Inspektorati dhe policia sonte në terren në gjithë Kosovën

01 gusht 2020 | 22:02

Për shkak të moszbatimit të masave kundër virusit Korona të vendosura nga Qeveria e Kosovës, inspektorati dhe policia kanë nisur një aksion nëpër lokale të ndryshme në gjithë Kosovën. Bëhet me dije se të gjitha lokalet që nuk respektojnë masat do t’u vendoset shiriti mbyllës.

Aktualisht në Prishtinë janë mbyllur disa lokale për shkak të mosrespektimit të masave të vëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK-ja. Po ashtu, disa klube të natës janë mbyllur edhe në Gjilan, të cilat kanë ftuar njerëz për t’u grumbulluar, pavarësisht thirrjes së institucioneve për të mos e bërë një gjë të tillë.

Mbylljen e lokaleve për mosrespektim të masave kundër Koronës e ka paralajmëruar të shtunën drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Ai u ka bërë thirrje pjesëtarëve policorë që çdo operator ekonomik që ka përsëritur në vazhdimësi veprimet që nuk janë në përputhje me masat mbrojtëse, përveç gjobave, edhe t’i mbyllin. “Policia e Kosovës deri më tani ka bërë 11 824 fletëparaqitje të cilat i kemi dërguar tek inspektorët sanitar dhe këto fletëparaqitje do të shndërrohen në gjoba. Kemi bërë 14 101 vërejtje qytetarëve, të cilat janë vërejtje me shkrim, të cilat janë të evidentuara në databazat tonë. U bëj thirrje policëve të Kosovës që tani e tutje mos t’i lejojnë qytetarët e Kosovës të mos i respektojnë vendimet e qeverisë, masat mbrojtëse dhe t’i sanksionojnë të gjithë. Po ashtu, së bashku me inspektorët sanitarë do t’i shtojmë inspektimet në operatorë ekonomikë, në lokale, markete dhe autobusë”, ka deklaruar Qalaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për shkak të rritjes së infeksioneve me koronavirus në Gjermani,…