Institucionet e Kosovës kanë nevojë për gjuhëtarë

12 nëntor 2021 | 17:15
Berat Armagedoni

Mediat dhe shtëpitë botuese po se po, por edhe institucionet qendrore dhe lokale duhet të punësojnë lektorë. Edi Rama, para mandatit të dytë, pati marrë vendim për punësimin e lektorëve në institucione. Pati bërë mirë, sepse janë gjuhëtarët ata që nuk lëshojnë gabime gjuhësore në tekstet e atyre që s’e shkruajnë gjuhën shqipe sipas rregullave morfologjike dhe sintaksore. Në administratën qendrore dhe në atë lokale të Shqipërisë sot gjuha shqipe shkruhet më saktë sesa që shkruhej para pesë gjashtë-vjetësh. Edi, me vendimin që pati marrë dhe me lejimin ndërkohë nga Ministria e Administratës Publike për hapjen e vendeve të punës për lektorë, institucionet mund t’i ketë mbushur me militantë të partisë, por i ka mbushur edhe me profesionistë të gjuhës. Këtu, në Kosovë, jo të gjitha institucionet e saj kanë lektorë. Ka kryeministria, ka Kuvendi i Republikës së Kosovës, kanë edhe ministritë. Të tjerat institucione s’kanë, ani pse ato, përpos që u dërgojnë komunikata mediave për publikim dhe publikojnë shkrime në uebfaqe, botojnë edhe libra, manuale, doracakë, raporte vjetore etj. Një vendim të tillë, për ta mbrojtur dhe ruajtur gjuhën shqipe nga çoroditja, si Edi disa vjet më parë në Shqipëri, duhet ta marrë edhe Albin Kurti në Kosovë, i cili, besoj e di, që në Fakultetin e Filologjisë çdo vit diplomojnë dhjetëra gjuhëtarë, të cilët në konkurset e shkollave shqipe për mësues, “nëpërkëmbën”.
Së këndejmi, më vjen mirë që kolegji AAB, më i madhi institucion i marrjes dhe i dhënies së dijes në Kosovë pas Universitetit të Prishtinës, është i vetmi institucion në Kosovë që studentëve që paraqesin për mbrojtje punimin e diplomës në studimet baçelor dhe në ato master, ua kërkon lekturimin e punimit të diplomës jo nga kushdo, por nga ata njerëz që kanë diplomuar për gjuhë, që kanë një vulë të vlefshme dhe që, nesër ose pasnesër, pas nënshkrimit të deklaratës për lekturim të punimit të diplomës nga lektori/ët/et, mund të përgjigjen për punën që kanë bërë para çdo institucioni gjyqësor. Këtë vendim të AAB-së s’e ka marrë asnjëherë Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Studentët në këtë universitet publik diplomojnë pa e redaktuar gjuhësisht punimin, pa lodhur mendjen për ta shkruar një titull të saktë, një fjali të saktë, një fjalë të saktë. Për këtë lëshim që ka bërë ky universitet që nga themelimi, duke mos i dhënë rëndësi gjuhës shqipe në punimet e diplomave në të tria shkallët e studimeve, Universiteti i Prishtinës, meqë nuk ka arritur t’i aftësojë studentët për shkrimin e gjuhës shqipe, duhet të përgjigjet dhe të ndiejë keqardhje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koalicioni PD-LSI tashmë është përfundimisht i ndarë. Këtë e konfirmoi…