Integrimi euro-atlantik i Kosovës dhe rajonit shmang luftërat

09 gusht 2022 | 21:35

Shkruan: Hisen Berisha

Rreziku i cili i kanoset Kosovës për luftë është jo vetëm deklaratë e Kryeministrit por përderisa Kosova si territor mbetet në preambulën e Kushtetutës së Serbisë; përderisa mbetet si pjesë e liturgjisë në Kishën ortodokse serbe dhe mbetet si pjesë e edukimit të nxënësve nëpër shkolla; ky rrezik është real, kërcënues dhe mundet të evitohet vetëm duke mbajtur vetëdijen e institucioneve të shtetit të Kosovës në shkallën e gatishmërisë së lartë dhe përmes kësaj gatishmërie të koordinohemi sa më shumë me NATOn, në mënyrë që ta kapërcejmë pa eskalim lufte të re, fazën e konsolidimit shtetëror, diplomatik dhe partneritetit ushtarak midis Republikës së Kosovës dhe NATO.

Rreziku për luftë ndërmjet shtetit të Serbisë dhe Republikës së Kosovës mbetet i lartë deri në integrimin e Kosovës dhe rajonit në mekanizmat euro-atlantike të sigurisë.

Dihet tashmë se, mentaliteti patriotik me të cilin prezantohet Albin Kurti në opinionin e brendshëm e të jashtëm është një amalgamë e patriotizmit titist dhe enverist.

Ky njeri i ka shkrirë këto “kundërshtira” dhe po paraqet një personalitet bifacial (dyfytyrësh); në njërën anë shkrihet përmes falangave enveriste – në nacionalistin i cili hap fonde, kinse për armatosjen e FSK dhe krijimin e doktrinës enveriste të “mbrojtjes së Shqipërisë me forca të veta” e që në fakt është vetëm “donkishotizëm ushtarak” dhe në anën tjetër, me fytyrën tjetër, luan titistin i cili iu ankohet amerikanëve, se kinse po e sulmon Rusia përmes Serbisë dhe duhet që Kosova të mbrohet.

Pra, ky është koncepti realist që lexohet në prononcimet albiniane, rreth temave të sigurisë shtetërore pa ia hequr asnjë shkronjë deklaratës së tij se “rreziku real i invadimit ushtarak serb në Kosovë, është aq i lartë” sa po që se Kosova do të ishte shtet i konsoliduar dhe i njohur ndërkombëtarisht, si ish ushtarak, do t’i kërkoja Presidentes, të thirrte Këshillin e Sigurisë dhe ta shpallte gjendjen e gatishmërisë ushtarake në shtet dhe ta ndalonte spekulimin e Kryeministrit, se gjoja po e armatosi ushtrinë përmes “fondit” dhe përmes bujarisë së shqiptarëve në mërgim.

Këto formula të koncepteve mbrojtëse që po i përsëritë Albini, tashmë e kanë dështuar shtetin e Jugosllavisë dhe Republikën Popullore të Shqipërisë së Enver Hoxhës.

Nuk mbrohet Kosova duke zhvilluar doktrina komuniste!

Dështimi i Albinit në fushën e mbrojtjes të Republikës së Kosovës, më shtynë t’i bëj thirrje Kryeministrit, i cili me turp, dy herë radhazi e tërhoqi policinë nga “vijat e frontit”, ta bëj aktin e tij të vetëm patriotik, tërheqjen e përjetshme të tij, nga politika dhe kërkim faljen ndaj qytetarëve të Kosovës.

Meqë ishte student i shkëlqyer, ti kthehet diplomës së tij, sepse atje ndoshta do ta zëvendësonte Tomas Edisonin, ose siç e kanë prezantuar disa ish Profesor, do ta tejkalonte.

Politika nuk është shkencë ekzakte, Albin! Thuaj asaj lamtumirë dhe nisu drejt sukseseve në shkencë, aty ku ke shkëlqyer gjatë studimeve!

Ky është sugjerimi im i radhës shumë miqësorë për ty dhe dashamirës për krejt shtetasit e Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesit…