NASIM HARADINAJ – NJË PERSONALITET QË NUK SHPJEGOHET VETËM ME BIOGRAFI
Autor: Lirim Gashi
Nasim Haradinajn e admiroj për të gjitha virtytet e tij të rralla dhe të pakontestueshme, por edhe për të gjitha dobësitë e tij të natyrshme.
Sepse ato dobësi nuk qëndrojnë në kundërshtim me virtytet e tij; ato burojnë nga i njëjti burim prej të cilit lindin autenticiteti, sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e karakterit të tij.
Për ta kuptuar Nasim Haradinajn, nuk mjafton t’i lexosh datat e biografisë së tij. Duhet ta kuptosh kohën që e formësoi, stuhitë që e kalitën dhe barrën historike që ai e mbajti mbi supe. Sepse disa njerëz nuk janë thjesht bij të epokës së tyre; ata bëhen pasqyra në të cilat epoka e tyre e sheh fytyrën e vet.
Që në rininë e hershme ai u përball me një realitet ku liria nuk ishte luks filozofik, por kusht ekzistencial. Ndërsa shumë të tjerë kërkonin përshtatje me sistemin barbar serbosllav, ai e zgjodhi rrugën e rezistencës.
E pikërisht rezistenca është universiteti më i ashpër i karakterit njerëzor: ajo ia mëson njeriut ta dallojë frikën nga dinjiteti, dhe nënshtrimin nga përgjegjësia.
Nga këndvështrimi historik, Nasim Haradinaj i përket brezit që lirinë nuk e trashëgoi, por e krijoi me sakrifica.
Ai nuk ishte spektator i historisë, por një nga pjesëmarrësit e saj më aktivë. Prandaj mendimi i tij mbetet i lidhur thellë me ndjenjën e përgjegjësisë dhe sakrificës, e jo me komoditetin e gjykimit të vonshëm.
Nga këndvështrimi politik, ai nuk u formua në korridoret e pushtetit, as në laboratorët e deklaratave të sterilizuara politike.
Vetëdija e tij politike u formësua në një kohë kur bindjet kishin çmim dhe kur fjala mund të sillte burg, përndjekje apo edhe vdekje. Për këtë arsye, për të disa parime nuk janë mall politik për tregun e Mamushës, por themele mbi të cilat mbështetet ndërgjegjja.
Një urtësi e vjetër thotë:
“Karakteri i njeriut nuk matet me atë që fiton për bindjet e tij, por me atë që është i gatshëm të humbasë për to.”
Dhe ky parim duket se përshkoi tërë jetën e Nasim Haradinajt. Nga këndvështrimi filozofik, ai i ngjan atyre njerëzve që e konsiderojnë autenticitetin detyrim moral. Ai nuk i përket atyre që i ndryshojnë bindjet sipas erërave të përkohshme politike; përkundrazi, ai përpiqet që erërat e përkohshme politike t’i përballë me bindjet e tij të përhershme.
Nga këndvështrimi psikologjik, tipari i tij më i dallueshëm është përputhja konstante ndërmjet asaj që mendon, asaj që thotë dhe asaj që bën.
Kjo përputhje është njëkohësisht forca dhe dobësia e tij. Në një botë të mbushur me kalkulime, njeriu që flet pa maska shpesh duket më i ashpër sesa që është, edhe kur qëllimi i tij i vetëm është sinqeriteti.
Siç thotë një urtësi:
“E vërteta nuk ka nevojë të kujtojë asgjë, sepse nuk nuk ka nevojë të mbajë mend çfarë ka gënjyer dje.”
Pikërisht për këtë arsye Nasimi u duket shumë njerëzve i besueshëm. Me qëndrimet e tij mund të pajtohesh ose jo, por është vështirë të thuhet se ai flet kundër ndërgjegjes së vet.
Nga këndvështrimi sociologjik, ai e përfaqëson një fenomen të veçantë. Mirëpo në shoqërinë tonë ku konformizmi shpesh shpërblehet më shumë se integriteti, personalitetet autentike si Nasimi domosdoshmërisht prodhojnë reagime të forta.
Sepse ata që përshtaten me çdo rrethanë rrallë nxisin debat; ndërsa ata që mbeten besnikë ndaj vetes ose admirohen, ose sulmohen.
Këtë e përmbledh një urtësi tjetër:
“Ai që pajtohet me të gjithë, shumë kohë më parë ka pushuar së qeni i sinqertë me vetveten.”
Nga këndvështrimi etik dhe moral, vlera qendrore e tij është besnikëria ndaj asaj që e konsideron të drejtë. Mund të mos pajtohesh me përfundimet e tij, mund t’i kritikosh analizat e tij, por është vështirë ta mohosh se ai e mbron publikisht atë që e beson privatisht.
Nga këndvështrimi epistemologjik, ai nuk i përket botës së relativizmit, ku e vërteta është e negociueshme dhe parimet shndërrohen në mall për treg.
Ai vepron sipas bindjes së palëkundur se disa të vërteta morale dhe historike duhet të ekzistojnë pavarësisht interesave të momentit dhe rrethanave politike.
Prandaj shpesh bie ndesh me ata që të vërtetën e shohin si instrument pushteti, sepse ai e konsideron si kriter të ndërgjegjes.
Një urtësi tjetër thotë:
“Njeriun nuk e lartëson pretendimi se e zotëron të vërtetën, por përkushtimi i tij për ta kërkuar atë.”
Ndoshta pikërisht këtu qëndron arsyeja pse Nasim Haradinaj vazhdon të ngjallë reagime kaq të forta. Njerëzit rrallë ndahen për hipokritët, sepse prej tyre nuk presin asgjë. Por ndahen për njerëzit autentikë, sepse autenticiteti i detyron të përballen me vetveten.
Prandaj Nasim Haradinaj nuk mund të reduktohet në një biografi, në një funksion apo në një titull. Ai është produkt i një kohe të caktuar historike dhe njëkohësisht dëshmi e një karakteri që nuk pranon t’i nënshtrohet modës së përkohshme të mendimit.
Mund ta admirosh ose ta kritikosh. Mund të pajtohesh ose të mos pajtohesh me të. Por është jashtëzakonisht e vështirë t’ia mohosh autenticitetin.
Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron virtyti i tij më i madh: Në një kohë kur shumë njerëz i përsosin maskat, ai vazhdon të shfaqet para botës me fytyrën e tij të vërtetë.



