Inspektorati i gjobiti tre mjekë, SHSKUK nuk mori asnjë masë ndaj tyre që u kapën duke punuar në privat

25 janar 2023 | 19:32

Inspektorati Shëndetësor i ka gjobitur tre mjekë të QKUK-së të cilët u kapën duke punuar në një spital privat. Dy prej tyre ishin në orar zyrtar në QKUK, kurse njëri në pushim mjekësor.

Ky i fundit e ka kundërshtuar këtë vendim duke pretenduar se ka qenë në pushim vjetor. Ndërkaq SHSKUK nuk ka ndërmarr asnjë masë ndaj tyre.

Në mesin e nëntorit të vitit të kaluar Inspektorati Shëndetësor pas një kontrolli në QKUK për respektimin e vijueshmërisë në punë të stafit mjekësor, i gjeti tre mjekë duke punuar në një institucion privat. Dy prej tyre ishin brenda orarit zyrtar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, kurse i treti kishte marr pushim nga Klinika e Anestezionit.

Dr. Sanije Abazi dhe Dr. Masar Azemi u gjobitën nga Inspektorati Shëndetësor pasi në orar të QKUK-së, u gjetën duke punuar në institucionin privat “Sante Plus”. Në këtë institucion figuroi edhe emri i anesteziologut Lavdim Morina, i cili ishte në pushim mjekësor. Edhe Morina u dënua me gjobë nga ISH.

“Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Klinikën e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit në QKUK dhe bazuar në të gjeturat gjatë inspektimit, Inspektorati Shëndetësor ka kërkuar nga kryetar i komisionit për mirëvajtje të punës në QKUK që të merren masa ndaj mjekëve të lartpërmendur. Po ashtu, Inspektorati Shëndetësore ka shqiptuar dënim për Dr. Sanije Abazi, Dr. Lavdim Morina dhe Dr. Masar Azemi”, thuhet në një përgjigje të MSH-së për Gazetën Shneta.

“Vendimi për shqiptimin e dënimit është marrë në pajtim me dispozitat e nenit 94 të Ligjit Nr. 04/L-125 i plotësuar ndryshuar me nenin 3 të paragrafit 4 nën paragrafi 4.3 të nenit 94 i Ligji nr. 08/l-043 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-125 për Shëndetësi”, thuhet në përgjigje.

Ndonëse Inspektorati kërkoi masa, SHSKUK deri më tani nuk ka ndërmarr asnjë të tillë. Bile nuk i ka kthyer në lidhje me këtë çështje.

Gazeta ka kontaktuar edhe me mjekët Abazi dhe Morina. Abazi nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa Morina ka dorëzuar një ankesë në ISH dhe MSH, duke pretenduar se vendimi për pushimin e tij mjekësor ishte një gabim teknik.

“E para, une kam qene ne pushim vjetor nga data 21 Tetor 2022 deri 03 Nentor 2022, kerkesën per kete pushim e kam bere me date 17.09.2022, kete kerkese e ka miratuar Klinika gjegjëse ku une punoj. E dyta, kerkesa per pushim mjekësore eshte bere me daten 28 tetor 2022 ku komisioni mjekësore eshte mbledhur me date 02 Nentor 2022 ku ka miratuar kerkesen time per pushim miekesor”, thuhet në ankesën e Morinës.

“Duke u bazuar ne këto dy argumente faktike, vij ne perfundim se marria e vendimit nga ana e administratës se Klinikes se Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, që mbas vendimit te komisionit miekësor te dates 2 Nentore ta kthej ne shfrytëzim fillimisht pushimin mjekësor, pastaj vjetor eshte i vonuar ne kohe ( vendimi i administrates ka gene i pamenduar mirë, por i paqellimshem – qe ne kete rast me ka demtuar mua)”, ka pretenduar Morina në ankesën e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci derisa ka folur…