
Ilaçi i morrave në vend të rriqnave, Komuna e Malishevës: T’i dërgojnë në përgjegjësi ata që kanë lejuar
Një dështim serioz institucional në përballjen me Ethet Hemorragjike – Krime Kongo, ka dalë në pah përmes një raportimi të Periskopit, që tregon se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka shpenzuar afër 1 milion euro për preparate kundër rriqnave, por në terren është përdorur ilaç për morra.
Komuna e Malishevës, që është prej komunave më të prekura nga Ethet Hemoragjike- Krime Kongo si shkak i rriqnave, kanë reaguar në lidhje me përdorimin e ilaçit të gabuar për repilimin-dezinsektimin e fermave dhe kafshëve për të cilin raportoi Periskopi javën e kaluar.
Në një përgjigje nga kjo komunë kanë kërkuar që të merren masat për përdorimin e gabuar të ilaçit.
“Repelimi i kafshëve si njëra prej masave më efektive për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike- Krime Kongo, është përgjegjësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Minsitrisë së Bujqësisë, të cilët duhet të japin sqarimet e nevojshme dhe nëse ka ndodhë përdorimi i gabuar i ilaçit, atëherë ata duhet të marrin masat e nevojshme dhe t’i dërgojnë në përgjegjësi ata që kanë lejuar”, thuhet në përgjigje për Periskopin.
Strategjia Kombëtare për Luftimin dhe Parandalimin e EHKK-së, e hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), e parasheh repelimin e kafshëve si një masë bazike dhe të domosdoshme. Por Komuna e Malishevës thotë se implementimi i kësaj strategjie ka dështuar për vite të tëra, pikërisht për shkak të mosangazhimit të institucioneve qendrore.
“Repelimi i kafshëve është pjesë e masave parandaluese dhe pjesë e Strategjisë Nacionale për Luftimin dhe Parandalimin e EHKK. Dështimi tash e sa vite i repelimit, që është përgjegjësi direkte e MB dhe AUV i ka pasojat e saja”, thuhet në përgjigje.
Komuna kërkon që të merren masa të shpejta për realizimin e repelimit të kafshëve dhe ndërmarrjen edhe të masave tjera sipas strategjisë.
“Sa i përket përgjegjësisë, ju lutem që këtë pyetje ta drejtoni në AUV, në Ministri të Bujqësisë, në qeveri direkt, pasi e njëjta ka kohë që nuk e aktivizon Këshillin Ndërministror për EHKK dhe ndoshat edhe në IKSHPK, e cila edhe ka hartuar strategjinë për luftimin dhe parandalimin e EHKK”, thuhet në përgjigje.
Periskopi përmes sigurimit të raporteve të auditimit të brendshëm ka gjetur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka harxhuar afër 1 milion euro për t’i mbytur rriqnat, por ilaçi që ishte blerë për këtë punë, rezultoi se ishte për morra. Po ashtu, sipas raportit, kompania kishte përdorur vetëm 330 litra ilaç në vlerë prej 14 mijë euro, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit 7 fish.