Instituti Albanologjik zgjedh drejtorin e ri, Meliza Krasniqi ia dorëzon detyrën Naim Berishës

22 dhjetor 2025 | 12:23

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Meliza Krasniqi, ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën drejtorit të zgjedhur, Naim Berisha. “Sot ia dorëzova detyrën kolegut dhe mikut tim, Naim Berisha, duke përmbyllur procesin e zgjedhjes së drejtorit. Falënderoj kolegët për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm. Naimit i uroj suksese në detyrën e re”, ka shkruar Krasniqi. Ajo këtë njoftim e ka bërë publik në llogarinë e saj, ku ka shpërndarë edhe komunikatën zyrtare të Institutit Albanologjik për përzgjedhjen e Naim Berishës në pozitën e drejtorit.

Njoftimi i plotë i Institutit Albanologjik:

Instituti Albanologjik zgjedh drejtorin e tij

Sot u bë pranim-dorëzimi zyrtar i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik – Prishtinë. Ushtruesja e deritashme e detyrës së drejtoreshës së IAP-së, znj. Meliza Krasniqi, ia dorëzoi detyrën z. Naim Berisha, i cili sot nis mandatin e tij katërvjeçar si drejtor i IAP-së.

Instituti Albanologjik – Prishtinë e falënderon znj. Meliza Krasniqi për kontributin e saj profesional dhe administrativ si u.d. drejtoreshë e IAP-së gjatë periudhës gjashtëmujore. Znj. Krasniqi i dëshirojmë suksese dhe mbarësi në projektet e saj profesionale dhe në punën kërkimore-shkencore.

Instituti Albanologjik – Prishtinë i uron z. Naim Berisha kryerje të suksesshme të detyrës, me përgjegjësi dhe kompetencë profesionale, menaxhuese dhe administrative.

Dr. Naim Berisha është këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë që nga viti 2008, në Degën e Gjuhësisë. Gjatë kësaj periudhe ka ushtruar disa detyra, ndër to: shef i Degës së Gjuhësisë (1.9.2019 – 1.9.2023); anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik (1.11.2019 – 31.10.2023); anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik (2016 – vijon); anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (nga 21 shkurti 2020); anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime Albanologjike” (numrat 49–52); anëtar i Këshillit Kombëtar Shkencor të projektit “Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri” (2020–2021); përgjegjës për kartotekën e leksikut në Kosovë për “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe”, si dhe hartues i këtij fjalori.

Fushat e tij të studimit janë: leksikologjia, leksikografia, dialektologjia, sociolinguistika dhe kultura e gjuhës.

Ka qenë i angazhuar si asistent dhe ligjërues në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit. Veprimtaria e tij shkencore dhe arsimore përfshin tetë libra të botuar, si dhe tetëdhjetë e tri njësi bibliografike: studime, trajtesa, artikuj, recensione etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i PDK-së me numër 77, afaristi Shahin…