Instrumentalizimi i flamurit kombëtar për të luftuar shtetësinë e Kosovës

19 korrik 2025 | 16:49

(Flamuri i Kosovës i pengon vetëm atyre që nuk e duan këtë shtet)

Shkruan: Hisen Berisha 

Në Kosovë po zhvillohet një betejë e re për simbolet – jo mes flamujsh, por mes koncepteve të shtetësisë dhe instrumentalizimit të patriotizmit. Dhe në këtë betejë, flamuri i Republikës së Kosovës po sfidohet jo nga armiku i hapur, por nga “idiotët e dobishëm” të tij brenda vetë institucioneve të shtetit – të cilët nga verbëria politike i shërbejnë interesave të Serbis.

Që nga shpallja e pavarësisë, të njëjtët që e kanë cilësuar atë “pavarësinë” si “tradhti” dhe e kanë përçmuar çdo simbol të saj shtetëror, sot e sfidojnë flamurin e Republikës me flamurin kombëtar – duke u shtirë si patriotë e nacionalistë, por duke i shërbyer në thelb të njëjtit projekt armiqësor: zhveshjes së Kosovës nga identiteti i saj shtetëror dhe përmbajtja e saj institucionale.

Nëse flamuri i shtetit të Kosovës ju duket i papranueshëm, i dëmshëm apo i pakuptimtë – atëherë mos u fshehni pas flamurit të Shqipërisë. Sfidojeni drejt: përballeni me flamurin e Serbisë, të “Republika Serpska”-s apo të Rusisë. Vetëm atëherë do ta kuptoni fuqinë e këtij flamuri – fuqinë që ai përfaqëson për qytetarët e devotshëm të Kosovës dhe për ata që sakrifikuan për lirinë e saj.

Ky flamur nuk u pengon shqiptarëve. Nuk u pengon atyre që luftuan për liri. Ai u pengon vetëm Serbisë, ideologjisë së saj dhe atyre që ende i shërbejnë asaj, qoftë edhe përmes rrugëve më të rafinuara.

Është më e lehtë të sfidosh flamurin e shtetit me flamurin kombëtar – sepse në këtë mënyrë, urrejtja ndaj shtetësisë së Kosovës maskohet me patriotizëm folklorik.

Po, UÇK-ja luftën e bëri me flamurin kombëtar. Me atë flamur erdhi liria, u fitua pavarësia, u ndërtuan institucionet dhe u krijuan simbolet e shtetit të Kosovës. Por pikërisht për këtë arsye, flamuri i Kosovës nuk është zëvendësim i asaj sakrifice – është vazhdimësi e saj. Është mishërim i asaj lufte në formën e një shteti të lirë, sovran dhe demokratik.

Reagimet kundër largimit të flamurit kombëtar nga Kuvendi – që Grupi Parlamentar i LVV po e mban mbi tavolina si një pelerinë të David Copperfield-it për të fshehur “grushtshtetin e heshtur institucional” – nuk janë naive, as të rastësishme. Ato janë akte politike me agjendë të qartë.

Veçanërisht kur ky flamur zëvendësohet me flamurin e një kompanie private si NOA, nga deputetja Hykmete Bajrami – është një akt simbolik që nxjerr zbuluar rrjetin e lidhjeve të dyshimta ndërmjet politikës dhe mafies energjetike në Kosovë, me fijet që shtrihen deri në Beograd.

Kjo nuk është vetëm një çështje simbolesh. Është çështje pushteti dhe kontrolli.

Pas kësaj agjende qëndrojnë figura të errëta si Dejona Mihali – e shpallur non grata nga institucionet e Kosovës më 2014 për lidhje me rrjete të huaja inteligjente. Sot, kjo figurë qëndron në qendër të politikëbërjes në LVV dhe qeverinë Kurti, e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes familjes me kundërzbulimin grek dhe shërbimin sekret serb – përmes kontakteve të njohura në agjencinë ushtarake informative të Serbisë.

Kjo është fytyra reale e “patriotizmit” të rremë, që shfaqet me flamurin kuq e zi, por në prapaskenë punon për t’ia rrënuar themelet shtetit të Kosovës.

Nuk është patriotizëm të sulmosh simbolet e shtetit – flamurin, himnin dhe vetë shtetësinë – duke i veshur këto sulme me flamurin e bashkimit kombëtar. Aq më tepër kur në të njëjtën kohë, promovoni flamujt e kompanive të dyshimta me lidhje në Serbi, të kapjes energjetike dhe të mafies politike që i shërben interesave armiqësore ndaj Kosovës.

Nuk mund të fshiheni më pas pseudopatriotizmit. Sepse flamuri kombëtar po përdoret si fasadë e një pushteti të rrezikshëm, i cili kërkon një Kosovë pa substancë shtetërore, pa sovranitet funksional dhe pa lidhje të vërteta me Perëndimin.

Sot, të gjithë jugonostalgjikët e mbetur – bij të vëllazërim-bashkimit – janë mbështjellë me flamurin kombëtar për t’i dhënë legjitimitet emocionar një projekti që ka për qëllim zhbërjen e shtetësisë së Kosovës. Dhe e bëjnë këtë duke u rreshtuar nën hijen e Albin Kurtit – si mburojë politike për një projekt të rrezikshëm gjeopolitik me të cilin hyri në politikë që nga “takimi i Brezovicës”.

Por le të jetë e qartë:

Flamuri i Kosovës u pengon vetëm atyre që nuk e duan këtë shtet. Dhe ata sot janë të unifikuar – nën flamuj të tjerë, por me një qëllim të përbashkët.

Prandaj, më shumë se kurrë, duhet ta mbrojmë flamurin që mishëron Republikën tonë – jo përkundër flamurit kombëtar, por në emër të tij. Sepse vetëm duke ruajtur substancën shtetërore të Kosovës, ne nderojmë vërtet gjakun që e solli këtë liri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe…