
Inspektorati në Malishevë, i përkushtuar në zbatimin e masave kundër Covidit
Komuna e Malishevës ka bërë me dije se inspektorati komunal në këtë komunë, i mbështetur edhe nga policia është i përkushtuar që t’i zbatojnë të gjithë masat kundër Covidit. Për këtë qëllim, inspektorati komunal në Malishevë, të mbështetur edhe nga policia, në vazhdimësi janë duke i mbikëqyrur zbatimin e këtyre masave.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Dibran Kastrati, inspektorët, së bashku me Policinë e Kosovës, nga stacioni në Malishevë dhe të angazhuarit nga niveli qendror, përkatësisht njësia e krimeve ekonomike-regjioni Gjakovë, 24 orë në ditë janë e mbikëqyrur zbatimin e masave nga qytetarët. “Masat janë të gjitha ato që janë të miratuara nga Qeveria e Kosovës dhe qytetarët janë të obliguar të mbajnë maskat kur ecin në ambient të hapur, e po ashtu edhe masat e vendosura për gastronominë dhe subjektet tjera afariste. Po ashtu, në zbatimin e masave hyjnë edhe rastet pozitive me covid, të cilët janë të detyruar të rrinë në izolim për 14 ditë dhe çdo person që i thyen këto masa, do të ndëshkohet sipas ligjeve, pasi në këtë mënyrë mbrohet edhe shëndeti i popullatës”, ka sqaruar Kastrati.
Sipas Kastratit, në përgjithësi qytetarët, por edhe subjektet tjera afariste, përfshirë qendrat tregtare dhe gastronomia, janë duke i zbatuar masat e vendosura, por mbikëqyrja e zbatimit të masave, do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme.