Inspektorati: Subjekti ku ndodhi aksidenti në Gjakovë ishte gjobitur dy herë për shkelje

22 korrik 2025 | 12:57

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë me dije të martën se hapësira e subjektit ku kanë vdekur dy punëtorë të ndërtimtarisë në Gjakovë një ditë më parë, është gjobitur dy herë për shkelje të përsëritura.

“Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”, është thënë në reagimin e Inspektoratit.

Autoritetet i kanë ndaluar dy persona më 21 korrik, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Përveç dy të vdekurve në Gjakovë, të hënën ka vdekur edhe një tjetër punëtor, i cili ishte lënduar në një aksident tjetër në vendin e punës në qytetin e Pejës.

Sipas Zyrës së Inspektoratit, nga janari e deri më 22 korrik, në Kosovë kanë ndodhur 268 aksidente në vendet e punës, dhe prej tyre shtatë raste kanë përfunduar me fatalitet.

“Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi”, është thënë mes tjerash në reagimin e Inspektoratit.

Rizah Plakolli, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës, ka thënë përmes reagimit të Inspektoratit Qendror të Punës ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e kapaciteteve inspektuese dhe se është në proces të rekrutimit të 59 inspektorëve të rinj.

Në të kaluarën, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) janë shprehur të shqetësuar me, siç kanë thënë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë. Në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive janë obligime që duhet t’i zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij. Sipas Inspektoratit të Punës, vitin që kemi lënë pas janë regjistruar shtatë raste të vdekjeve në vendet e punës, në vitin 2023, njëmbëdhjetë, ndërsa më 2022 janë regjistruar 15 sosh.

Reagimi i plotë publik:

Inspektorati Qendror i Punës reagon lidhur me aksidentin tragjik në vendin e punës në Gjakovë

Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar me dhimbje dhe shqetësim të thellë lajmin për aksidentin e rëndë të ndodhur më datë 21 korrik 2025 në një vend punishte në komunën e Gjakovës, ku për pasojë kanë humbur jetën dy punëtorë, si dhe ka ndërruar jetë një tjetër person i cili më herët ishte lënduar në një aksident tjetër në vendin e punës në Pejë.

Në emër të Inspektoratit Qendror të Punës dhe në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për familjet e viktimave, duke ndarë dhimbjen me ta në këto momente të rënda.

Inspektorati Qendror i Punës është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij njerëzore dhe ligjore për të hetuar rrethanat e këtij rasti dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ju informojmë se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë. Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.

Apel për ndërgjegjësim publik dhe institucional

Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi.

Ftesë për bashkëpunim dhe komunikim nga media

Inspektorati Qendror i Punës fton të gjitha mediat që të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e përgjithshëm shoqëror, përmes informimit të drejtë dhe përhapjes së mesazheve sensibilizuese mbi rëndësinë e masave preventive në vendin e punës. Vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë ndërmjet institucioneve, bizneseve, organizatave dhe mediave, mund të ndërtojmë një kulturë pune të sigurt dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët tanë.

Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë me përkushtim punën e tij inspektuese dhe ligjzbatuese për të rritur nivelin e sigurisë në vendet e punës, me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

Vazhdim i përpjekjeve institucionale për sigurinë në vendin e punës

Në vazhdën e përpjekjeve të pandërprera për të krijuar një ambient pune sa më të sigurt dhe dinjitoz për punëtorët në Republikën e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin edhe më tej të kapaciteteve inspektuese, përmes procedurave të rekrutimit të inspektorëve të rinj.

Në këtë kuadër, është zhvilluar një procedurë për rekrutimin e 60 inspektorëve të rinj , e cila është anuluar nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Pavarësisht kësaj pengese administrative, Inspektorati Qendror i Punës nuk ka ndalur përpjekjet dhe aktualisht është në proces të për rekrutimin e 59 inspektorëve të rinj në të cilën procedurë kanë përfunduar të gjitha vlerësimet e kandidatëve.

Me shpresë dhe përkushtim të plotë, synimi ynë është që kësaj radhe të finalizohet me sukses rekrutimi, në mënyrë që të rritet prezenca dhe efikasiteti i inspektorëve në terren, dhe të përmirësohet dukshëm mbikëqyrja dhe zbatimi i legjislacionit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Ps. Inspektorati Qendror i Punës në 6 Mujorin e parë:

  1. Ka kryer 4751 inspektime
  2. Ka shqiptuar 788 gjoba
  3. Kan ndodhur 268 aksidente

Ndërsa nga janari deri më sot kan ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që ipen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jokompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publikë./ Rizah Plakolli-UD. Drejtor Ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka…