Ekonomia e Kosovës më 2025: Inflacion i lartë, liberalizim i tregut të energjisë dhe rritje e kamatave
Viti 2025 u karakterizua nga sfida të mëdha ekonomike për Kosovën. Inflacioni i lartë vazhdoi ta rëndojë fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa liberalizimi i tregut të energjisë solli pasiguri dhe kosto shtesë për familjet dhe bizneset. Në të njëjtën kohë, rritja e kamatave për kredi e bëri më të vështirë qasjen në financim, duke ndikuar drejtpërdrejt në konsumin dhe zhvillimin ekonomik të vendit, shkruan “Epoka e re”.
Dhjetori i gëzueshëm me nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët
Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti edhe në këtë dhjetor të 2025-s ka bërë transferimin e shtesës prej 100 eurove për fëmijët 0-16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve bazike, kontributeve, kategoritë e luftës, aftësive të kufizuara, dhe skemave të tjera sipas kritereve të përcaktuara në vendim.
300 milionë euro nga investimet për vitin 2025
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se deri më 24 dhjetor 2025 ka realizuar një kthim bruto nga investimet prej 312 milionë eurosh, duke e bërë vitin 2025 një nga më të suksesshmit në historinë e institucionit. Sipas njoftimit, meqë për vitin 2024 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 244 milionë euro, rezulton se vetëm në dy vitet e fundit FKPK-ja ka akumuluar kthim bruto nga investimet prej rreth 556 milionë euro.
Dogana gjatë vitit 2025 ka mbledhur 1 miliard e 968 milionë euro
Dogana e Kosovës gjatë vitit 2025 ka mbledhur 1 miliard e 968 milionë euro, ka njoftuar drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu. Ai në një konferencë për medie në fundvit tha se kjo shumë është 135 milionë euro më shumë sesa në vitin 2024 dhe 75 milionë euro më shumë sesa në projeksionin e bërë në fillim të vitit 2025.
ATK-ja: Mbi 1 miliard euro të hyra të mbledhura nga tatimet
Gjatë këtij viti Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra nga tatimet, duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme dhe duke shënuar një moment historik për financat publike të Republikës së Kosovës. Ky rezultat pasqyron rritjen e përmbushjes vullnetare tatimore, forcimin e administrimit tatimor dhe efektet pozitive të reformave institucionale.
Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rritje pagash
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) ka mbajtur një protestë në dhjetor në sheshin “Nënë Terezë” për rritje pagash, ku punëtorët kërkuan trajtim më të drejtë dhe përmirësim të kushteve ekonomike në përputhje me përgjegjësitë dhe rrezikun e punës së tyre. Ata kërkuan që paga mesatare t’u rritet në 1 100.00 euro.
Qeveria Kurti rrit pagat në sektorin publik
Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, ka rritur pagat në sektorin publik me dy etapa gjatë vitit 2025: 55 euro më shumë nga janari 2025 dhe 55 euro shtesë nga korriku 2025, duke sjellë gjithsej 110 euro rritje për punonjësit publikë. Rritja realizohet duke shtuar koeficientet, jo vlerën e koeficientit, një masë që do t’i kushtojë rreth 120 milionë euro buxhetit të shtetit.
BE-ja mbi 180 milionë euro fonde shtesë nga IPA për Kosovën
Bashkimi Evropian ka liruar në muajin dhjetor 181 milionë euro fonde shtesë në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Kosovën, duke riafirmuar rolin e tij si partneri më i fuqishëm dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare për vendin. Po ashtu, sipas Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i janë dedikuar gjithsej 882 milionë euro fonde që synojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik, reformave dhe afrimit me standardet evropiane.
Rritet paga minimale
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar rritjen e pagës minimale, e cila do të arrijë në 500 euro deri në korrik të vitit 2026. Paga minimale, e cila është 350 euro, do të rritet në dy faza, fillimisht në 425 euro në janar, ndërsa në korrik do të bëhet 500 euro në muaj për të gjithë punëtorët me orar të plotë.
Kosova pranohet në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian
Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova. “Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen e publikuar në uebfaqen e këtij komuniteti.
Kosova merr në kontroll objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë
Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e objekteve në Graçanicë dhe Shtërpcë ku ndodhej Posta e Serbisë. Posta e Kosovës njoftoi mbrëmjen e 11 shtatorit se pas finalizimit të procedurave ligjore, këto prona, që tha se ishin shfrytëzuar nga një operator ilegal, tani janë regjistruar si pronë e ligjshme e Postës së Kosovës. “Posta e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve postare e financiare cilësore, të sigurta dhe transparente në gjithë territorin e vendit”.
Kompanitë mund të largohen nga Kosova për shkak të rrymës
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka paralajmëruar se kompani vendëse, por edhe investitorë të huaj, janë duke e shqyrtuar mundësinë që të largohen nga Kosova për në vendet e rajonit për shkak të liberalizimit të tregut të energjisë. Kompanitë që nuk kishin lidhur kontratë për furnizim të energjisë elektrike u shkëputën nga rrjeti elektrik. Kreu i AKB-së, Agim Shahini, e cilësoi si “goditje të rëndë dhe të padrejtë” ndaj ekonomisë së vendit. Sipas tij, mbi 200 kompani me mbi 10 000 punëtorë u shkëputën nga rrjeti elektrik, duke shtuar se dëmi është milionësh.
Investimet jashtë Kosovës rriten për 55 %
Investimet direkte të bizneseve të Kosovës jashtë vendit po rriten ndjeshëm, duke arritur në 166.6 milionë euro në gjysmën e parë të këtij viti. Kompanitë po e braktisin tregun e Kosovës për shkak të burokracisë, mungesës së digjitalizimit, kostos së lartë të energjisë dhe kushteve më të favorshme në vende të rajonit. Ekspertët thonë se largimi i bizneseve dëmton rëndë ekonominë e Kosovës, duke ulur të hyrat publike dhe duke rritur varësinë nga importet.
Përplasjet politike lënë Prishtinën pa transport publik
Banorët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, gjatë fundit të muajit nëntor dhe fillimit të dhjetorit janë detyruar të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik. Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë kanë vazhduar të mos i kursejnë akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar me financat në komunë dhe shkaktimin e këtij kaosi. Por, një gjë dihet: Komuna e Prishtinës e ka miratuar me vonesë buxhetin për vitin 2025, rrjedhimisht Ministria e Financave e ka hartuar një version të buxhetit për të.
Liberalizimi i energjisë rriti çmimet, uli kapacitetet
Rritja mbi 100 % e çmimit të rrymës, pas liberalizimit të tregut të energjisë, ka detyruar shumë biznese t’i pezullojnë punësimet dhe ta ndalojnë zgjerimin e linjave prodhuese. Nga 27 kompani të licencuara për tregtim e kanë bërë konkurrencën minimale dhe çmimet e furnizimit pothuajse të pandryshueshme. Bizneset po kërkojnë zgjidhje tek energjia diellore për ta ulur varësinë nga tregu i hapur dhe për t’i mbrojtur të ardhurat dhe vendet e punës.
Rriten kamatat për kredi
Normat e interesit në bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme nga muaji gusht i vitit që po lëmë pas, duke rënduar buxhetet familjare dhe planet investuese të bizneseve. Dallimi ishte i dukshëm: disa banka ofruan kredi me norma interesi mbi 7 %, njëra 8 % – nga rreth 6 % sa ishin më parë – ndërsa për bizneset normat ngjiteshin mbi 10 %. “Kamatat janë rritur shumë”, por askush nuk dha një shpjegim të qartë pse. Ekspertët sugjerojnë se konkurrenca më e madhe në treg, përkatësisht licencimi i bankave të reja, mund t’i ulë kamatat.
Familjet e Kosovës u përballen nën presionin e inflacionit
Familjet në Kosovë po përballen me rritje të lartë të çmimeve, duke shpenzuar më shumë, por duke blerë më pak. Anketa e IRI-së zbulon se 45 % e qytetarëve e konsiderojnë koston e jetesës si problemin kryesor, një rritje nga 28 % vitin e kaluar. Agjencia e Statistikave e Kosovës ka njoftuar se për muajin nëntor 2025 ka pasur një rritje vjetore të çmimeve prej 5.3 % dhe një rritje mujore prej 0.4 %. Rritja është shënuar në pemë, energji elektrike, mish, qumësht, djathë dhe vezë.
Mediana e pagave: Kosovën e lënë prapa vendet e tjera evropiane
Mediana e pagave e ndan të gjithë fuqinë punëtore të një vendi në dy gjysma: gjysma e punëtorëve fitojnë më pak se kjo shumë e gjysma tjetër më shumë. Meqë nuk ndikohet nga pagat shumë të larta apo shumë të ulëta, siç ndodh me pagën mesatare, ajo vlerësohet se e tregon më mirë standardin e jetës në një vend. Në Kosovë, mediana e pagave është më e ulët sesa e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, dhe të paktën disa shtete të rajonit, si Shqipëria e Serbia.
Bizneset bllokojnë Prishtinën
Kompani të shumta në Kosovë protestuan në Prishtinë më 29 maj kundër liberalizimit të tregut të energjisë i cili hyri në fuqi më 1 qershor 2025. Për dy orë përfaqësuesit e tyre bllokuan hyrjet kryesore të kryeqytetit, duke paralajmëruar se do të përballen me rritje drastike të çmimeve dhe mungesë të ofertave reale. Derisa Zyra e Rregullatorit për Energji refuzon ta shtyjë afatin, qeveria në detyrë e kritikoi Odën Ekonomike të vendit duke thënë se ajo “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur bizneset për procesin.
ZRRE rrit për 16 % çmimin e rrymës, qytetarët protestojnë
Rritja e çmimit të energjisë për rreth 16 për qind u kundërshtua përmes protestave në Prishtinë më 11 prill. Qindra qytetarë kërkuan anulimin e vendimit të miratuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Të prekur nga shtrenjtimi, ata e shohin këtë masë si një barrë të padurueshme për jetesën e tyre.
Dinari serb – i ndaluar në rregullore, i pranuar në treg
Tash e një vit Kosova e nxori jashtë ligjit dinarin serb, por në veri të vendit paraja e gjen rrugën. Ndërsa bankat e refuzojnë, dyqanet dhe shitësit ende e pranojnë – disa më hapur, të tjerët më në hije. Për shumë qytetarë ndalesa nuk i ka ndaluar transaksionet, thjesht i ka bërë më të komplikuara.
Kosova shpenzoi gati 900 milionë euro për mall kinez
Kosova shpenzon mbi dy milionë euro brenda një dite për mallra të importuara nga Kina – nga lodrat dhe pajisjet elektroshtëpiake deri te produktet ushqimore dhe ato bujqësore. Të dhënat flasin për një prani gjithnjë e më të madhe të këtyre mallrave në tregun e Kosovës. Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vlera e importit nga Kina është rritur nga 452 milionë euro në vitin 2021 në 841 milionë euro në 11 muajt e parë të vitit 2025.
Bankat rritin tarifat e disa shërbimeve për 100 %
Një pjesë e bankave komerciale në Kosovë këtë vit kanë shtrenjtuar disa prej shërbimeve për klientët e tyre. Ngritje kanë pasur edhe tarifat për tërheqje të parave në degë, mirëmbajtje të kartelës e aplikacionit e-banking. Ngritja e tarifave po ndodh disa muaj pasi bankat realizuan fitime rekorde në Kosovë. /Epoka e re/



