Imazhi ynë është i ndritur (2)

09 korrik 2020 | 11:29

Shkruan: Kudusi Lama

Por shqiptarët vazhdojnë dhe do ta vazhdojnë rrugën e tyre në hisen e tyre të diellit, pavarësisht se do të ketë edhe nga ata që edhe veprat e lavdisë kombëtare do të tentojnë t’ua kriminalizojnë, siç është rasti i kësaj gjykate ndërkombëtare për “krimet” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rrodhi nga raporti i zi i Dick Martyt, i cili, pasi hodhi një histori shpifjesh kundër shqiptarëve, filloi të bëjë deklarata të zjarrta dashurie për ta, e se vetëm nga dashuria e madhe për shqiptarët i paska bërë shpifjet, pasi nuk mund të jetojmë në pjesën tonë të Evropës, nëse nuk gjendet dikush që të na ngjisë një bisht. Dhe bishtin e ngjisin si të duan ata. Të tjerë e përkëdhelin dhe e vërtetojnë. Prandaj edhe kanë dëshirë të na duan aq shumë sa na venë në bankën e të akuzuarit edhe pse duam lirinë.
Sidoqoftë ne jemi ata që kemi ardhur nëpër rrugët e shekujve me luftë për të jetuar e në mjaft raste edhe për mbijetesë. Ata do të jemi edhe në shekujt e ardhshëm. Nuk do të zhdukemi as do të tjetërsohemi, as do të asimilohemi, as do të urtësohemi. Kultura dhe sjellja e mirë me të kulturuarit dhe ata që sillen mirë, as na ka munguar as do të na mungojë. Arma dhe baroti i thatë për ata që do të na godasin as na ka munguar as do të na mungojë në të ardhmen.
Imazhi ynë është i ndritur. Bota që bën shkencën e historisë na e ka përcaktuar këtë portret mjaft mirë dhe na jep vlerat që na takojnë. Ndërsa atyre që kanë një dritare për të shpifur falë teknologjisë, ne duhet t’u tregojmë vendin ngado që të vijë e prej kudo që të shfaqen.
Ne nuk jemi nga ata që trembemi prej hijes së mëngjesit. Ne jemi prej atyre që nuk na kanë trembur as hijet e mbretërive dhe të perandorive. Ne jemi ata që moralin tonë nuk e matim në sasinë e ushqimit që konsumojmë, por me sasinë e gjakut që jemi të gatshëm t’i falim atdheut e kombit tonë. Prandaj edhe po të shihet, nuk kemi shumë fjalë. Shqiptarët kanë shumë vepra e pak fjalë. Nëse do të kishim thënë me fjalë gjithçka që e kemi bërë me vepra për vete dhe për të tjerët, nuk do të kishte mbetur vend për të tjerët nëpër libraritë, bibliotekat e arshivat. Prandaj bëjmë mirë, që nuk kemi shumë fjalë, por në disa raste, duhet t’u thuhet fjala e rreptë atyre që abuzojnë me kulturën dhe urtësinë tonë. Me dëshirën tonë për miqësinë, me dëshirën tonë për të qenë sa më pranë e sa më mirë me të gjithë. Nganjëherë nuk paska vlerë të jesh i urtë e të kesh dëshirë të mirë. U dashka që pa e humbur vetëkontrollin, të kalohet në ndërmarrjen e veprimeve për të kërkuar në memorien dhe kujtesën e Evropës dhe të botës, që të venë në evidencë madhështitë e historisë shqiptare e jo të vazhdojnë, si edhe më parë të kërkojnë të sakrifikojnë shqiptarët për të përkëdhelur të tjerët.
Në histori shqiptarët kanë dhënë shembullin e një kombi që di të jetojë, di të punojë, di të komunikojë, di të sillet, di të reflektojë kulturë, di të presë e të përcjellë mikun dhe armikun, di të luftojë, di të gjykojë, di të falë, di të zhvillojë kulturën, të zhvillojë ekonominë, di të zbatojë detyrat, të mbrojë të tjerët, të shpërndajë qytetari, etj. Por nuk di të shpif, nuk di të vrasë tinëzisht, nuk di të përbuzë mikun, nuk di të mos ndihmojë nevojtarin, nuk di të masakrojë të tjerët, nuk di të grabisë kombet e tjera, nuk di të pushtojë trojet e të tjerëve, nuk di të bëhet zot në shtëpi të huaj, etj. E nëse duhet të shpallet fajtor dhe kriminel, pse nuk di t’i bëjë këto, le të dënohet. Por historia gjithnjë bën drejtësi, ajo do të bëjë drejtësi përfundimisht për kombin shqiptar.
Shqiptarët kanë një motiv. Ai është dashuria për atdheun e kombin e tyre. Askush mos të mendojë se ata do t’i falin këto dy pasuri të pazëvendësueshme. Ata janë të gatshëm për sakrifica. Kanë dhënë prova që dinë të bëjnë sakrifica për interesat e kombit dhe të atdheut të tyre. I njohin mirë përgjegjësitë e tyre, edhe kur politika legale u merret peng nga forcat e errëta ndërkombëtare, siç ka ndodhur në shumë raste e siç po tentohet edhe aktualisht duke shfrytëzuar terminologjinë banale të emërtimit dhe etiketimit “kriminelë lufte”. E ne duhet të pranojmë edhe të dënohemi pa asnjë të drejtë, por të mos bëjmë asnjë lëshim në politikën e interesave kombëtare.
Ne e njohim historinë, i njohim vlerat tona, njohim edhe kontributet që kemi dhënë në të gjitha kohërat për interesat e Evropës e më gjerë. Po kështu njohim edhe të vërtetat e vendimeve të fuqive evropiane, në dëm të shqiptarëve për të ndërtuar gjeopolitikën ballkanike sipas interesave të të fuqishmëve në dëm të trojeve e të kombit shqiptar. Asnjë shqiptar nuk e harron Kongresin e Berlinit te vitit 1878, i cili shpërfilli me kokëfortësi ekuilibrin demografik të shqiptarëve në Ballkan dhe “gjymtuan” rëndë territoret e tyre. Po kështu, me vendimet e Konferencës së Londrës në vitet 1912-1913, megjithëse e njohën shtetin e pavarur, të porsa shpallur shqiptar, aktorët kryesorë gjeopolitikë të kohës u shkëputën shqiptarëve më shumë se gjysmën e territoreve me gjithë popullsinë, duke ua aneksuar ato shteteve fqinje. Siç duket edhe në këtë rast Evropa nuk deshi t’i vlerësojë shqiptarët për atë që janë, por për atë që i interesonte asaj dhe të përkëdhelurve të saj. Prandaj edhe duke mos vlerësuar shqiptarët dhe fuqinë e tyre të mbijetesës e lidhjen e tyre me tokën që i ka lindur, fuqitë e mëdha bënë investimin më të keq për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.
Dhe erdhi një moment, kur fuqitë evropiane e botërore kuptuan se pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, paqja dhe siguria në rajon do të ishin në vazhdimësi të rrezikuara. Prandaj në zgjidhjen e çështjes shqiptare u angazhuan edhe aktorët kryesorë gjeopolitikë euroatlantikë. Por kjo ndodhi vetëm pas shpërthimit të Luftës Çlirimtare të Shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi, që u bë nismëtarja e luftës për liri dhe udhërrëfyesja e NATO-s për mbijetesë.
Tashmë janë bindur të gjithë se nuk mund të ketë paqe në Ballkan duke mbajtur të copëtuara trojet etnike shqiptare, e duke mbajtur të ndarë shqiptarët në gjashtë pjesë.
Por ka e do të ketë edhe nga ata, që akoma ëndërrojnë se mund të kthehet historia prapa, ashtu siç ka edhe nga ata, që po e tregojnë historinë si duan e jo si është zhvilluar. Një prej këtyre është edhe zotëri Dick Marty, i cili duke u përpjekur t’u bëjë një argat serbëve dhe Serbisë, gaboi rëndë dhe krijoj një atmosferë të rëndë për kombin shqiptar.
Lufta Çlirimtare e Kosovës, si lëvizja që frymëzoi, identifikoi, gjeti dhe shfrytëzoi të gjitha mjetet dhe mënyrat për të mbrojtur e konsoliduar interesat gjeopolitike të shqiptareve në rajon, me aspiratën për të bashkuar trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, duke ndërtuar rrugë më të gjëra e të thella të zhvillimit e të përparimit ekonomik e shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë natyrore, është treguesi më vital kombëtar e nuk mundet askush të na e përbaltë e të na e rrëzojë përtokë. Këtë e di politika evropiane, e di gjykata e ngritur si modeli i vetëm në botë, për të gjykuar luftëtarët e lirisë, pse ata luftuan kundër pushtuesit të atdheut të tyre e masakruesit të popullit të tyre. Më e shumta që mund të na bëjnë kjo gjykatë me raportin e Dick Martyt dhe me serbët është që të na dënojnë ndonjë djalë luftëtarë. Por ata nuk e dinë se në Shqipëri djemtë i lindin kryesisht për t’i sakrifikuar, pasi nëpër rrugën e luftës së pandërprerë kundër agresorëve nga kemi ardhur, detyrimisht që nuk mund të lindnim e rritnim djem për kënaqësi, por vetëm për sakrificë. Kemi prapë djem për sakrificë. Por historinë askush nuk duhet të marrë përgjegjësinë të na e përbaltë, sepse atë shqiptarët e kanë të shenjtë. E shenjtëria mbrohet.
Ne e dimë, se lufta për çlirimin kombëtar dhe bashkimin kombëtar shqiptar, nuk mund të zhvillohet jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha dhe interesave të tyre gjeopolitike në rajonin e Ballkanit. Por kuptojmë edhe që ato tashmë janë ndërgjegjësuar për të drejtën tonë, ani pse ka akoma ndonjë kambanë të shpuar e cila tingëllon për interesat e Serbisë. Tashmë ne jemi të bindur se roli i Fuqive të Mëdha nuk mund të jetë me tej negativ dhe pengues, nuk mund të jetë më mospërfillës.
Koha që Çështja kombëtare shqiptare, të mbijetojë mes darës së programit grek të “Megali Idheas” dhe atij serb të “Naçertanies”, ka kaluar me kohë. Programe të tilla me karakter të theksuar shovinist janë të kohëve të kaluara dhe nuk mund të jenë bashkudhëtarë në kohën tonë. Por për fat të keq akoma po duken individë të cilët kanë dëshirë t’i ngjallin këto programe. Ndarja e tokave shqiptare midis Greqisë dhe Serbisë, ka perënduar. Kjo ishte politikë zyrtare e fqinjëve tanë në shekullin 19-të, por sot nuk na tremb ky kërcënim megjithëse mbetet permanent për gjeopolitikën e sigurinë e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit. Zbatimi në kohët moderne, i këtyre platformave të vjetra nacionaliste, është aventurë, prandaj edhe shqiptarët e kanë për detyrë të thonë kujdes prej vjetërsirave.
Duhet që të gjithë të mbajnë mend e të evidencojnë se trojet e Kosovës e të tjerat që akoma mbahen të pushtuara, janë vatra e Kryengritjes Shqiptare të vitit 1912, e cila ishte vullkani që plasariti themelet e Perandorisë Osmane dhe detyroi Fuqitë e Mëdha të njohin shtetin shqiptar, pasi ai u bë fakt i kryer nga Kuvendi i Vlorës. Po këto treva, diktuan ardhjen e gjithë botës moderne si bashkëluftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ishte në dritë të diellit drejtësia e luftës së kësaj ushtrie. U bënë bashkëluftëtarë të këtyre luftëtarëve shqiptarë të lavdishëm, që sot po tentohet të na etiketohen e të ngarkohen me vepra kriminale monstruoze, se nuk kanë shtrirë qafën nën satërin e kasapit serbë e duhet të shkojnë në gjykatën për krime lufte, ani pse nuk kanë bërë krime, por kanë shpëtuar kombin e tyre përballë kriminelëve.
Të gjithë e dinë, se në luftë bëhen edhe krime. Por të etiketosh një ushtri çlirimtare, me emërtesat më të shëmtuara si klane kriminale, ky është veprim i turpshëm. Është i pa themeltë shkencërisht dhe i pa logjikshëm politikisht e i pa qëndrueshëm juridikisht.
Dihet që serbët ndihen të shqetësuar, sepse po shohin se programi i tyre që parashikonte të përfshinte në hapësirat e Serbisë, të gjitha trojet etnike shqiptare, gradualisht po shkon në rrugën e shkatërrimit të plotë. Serbia dhe politika e saj janë të revoltuara, por nuk është përgjegjësi shqiptare nëse Serbia harxhon energji kundërshqiptare, në vend se të harxhonte energji për paqe, zhvillim e mirëkuptim. Megjithatë unë për Serbinë nuk habitem. Ama të tillët nga Evropa, si zotëri Marty, që vijnë nga vendet me traditë kulturore e shtetet moderne të kohës, duhet t’i sqarojmë. Ashtu edhe këtë gjykatën mostër e vetme në botë, që nuk ka asnjë të ngjashme në historinë botërore.
Ne e kemi për detyrë, gjithashtu, të kujtojmë për të gjithë se jemi në procesin e bërjes. Askush nuk duhet të mendojë se me presione mund t’i ulë e qetësojë shqiptarët. Shqiptarët i ulë vetëm e drejta edhe kur është kundër tyre. Por nuk i ulë kurrë e padrejta edhe kur atë e bartin fuqitë e mëdha botërore. Prandaj, bota duhet të ketë në vëmendje se shqiptaret do të luftojnë prapë me të gjitha mjetet që do t’u diktojë koha për ta siguruar ardhmërinë e tyre kombëtare deri në gishtin e fundit të dheut të tyre. Le ta dinë të gjithë. Le ta analizojnë me kujdes. E ardhmja do t’i vërtetojë këto që them.
Dua t’ia kujtoj kujtdo që dëshiron të luajë rol aventurieri, se ideja për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve parashikohet edhe në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilën thuhet: “… Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen… me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof.asoc.dr. Dashamir Berxulli është zgjedhur dekan i Fakultetit Filozofik të…