha konkurset publike do të duhej të shpalleshin në bazë të këtij ligji.

Përkundër kësaj, numër jashtëzakonisht i madh i institucioneve, kanë shpallur konkurse duke u bazuar në ligjin e vjetër mbi Shërbimin Civil, i cili tanimë është i shfuqizuar. Për nga numri konkurseve të shpallura, duke u bazuar në ligjin tanimë të shfuqizuar kampione është Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me gjithsej 20 konkurse të shpallura, derisa për nga numri i pozitave të shpallura, kampion është Këshilli Gjyqësor i Kosovës më gjithsej 91 pozita të shpallura.

IKD-ja ka vlerësuar se këto gjetje tregojnë përpjekjet e reja për politizim të administratës shtetërore, kjo pasi që në ligjin e ri ka kufizime më të mëdha për manipulime, të cilat kufizime nuk gjenden në ligjin e kaluar.

Në këtë drejtim, IKD-ja i ka bërë thirrje publike Ministrisë së Administratës Publike si përgjegjëse kryesore për këtë dështim në zbatimin e ligjit të ri, që urgjentisht, të kërkojë nga të gjitha institucionet publike, anulimin e konkurseve të shpallura me ligjin e vjetër dhe të kthejë ligjshmërinë në procesin e rekrutimit të zyrtarëve publikë.

Lista e institucioneve që sipas IKD-së kanë shpallur konkurse në mënyrë të kundërligjshme:

1. Agjencia Kosovare e Privatizimit

2. Agjensioni Kundër Korrupsionit

3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës

4. Këshilli Prokurorial i Kosovës

5. Komuna e Prishtinës

6. Komuna e Drenasit

7. Komuna e Podujevës

8. Komuna e Skenderajt

9. Komuna e Mitrovicës

10. Komuna e Istogut

11. Komuna e Pejës

12. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit

13. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

14. Ministria e Administratës Publike

15. Ministria e Punëve të Brendshme

16. Ministria e Zhvillimit Ekonomik

17. Ministria e Drejtësisë

18. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal

19. Policia e Kosovës

20. Shërbimi Korrektues i Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar të enjten Besim Ymeri. Lideri…