Inspektorati i trashëgimisë kulturore ndalon punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet

12 mars 2025 | 14:30

Inspektorati i trashëgimisë kulturore ka ndaluar punimet e nisura të hënën në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

Gjatë së mërkurës, pllakatës së projektit i është vendosur njoftimi për ndalim të punimeve, e cila nënkupton ndalimin e punimeve derisa komuna ta çojë projektin në Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve dhe të marrë miratimin për këtë projekt, dhe tek atëherë mund të nisë puna nën mbikëqyrjen e institucioneve të trashëgimisë kulturore.

Të hënën, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar nisjen e punimeve pa e marrë pëlqimin nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Punimet në këtë bulevard zhvillohen midis monumenteve hoteli “Grand”, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar qysh më 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore ose ato afër tyre kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent.

Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Projekti për të cilin është kontraktuar kompania nga Shqipëria “Salillari” dhe disa kontraktues të tjerë nga Kosova ka peshë financiare prej 18 milionë e 400 mijë eurosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komentatori politik dhe analisti Bleron Baraliu ka thënë se nëse…