Incidenti në urën mbi Ibër cilësohet si provë për sigurinë kombëtare të Kosovës

01 nëntor 2025 | 10:45

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë ndërtimit të urës së dytë në veri të Kosovës, duke kërkuar që institucionet të mos nxitojnë në përfundime pa një hetim të pavarur dhe të thelluar.

Ai ka theksuar se rasti duhet trajtuar si një provë e re për sigurinë kombëtare dhe funksionimin e shtetit ligjor në veri të vendit.

“Autorët e punimit dhe institucionet përgjegjëse nuk duhet të nxitojnë në përfundime pa një hetim të pavarur dhe të thelluar. Bazuar në tre hipotezat kryesore të ngritura në aspektin e sigurisë, duhet të shprehim një qëndrim të balancuar dhe të qartë për publikun”, ka deklaruar Shala.

Sipas tij, në analizën e situatës duhen marrë në konsideratë tri hipoteza të mundshme.

Në hipotezën fillestare, Shala vlerëson se “incidenti i ndodhur në procesin e ndërtimit të urës së dytë në veri të Kosovës mund të jetë rezultat i ndërhyrjes njerëzore (sabotimit të qëllimshëm) ose i një defekti teknik gjatë fazës së punimeve inxhinierike”.

Ai thekson se “për të përcaktuar natyrën e vërtetë të ngjarjes, kërkohet analizë multidisiplinare që përfshin komponentët e sigurisë, teknikës dhe inteligjencës”.

Në hipotezën specifike, Shala shpjegon se “ekziston mundësia që ky incident të jetë produkt i një akti sabotues të koordinuar nga struktura paralele dhe grupe kriminale që operojnë në veri të vendit, të cilat tradicionalisht kanë pasur lidhje me rrjete parapolitike serbe”.

Sipas tij, “këto grupe mund të synojnë krijimin e pasigurisë dhe ndalimin e proceseve të integrimit institucional në zonë, përmes dëmtimit të projekteve infrastrukturore strategjike”.

Ndërsa në hipotezën strategjike, Shala paralajmëron se “sabotimi i mundshëm mund të jetë i sponsorizuar ose i dirigjuar nga struktura shtetërore të Serbisë, si pjesë e një strategjie më të gjerë të veprimeve hibride dhe presionit ndaj institucioneve të Kosovës”.

Ai kujton se “ky skenar është i ngjashëm me incidentet e mëparshme mbi infrastrukturën kritike (p.sh. sistemet e ujësjellësit dhe energjisë) që janë regjistruar në vitin e kaluar, duke synuar të dëmtojnë stabilitetin lokal dhe të testojnë reagimin e autoriteteve të sigurisë”.

Në përfundim, eksperti i sigurisë kërkon maturi dhe profesionalizëm maksimal në trajtimin e ngjarjes.

“Ky incident duhet trajtuar me maturi dhe profesionalizëm maksimal. Çdo konkluzion i parakohshëm vetëm sa do t’i shërbente atyre që kërkojnë të dëmtojnë besimin publik dhe të manipulojnë opinionin. Deri në përfundimin e plotë të hetimeve teknike, kriminale dhe të inteligjencës, askush nuk duhet të nxjerrë përfundime të shpejta”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve në identifikimin…