Infermiereve të arrestuara iu caktohet një muaj paraburgim

03 nëntor 20:37

Gjykata ua ka caktuar një muaj paraburgim tri infermiereve, të dyshuara për sulm ndaj të moshuarës në një qendër të të moshuarve në Pejë.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurave A.P, A.R dhe R.K, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale sulmi nga neni 184 par.3 nënpar.3.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas njoftimit, gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale.

“E të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende. Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to. Andaj, duke u bazuar në rrethanat e rastit konkret, gjykata ka arritur në përfundim se në këtë fazë të procedurës është i nevojshëm caktimi i masës së paraburgimit për të tri të pandehurat me qëllim të pengimit të përsëritjes së veprës penale, kryerjes së ndonjë vepre të re penale apo ndikimit në dëshmitar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata vlerësoi edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një…