IKShPK: Zgjerimi i vaksinimit kundër HPV, hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik

30 mars 2026 | 14:42

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton qytetarët se Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar rekomandimin e Komitetit Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI), për zgjerimin e grup-moshave për vaksinim kundër Human Papilloma Virusit (HPV).

“Ky vendim është në përputhje me evidencën më të fundit shkencore dhe rekomandimet ndërkombëtare, dhe synon rritjen e mbrojtjes së popullatës ndaj infeksioneve me HPV, parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, si dhe uljen e rrezikut nga kanceret e tjera të lidhura me HPV tek të dy gjinitë”, ka njoftuar IKShPK-ja.

“Vaksinimi kundër HPV do të ofrohet në mënyrë vullnetare tek të rinjtë deri në moshën 26 vjeç, të cilët nuk janë vaksinuar më parë. Personat e moshës 26–45 vjeç mund të vaksinohen vetëm me rekomandim të klinicistit, bazuar në vlerësimin individual të rrezikut dhe përfitimit.  Vaksinimi rutinë për fëmijët 11–12 vjeç (nxënësit e klasës së gjashtë) vazhdon sipas kalendarit të rregullt të imunizimit”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Pse është i rëndësishëm vaksinimi kundër HPV?

HPV është një ndër shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës dhe disa sëmundjeve të tjera serioze.
Vaksina:
• mbron nga tipet më të rrezikshëm të virusit;
• redukton ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e lezioneve para-kanceroze dhe kancerit;
• është e sigurt dhe shumë efektive sidomos kur merret para ekspozimit ndaj virusit.

Përfitimet për shëndetin
Zgjerimi i vaksinimit pritet të sjellë:
• ulje të rasteve të kancerit të qafës së mitrës dhe kancereve tjera të lidhura me virusin;
• mbrojtje më të gjerë për të rinjtë;
• reduktim të kostove të trajtimit në të ardhmen;
• përmirësim të përgjithshëm të shëndetit të popullatës.

Vaksina për grupmoshat e përfshira do të jetë e disponueshme në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në të gjithë vendin.

IKShPK inkurajon të gjithë prindërit, të rinjtë dhe qytetarët që të informohen dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për vaksinimin kundër HPV.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar sëmundje serioze dhe për të mbrojtur shëndetin individual dhe atë të komunitetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Evropa nuk po jeton më në paqe, por në një…