Instituti GAP: Rritja e pagave nuk është shoqëruar me rritje të dinamikës së punës në kuvendet komunale

01 prill 2026 | 14:02

Instituti GAP ka publikuar të mërkurën analizën me titull: “A ndikoi rritja e pagave në përmirësimin e dinamikës së punës të Kuvendeve Komunale?”.

Në këtë analizë është thënë se Ligji për pagat në sektorin publik, i zbatuar nga viti 2023, ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e kompensimit financiar në administratën publike dhe në mënyrë të veçantë, në pushtetin lokal.

Në kontekstin e asamblistëve komunalë, kjo reformë sipas GAP-it ka rezultuar në rritje të dukshme të nivelit të kompensimit.  Para hyrjes në fuqi të Ligjit të pagave, kompensimi i asamblistëve ishte 150 euro si pagë bazë dhe 50 euro shtesë për çdo seancë të mbajtur, pa dallim në mes të komunave të mëdha, të mesme dhe të vogla, pra me trajtim uniform.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit, në kryeqytet, koeficienti 6 prodhon një pagë prej 660 euro, ndërsa në komunat e tjera koeficientet luhaten nga 5.3 deri në 5.9, duke krijuar shkallëzim sipas komunës, ku paga më e ulët e një asamblisti/eje në një komunë të vogël arrin 583 euro.

Sipas Institutit GAP, pritshmëria se rritja e pagave do të ndikojë në rritje të motivimit është e arsyeshme, pasi kompensimi financiar konsiderohet një nga faktorët më të rëndësishëm që mund të ndikojë në cilësinë dhe nivelin e përpjekjeve.

Kjo rëndësi rritet te asamblistët komunalë, sepse kompensimi i pamjaftueshëm deri në fund të vitit 2022, shpesh i ka shtyrë të zgjedhurit lokalë të mbajnë angazhime të tjera për të siguruar të ardhura për mbulimin e shpenzimeve. Në këtë kuptim, rritja e pagave e bën të pritshëm përqendrimin më të madh në angazhimin institucional.

Por, gjetjet kanë sugjeruar se kjo rritje e pagave nuk është shoqëruar me rritje të dinamikës së punës në kuvendet komunale. Pas rritjes së pagave nga fillimi i vitit 2023 e tutje, në disa tregues që masin performancën e kuvendeve komunale ka pasur rritje të kufizuar ose minimale, ndërsa në shumicën e treguesve të tjerë vërehet rënie. Numri i mbledhjeve të kuvendeve komunale në shtatë komuna ishte 81 në vitin 2022, 91 në vitin 2023, ndërsa ka rënë në 85 në vitin 2024. Kjo nënkupton se periudha e parë pas rritjes (2023) shënon një rritje të numrit të mbledhjeve krahasuar me vitin bazë, por ky trend nuk konsolidohet në vitin pasues (2024), ku numri i mbledhjeve është i ngjashëm me ato të vitit 2022. Edhe kohëzgjatja totale e mbledhjeve jep rezultat negativ.

Koha e kaluar nga kuvendet komunale në shtatë komunat në seanca në vitin 2022 ishte 285 orë, në vitin 2023 rreth 286 orë, ndërkaq në vitin 2024 ka rënë në 271 orë. Pra, rritja në 2023 është minimale, ndërsa në 2024 ka rënie të dukshme të kohës së kaluar në mbledhje. Ndërkohë, produktiviteti normativ nuk dëshmon rritje pas rritjes së pagave, përkundrazi shfaqet rënie: në vitin 2022 janë miratuar 26 rregullore dhe 540 vendime, në vitin 2023 janë miratuar 35 rregullore dhe 477 vendime, ndërsa në vitin 2024 vetëm 10 rregullore dhe 442 vendime. Është e rëndësishme të theksohet se këta janë indikatorë sasiorë që nuk matin drejtpërdrejt cilësinë e debatit apo ndikimin e vendimeve. Megjithatë, si tregues të krahasueshëm ndër vite, ata ofrojnë një pasqyrë të vlefshme mbi ritmin dhe intensitetin e punës së kuvendeve komunale, veçanërisht në raport me ndryshimet në kompensim financiar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një kohë kur çmimi i energjisë elektrike vazhdon të…