Intervista e plotë e ish-Presidentit Thaçi në “Opinion”: Procesi duhet të ofrojë drejtësi, jo hakmarrje të bazuar në mashtrim
I devijuar nga misioni i drejtësisë.
Kështu e përshkroi ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi procesin gjyqësor në Hagë ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë me shkrim për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, duke cituar profesorin amerikan Daniel Sewer. Ai tha se gjykata duhet të ofrojë drejtësi dhe jo“hakmarrje të bazuar në mashtrim”.
Thaçi shprehu besimin se, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë dhe atyre të mbrojtjes, gjykatësit do të nxjerrin një vendim të drejtë dhe meritor. Ai kujtoi se ky proces nuk lidhet vetëm me fatin e tij personal, por edhe me historinë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.
Duke folur për jetën në Hagë, ai tha se po kalon vitin e gjashtë në izolim pa vendim gjyqësor, ndërsa qëndrimin atje e përshkroi si shkëputje të gjatë nga jeta familjare, publike dhe institucionale.
Intervista
Blendi Fevziu:
Zoti Thaçi, kanë kaluar pesë vite nga ndalimi dhe transferimi juaj në Hagë. Si po shkon procesi?
Hashim Thaçi:
Në izolim po kaloj vitin e gjashtë pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundmi eksperti politik amerikan Daniel Serwer, ky proces ka devijuar nga misioni. Duhet të ofrohet drejtësi e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim. Nga ana ime, nuk kam çfarë t’i shtoj këtij konstatimi.
Blendi Fevziu:
Cilat janë vërejtjet që keni në lidhje me zhvillimet e procesit?
Hashim Thaçi:
Të ishte transparent, llogaridhënës, me mekanizëm kujdestarie, të respektohej barazia e palëve, të drejtat e njeriut e, mbi të gjitha, legjislacioni i Kosovës, mbi bazën e të cilit është themeluar kjo gjykatë. Ndjekja penale të respektonte parimet themelore të kodit të etikës, që të ndiqej e vërteta kudo që të çon ajo, duke përfshirë edhe dëshmitë shfajësuese.
Blendi Fevziu:
A besoni në pafajësinë tuaj, sidomos pasi u njohët me paraqitjen e dëshmitarëve të akuzës?
Hashim Thaçi:
Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës prej fillimeve të viteve 1980 e deri sot është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik. Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë e, në veçanti, atyre të mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do të nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor. Shumëçka lidhur me legjitimitetin e së drejtës penale ndërkombëtare varet nga rezultati i këtij procesi.
Blendi Fevziu:
Si është dita juaj në izolim prej gjashtë vitesh?
Hashim Thaçi:
Aktualisht më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar atë që ma do zemra e ma thotë plotësisht mendja. Në këtë vështrim, Blendi, do të mundohem të bëj më të mirën për rrethanat ku gjendem.
Serbia u mor e merret kohë të gjatë me mua. Më dënoi në mungesë me shumë vite burg. Në mënyrë të vazhdueshme, 1993-1997, bastisi shtëpinë, keqtrajtoi dhe arrestoi babanë, nënën, motrën dhe vëllezërit. Në shenjë hakmarrjeje, ekzekutoi edhe vëllanë e Lumës, Hakiun, në masakrën e fshatit Studime të Vushtrrisë, në maj 1999.
Në qershor 1999, lufta përfundoi. I takoj botës së shqiptarëve të mbijetuar. Sot faji im i vetëm është pse jam gjallë. Nuk i takoj kategorisë së njerëzve që thonë se burgu është për burra. Kjo shprehje më duket bezdisëse. Nuk jam altruist as asket. E kam bërë jetën, nuk jam fshehur prej saj. E kam ndjekur ritmin e maratonës.
Rruga ime nuk ishte as fat e as rastësi. Është qëllim që buron nga thellësia e botës sime. Është e prekshme dhe transparente. Qysh herët e kisha vendosur gjithë qenien time në funksion të idesë së lirisë.
Vetmia natyrshëm më jep zbrazëti dhe më ofron kotësi. Mundohem t’i jap shpirt ambientit në qeli. 24 orët e ditës dhe 365 ditët e vitit janë të njëjta. Humb kumtimi kalendarik i jetës. Ditënetët sikur kalojnë pa data.
Kam reflektuar për Kosovën, për Shqipërinë dhe shqiptarët, për sjelljen e botës në fillim dhe në fund të shekullit XX në raport me ne. Jo rrallë harrojmë sa të plandosur dhe të nëpërkëmbur kemi qenë. Jo rrallë të trajtuar edhe si mbetje otomane. Ndërsa sot, sa lart jemi në ngritje dhe proces konsolidimi si komb me mendim dhe status perëndimor.
Liria dhe burgu nuk ngjiten kurrë. Nuk i ndan vetëm muri fizik, por emocioni, të menduarit dhe mënyra se si e sheh, ndien dhe jeton botën. Izolimi është zgafellë me mungesë horizontesh dhe ashensori. Kjo kalamendje fizikisht, e besa edhe mund të të verbojë, jo për nga niveli i dioptrisë, por i ngatërrimit apo mënyrës se si ishin gjërat.
Koha dhe distanca e bëjnë të vetën tek çdo njeri, sado rezistues që të jetë. Por, falë Zotit dhe vetëkujdesit, ende jam mirë. Për gati gjashtë vite nuk kam pasur grip, ethe, temperaturë e as ftohjen më të vogël, përjashto Covid-19.
Ndihem i bekuar që kam ecur luginave e shpatieve, kam shkelur lartësitë dhe të poshtat e bjeshkëve tona në etapat më të mira të jetës. I kam përjetuar fizikisht dhe emocionalisht shkëlqimin e rrezeve të diellit, acarin me erë e borë, rrebeshet e shiut nëpër shtigje dhe rrugica me llucë.
Këto hapa një kohë i kam bërë si sakrificë për liri e më vonë nga pasioni për natyrën. I njoh thuajse pëllëmbë për pëllëmbë. Më mban ajri, fryma dhe energjia e atdheut. Kjo ka bërë që ta ndiej edhe më thellësisht dhe gjerësisht jetën, vendlindjen e ende shok të thjellët. Përjetoj në horizont të plotë. Për mua është shëndet, dashuri, besim dhe krenari.
Por jetës së shëndetshme i duhet përmbajtja. Kjo tani më mungon. Në izolim sulmohem nga mijëra e mijëra drithërime mendimesh që sillen vërdallë. Nuk dinë nga të vijnë, si t’i frenosh e në ç’drejtim t’i orientosh. Mundohem që idetë dhe botën reale t’i përputh me njëra-tjetrën.
E kam të kultivuar përvojën individuale të lirisë psikologjike edhe në rrethana të shtrëngimit fizik. Çdo ndjenje të keqe i përgjigjem me emocion, me mendje alternative. Përpiqem t’u jap substancë, formë dhe drejtim të mbarë. Ruaj busullën duke menaxhuar sa më qetësisht kohën dhe situatat.
Zhytem në mendime që më kthjellojnë, por në momente edhe mund të më turbullojnë apo ndryshojnë pikëvështrimin. Me vetëdisiplinë e evitoj nxjerrjen e vrerit, shkundjen e karakterit, madje edhe zvetënimin.
Vetminë nuk e trajtoj si skëterrë, ankth, mallkim apo fundin tim. Përballem me vështirësi jo të lehta, por koncentrohem më tepër tek mundësitë minimale që ekzistojnë në këtë realitet ngulfatës. Vizualizoj kujtesën e përjetuar të gjërave të mira. Paralelisht, zhvilloj imagjinatën për të ardhmen më të mirë.
Shumëllojshmëria e përvojës jetësore më ka rrëgjuar, duke dëgjuar e besuar me respekt, por edhe duke u gënjyer dhe duruar në heshtje. Shpresa në izolim është Zoti, gruaja dhe fëmija, nëna dhe babai, motra dhe vëllai, fqinji dhe miku. Është vetë jeta.
Nuk arratisem nga vetvetja e as nuk zhvendosem apo tjetërsohem në botën ku të tjerët u përpoqën të më hedhin. Megjithëse edhe takimet dhe bisedat me familjarë nuk e kanë përjetimin apo ngrohtësinë emocionale normale. Këtu buzëqeshja nuk buron nga thellësia e shpirtit, zemrës dhe arsyes. Ushqimi që ha, kafja apo çaji që pi, nuk e kanë shijen origjinale.
Çdo gjë duket e përkohshme, artificiale, sipërfaqësore, por në realitet ka vite të tëra thellësisht të shkëputura nga jeta e lirë. Bëj gjumë të rehatshëm, por nuk më sjell mjaftueshëm sensin e rigjenerimit mendor e as fizik.
Me ndjenjën e vërtetë njerëzore i kam përjetuar dhimbjet, lotët dhe ofshamat, deri tek përcjellja në TV e varrimit të babait. Çdo grusht dheu që hidhej në varrin e tij peshonte me ton mbi kokën time në qeli.
Sjellja serioze apo heshtja në këtë mjedis nga të tjerët interpretohet si mërzi. Nga ana tjetër, moskokëçarja si arrogancë apo edhe budallallëk. Në realitet, pothuajse shumëçka është e rrejshme dhe mashtruese. Edhe ndryshimet atmosferike kalojnë pa lënë gjurmë.
Shëtitja dhe ajrimi në poligonin sportiv, ku çdo ditë sillemi dhe risillemi, sikur ma heq saçin nga koka, ku çdo pore e trupit thith e përjeton frymëmarrje të thellë.
Me të hapur sytë në mëngjes, dëgjoj muzikë pa tekst. Ëndrrat eventuale të natës i zëvendësoj me leximin e ndonjë rrëfimi libri apo gazete nga bota e filmit, artit, turizmit, historisë dhe kulturës, sportit e të tjera. Çdo agim mëngjesor e trajtoj si mundësi të re.
Pema e vendosur në hapësirat e paraburgimit për festat e fundvitit më jep ngrohtësi të brendshme. E përcjell edhe ecurinë e botimeve të librave të rinj, disa prej të cilëve edhe i porosis përmes familjarëve.
Vazhdoj me pirjen e kafesë, e cila më tepër më ka mbetur si gjest nga takimet gjatë punës në Prishtinë sesa nevojë kafeine. Gatimi i mëngjesit më jep kënaqësi dhe relakson. Mundohem të përgatis gjëra sa më të shëndetshme. Tashmë më është bërë ritual.
Një nga qëllimet e atyre që më sollën këtu është të bëjnë shkëputjen time nga jeta normale familjare, çrrënjosjen nga kujtesa e mjedisit qytetar dhe pamundësinë e jetës aktive institucionale. Thënë troç, kujtesën e mëhershme ta zëvendësojnë me kujtesë të re. Njerëzit nuk thonë kot: larg syve, larg zemrës. Një privim ky i ngadaltë dhe i butë.
Sidoqoftë, Kosova është subjekti i këtij procesi dhe unë jam vetëm objekti. Bërthama e subjektit është duke u goditur ditë për ditë, rëndë e më rëndë. Por diçka harrohet: rezistenca kosovare është pika më e lartë e identitetit kombëtar dhe shtetëror. Rezistenca ndali rrjedhjen e mëtejshme të robërisë.
Legjitimiteti i saj buron nga vullneti dhe qëllimi i drejtë i qytetarëve për liri. Është rrjedhojë e historisë me shkaqe e rrethana socioekonomike, kulturore, politiko-ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka substancë, ka imazhin dhe kujtimin e gjallë lokal, kosovar, ndërkombëtar.
Në pamundësi për teknikë moderne, përballje të barabartë me Serbinë, ne e diplomatizuam lëvizjen e rezistencës dhe fituam.
Historia e shtetbërjes së Kosovës nuk është dogmë apo diçka mekanike, as slogan, parullë, gazetë muri apo shkaravinë në dërrasë, e cila mund të gërvishtet apo shlyhet lehtë. Nuk është germa të shkruara në rërë, të cilat mbulohen nga tallazet e radhës së detit apo i shkrumbojnë rrezet e diellit. Nuk ka mot që e ngrin apo që e than.
Në pamundësi për ta shlyer historinë, kujtesën kolektive për rezistencën, lexoj gjëra dhe dëgjoj zëra në synimin e tyre për ta ndryshuar, për ta bërë mish-mash apo së paku ta zbehin, në mënyrë që më lehtë të çorientojnë njerëzit, të baraspeshojnë vlerën dhe antivlerën, të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe të dëmshmen.
Të pretendosh për të bërë paralele mes rezistencës për liri dhe frymës së nënshtrimit është sikur të barazosh dritën me errësirën. Dëshmitë e përjetuara qytetare janë testamenti i heroizmit, dhimbjes dhe shpirtit të lirisë.
Procesi që po kalojmë nuk e glorifikon e as nuk e minimizon rolin personal të aktorëve udhëheqës të shtetbërjes. Vetëm dëshmon se nuk ishte udhëtimi i disa njerëzve të paudhë apo të dëshpëruar. Përkundrazi, kauzës së tyre i jep një dimension edhe më të lartë, edhe më të gjerë historik, politik dhe diplomatik, profil të suksesshëm, të papërjetuar dhe të papërsëritshëm në historinë e kombit tonë.
Luftëtarët e lirisë nuk kanë nevojë ta mjegullojnë apo të fshihen nga e vërteta e rezistencës e as të kenë dilema për të ardhmen. Ata e kanë çimentuar rrëfimin e suksesit, i ndjek pas. Nuk vuajnë nga sindromi i kompleksit të mungesës apo inferioritetit. Nuk kanë brerje apo krisje ndërgjegjeje me veten e tyre përballë fëmijëve dhe familjes, thjesht trashëgimisë biologjike dhe kombëtare.
Vlera e rezistencës është e mishëruar dhe integruar brenda gjithë shoqërisë sonë. Janë vlera të vazhdimësisë kombëtare dhe demokratike. Kujtesa e rezistencës për liri dhe shtet është pergamenë në vetëdijen shqiptare, pastaj në arkivat e Washingtonit, NATO-s e disa vendeve të tjera perëndimore. Për të keq, të ndyra dhe të rrejshme janë mbushur me dosje edhe arkivat në Beograd, Moskë e gjetiu nëpër hapësirat tona.
Rezistenca i përket historisë. Sot e jetojmë realitetin e krijuar prej saj. E ka fillimin dhe mbarimin e qartë si kristali. E ka kohën, rrethanat dhe personazhet e veta për të kuptuar pa asnjë evazivitet rrugën e lirisë dhe shtetit të Kosovës. Shih rrëfimin e gjeneralit Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë. Aty kushdo e gjen prezantimin e drejtë të kauzës sonë, vlerat që përfaqëson sot, mesazhin dhe porosinë e rezistencës sonë për të ardhmen më të gjerë të botës së lirë.
Në qeli nuk jam dhimbje apo gjynah i gjallë kombëtar. Jam dëshmi e gjallë, ani pse po e paguaj me shpirtin dhe në lëkurën time. Nuk jam për t’u ngushëlluar. Lirinë kurrë nuk e kam marrë si të mirëqenë. Udhëtimit tim i kam dhënë drejtim vetë. Realitetet e krijuara më kanë konfirmuar zgjedhjen e duhur që kam bërë gjatë jetës.
Kam sfiduar nëpër sprova. I kam të kultivuara disa të shpejta si vetëtima e disa të gjata, rraskapitëse. Për kohë të gjatë isha bërë urë. Kam toleruar që të kalojnë shumë përmes trupit tim, pa u lagur dhe pa therë në këmbë. Me të kaluar lumin, pastaj dihet: kanë mbyllur veshët të mos dëgjojnë, sytë të mos shohin, gojën për të mos folur. Thirrja e atdheut për liri dhe shtet i justifikonte të gjitha.



