Institucioni Adem Demaçi

30 korrik 2018 | 11:35

Baci ka qenë njeri i dashuruar me lirinë. Kësaj dashurie i ka qëndruar besnik deri në fund. Ka qenë i paepur, i pandalshëm, i papërkulur; dhe këtë dashuri ka arritur ta bëjë ngjitëse. Ka bërë që mijëra shqiptarë, të shkelur e të nëpërkëmbur, të frymëzuar nga dashuria e tij për lirinë, të dashurohen edhe ata me lirinë.

Valon Murati

1. Çdo komb ka nevojë të ketë figura të tilla që tejkalojnë qenien fizike dhe që shndërrohen në institucione të cilat janë pika referente për të. Ato institucione zhvishen nga përditshmëria, nga gabimet e cenet dhe mbesin pika orientuese për kombin e njerëzimin. Nuk ka dyshim se ata janë dhe mbesin njerëzorë. Duke qenë njerëzorë, ata arrijnë të shndërrohen në institucione. Ashtu siç ndodh edhe me dëshmorët. E veçanta e këtyre njerëzve është se ata me jetën, angazhimin, veprën e mendimin e vet, arrijnë që të frymëzojnë të tjerët, të orientojnë dhe të mobilizojnë. Jo të gjithë i kanë njohur qëndrimet e Mandelës apo të Gandit. Por ata me veprën e tyre kanë ngritur mijëra njerëz në funksion të arritjes së lirisë. Edhe ne shqiptarët, duhet të jemi krenarë që i kemi dhënë botës një figurë të tillë. Ne duhet të krenohemi që i dhamë botës Adem Demaçin.

2. Adem Demaçi ishte një institucion i kombit shqiptar. Shkrimtar, gazetar, aktivist, i burgosur politik, politikan, humanist, kryengritës e rebel dhe, mbi të gjitha, figurë qendrore e lëvizjes për liri të shqiptarëve në trojet e veta nën Jugosllavi. Lirisht mund të thuhet se ka qenë njeri i dashuruar me lirinë. Kësaj dashurie i ka qëndruar besnik deri në fund. Ka qenë i paepur, i pandalshëm, i papërkulur dhe këtë dashuri ka arritur ta bëjë ngjitëse. Ka bërë që mijëra shqiptarë, të shkelur e të nëpërkëmbur, të frymëzuar nga dashuria e tij për lirinë, të dashurohen edhe ata me lirinë. E dashuria është edhe ëndërr. Është edhe shpresë. Edhe ideal. Por ajo di të bëhet edhe realitet. Ai besonte në dashurinë ndaj lirisë si realitet, edhe pse na vinte në formën e shpresës, ëndrrës dhe idealit. Kishte kohë kur dukej se kjo “sëmundje” nuk përhapej sa kishte ai dëshirë, por ky ishte sekreti i saj. Ajo përhapej fshehtë, mbahej brenda familjeve tona, e sidomos rinia ishte ajo që u bë pasuese e kësaj dashurie. Dhe kur u mbrujt, mirë e ngadalë, pas demonstratave të vitit 1981, pas burgjeve masive, pas rezistencës paqësore e sidomos pas kryengritjes së UÇK-së, dashuria në lirinë u bë jo vetëm publike, por shtylla kurrizore e lëvizjes sonë çlirimtare. Madhështia e frymëzuesit, e institucionit Adem Demaçi, ishte se ai këtë dashuri nuk e kishte të kufizuar vetëm për shqiptarët. Ai besonte në universalitetin e lirisë, dhe ishte i gatshëm të sakrifikonte nga autoriteti i tij, për të luftuar edhe për lirinë e serbëve, romëve, boshnjakëve e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë. Ai besonte në lirinë e njerëzimit.

3. Ai ishte jonkonvencional. E thoshte atë që mendonte. Mendimin e përgjigjet i kishte në majë gjuhe. Herë na pëlqente, herë nuk na pëlqente. Herë ia qëllonte, herë nuk ia qëllonte. Por një njeriu me mendime për çdo gjë, i lejohej edhe gabimi në vlerësim. Në vlerësimet taktike edhe ka mundur të gabojë, në strategji asnjëherë. I paepur në rrugën e lirisë, të çlirimit dhe të bashkimit. Në momentet vendimtare, çdoherë në vendin dhe në rrugën e duhur. E kjo kulmoi jo vetëm me përkrahjen, por edhe me inkuadrimin në radhët e UÇK-së. Dhe në këtë angazhim të rëndësishëm jetësor përfundoi logjikshëm. Sepse asnjëherë nuk kishte gabuar në një vlerësim: se liria është e domosdoshme. Se për të duhet sakrifikuar, sepse përndryshe do të mbesim nën robëri e nën Serbi. Se për atdheun, për kombin e për njerëzimin të gjithë duhet të jemi ushtarë. Ama ushtarë jo me një shërbim, por tërë jetën. Ai ishte ushtar i përjetshëm i lirisë, i atdheut, i kombit e i njerëzimit. Një luftëtar model i lirisë.

4. Respekti dhe dashuria për të është popullor. Sigurisht ka nga ata që nuk e kanë dashur, apo edhe që e kanë urryer. Sidomos për shkak se ishte i sinqertë dhe e thoshte atë që mendonte në çdo vend. Por ata janë pak. Më shumë mund të jenë ata që nuk janë pajtuar me të, por e kanë respektuar. Sidoqoftë, për Adem Demaçin kishte një dashuri të madhe në atë që mund të quhet krahu i sakrificës i lëvizjes sonë çlirimtare. Duke qenë vetë ndër ata që janë frymëzuar nga vepra e Bacit, e kam mbajtur pishtar lirie edhe atëherë kur nuk jam pajtuar me të. Duke qenë pjesë e lëvizjes ilegale çlirimtare (LKÇK e më vonë UÇK) mund të konstatoj pa hezitim, se ai ka qenë një figurë qendrore morale, për mobilizim, organizim, rezistencë e luftë të armatosur. Jam dëshmitar i kësaj dashurie brenda UÇK-së. Në radhët e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, ai ka qenë figura e padiskutueshme e një lideri shpirtëror e politik, pa ndonjë pozitë të fuqishme udhëheqëse. Jam dëshmitar sesi të gjithë ushtarët, shumica e komandantëve më të njohur, që sot i duam e nuk i duam, që në opinion mund të kenë zë për të keq e për të mirë, që ishin apo shiteshin të fortë, para tij përuleshin. Ishin në gjendje të ulnin kokat, të bëheshin si fëmijët para babait, dhe simbolikisht po them, ishin në gjendje të duronin edhe ndonjë shuplakë të këtij “njeriu të vogël”, që e konsideronin si figurë të padiskutueshme e të pakontestueshme për ta. Pra, brenda UÇK-së, përveç njërit, asnjëherë nuk ka pasur autoritete të tilla. Ai ishte Baci. Ai ishte Adem Demaçi.

5. Intermexo. Në maj të vitit 1999 ishim shumë keq me furnizime në ushqim në Zonën Operative të Llapit, në pjesën e Malësisë së Gollakut ku vepronte Brigada 153 “Hyzri Talla”. Së bashku me djemtë e gueriljes së Prishtinës “BIA”, zëvendës komandantin Bahri Gashi, vendosëm të futeshim në Prishtinë, në disa nga bazat e tyre për të krijuar disa kanale furnizimi. Njëkohësisht, vendosëm edhe në koordinim me komandant Remin, Fatmir Humollin, Agim Kuletën etj., të bëjmë përpjekje për të nxjerrë nga Prishtina, Bacin Adem. Me vete mora një tjetër bashkëpunëtor të LKÇK-së dhe të UÇK-së, Driton Hysenin. Pasi u futëm në Prishtinë, Dritoni, i cili mund të lëvizte edhe publikisht nëpër Prishtinë, gjithnjë duke rrezikuar shumë, shkoi aty ku jetonte Baci. Çdo përpjekje e tij për ta nxjerrë Bacin ishte e kotë. Të falat e mija, të Remit e të Fatmiritnuk bënë punë. “Driton, Bacit, unë kam vendosur të vdes” – i kishte thënë ai Dritonit. Çfarë të flitet më me njeriun, i cili ka vendosur të vdesë, që është kufiri i fundit me të cilin mund ta frikësosh dikë. Ai kishte vendosur të vdesë, sepse në panteonin e kombit tashmë kishte hyrë të jetonte përjetësisht.

6. Si do ta trajtojë historia? Çka do të thonë gjeneratat e ardhshme për të? Po ato vija politike që ishin kundërshtare të tij? Në horizontin e kohës ai do të shtrihet sigurisht si një prej figurave qendrore të padiskutueshme në historinë e luftës për liri të popullit shqiptar. Do të trajtohet si shtylla orientuese, si fanar. Një njeri i pandalshëm për të mirën e përgjithshme. Në të ardhmen kundërshtimet dhe konfliktet e tij politike do të shihen si pjesë e një debati normal politik. Do të mbetet vepra e tij madhore. Do të mbetet dashuria e tij për lirinë. Fakti se ia mbajti gjallë tërë një populli shpresën për liri dhe e “infektoi” atë me dashurinë për lirinë. Do të mbahet mend se ishte i aftë të falte, të pajtohej edhe me kundërshtarët politikë, edhe me ata që ishin në anën e atyre që e burgosën. Gjithnjë në funksion të unitetit kombëtar dhe pajtimit të gjeneratave të ardhshme. Do të mbahet mend se ishte i gatshëm të pajtohej edhe me popujt e tjerë, edhe me serbët. Prapë në funksion të lirisë dhe jetës në paqe e liri të gjeneratave të ardhshme. Adem Demaçi do të zërë vend edhe në historinë e njerëzimit, si luftëtar për ta zgjeruar lirinë njerëzore duke e çliruar popullin e vet dhe popullin që e mbante në robëri popullin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e vdekjes së regjisorit Bekim Lumi, kryetari i…