Intervista e plotë me studiuesin dhe shkrimtarin Sali Bashota

27 korrik 2021 | 15:43

Bisedoi: Berat Armagedoni

 

I nderuar profesor Bashota, intervista, edhe më të gjata se kjo, ndoshta edhe më të bukura, për media dhe për mediume të tjera, keni dhënë shpesh. Madje keni dhënë intervistë të gjatë saqë ka zënë vend në një libër prej 200-faqesh, i cili është botuar në gjuhën shqipe, paralelisht edhe në gjuhën angleze dhe franceze. Në atë intervistë jeni përgjigjur për shumëçka nga jeta dhe krijimtaria juaj. Çfarë do të donit të shtonit më tutje?

 

Intervista që përmendni ka titullin Poezia si teori e dashurisë. Është realizuar nga Gëzim Arifi. Së pari është botuar në librin Palimpsesti i ideve (Parnas, 2013), pastaj është botuar në tri gjuhë: në shqip, anglisht (përkthyer nga Avni Spahiu) dhe frëngjisht (përkthyer nga Bade Bajrami), me titullin Ego (Pen Qendra e Kosovës, 2014). Iu kam përgjigjur 33 pyetjeve të cilat ndërlidheshin vetëm me poezinë dhe jo me krijimtarinë time letrare në tërësi. Disa studiues të letërsisë e kanë konsi­deruar si referencë orientuese për ta njohur poezinë time, por edhe si udhërrëfyes për autorët e rinj. Prandaj, jam i lumtur që është pritur mjaft mirë te lexuesit.

Me këtë rast, për këtë intervistë, kam shumëçka të them për pyetjet që m’i keni bërë për revistën Akademia dhe më keni futur në kërkimin e ri të vetvetes nga kujtimet e fëmijërisë e deri më sot. Disa kujtime kanë jetuar e mbijetuar, disa janë harruar e fshirë, disa janë të bukura, disa të tjera janë të pikë­llueshme dhe të dhimbshme.

Shpresoj dhe besoj se shumë ide, fakte, kujtime, rrëfime, të ndodhura, përjetime etj. e sprovojnë konceptin tim krijues për një lloj rikthimi në nostalgji jetësore, në njërën anë dhe, për ta ndërtuar mendimin tim, në anën tjetër, pikërisht duke dhënë përgjigje për krijimtarinë time letrare, për letërsinë, për kultu­rën, për jetën, për dashurinë, për vetminë, për lumturinë, për ëndrrat, për rininë, për procesin krijues, për leximin, për vlerë­simin e letërsisë, për probleme sociale dhe kulturore.

Gjithmonë më ka interesuar ndërtimi dhe funksionalizimi i një kuptimi, befasia me gjërat e bukura që ndodhin rrallë në jetë apo superioriteti i pasioneve për ta arritur qëllimin në jetë dhe krijimtari. Gjithsesi, intervista mund të jetë një mundësi interesante për ta shpalosur botën time krijuese me një lloj të rrëfyeri autobiografik, për ta trajtuar praninë dhe ekzistencën e frymëzimit në veprat e mia. Për më tepër, është një ftesë që e ka gjithmonë pranë kujtesën për frymëzimin dhe pasionin për shkrimin.

 

Sali Bashota në moshën e rinisë ka qenë një futbollist shumë i mirë. Po të mos bëheshit profesor letërsie, po të mos i mësonit teknikat e shkrimit të esesë, të recensionit, të poezisë, të prozës poetike, para­qitjen para studentëve pa drojë, a do t’i mësonit teknikat e lojës së futbollit? Pra, a do të bëheshit futbollist?

 

Kur isha vetëm gjashtë apo shtatë vjeç ëndërroja të bëhesha futbollist. Isha një nga shumë fëmijët e lagjes së Bashotëve që e donim pa masë futbollin dhe luanim çdo ditë deri në orët e vona të natës. Asnjëherë s’pajtohesha me humbjet. Si fëmijë e ndieja vazhdimisht se po krijoja një vetëbesim të tepërt në vetvete dhe ëndërroja se do të bëhesha një ndër futbollistët më të mirë. Më pëlqente përkushtimi ndaj futbollit, sidomos ima­gjinata e lojës, teknikat e kapërcimit të kundërshtarëve, stili i pasimit të shpejtë të topit, duartrokitjet e shikuesve, për­qafimi me simpatizantët e mi. Dëshiroja me këmbëngulje që çdo gjë ta bëja bashkë me lojtarët e ekipit tim për ta fituar lojën, madje me rezultat sa më bindës. Asokohe instinkti im i vetëm ishte se pretendoja të bëhesha i famshëm, pikërisht me lojën e futbollit. Më pëlqenin pa masë fanellat me ngjyrë të kaltër dhe sidomos numri nëntë. Kurrë nuk kisha menduar se numri nëntë do të bëhej edhe simbol i poezisë sime, madje ndjenjë e mrekullimit figurativ edhe në krijimtarinë time letrare.

 

Çfarë kujtoni nga fëmijëria, veçan sa ishit në shkollën fillore?

 

Kohae fëmijërisë është pjesa më e lumtur e jetës sime, më e dashura, më e paharruara, më e veçanta. Asnjëherë nuk mund t’i largohem përmallimit të përhershëm për të. Asokohe çdo gjë fillonte me përqafimin e Nënës, me çastet e lumtura të përqafimit, me përmbajtjen e papërshkruar të jetës së gëzuar, me tregimin e përrallave të bukura, me buzëqeshjen, me ëndrrat, me zhurmën e fëmijëve të lagjes me të cilët luanim bashkë, pastaj me dëshirat e shumta se çfarë do të bëhesha kur të rritesha.

Shiu, vjeshta, bora, udhëtimi në orët e hershme të mëngjesit për të arritur me kohë në shkollën e Kijevës, pastaj çastet kur i bëja detyrat e shtëpisë, kur e shtrëngoja fort lapsin për të shkruar bukur dhe drejt, sepse gati çdo ditë ua thyeja majën lapsave dhe, duke i mprehur vazhdimisht, deri në mbrëmje s’mbetej gjë prej tyre. Nëna më qortonte që i shtrëngoja kaq shumë me dy gishtërinjtë e dorës së djathtë. Qortimi i saj më ngjallte besimin për të shkruar bukur, por edhe pa gabime. Gjithashtu, çdo ditë më rrinte gati të mos i harroja librat që i vendosja natën nën jastëk. Sa herë më vlerësonte nëna, sikur fluturoja nga gëzimi i papërmbajtur. Kjo më dukej si një përrallë e bukur për mua sepse çdo gjë më pëlqente që ta bëja sa më parë.

Si fëmijë jam përkujdesur shumë për pëllumbat. Asokohe familja ime kishte shumë pëllumba, pothuajse të të gjitha ngjyrave. Pëllumbat e bardhë më pëlqenin më së shumti. Për herë të parë pata dëgjuar si fëmijë se si i krahasonin pëllumbat me engjëjt. Gjithashtu, nga babai, ndjesë pastë, e pata dëgjuar fjalën gjynah (mëkat). Nuk më merrte gjumi deri vonë duke menduar se a mund të bënin edhe pëllumbat mëkate apo mëkate bëjnë vetëm njerëzit e këqij.

Isha fëmija i parë i familjes, madje shumë i përkëdhelur. Si fëmijë, ndoshta nga ndjenjat e fshehta, i imitoja kënaqësitë e jetës të cilat i jepnin vazhdimisht gjallëri shpirtit tim optimist. Më pëlqenin pa masë ushqimet e ëmbla. Më pëlqente t’i për­qafoja të dashurit e mi, por edhe ata ta bënin të njëjtën gjë për mua. Sikur i përvetësoja njerëzit e afërm që të më lavdë­ronin për shkathtësinë dhe gjeturinë, pikërisht për të rënë sa më shumë në sy, madje për çdo gjë. Më pëlqente të mbaja flokë të gjatë dhe sidomos ta zgjatja para pasqyrës blenin e flokut i cili më mbërrinte deri nën hundë.

Asokohe shpeshherë vizatoja emra të ndryshëm njerëzish në pluhurin e rrugicave të lagjes sime. Ky qe një nga pasionet e mia, sidomos në ditët e ngrohta të verës. Sa herë binte shi kthehesha në dhomën time të gjumit dhe në dritaret e avullu­ara vizatoja figura të ndryshme, sidomos zogj, lepuj, mace, por edhe lule, si dhe plisin e babait tim. Tani më kujtohet se si një ditë vjeshte i pata vizatuar edhe krahët e dallëndysheve, duke menduar se ato po fluturonin në qiellin e kaltër.

Nëna vazhdimisht më qortonte pse isha një fëmijë i lazdruar, i sikletshëm dhe shumë i parehatshëm. Pothuajse isha i intere­suar për çdo gjë që kishte të bënte me kureshtjen për të magji­nuar apo shpikur diçka interesante në mendjen time. Kjo ishte një lloj magjepsjeje interesante dhe e pazbërthyeshme asnjëherë deri në fund, ndoshta edhe me një lloj habie. Thosha me vetvete si iknin kështu ndjenjat e njeriut dhe ku shkonin ato, o Zot!

Oborri i shtëpisë, pastaj kopshti që e quanim “Ara e selishtave”, ishte përplot ftonj dhe kumbulla, ndërsa kishte më pak pemë të tjera. Më pëlqente shumë era e ftonjve. Shpesh­herë nëna i mbante në arkë ftonjtë dhe sa herë që e hapte arkën, aroma e tyre e mbushte tërë dhomën. Si fëmijë, gjithnjë e më shumë më mungonin, sidomos gjyshja dhe gjyshi, meqë ata kishin ikur në amshim disa vjet më herët pa ardhur unë në këtë botë. Ndjesinë për mungesën e gjyshit dhe të gjyshes në familje i zëvendësoja me dashurinë që ma ofronin gjyshi dhe gjyshja e dajave, pra prindërit e nënës. Të dy i doja shumë.

Më pëlqente të thosha: unë e kam një dëshirë. Të bëja çfarë dëshiroja vetë, duke shkaktuar zhurmë e padëgjueshmëri. Ajo dëshirë bëhej e papërshkrueshme dhe shfaqej me reagim të shpejtë dhe jo rrallë edhe me hatërmbetje. Nëna ma tërhiqte vërejtjen, ndërkaq babai vetëm më shikonte, pastaj m’i përkë­dhelte flokët me një durim të pazakontë derisa më zinte gjumi. Një pjesë të këtyre kujtimeve i kam paraqitur në veprën me prozë poetike Shkallët e natës.

Thosha unë kam një dëshirë: t’i këpusja gjethet e pemëve dhe duke i numëruar ato pa i bërë copa-copa. Çuditërisht gjeja nga një epitet apo krahasim, duke përmendur emra njerëzish, kafshësh dhe shpezësh. Më pëlqente këputja e gjetheve dhe loja me to, duke lënë mënjanë zhgënjimin e pamjaftueshëm, përse në të njëjtën çast përbrenda vetvetes kisha edhe gëzim, por edhe frikë. Disi dalëngadalë kjo më shndërrohej në një ves të çuditshëm dhe të pakuptueshëm. Si fëmijë mendoja, sa herë frynin erërat, si fluturonin gjethet e ku shkonin e ku binin, kah e merrnin rrugëtimin e tyre. Loja me gjethet sikur ma krijonte një imazh të çuditshëm, duke më bërë të lumtur, pikërisht për imagjinatën, sepse doja të krijoja diçka të bukur në mendjen time. Po kështu, imazhet e asaj kohe sikur më shfaqen shpeshherë, sidomos në poezitë e shkruara vitet e fundit.

Si fëmijë isha kureshtar i madh ta kuptoja buzëqeshjen e njerëzve. Pse buzëqeshnin njerëzit dhe pse ishin të lumtur? Nga kush do të varej kjo lumturi. Pothuajse ishte një para­ndjenjë e pazakontë për realitetin e përditshëm, që si fëmijë mund të kisha këto mendime, që nuk ishin më shumë se iluzion, të thosha se kur të rritem do të bëhem njeriu më i buzëqeshur në botë.

Nuk pranoja urdhra, edhe pse kisha shumë kërkesa, ankesa dhe lutje. Ndoshta isha fëmija më i çuditshëm që bëja kaq shumë lutje për t’i plotësuar dëshirat e mia. Asokohe kisha mësuar shumë gjëra të rëndësishme, ndër të tjera, ta thosha dhe ta kuptoja gjithmonë të vërtetën. Në atë moshë kisha dëshirë të vishja rroba të bardha dhe rroba të kaltra, si dhe të merrja vetëm pesëshe. Pa masë më pëlqenin rrëfimet, kur të rriturit i tregonin ëndrrat dhe gjumin e tyre. Ky, mbase, ishte një nga argëtimet më interesante në atë kohë sepse për ëndrrat e mira thoshin që ndjellin fat dhe lumturi, prandaj unë dëshiroja të shihja vetëm ëndrra të bukura. Vokacioni im u zbulua si fëmijë kur bëja hartime të bukura në shkollë, për çka më lavdëronin mësuesit e mi, pastaj kur botoja poezi në gazetat e murit. Gjithmonë ma tërhiqnin vëmendjen njerëzit që kishin ambicie në jetë, njerëzit e zgjuar dhe të qetë, njerëzit që kishin virtyte dhe që ishin të sinqertë. Isha i bindur se edhe zgjatja dhe shtrëngimi i duarve do të duhej ta kishte besimin e njeriut, miqësinë, përzemërsinë dhe jo dyshimin.

 

Çfarë kujtoni sa ishit nxënës në gjimnaz?

 

Kur isha gjimnazist në Kijevë, atëkohë në vitet 1974-1978, më kujtohet se vazhdoja prapë pasionin e madh për futbollin, gjithashtu lexoja shumë romane dhe vepra me poezi. Punoja shumë në familje. Shkruaja poezi. Në gjimnaz kam filluar të mendoj më seriozisht për letërsinë. Imagjinoja gjëra të bukura, se si mund të bëhesha njeri i lumtur apo i dashur për të gjithë. Në fakt, ky ves apo virtyt më kishte mbetur kur isha fëmijë. Flisja shpejt, lexoja shpejt, por mendoja ngadalë. Nuk di pse gjithmonë e synoja të pamundurën. Si një nevojë e brendshme shpirtërore, më pëlqenin gjithmonë përshkrimi, këndvështrimi, respekti për njerëzit, atmosfera për të fanta­zuar të ardhmen e jetës sime.

Më pëlqente tepër gjurmimi i fjalëve që nuk ua dija kuptimin dhe domethënien, por edhe fjalët që më bënin të gëzuar, si: buzëqeshje, dashuri, përqafim, lumturi, besim, shpresë, dituri etj. Kur isha gjimnazist fillova ta kuptoja ndjenjën e fajit, ndjenjën e shqetësimit, ndjenjën e dhimbjes, ndjenjën e kërkim­faljes. Sikur më shkëlqenin sytë nga rrëmbimi i këtyre ndjenjave, sepse isha kureshtar ta dija përmbajtjen dhe kupti­min e tyre të vërtetë.

Më kujtohet kur e pata pyetur profesorin e filozofisë, se cilat janë parimet kryesore të njeriut, pastaj për domethënien e fjalës mëkat,si dhe për padrejtësitë që bëjnë njerëzit. Sikur fjalët e mia përplaseshin njëra mbi tjetrën vetëm për ta arritur efektin e dëshiruar.

Po kështu, ditën tjetër e pyesja profesorin edhe për fjalët që nuk ua dija porosinë. Atëbotë sikur kisha një aftësi të pashpre­hur për të bërë pyetje të çuditshme, ndonjëherë edhe të pamenduara mirë.

Sikur hulumtoja me admirim në ndërdije vetë realitetin e bindjeve të mia për t’i stërholluar ato në portretizimin e njerëzve që më rrethonin. Isha i padurueshëm me gjërat e paarsye­shme, me inatin, me xhelozinë, me zemërimin të cilat nuk treteshin lehtë në mendjen time.

Kur profesori i Gjuhës Shqipe na shpjegonte për ngjarje të ndryshme, të cilat shkrimtarët i paraqisnin në veprat e tyre, kryesisht në romane, mendoja se ajo pamje e imagjinuar po bëhej reale para syve të mi. Më pëlqente ana heroike e personazheve në vepra të ndryshme, por më shumë historia e dashurive të mrekullueshme. Kur e lexova për herë të parë dramën Romeo e Zhyljeta assesi nuk mund ta bindja veten se si dy personazhet e dashuruara në fund të dramës bënin vetëvrasje. Po kështu, ndieja një dhimbje të pafund për shkrimtarët të cilët kishin vdekur të rinj, siç qe, një nga ta, Migjeni. Më dhimbsej jeta e Zef Serembes, shtegtimi, vetmia, depresioni, krejt të ndërlidhura me dashurinë e tij shpirtërore.

Kuptimin e njohjes për gjëra dhe fenomene të ndryshme e ndërlidhja gjithmonë me dijen dhe besimin. Gjithnjë më inte­resonte perceptimi i objekteve, sidomos i shkollës ku mësoja, sepse muret e saj ishin veshur me drurë ngjyrë arre. Më shqe­tësonte çasti apo detaji se çfarë imagjinoja në radhë të parë: formën, përmbajtjen apo përfytyrimin e fantastikes që mbretë­ronte në mendjen time. Në fakt, fantastike më dukej buzë­qeshja e një vajze në klasë apo cingërima e ziles kur përfun­donte ora e mësimit. Ndieja një gjendje të përzier bashkë me fantazi. Natyrisht, ky ishte iluzioni im më i bukur, kur bëhe­sha edhe komentues i këtyre situatave në mendjen time, se cili ishte dallimi midis parandjenjës dhe ndjenjës, parapëlqimit dhe pëlqimit, paragjykimit dhe gjykimit etj. Kur një nxënës i klasës mësonte më shumë se unë, assesi nuk e bindja vetveten: pse nuk bëhem unë si ai. Më kapte një inat i papërmbajtur. Isha i shqetësuar tepër për gjërat që nuk mund t’i bëja menjëherë, mirëpo çdo gjë dëshiroja të arrija me meritë. Isha ëndërrues melankolik dhe tepër i ndjeshëm. Shpeshherë mendoja që njerëzit dashakëqij të mos jetonin në këtë botë.

 

Po nga jeta studentore, keni ndonjë ngjarje që e shihni në ëndërr edhe sot e tutje?

 

Jeta studentore është dëshmia më e fuqishme personale për një lidhje me ngjarjet e jetës, ndoshta jetëshkrimi më i bukur për gjithë ato çaste e përjetime të rralla dhe të papërsëritshme.

Si student kam veshur kostume të bukura të cilat i qepja te rrobaqepësi. I ruaja dhe mbaja mirë dhe pastër. Gjithmonë gëzohesha kur blija kostum të ri. Kam pasur flokë të gjatë dhe jam shoqëruar shumë me studentë të brezit tim, por edhe të gjeneratave të tjera. Secili e kishim në vetvete vetëbesimin, vullnetin dhe krenarinë rinore, që të tregonim sa më shumë dije para profesorëve tanë, por edhe t’i respektonim ata.

Kam shumë kujtime për t’i rrëfyer për ligjëratat, për jetën në konvikte studentore, për demonstratat e vitit 1981, për orët letrare të organizuara në Fakultetin Filozofik, për botimin e poezive në gazeta dhe revista letrare, por edhe për brengat e ndryshme.

Gjenerata e studentëve e Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, e viteve 1978-1982, së cilës i takoja edhe unë, ishte ndër gjeneratat më të mira asokohe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Cilën ngjarje do ta shihja në ëndërr sot e tutje? Kjo është pyetja juaj? Shumë ngjarje do të dëshiroja t’i kujtoja. Kjo është përgjigjja ime.

Më pëlqente qëndrimi në mjedisin studentor, rrëfimi për situatat nga jeta reale, pasioni i vazhdueshëm për t’i njohur shëmbëlltyrat e poetëve të njohur të cilët në veprat e tyre e përshkruanin herë vetminë, herë dashurinë, herë vuajtjen. Kjo e fundit ma tërhiqte vëmendjen më së shumti. A thua edhe unë po kërkoja një të vërtetë të vetme. Nuk di pse më ngulitej vazhdimisht në mendje që të merrja sa më parë informacion për dukuritë dhe fenomenet letrare dhe për qëllimin e studimit të letërsisë. Ishte një testim i vetvetes. Nga të filloja më parë: nga teoria e letërsisë, nga kritika letrare apo nga historia e letërsisë apo të shkoja më tutje vetëm te problemet e filozo­fisë, përpara ambicieve të mia shpirtërore, se mos po bëja ndonjë mëkat të mendjes.

Gjithnjë ëndërroja të zbuloja se cili ishte pushteti i poezisë? Cili do të ishte raporti i fjalëve dhe i figurave përbrenda një poezie? A do të ishin ato si fëmijëria apo rinia ime? A do të bëhem lexues, interpretues apo krijues i poezisë? A mund të mbaja në mendje mijëra kujtime dhe pastaj nga to ta gjeja të pamundurën, përmes fuqisë së përjetimit dhe përmasës së idealizmit, se cili do të ishte përkushtimi dhe fryti i dashurisë së madhe për letërsinë përtej joshjes magjike?

Kur vinte e shtuna më merrte malli për vendlindjen, sidomos për vëllanë, Muhametin dhe për motrën, Afërditën. Edhe fundjava kishte çaste të paharrueshme, meqë qëndrimi në mjedisin familjar ishte një kënaqësi e papërfytyrueshme.
Jeta studentore më bënte shumë ngulmues për ta mbërritur qëllimin për sukses në studime. Doja të dija çdo gjë për fatin tim, sikur përfytyroja një roman me imagjinatë të bujshme, me syzhe, fabul, personazhe të ndryshme, ku skicat e jetës sime do ta kishin mrekullinë e të shkruarit për diçka që do të mund të ekzistonte më vonë, fjala vjen, sikur Interpretimi i ëndrrave të Frojdit.

 

Ku dhe kur shkruani?

 

Edhe pse Heminguei thoshte se është shumë keq që një shkrimtar të flasë se si shkruan, megjithatë shkrimtarë të njohur kanë shkruar për provën e imagjinatës, për ta kuptuar pjesën më të mahnitshme të frymëzimeve të tyre, më tutje edhe si përvojë krijuese, duke e ditur faktin se një ndër principet më të rëndësishme të njeriut është vetënjohja. Mendoj se poezia është një shkëmbim i njohurive për jetën dhe shkrimin përmes vetënjohjes, ndërsa filozofia e saj është një arsye apo një proces i komunikimit për ta kuptuar jetën njerëzore në kërkimin e vetvetes.

Shkruaj dhe i shpreh ndjenjat pikërisht nga rezultati i bash­kimit të frymëzimeve në një horizont, aty ku rrinë dashuria dhe fantazia, të cilat janë si pikat e ujit në shpirtin e njeriut që i japin fuqi motivimit të papërsëritshëm në jetë dhe në krijim­tari.

Borhesi thoshte se “jeta bëhet nga poezia”. Çfarë mrekullie për poetët. Mbase kjo thënie mund t’i përgjigjet edhe krijimta­risë sime dhe, nganjëherë, më duket vetja se jam gjithmonë i ngarkuar me kujtime që banojnë në shpirtin tim, duke pritur rishpërthimin e ndjenjave.

Kur shkruaj nuk pëlqej ndonjë ceremoni të veçantë siç bënin shumë shkrimtarë botërorë. Për shembull, të vishem me rroba të bukura çdo mëngjes,të pi kafenë më pak qumësht apo të flas vetë me vete se çfarë do të bëj gjatë ditës. T’i lexoj poezitë me zë të lartë apo të përmallohem për kohën e fëmijërisë, kur vështirë i mësoja poezitë përmendësh. Asokohe mendoja se jo secila poezi mund të ketë fjalë të pavdekshme, as ritëm, as figurë, as përjetim, as ndikim…

Poeti mund të jetë ëndërrimtar mjaft i përpiktë kur përpiqet të zbulojë gjëra të bukura që i flenë në shpirt, duke i ringjallur kujtimet, për ta ndërtuar pasionin, kënaqësinë, përjetimin jo vetëm për vetveten, por edhe për të tjerët.

Në intervistën time, me titullin Poezia si teori e dashurisë, i kam paraqitur mendimet lidhur me pyetjen ku shkruani? Me këtë rast po i paraqes edhe disa mendime të tjera.

Nuk shkruaj në çdo vend siç shkruante Ali Podrimja, apo siç shkruajnë shumë poetë. Mbase e kam krijuar në vetvete një lloj teorie të frymëzimit, me vetë faktin se para se të shkruaj më duket se krijoj të fshehtën për ta sublimuar të bukurën. Në librin tim të zgjedhur me poezi, me titullin Dhembje e bekuar 333 poezi, në ballinë i kam përzgjedhur 33 figura që i përdor më së shumti në tërë krijimtarinë time. Ato janë: Zoti, dashuria, bukuria, vendlindja, zjarri, rruzullimi, vetmia, trishtimi, vdekja, ëndrra, gjarpri, përjetësia, parajsa, ferri, purgatori, lulja, nëna, shiu, gjaku, pagjumësia, drita, gjuha, toka, heshtja, dritarja, hija, fjala, pasqyra, guri, gjuha, koha dhe dorëshkrimi.

Jo rrallë mendoj për dyqind fjalët e Lasgushit për poezinë dhe për mendimin e tij se poezia nuk është te fjalët, poezia është te poeti. Zakonisht shkruaj në orët e hershme të mëngjesit. Nuk shkruaj çdo ditë. Ndodh që nuk shkruaj poezi deri në tre-katër muaj. Sikur më mbushet mendja me lloj-lloj idesh, përfytyri­mesh, mendimesh, pastaj i vendos vargjet në kompjuter.

Krijimi i poezisë është akt solemn siç do të mund të ishte gjurma e një buzëqeshjeje, ndoshta edhe nga rimarrjet që tashmë i përkasin një tendence estetike që ka të bëjë me magjinë krijuese.

Është shumë interesante. Një ditë seç m’u kujtua buzëqeshja e fundit e Beatriçes së Dantes, ditën tjetër udhëtimi poetik i Borhesit nëpër labirintet e bibliotekës, pastaj shumë romane të bukura me histori dashurie. Shpesh më ka ndodhur të ripro­dhoj diçka në mënyrën time, në stilin tim, duke iu referuar hollësive dhe situatave, ndoshta që i kam lexuar e gjetur në veprat e ndryshme. Kjo është kujtesa e shkrimit që e ndjek secilin autor, kur dëshiron të zbulojë ide, koncepte, kuptime, përmbajtje të reja, natyrisht për të cilat ishte shkruar edhe më herët.

Konceptin e të menduarit për letërsinë gjithmonë e kam synuar për trajtimin e fenomeneve dhe dukurive njerëzore, për t’i rikthyer në procesin krijues të veprës. Jam përpjekur ta shpjegoj në vetvete shkakun e lindjes së frymëzimeve. Ku qëndron thelbi i tyre? Përse më josh përnjëherë letrarja dhe filozofikja kur shkruaj? Sikur e ndërtoj një raport në ndërdije me këta dy përbërës. Ndoshta kjo bëhet mënyrë e përcaktimit ku përqendrohem për realizimin e një lloj shkrimi, duke e kërkuar besueshmërinë për të dyja. Shpeshherë më ka ndodhur ta braktis atë çfarë kam shkruar, kur pikëpamjet e mia i ka zotëruar një refleksion tjetër, se shkrimi ende nuk është në nivelin që më pëlqen mua. Umberto Eco do të thoshte se invencioni prodhon realitet.

 

Për çfarë ju merr malli?

 

Sigurisht malli më i veçantë për mua është që të jem sa më gjatë në mjedisin familjar, i rrethuar nga të dashurit e mi. Shumë shkrimtarë kanë thënë se duke shkruar libra bëhen të lumtur. Nuk e di ku qëndron aftësia krijuese e shpirtërore e shkrimtarit për të qenë i lumtur përbrenda atmosferës së fanta­zisë për t’i zbuluar ndjenjat e tij. Më së shumti më merr malli për dashurinë që ekziston brenda ndjesisë sime. Vullneti i njeriut në çdo situatë qëllimin përfundimtar e ka te lumturia dhe dashuria apo te virtyti i të dyjave bashkë.

Vitet e fundit më së shumti rri në Symphony dhe në Amaro, dy lokale të bukura në Prishtinë. Secilin njeri shpeshherë e merr malli sidomos për kohën e fëmijërisë dhe për më të dashurit që nuk jetojnë më. Edhe mua më ngjan kjo, edhe pse ndonjëherë më duket se kujtesa është e paprekshme. Gjithnjë mendoj se kujtimet mbijetojnë vetëm në shkrime. Shpesh më merr malli për shiun që m’i lagte flokët në kohën e fëmijërisë. E ndieja një kënaqësi shpirtërore asokohe kur më lagte shiu sepse nëna më thoshte se shiu të rritë e të bën të madh. Sikur shiu me kohë u bë onomatope interesante në poezinë time. Piklat e shiut e kishin muzikalitetin dhe ritmin e vet kur binin në tokë. Asokohe mendoja se sikur unë isha ndërmjetës midis qiellit dhe tokës. Kjo qe një kënaqësi e papërshkruar për mua.
Fuqinë e frymëzimit në poezinë time, jo rrallë, e kam ndër­lidhur edhe me vjeshtën. Gjithnjë më merr malli për stinën e vjeshtës, sepse shumicën e librave të mi i kam shkruar në vjeshtë. Në fakt, periudha e përfundimit të stinës së verës dhe fillimi i vjeshtës sikur më japin fuqi shpirtërore për të shkruar. Disa herë kam menduar pse më ndodh kjo? Sikur e analizoj ndjenjën e dashurisë për t’i nxjerr poetikisht efektet që i shkakton ajo. Vërtet më ndodh një lloj metamorfoze e çudit­shme, ndoshta vetëm për ta përvetësuar atë ndjeshmëri poetike që buron nga shpirti krijues. Prandaj, kjo më mjaftonte për t’i shtresuar gjithë ato dallgë të frymëzimit që e kanë magjinë e vet poetike, stilistike, figurative apo edhe diçka më tepër.

 

Çfarë mund të na thoni për tre librat tuaj me poezi të cilët e përbëjnë fazën e parë të krijimtarisë suaj?

 

Librin e parë me poezi, me titullin Albumi i grisur, e kam botuar në vitin 1986. Thonë libri i parë është si dashuria e parë. Dihet, çdo gjë fillon me lumturinë. Më dukej se libri i parë ishte si një ditar intim të cilit nuk ia gjeja fundin. Synoja ta ndërtoja mendimin dhe stilin tim duke i krahasuar gjërat që i ndieja në shpirt me ato që më shfaqeshin si imazhe në çastin e parë. Jo rrallë më dukej se nuk përputhej ideja me qëllimin. Diçka tjetër ëndërroja, ndërsa diçka tjetër më dilte në letrën e bardhë. Më dukej se gjithnjë nxitoja për ta shfaqur mendimin, prandaj sikur më mungonte disiplina krijuese apo durimi. Më pëlqenin sidomos figura e krahasimit dhe e epitetit, por edhe e kontrastit. Dyshoja se në shpirtin tim qe formuar një marrë­veshje e fshehtë e kuptimeve dhe figurave për vargun dhe për poezinë në përgjithësi. Ndoshta kjo ma sillte dilemën për saktësinë e mendimeve që i riprodhoja shumë gjatë në mendjen time. Nuk më dilnin siç i paramendoja. A isha unë subjekti apo ishte ai tjetri? Ky ishte shqetësimi i radhës. Përse nuk përputhej ndjeshmëria ime me atë të tjetrit, që do të ishte ndoshta sikur unë! Ndoshta nga këtu fillonte zotërimi i brend­shëm i dy gjendjeve: atë që ndieja në shpirt dhe ajo tjetra, imagjinarja, që më shqetësonte dhe që më rrethonte për t’u bërë pjesë e jetës shpirtërore. Natyrisht, kjo ishte më shumë se brengë, sidomos për ndërtimin e figurave poetike, ndonjëherë edhe për temat e padëshifrueshme kurrë deri në fund, të cilat ishin projektuar në kujtesën time, pikërisht nga magjepsja e frymëzimeve.

Me librin e dytë me poezi Zogu me profil vjeshte (1989), asokohe kam synuar t’i projektoj idetë e mia përbrenda një teorie krijuese. Fillonte të më shqetësonte më shumë vetëdija për shkrimin, për idetë dhe për temat. A mund të zbuloja më tutje vetëm figura të bukura, të qëlluara dhe domethënëse, për ta shqiptuar procesin e interpretimit të fenomeneve dhe dukurive të jetës. Përse zogu, gjarpri, qyqja, korbi, vjeshta, heshtja, vetmia, dashuria, dhimbja, fati etj., bëheshin figura të bukura dhe të dhimbshme në të njëjtën kohë, përmes të cilave dëshiroja t’i emërtoja gjërat apo dukuritë që më shqetësonin. Synoja ta zbuloja esencën e ëndrrave të mia rinore të cilat gjithmonë e kishin një përmallim të papërshkruar apo të pathënë deri në fund, herën tjetër edhe një revoltë me dome­thënie të caktuar poetike, të ndërlidhur me temat e aktuali­tetit, sidomos poezitë që ndërlidheshin me toponiminë, me emërtimet e vendbanimeve, meqë në atë periudhë bëheshin përpjekje për ndryshimin e emërtimeve me përmbajtje shqip­tare. Po kështu, libri im i dytë me poezi iu referohet miteve apo strukturave të ndryshme mitologjike, por edhe legjendave dhe baladave. Rozafati, Aloidët, Boa, Troja, Lebetitë, Zogjtë e Stimfalit, Drimona, Lynkesta, Sytë e Argusit, Aka Larencia etj. Në këtë mënyrë, figura, tema, ide, motive të ndryshme, të rimarra në një kontekst të caktuar poetik, vihen në një sprovë të re ligjërimore.

Libri im i tretë me poezi, Plagomë (1994), i shkruar në rrethana të caktuar sociale dhe politike, gjithsesi e projekton një dhimbje tjetër njerëzore dhe kombëtare, të ndërlidhur me periudhën kur regjimi i atëhershëm serb ushtronte dhunë të vazhdueshme mbi shqiptarët, në edukim, kulturë, si dhe në shumë fusha të tjera të jetës. Shumë poezi të këtij libri kanë refleksion dramatik në të shqiptuarit e temave të aktualitetit. Gjithnjë synoja një pavarësi estetike, për t’i shpjeguar përmes poezisë fenomenet dhe dukuritë e ndërlidhura me kulturën, gjuhën, identitetin. Në të gjitha variantet e shkrimit liria ishte tema kryesore. Pra, kuptimi i lirisë ishte thelbi i frymëzimit poetik. Përmes Plagomës synoja ta bëja kapërcimin apo tejka­limin në një ligjërim të ri poetik, të cilin nuk e kisha aq shumë të pranishëm në dy librat e mi të parë me poezi. Ky parim imi krijues kishte të bënte me dominimin e figurës, me funksiona­lizimin e imazhit simbolik, por edhe me paraqitjen dhe zbër­thimin e absurdit. Mendoj se me librin tim të tretë me poezi fillon projekti im krijues për funksionalizimin e sistemit poetik në poezinë time. Me kohë e fitova bindjen se ishte libri im përcaktues për të vazhduar më tutje me poezinë, me projekti­min e ideve dhe të koncepteve krijuese, për t’ia dëshmuar vetvetes se po nisem në këtë rrugë për ta provuar hyrjen në botën e letërsisë.

 

Si i keni shkruar librat tuaj me ese dhe studime letrare?

 

Në të vërtetë, fillimisht kam shkruar dhe botuar shumë shkrime kritike, kryesisht recensione, ese dhe studime, në gazeta dhe revista letrare të ndryshme në Kosovë, por më vonë edhe në Shqipëri. Ky qe një motivim i jashtëzakonshëm për të vazhduar me kritikën letrare.

Vlerësimi i veprave letrare në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar ishte privilegj për kritikun letrar dhe për studiuesin e letërsisë. Më tutje kam vazhduar botimet e veprave me ese dhe studime letrare, siç janë: Shqipshkrimi kritik (1997), Kuteli poet, prozator, kritik (1999), pastaj të veprave të tjera, Domethënia e ideve letrare (2001), Proza e filleve të modernitetit (2006), Studime letrare (2008), Enigma e shkrimit (2018) dhe Esenca e ligjërimit letrar (2020).

Në librin me ese dhe studime letrare Shqipshkrimi kritik (1997) kam trajtuar tema dhe probleme që kanë të bëjnë me letërsinë moderne dhe me letërsinë e sotme shqipe. Kam trajtuar fenomene të ndryshme letrare dhe estetike, duke provuar të vë komunikimin e qartë me përbërësit kryesorë të tekstit, me një përqendrim të veçantë të kodit tematik dhe të kodit ligjërimor. Ndërkaq, në studimin monografik Kuteli, prozator, poet, kritik (vepër që është nderuar me çmimin më të lartë letrar në Kosovë Pjetër Bogdani si libër i vitit 1999), përmes qasjes historiko-letrare dhe teorike e kam shqyrtuar veprën e Mitrush Kutelit.

Me veprën tjetër me ese dhe studime letrare, Domethënia e ideve letrare, jam përpjekur të vë një dialog kritik me idetë e mëdha nacionale në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX, por kam bërë kërkime edhe për autorë të periudhave të ndryshme letrare. Në këtë vepër studimore jam marrë me veprat e autorëve, pothuajse të të gjitha periudhave letrare.

Më tutje, interesimet e mia në fushën e kritikës letrare i kam vazhduar me veprën studimore Proza e filleve të modernitetit (2006), në të cilën trajtohet proza e autorëve emblematikë të letërsisë shqipe: Faik Konica, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe Migjeni. Përqendrimi im është mbështetur kryesisht në trajtimin tematik të veprës së këtyre autorëve, me një analizë letrare, interpretim dhe vlerësim kritik në tri rrafshe kryesore: ngjarja, personazhi dhe rrëfimi, ku pikë referimi bëhet vlera letrare dhe receptimi kritik i filleve të prozës moderne shqipe, kuptohet me autorët kryesorë të saj.

Vepra ime e radhës në fushën e studimeve letrare është Enigma e shkrimit (2018), e cila përbëhet nga ese, trajtesa dhe studime të shkruara këtu e njëzet vjet më parë. Në këtë vepër janë studiuar veprat e disa autorëve dhe çështje dhe probleme letrare të diskutueshme, modele krijuese, koncepte mbi letër­sinë, duke filluar nga periudha e romantizmit shqiptar e deri te letërsia e sotme shqipe.

Në radhë të parë, poezia, proza, kritika, të shkruara e të botuara nëpër faza dhe periudha të ndryshme të zhvillimit të letërsisë shqipe, janë bërë objekt i interpretimit dhe vlerësimit, me qëllim të njohjes, studimit dhe funksionalizimit të tyre në raport me treguesit e komunikimit letrar. Në këtë libër është bërë trajtimi i temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe kriterit estetik, para së gjithash, për të eviden­tuar dhe konceptuar veçori të reja kuptimore midis krijimit letrar dhe mendimit kritik. Pra, këtu janë trajtuar edhe çështje dhe fenomene aktuale të letërsisë shqipe, duke problematizuar diskursin e saj brenda pikëpyetjeve e këndvështrimeve, por edhe debateve që kanë për qëllim kryesor nxitjen e dialogut për sugjerime dhe propozime për leximin dhe receptimin e letërsisë. Gjithashtu, në veprën Esenca e ligjërimit letrar (2020) kam trajtuar vepra të autorëve të letërsisë shqipe, por edhe të letërsisë botërore.

Shumica e veprave të autorëve të lartpërmendur më pëlqejnë, madje disa prej tyre vazhdoj t’i kem edhe shkrimtarë të pëlqyer. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për një lexues, sidomos për shijen e tij, që t’i ketë shkrimtarët e vet të pëlqyer, por edhe t’i njohë premisat kryesore të letërsisë që ndërlidhen me veprat e tyre.

 

Çfarë mund të thoni për librat tuaj me prozë poetike?

 

Në librin e tretë, Plagomë (1994), të cilën ua kam kushtuar tri vajzave të mia, Albulenës, Besianës dhe Doruntinës, në mesin e shumë poezive, pothuajse të gjitha me rimë, janë edhe nëntë proza poetike: Liri me gjarpër në gji, Forma artistike e lirisë, Java e shqipshkrimdhembjekrijimit, Kafshimi, Publiku me duar të lidhura, Kukuvajkat, Gjiri, Zogjtë e therur dhe Ndoshta është blasfemi. Pastaj, në secilën vepër timen me poezi është i pranishëm nga një cikël me proza poetike, derisa e botova veprën e parë me proza poetike Ëndrra në parajsë (2006), pastaj veprat e tjera me radhë, siç janë: Sytë e vetmisë (2010), Rruzullimi i zjarrit (2011), Zemërimi i heshtjes (2014), Shkallët e natës (2020).

Përmes prozës poetike synoj të shënjoj një cak tjetër, diçka midis poezisë dhe prozës. Atë që nuk e kam thënë në librat e mi me poezi, jam përpjekur ta artikuloj në prozën poetike. Jo rrallë më duket vetja se jam midis dy lumenjve, për të provuar se në cilin lumë do të notoj më shumë, por edhe më mirë. Fundja, nuk mund të bëj krahasime, prandaj poezia dhe proza poetike, pothuajse, janë i njëjti kërkim imi, i paraqitur në variante të ndryshme, ngjitur nëpër shkallët e imagjinatës, por edhe nëpër shkallët e jetës.

A mund të ketë proza poetike mesazh, kuptim dhe dome­thënie tjetër?

Ky është një lloj shqetësimi krijues që më ka nxitur ta kuptoj përbrenda vetes një teori të komunikimit, por edhe një teori të receptimit për të, duke provuar “një zgjatje të kujtesës”, siç do të thoshte Borhesi, edhe për ligjërimin, ritmin dhe figurat. Nga cilët faktorë do të përcaktohej gjuha metaforike (poezia) që të bëhej gjuhë e rrëfimit (proza). Në fakt, parimet krijuese besoj se shkojnë në të njëjtin drejtim, me një ndryshim të vogël që proza poetike mund ta funksionalizojë fabulën. Me prozën poetike jam përpjekur të rrëfej ngjarje dhe të përshkruaj situata.

 

Ndjenja juaj kur veprat tuaja filluan të përktheheshin në gjuhë të huaja?

Ndjenjë e bukur dhe ndryshim në krijimtarinë tënde letrare përbën përkthimi saqë të duket se po hyn në një botë tjetër që të bashkëbisedosh në shumë gjuhë për ta përmbushur pasionin krijues për afirmimin e punës tënde.

Poezia ime është përkthyer në mbi njëzet gjuhë dhe përfshirë në antologji të ndryshme, ndërkaq vepra të mia të veçanta në gjuhë të ndryshme të botës janë: Exilul Sufletului (2004), Schalte das magische Licht ein (2004), Only Death is White (2005), Ako stanam angel (2006), Ploaia fara Tine (2008), Beauté maudite (2010), Прокълнатакрасота (2012), När himlen tystnar (2012), Allume la lumière magique (2012), Il gioco delle foglio ( 2015), Ηάλληόψητου (2016), Albán éjzaska (2017), La ŝtono de laamo (2017), Whispering agony (2020).

Mendoj se paraqitja dhe promovimi i suksesshëm i letërsisë shqipe jashtë vendit varet nga shumë faktorë. Kjo ndërlidhet me bashkëpunimin e autorëve, përkthyesve, botuesve dhe institucioneve.

 

Veprat tuaja me poezi, sidomos tri të fundit, po heqim nga ky kontekst përzgjedhjet me poezi që kanë bërë disa përgatitës, kanë peshë më të madhe erotike sesa, ta zëmë, ato të botuara në kohën para luftës. Pse kaq shumë zë vend dashuria në poezinë tuaj, që herë del përemër, herë emër, herë tjetër mbiemër, herë ndajfolje e çfarë jo tjetër, si: ajo, vasha, e bukura, e mira, e ëmbla, e dashura, këmbëshpejta… Pra, kudo është ajo, një vajzë apo një grua, një bukuri e nëmur dhe një vdekje e bardhë.

 

Dashuria është përmbajtja kryesore e jetës së njeriut. Është kuptimi, domethënia dhe kënaqësia e njeriut në këtë botë dhe sigurisht nuk mund të përdoren të njëjtat metafora për dashurinë. Tërë jetën time jam përpjekur ta gjej dhe ta kuptoj burimin e dashurisë, pse mahniten kaq shumë poetët kur shkruajnë për dashurinë. Kur shkruajnë për familjen, gruan, fëmijët etj. Në poezinë time: bashkëshortja, Drita, fëmijët: Albulena, Besiana, Doruntina, Etleva, Rozafa dhe Rea, pastaj mbesat dhe nipat, janë paraqitur përmes vargjeve të shenjëzimit të veçantë shpirtëror, pikërisht aty ku frymojnë bashkë jeta dhe poezia.

Cila drithërimë është më e bukur për ta përshkruar çastin e shpërthimit të ndjenjave sikur të ishte një fushë magnetike, e cila duhet të plotësohet vazhdimisht me ndjenja të zjarrta. Kjo është bota e ndjesive për të cilën do të shkruante dhe do të fliste secili poet. Pas leximit të shumë librave të ndryshëm të shkrimtarëve botërorë kam kuptuar se pikërisht kënaqësia e vërtetë e njeriut fillin e ka te dashuria, te pasionet që krijohen me fuqinë dhe praninë e saj. Pra, për dashurinë si ide, shije, koncept, për­mbajtje, ligjërim, ndjenjë, përfytyrim, shenjë, mishërim, pasion, magji, ndoshta nganjëherë vetëm vuajtje dhe dhimbje. Shprehjet e zjarrta lirike për dashurinë dhe lumturinë mishë­rohen në jetën shpirtërore. Çdo zotërim i shfaq shenjat e një perceptimi magjik, i cili gjithnjë e fuqizon pasionin aty ku ngjizet mreku­llia e përjetimit dhe aventura e imagjinatës. Imazhi i vajzës apo i gruas së bukur mund të jetë projeksion i çdo krijuesi jo vetëm në letërsi, por në të gjitha artet e bukura. Prandaj, modeli poetik i dashurisë, i ndërlidhur me figurën femërore, shfaqet midis lumturisë dhe bukurisë, madje përtej gjurmimit të vlerave shpirtërore. Ekuacioni i metaforave për dashurinë si shenjë dalluese midis ndjenjës, përjetimit dhe imagjinatës, ndërlidhet me emocionet që shkaktojnë kënaqësi, aty ku nuk ka tepri të ndjenjave dhe më shumë gjëra të pashprehura apo të pathëna.

Në poezinë time dashuria është prodhim i gjendjes shpir­tërore që e ushqen imagjinatën krijuese me ndjenjën e jetës, gëzimit, lumturisë, besimit, virtytit, shpresës, mirësisë etj.

Në disa prej veprave të mia me poezi, Dalje nga trishtimi, Bukuri e nëmur, Në fillim ishte Drita, Asnjë zë tjetër, Lutja e parë e shpirtit si dhe në veprat me prozë poetike Ëndrra në parajsë, Sytë e vetmisë, Zemërimi i heshtjes dhe Shkallët e natës, një hapësirë të madhe zë tema e dashurisë.

Lumturia e shtresuar përbrenda meje kishte diçka më të bukur se ëndrrat e dashurisë të cilat sikur i mbaja mend dhe i paraqisja në vargje, duke kuptuar ndjeshmërinë që ishte edhe përtej kësaj përmase. Prandaj, dëshira për ta funksionalizuar ligjërimin poetik, ku dashuria paraqitet si vizion i bukur i jetës, pa dyshim është thelbi i bukurisë që fundja ka të bëjë me magjinë poetike të cilën do ta lakmonin të gjithë poetët.

Asnjëherë s’e kam kuptuar deri në fund ndjesinë e dashurisë. Pse njeriu gjithmonë dashuron, duke krijuar një frymë autentike, kuptohet për ta ndërtuar efektin poetik dhe efektin estetik.

Në prozën poetike përgjithësisht, por edhe në veprat me poezi që i kam botuar në dhjetëvjetëshin e fundit, ka një prani të madhe dimensioni i përshkrimit të syve. Pasioni për ta shënjuar poe­tikisht përflakjen e shikimit, në kuptimin për të saktësuar diçka që është e bukur dhe për të krahasuar diçka që është tërheqëse, madje magjike. Gjithmonë synoj t’i konceptoj imazhet e qarta, për ta kuptuar procesin e vazhdueshëm për një përputhje midis kuptimit, domethënies dhe kënaqësisë estetike.

Në poezinë dhe prozën time poetike përdorimi i madh i epiteteve dhe krahasimeve ndërlidhet kryesisht me perceptimin dhe ndjeshmërinë për ta funksionalizuar imazhin simbolik me besueshmërinë imagjinare, të ndërlidhur me përshkrimin e syve, për ngjyrat e tyre, mbase edhe për efektin e shikimit. Kësisoj, shikimin në sy e kam kuptuar si diçka të jashtëza­konshme. Babai im më thoshte se kur njeriu s’të shikon drejt në sy, sikur fsheh diçka në vetvete, pikërisht në karakterin e tij, në mosgu­ximin e tij, në mosbesimin e tij. Mbase kjo është një pikturë e bukur që shndërrohet me një perceptim shpirtëror, që e ndërton parabotën e vet drejt shtegtimit të pasioneve të zjarrta për kuptimin dhe domethënien e dashurisë. Në fakt, rrëmbimi dhe fuqia e shikimit është si shtjellimi i një imazhi i cili rikthe­het në figurë poetike për ta zbërthyer fshehtësinë e frymëzimit poetik, aty ku portretizohet prania apo edhe mosprania e bukurisë femërore.

Libri poetik Në fillim ishte Drita, i cili përbëhet nga nëntëdhjetë e nëntë poezi, e përcakton ndjeshmërinë sublime për efektin estetik të dashurisë. Element i përhershëm dhe kryesor është dashuria njerëzore, ndjesia për të dhe fuqizimi i fjalës dashuri përbrenda reflektimit të saj, edhe si pyetje edhe si përgjigje në sistemin e shenjave shpirtërore. Kësaj radhe po ua lë rendin simboleve, aty ku ritmi, figura, metafora qëndrojnë midis faktit jetësor, faktit letrar dhe faktit estetik. Ekzistenca e dashurisë lidhet me Dritën, që shkon përtej bukurisë artistike për ta mbërritur efektin e ndjeshmërisë poetike si strukturë mendimi dhe si strukturë përjetimi, madje për dashurinë me një kod të ri komunikimi përbrenda kornizës filozofike.

Mendoj se Në fillim ishte Drita është një libër mahnitës që e lavdëron dashurinë njerëzore.

Keni disa poezi me motive për dorëshkrimet e djegura, por keni edhe disa poezi me motive për dorëshkrimet e ringjallura. Po ashtu, keni edhe një libër me poezi me titullin ‘Dorëshkrimi i ngjallur’. ‘Dorëshkrimi i ringjallur’, megjithatë, nuk është ai i djeguri. Është tjetër, sigurisht?

 

Kohën e fundit shkruaj për diçka që nuk ekziston më as si formë as si përmbajtje në horizontin e pritjes së një autori. Cila do të ishte renditja e imazheve që e shënjojnë dhe fun­ksionalizojnë botën reale nën ndikimin e boshllëkut dhe mungesës, thuajse po flas tani për historinë dhe legjendën, aty ku rizgjohet në kujtesë objekti i perceptimit (shtëpia e djegur bashkë me bibliotekën).

Shkruaj për situatat e dhimbjes shpirtërore apo për paqën­drueshmërinë e ndjenjës. Pa dyshim, ndjenjat bëhen të paqën­drueshme kur i kaplojnë tmerri dhe fatkeqësia. Prandaj, jo rrallë, mërzia bëhet frymëzim kryesor i disa prej poezive të mia, kur shpjegohet mënyra e shenjëzimit të fatkeqësisë.

Shkruaj për shkrumbin dhe për hirin. Aty kodi i dhimbjes e përmbush boshllëkun dhe humbjen.

Libri poetik Dorëshkrimi i ngjallur, ashtu siç thua, nuk është dorëshkrimi i djegur. Është zgjimi nga realja, ndjesia e ikjes të gjërave të dashura, që nuk kthehen më në jetë, por vetëm si imazhe rrokullisen në kujtesën time dhe më duket se po komunikoj me to.

Çdo mëngjes pothuajse e masë dhimbjen time me rrëfimet paralajmëruese për gjërat e dashura e të paharruara, që më nuk i shoh dhe as nuk i prek, por vetëm e ndiej mungesën e tyre në shpirt dhe dua të bëj diçka për to, së paku të shkruaj që të mbesin më shumë si kujtime të dokumentuara. Në fakt, gjërat që nuk ekzistojnë bëhen imagjinatë e padurueshme në kujtesën time dhe shpërthejnë pikërisht me përmallimin e pikëlluar, për ta krijuar ndjenjën e thellë të nostalgjisë për kohën e përjetuar.

Shtëpia e djegur, biblioteka e djegur, dorëshkrimet e djegura, fotografitë e djegura, s’janë vetëm dhimbje, pikëllim, humbje. Është një tronditje shpirtërore për secilin krijues që humb diçka të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshme në jetën e tij shpirtërore.

Dorëshkrimi i ngjallur është libër i pavdekësisë së shpirtit, sikundër që është kapërcim i ankthit krijues që e ka poetikën e vet si dëshmi për një kohë. Pa dyshim, i ka ato shenja të biografisë sime shpirtërore që tashmë nuk më takojnë vetëm mua, por edhe të tjerëve. Më vjen mirë që nga juria profe­sionale e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është nderuar me çmimin vjetor për letërsi si vepra më e mirë letrare në poezi e botuar në vitin 2011. Është nderuar edhe me çmimin kryesor të Mitingut të Poezisë në Gjakovë.

 

Sali Bashota është një prej poetëve më të veçantë të letërsisë së sotme shqipe, vlerësojnë kritikë të rinj dhe të vjetër, sidomos studiues të poezisë. Poezinë tuaj e kanë vlerësuar me çmime për veprën më të mirë në poezi edhe juritë e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, të cilat edhe i falënderuat, por edhe disa shoqata kulturore në Kosovë dhe gjetiu. Çfarë dallon poezia juaj nga e bashkëkohanikëve meqë juritë e dallojnë? Na thoni, pa modesti, pse është më e veçantë?

 

Më duket se në krijimtarinë time ka më shumë tema të dhimbjes, të trishtimit, të vetmisë, por edhe ironi, paradoks dhe alegori. Mendoj se veprat e mia në poezi iu përkasin tri fazave. Faza e parë: Albumi i grisur, Zogu me profil vjeshte dhe Plagomë; faza e dytë: Dalje nga trishtimi, Bukuri e nëmur dhe Dorëshkrimi i ngjallur; faza e tretë: Në fillim ishte Drita, Asnjë zë tjetër, Lutja e parë e shpirtit dhe Pëshpëritja e agonisë.

Përse këto tri faza?

 

Ndoshta përbrenda këtyre tri fazave qëndron përkufizimi i vetmisë dhe i dramës shpirtërore të krijuesit përballë një realiteti që formësohet e shformësohet me praninë ose mos­praninë e subjektit lirik.

Jam përpjekur të jem i veçantë në poezi. Këtë gjë e vlerë­sojnë të tjerët. I veçantë me lirizmin, ndjeshmërinë, me dhimbjen, me pikëllimin, me ëndrrat, pastaj me gjuhën, ligjërimin, me stilin, me figurat. A kam shkuar përtej këtyre? Prapë e vlerë­sojnë të tjerët.

Jam përpjekur ta fuqizoj dashurinë për ekzistencën jetësore duke i dhënë përparësi lumturisë për të ngadhënjyer mbi zemërimin, duke e kërkuar burimin e frymëzimeve të mia pikërisht te jeta e njeriut. Mund të jetë ky një rrëfim i çudit­shëm dhe i pabesueshëm, por është i sinqertë.

Jam përpjekur të jem i veçantë me ide për ta paraqitur vetminë time krijuese në komunikim shpirtëror me lexuesin, për t’i kuptuar sa më qartë çastet e krijimit dhe dëshirën e fshehtë të frymëzimit, kështu që në mendjen time gjithmonë kam synuar zgjedhjen estetike, për ta ndërtuar, qoftë një peizazh, një gjendje shpirtërore apo një shqetësim të çastit.

Të jesh poet i veçantë me ndjenjat, idetë dhe mendimet e tua. I veçantë me jetën dhe shkrimin. Pra, veçantia e përcakton botën emocionale të krijuesit, karakterin dhe individualitetin e tij.

Si duket një poet i veçantë kur shkruan në tavolinën e punës pranë kompjuterit, duke ecur rrugëve të Prishtinës, pastaj përpara studentëve duke shpjeguar për letërsinë shqipe, duke bashkëbiseduar me miqtë e vet. Kjo është ajo pjesa që e quajmë, realja.

Miqësia ime me Ibrahim Berishën, Milazim Krasniqin dhe me të ndjerin, Basri Çapriqi, ishte mjaft e rëndësishme për ta kuptuar më qartë botën e letërsisë dhe zbulimin e sfidave krijuese. Përbrenda kësaj miqësie e bashkëndanim suksesin tonë, por edhe të brezit letrar. Kjo është një kaptinë e mreku­llueshme për një kohë të gjatë, gati për dyzet vjet, pra një miqësi e mirë, pothuajse, më shumë se gjysma e jetës.

Prandaj edhe brezi im letrar është i veçantë në letërsinë e sotme shqipe edhe me konceptin për letërsinë, për vlerën dhe rëndësinë e saj, për problemet e vlerësimit kritik, për metodat e studimit, për antologjitë letrare, për historinë e letërsisë shqipe etj.

Sot nuk lexoni gjithçka dhe shumë sepse keni punë më shumë sesa që kishit pa u bërë profesor, pa u bërë bashkëshort, pa u bërë prindër, pa u bërë gjysh. Çfarë lexon Sali Bashota? Çfarë përzgjedh për lexim?

 

Përzgjedhja për lexim është një tregim më vete dhe, nganjë­herë, mund të ketë kundërefekt. Nëse i ke në raftin e biblio­tekës veprat e shkrimtarëve më të njohur, mos e përqendro vëmendjen te më i miri, siç thonë të tjerët. Lexoji të gjithë. Këtu fillon ëndrra e lexuesit dhe vdes paragjykimi.

A mund të kemi ide, motive, tema të caktuara për letërsinë. Disa thonë po. Të tjerët thonë jo. Edhe kur i përzgjedhim veprat për t’i lexuar, pa dyshim, e krijojmë bindjen personale për autorin dhe veprën dhe, nëse nuk pajtohemi, sikur kemi të bëjmë me një lloj “shpërbërjeje të kujtesës” së leximit. Harold Bloom ka thënë: Të lexuarit siç duhet arrihet vetëm nëse kryhet si një disiplinë e brendshme; s’ka recetë a metodë përveç vetvetes që derdh, formon, gdhend e lëmon kallëpin e një lexuesi të mirë.

Mua më pëlqejnë veprat që dallohen për stilin e tyre dhe, natyrisht, kur sintetizojnë prirje letrare, filozofike, psikologjike, ndonjëherë edhe historike. Natyrisht, dëshiroj ta zbuloj të fshehtën e cila më bëhet synim pasionues për të mbërritur në fundin e leximit. Me fjalë të tjera, jo rrallë më ka ndodhur ta filloj leximin e një vepre dhe ta përmbyll komunikimin me të, në njëzet apo tridhjetë faqet e fillimit të saj. Mendoj se përqendrimi apo vëmendja e lexuesit i nënshtrohet instinktit apo dëshirës për përjetim estetik. Situatat e pëlqyeshme apo të papëlqyeshme krijohen nga akti i leximit dhe i përjetimit. Këto janë edhe probleme të imponimit apo probleme të metodës së vlerësimit.

Vitet e fundit lexoj vepra që i zgjedh me pasion të veçantë. Të them të drejtën, çdo ditë lexoj poezi të veçanta të autorëve që më pëlqejnë, të poetëve shqiptarë, por edhe të poetëve botërorë. Më duket se leximi i një poezie apo i një vëllimi me poezi ka një ndikim vendimtar për mua, në radhë të parë, për ta ruajtur vazhdimësinë e leximit edhe të veprave të tjera, kryesisht prozë dhe kritikë letrare.

Leximi i veprave të mira është një gëzim dhe kënaqësi e veçantë, sidomos kur lexoj çdo ditë në orët e hershme të mëngjesit. Kurrë nuk kam lexuar vepra natën. As vetë nuk e di pse më ka ndodhur kjo mospërshtatje me kohën dhe me orarin e leximit. Për më tepër, leximi është një lloj reference për ta ndërtuar një vizion për diçka që e adhuron herën e parë kur gjendesh në pozitën e lexuesit dhe herën e dytë kur je vetë në pozitën e shkrimtarit. Cila do të ishte vlera përcaktuese kur bën gjëra të domosdoshme apo kur bën gjëra të dëshiruara. Mendoj se leximi duhet të jetë detyrim shpirtëror për njeriun. Dhe kjo kërkesë varet se çfarë lexon për t’i thelluar dhe zgjeruar njohuritë e tua.

 

A duhej të shkruanit më shumë për luftën sepse gjenocidi ndaj shqiptarëve bërë nga serbët ka qenë i madh dhe i gjatë. Plagët tona ende janë të hapura edhe njëzet e dy vjet pas përfundimit të luftës.

 

Sigurisht se po. Megjithatë, të dy librat e mi me poezi, Dalje nga trishtimi (1999) dhe Dorëshkrimi i ngjallur (2011), pothuajse në tërësi trajtojnë motive dhe tema të luftës. Po kështu, edhe në librat e tjerë e kam trajtuar temën e luftës, në disa poezi dhe proza poetike. Kur mendoj, flas e shkruaj për luftën, ende s’kam arritur të çlirohem nga përmasa e mungesës, boshllëkut, pikëllimit dhe dhimbjes. Në shpirt nuk mund ta kthej më qetësinë se si do të mund ta shpjegoja atë tmerr nëpërmjet ndjenjave dhe mendimeve të mia, duke shqiptuar fjalën luftë. Mbase e kam të pamundur ta kuptoj deri në fund gjendjen shpirtërore, se si lufta e artikulon vetëm të keqen, tmerrin, vdekjen. Për popullin tim lufta e artikulon lirinë, jetën, ekzi­stencën, identitetin, heroizmin.

 

Çfarë keni mësuar nga veprat që keni lexuar?

 

Në secilën vepër që kam lexuar kam mësuar për dimensionin e jetës, të dashurisë, të vdekjes, të përjetësisë, por edhe të gëzimit, dhimbjes, lumturisë, fatit etj. Secila vepër e ka vlerën e vet për lexuesin. A mund ta pranoj kënaqësinë apo ballafaqimin me ngjarjet në një vepër letrare, si paraqiten, si përshkruhen, si tipizohen, si funksionalizohen apo cili është roli dhe ndikimi i tyre?

Vullneti i lexuesit është si vullneti i vetmitarit, që provon ta kuptojë një botë të fantazuar nga shkrimtari, për ta ndërtuar vizionin e vet, të ndikuar nga përjetimi subjektiv, pikërisht në funksion të njohjes së fenomeneve letrare brenda letërsive dhe kulturave të ndryshme.

Nga leximi i veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë botërore, por edhe të letërsisë shqipe, kam mësuar çfarë është e bukura, e mira, e dobishmja, e madhërishmja, idealja, e shëmtuara, e keqja, por dhe çfarë është dashuria, lumturia, ëndrra, vetmia, iluzioni, pesimizmi, shpresa, besimi etj.

Nga leximi i veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë botërore dhe të letërsisë shqipe, po kështu, kam mësuar çfarë është frymëzimi, ndjenja, mendimi, procesi krijues, por edhe çfarë është stili, figura etj., komunikimi me vlerat që e krijojnë identitetin e një letërsie. Si përshtypje personale më ka pëlqyer përshkrimi i jetës njerëzore nga shkrimtarë të ndryshëm, duke e ditur faktin se shkrimet dhe krijimtaria e tyre në përgjithësi kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë njerëzore. Kur kam lexuar poezi të bukura, e kam krijuar bindjen se poetët e mëdhenj janë të pavdekshëm. Prandaj, është mrekulli ta kuptosh botën shpirtërore të njerëzve që shkruajnë. E njerëzit që shkruajnë janë shkrimtarët.

Ndjesinë e kënaqësisë së veçantë ndaj leximit e kam kuptuar më qartë dhe më saktë kur i kam lexuar veprat e autorëve: Homeri, Shekspiri, Dante, Prusti, Gëte, Kafka, Kaneti, Markezi, Eco, Borhesi etj., pastaj veprat e Aristotelit, Platonit, Hegelit, Volterit, D’Akuinit etj. si dhe veprat e shkrimtarëve shqiptarë: Naimit, De Radës, Fishtës, Konicës, Lasgushit, Kutelit, Mit’hat Frashërit etj., si dhe të autorëve të letërsisë bashkëkohore shqipe. Prandaj, leximi i veprave të mira, të themi i veprave të rëndësishme, është gjëja më fatlume për një lexues. Madje thonë se veprat e tilla ia ndryshojnë jetën njeriut.

Po vraponi drejt moshës së pensionimit, por aktivitetet dhe detyrat publike vetëm po i shtoni nëpër institucione. Energji, plot, si të ishit në moshën më të mirë të rinisë. Letërsia ju mban në këtë formë?

 

Lidhja ime me letërsinë është fuqizuar që nga fëmijëria dhe ka vazhduar në të gjitha fazat e jetës, sidomos si student kur kam lexuar deri në dhjetë orë në ditë. Është e vërtetë se letërsia më ka dhënë mundësi të mëdha për të njohur procese të ndryshme letrare dhe kulturore jo vetëm përbrenda ambientit kulturor në Kosovë, pastaj që të merrem edhe vetë me procesin mësimor, pikërisht në atë nivel ku bëhet shpjegimi dhe vlerësimi i letërsisë që nga viti 1984, kur e kam filluar punën e asistentit në Universitetin e Prishtinës, por edhe me botimin e veprave letrare dhe shkencore, ku trajtohen vepra, fenomene letrare dhe estetike.

Në karrierën time letrare mbi dyzetvjeçare jam përpjekur të vë një komunikim të qëndrueshëm me lexuesin, qoftë me shpjegimin e letërsisë para studentëve, qoftë me botimin e shkrimeve kritike për vepra të caktuara. Përse letërsia ka një rol të jashtëzakonshëm në jetën shpirtërore të njeriut? Janë një varg arsyesh që tregojnë për ndikimin e letërsisë në shoqërinë njerëzore, në fakt për ndikimin e veprave të autorëve të njohur. Mjafton t’i përmendim, Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Mit’hat Frashërin, por edhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë shqipe.

 

Dergja botërore, pandemia Covid-19, na mbylli përkohësisht. Gjatë karantimit shkruat edhe një libër me poezi, kapakun e të cilit e ilustruat me një fotografi të portretit tuaj me mjekër të thinjur. Çfarë përmban ai libër: më shumë frikë apo shpresë, vdekje apo jetë?

 

Libri poetik Pëshpëritja e agonisë pikënisjen dhe përfundimin e ka në periudhën e shfaqjes dhe të pranisë së pandemisë së koronavirusit, i njohur si Covid-19, i cili e ka mbërthyer, pothuajse, tërë botën.

Idetë, motivet, temat e poezisë janë strukturuar, pikërisht në ballafaqim me realitetin ekzistues, aty ku prodhohet ndjeshmëria letrare dhe receptohet ndjeshmëria njerëzore, por edhe huma­nizmi dhe vlerat fundamentale të njeriut, sidomos betuesit e Hipokratit.

Në këtë libër poetik figurat më të përdorura janë: jeta, lutja, ëndrra, dashuria, lumturia, frika, uji, dhimbja, fati, vetmia, karantina, shpëtimi, malli, prekja, përshëndetja, agonia, vdekja.

Ka edhe figura të tjera të cilat bashkë me këto që u përmendën më lart, e përkundin ëndrrën e jetës në procesin krijues, domosdo me një kërkesë të veçantë emocionale, aty ku shpërthen kupti­mi dhe domethënia për fatin e njerëzimit nga shfaqja e së panjohurës dhe e së padukshmes që e ka kapluar njerëzimin.

Realiteti i frikshëm paraqitet si vetënjohje për ta funksiona­lizuar ligjërimin përbrenda aktit të ngujimit apo karantinës, kështu që idetë dhe mesazhet e poezisë ndërtohen përbrenda dy pamjeve antitetike: midis dhimbjes dhe lumturisë, midis pesimizmit dhe optimizmit, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, midis jetës dhe vdekjes.

Ballafaqimi me të panjohurën është esenca e poezisë. Në fakt, e panjohura bëhet pikë referimi për ta shpalosur tërë botën e frymëzimeve në këtë libër poetik.

Pëshpëritja e agonisë është një libër i shpalosjes së ankthit dhe i situatave ekzistenciale në të cilin dimensioni psikologjik e rikuptimëson frymën njerëzore përbrenda një realiteti të ri dhe të panjohur në rrethana të tilla për njerëzimin, që ka të bëjë me frikën nga e keqja e padukshme.

Gjithsesi, është një përpjekje për të vënë një komunikim poetik për fatin e gjërave që kanë ndodhur dhe që mund të ndodhin në jetën e njeriut dhe, herën tjetër, që është kryesorja, konceptimi i fenomenit të lirisë në rrethana absurde dhe para­doksale.

 

Pse vetëm poezi, prozë poetike dhe studime e nuk shkruani edhe tregime, novela, romane?

 

Shkrimtarët, jo rrallë, s’i zbulojnë fshehtësitë e krijimtarisë së tyre letrare, pra se çfarë shkruajnë. Pos poezisë, prozës, eseve, studimeve letrare, natyrisht i kam shkruar edhe disa tregime të shkurtra të cilat janë botuar në veprën Ëndrra në parajsë. Nuk po them asgjë për romanin. Sigurisht në intervistën tjetër të radhës do të them diçka më shumë për romanin. Poezinë, prozën poetike dhe studimin i shkruaj me një kënaqësi të veçantë.

Çështja e përzgjedhjes së llojit apo zhanrit që e shkruan secili autor, pikë së pari, ndërlidhet me dashurinë, pasionin, invencionin dhe aftësinë krijuese. Mundësia e shkrimit për­caktohet nga afiniteti i krijuesit: çka pëlqen, çka i fle në shpirt, çka imagjinon, cilën formë, cilin shprehje, cilën temë? Në fakt, postmodernizmi sot i ka ndryshuar rregullat e lojës së shkrimtarisë. Çfarë po ndodh me poezinë? Pse kaq pak shkruhet poezia sot? Çfarë po ndodh me llojet dhe zhanret e tjera? A ka “vdekje” të disa zhanreve? Si po ndryshojnë kriteret e vlerësimit? Ka shumë çështje dhe probleme për të cilat do të mund të flisnim, për të dëshmuar se edhe zhvillimi i teknologjisë e ka ndryshuar perceptimin edhe për funksionin e veprave letrare sot, duke e ndryshuar mendimin dhe kon­ceptin për letërsinë?

Secili autor e përjeton, e imagjinon, e paraqet, e sistemon përbrenda vetvetes atë që e ndien në shpirt, për ta paraqitur përbrenda procesit të krijimit. Fuqia e ndjenjës e përcakton rezultatin e mendimit. Aty fillon të mbizotërojë vetëdija për shkrimin, i cili bëhet i dashur për autorin nëse e arrin synimin kryesor, që përmes funksionit poetik dhe përbërësve të tjerë, të ushtrojë ndikim, por edhe të jetë në interes të zhvillimit të letërsisë, kuptohet me vlerën dhe rëndësinë që paraqet.

 

Çfarë është letërsia shqipe dhe çfarë do të donit të ishte?

 

Për t’i shpjeguar saktë treguesit e vlerave të letërsisë shqipe, natyrisht nuk do të duhej t’i referoheshim historisë së letërsisë shqipe që, fatkeqësisht, ende s’e kemi, madje as në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XXI.

Në një ligjëratë timen para disa vjetësh, ndër të tjera, kam thënë se nëse mungon një histori e plotë e letërsisë shqipe, cili do të ishte konstatimi më i qëndrueshëm se mund të rishkruhet, mund të plotësohet edhe ajo pjesë që është e diskutueshme apo e ideologjizuar e procesit vlerësues, që është shkruar në periudhën e kaluar në histori të ndryshme të letërsisë shqipe të botuara deri më tani, sikundër që do të mund të favorizohet dhe të merret si model i përshtatshëm, pra cilësia e asaj pjese që tregon për rezultatin e arritur për ofrimin e vlerave të dëshmuara letrare sipas kritereve shkencore.

Duke u nisur edhe nga këto koncepte problematizuese, historia e letërsisë shqipe në shekullin XXI nuk mund të rishkruhet as të vlerësohet. Prandaj, është e domosdoshme që, më në fund, të shkruhet sipas vlerave letrare të autorëve dhe kritereve shkencore të hartuesve të saj.

Letërsia shqipe në të gjitha periudhat e zhvillimit i ka autorët e saj të mëdhenj. Edhe pse shumë shkrimtarë shqiptarë kanë shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, nuk kanë arritur të bëhen emra të njohur në letërsinë e atyre vendeve. Madje të gjitha konstatimet për një qasje argumentuese dhe kritike lidhur me këtë çështje tregojnë se rruga e formimit, e zhvillimit, e afirmimit të letërsisë shqipe në rrafshin diakronik e sinkronik, mbështetjen kryesore e ka te personalitetet letrare të cilat janë formuar në diasporë dhe të cilët, me prodhimin e tyre letrar, i kanë vënë bazat e letërsisë kombëtare. Megjithatë, nuk ka ndodhur që De Rada shkrimtar i diasporës së arbëreshëve të Italisë, i cili ka shkruar në gjuhën italiane, të bëhet i njohur në letërsinë italiane, as Noli e Konica, Arshi Pipa, të cilët jetuan dhe vepruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të bëhen shkrimtarë të njohur në letërsinë amerikane.

Letërsia e sotme shqipe nuk ka arritur të përkthehet dhe të përfaqësohet me vlerat e saj letrare dhe estetike. Nuk ka dyshim se kjo e dhënë ndikon në afirmimin e vlerave të saj. Pothuajse, përjashtim bën vetëm Ismail Kadare. Prandaj, përkthimi i një letërsie kombëtare, siç është letërsia shqipe, do të ndikonte në afirmimin e vlerave të elitës intelektuale të Kosovës. Kështu dalëngadalë po arrijmë te një ndër problemet kryesore: cili është statuti i shkrimtarit të Kosovës sot? Pa dyshim, kjo çështje kërkon një trajtim të veçantë institucional në të gjitha nivelet vendimmarrëse.

 

Vlerësimin e kujt e çmoni më shumë për veprat tuaja?

 

Natyrisht, vlerësimet e lexuesve i çmoj më së shumti. Mirëpo, mendimet e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë kanë një peshë të veçantë për secilin shkrimtar. Do të dëshiroja shumë që të krijohej distanca kritike për vlerësimin, në kontekstin për ta krijuar bindjen e lexuesit dhe të kritikës letrare për veprat që botohen, kuptohet për secilin shkrimtar. Mendoj se distanca kritike ndërlidhet shumë me vlerësimin e drejtë. Ambienti ynë kulturor sikur e ka ngulfatur, mbase jo rrallë, edhe e ka rrënuar kriterin e vlerësimit dhe, natyrisht, kjo e dobëson ndikimin e kritikës qëllimmirë. Mendoj se është krijuar një bindje për një diskriminim kulturor të vlerave, prandaj energjia e mirëfilltë intelektuale është përpara një sprove, ku favorizohen gabimisht pseudovlerat të cilat përpiqen t’i përshtaten realitetit të shpifur. Madje askush nuk mban përgjegjësi për bashkëpjesëmarrje në këtë realitet të çuditshëm, që paradoksalisht bëhet madje edhe referencë e kulturës masive.

Për krijimtarinë time letrare kanë shkruar shumë studiues e kritikë letrarë, brenda dhe jashtë vendit, recensione, studime dhe monografi letrare. Secili autor është i nderuar kur vlerë­sohet krijimtaria e tij letrare. Në fakt, vlerësimi i drejtë, i saktë, i vërtetë bëhet pjesë e dinjitetit tënd, sepse të motivon për të arritur suksese të reja.

U jam shumë falënderues dhe mirënjohës.

 

A e konsideroni veten ndonjëherë poet pesimist?

 

Që në sprovat e para poetike prirje mbizotëruese imja ka qenë optimizmi, ndoshta edhe si aventurë krijuese që ka të bëjë edhe me hollësitë e jetës. Gjithmonë kam synuar një lloj synimi jetësor, që do të ndërlidhej me zbulimin e gjërave të besueshme për vetveten që, në fakt, nuk paraqesin mëkate as faje. Në jetë gjithmonë më ka motivuar objektiviteti.

Formën poetike që e kam zgjedhur për t’i shprehur idetë e mia krijuese, natyrisht e karakterizonte pikërisht transmetimi i ndjenjave të forta lirike që e prodhonin një akumulim të energjisë krijuese: për shembull, se si do ta përfytyroja një vajzë të bukur me trëndafila të bardhë në duar apo si do ta përjetoja gjatë leximit, fjala vjen, buzëqeshjen e fundit të Beatriçes në veprën Komedia hyjnore të Dantes. Imazhi i parë është konkret, ndërkaq i dyti i përfytyruar nga një vepër e lexuar. Për më tepër, në shembullin e parë vajza e bukur ngulitet në kujtesë si një çast, që përfundon me magjinë e shikimit, në shembullin e dytë buzëqeshja e Beatriçes është kënaqësi estetike, e rimarrë nga vepra e lexuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me një zgjedhje estetike dhe me një përvojë estetike. Cila do të ishte përparësia për një shkrimtar: zgjedhja apo përvoja?

Në fillimet e mia krijuese jam munduar të mos ndjek modele të pëlqyera poetike që do të kishin ndikim nga të tjerët, por ta zbuloja stilin tim për ta zbërthyer realitetin konkret me situata poetike, kryesisht të thëna përmes paradoksit dhe ironisë lirike. Dëshiroja me çdo kusht ta ndaja ëndrrën nga realja, duke hyrë në botën shumështresore të poezisë.

Përpjekja për ta konceptuar dhe trajtuar sa më tepër një ligjërim dashuror sikur është përqendruar shpeshherë te përmasa e pesimizmit. Kjo më shkaktonte një ndjenjë drithëruese për formësimet e reja të imagjinatës, se çfarë do të bëja më tutje për formulimin e poetikës sime, nëse mund të them kështu.

Në krijimtarinë time letrare ka vargje ku paraqiten elemente të pesimizmit. Mospajtimi me realitetin, me të ndodhurat, me pakënaqësitë, me dukuritë e shëmtuara të jetës së njeriut etj., prodhojnë skema të pesimizmit.

Mendimi, ndjenja, krijimi, pa dyshim, kanë kuptim, emocion, fshehtësi në fuqinë krijuese të poetit. Jo të gjitha ndjenjat e brendshme shpirtërore e konceptojnë dhe e ndërtojnë magjinë e fjalës poetike, jo të gjitha ndjenjat dhe mendimet e kanë fuqinë imagjinative ta prodhojnë ndikimin estetik.

Pse e kam kaq shumë në poezi kukamën e qyqes, pastaj gjarpërinjtë, hijet, varret, vdekjen, shpirtrat e këqij, të zezën etj., këto mund të ndërlidhen me elementet e pesimizmit. Në fakt, mendoj se në shumë rrafshe materia poetike e përcakton edhe thelbin psikologjik të poetit, edhe atëherë kur iluzionet e çuditshme iu nënshtrohen parimeve të tjera krijuese që kanë të bëjnë me temat e jetës dhe me temat e vdekjes.

 

Çfarë mund të thoni për raportin midis kohës, kujtesës dhe shkrimit?

 

Koha, kujtesa dhe shkrimi më duket se janë një trini prustiane, që e kanë parabolën e vet krijuese në fazat e krijimtarisë së Marsel Prustit apo që i përgjigjen edhe kontekstit social e his­torik si mënyrë përcaktimi për të. Mendoj se këto tri elemente e përbëjnë të vërtetën objektive për secilën vepër, pavarësisht se cilit lloj apo zhanër i përket. Në fakt, koha ofron çdo gjë nga realiteti i paraqitur në vepër, për ta saktësuar aktin e frymëzimit, ndërsa kujtesa është substanca kryesore nga fillon të thuret procesi i shkrimit. Ndoshta do të mund të flitet edhe për “hendekun kohor”, siç do të thoshte Elias Kaneti.

Çfarë dëshiroj të them për kujtesën dhe dokumentimin e saj përbrenda veprave të mia. Kjo është çështje shumë specifike e cila kërkon një vëmendje dhe një trajtim të veçantë. Me asnjë lloj kopjeje të imagjinatës nuk mund ta përfytyroj ashtu siç ishte shtëpia e djegur dhe biblioteka e djegur. Cilin çast më të dhimbshëm do të vendosja në ligjërimin e poezisë sime, po të mendoja natë e ditë. Akti i këtillë i përjetimit të dhembjes shpirtërore ndërlidhet me kujtimet për gjërat e shkuara. Ndoshta pikërisht në këtë rast mund të flas për pavdekshmërinë e kujtimeve që e kanë përmallimin e një kohe, që lidhet me heroizmin e popullit tim (lufta për liri), por edhe të një dhimbjeje personale që e zgjedh një fakt: djegia e librave, dorëshkrimeve, fotografive. Cili lexues i gjeneratës së sotme (që nuk e ka përjetuar luftën) do të mësohej apo do të pajtohej me dhimbjen shpirtërore të një poeti.

Le të thuhet se koha, kujtesa dhe shkrimi janë si ëndrra, realiteti, përjetimi apo edhe diçka më tepër kur bëhen të pash­mangshme në procesin krijues. Pra, arti artikulon edhe dhimbje, jo vetëm kënaqësi. Kujtimet e hidhura kurrë nuk mund të bëhen të lumtura, edhe pse veprat letrare përpiqen ta bëjnë këtë të dytën.

Marrëdhëniet e kohës me kujtesën ndërlidhen më shumë të ndodhura në jetën e poetit. Këto kanë të bëjnë edhe me dashurinë, vetminë, ëndrrat, lojërat, atmosferën e shkollës, pasionet etj. Cilës do t’i jepnim më shumë rëndësi? Të gjithave.

 

Na shkruani dhjetë rreshta vlerësim për një vepër të një autori shqiptar që keni lexuar gjatë kohës së karantinimit.

 

Për një kohë të gjatë jam marrë me leximin veprave të Mid’hat Frashërit, përkatësisht me serinë e botimeve Vepra të zgjedhura (1-5), botuar nga Instituti i Studimeve Historike Lumo Skendo, ku përfshihen publicistika, dokumentet, letër­këmbimet, kujtimet, kritika letrare, proza letrare e botuar dhe krijimtaria letrare e panjohur deri më tani etj.

Po i jap dhjetë rreshta vlerësim ashtu siç e keni parashtruar pyetjen:

Shëmbëlltyra e Mit’hat Frashërit i ka shenjat më të përveçme të njërit nga personalitetet kryesore të shqiptarëve në të gjitha periudhat e zhvillimit të historisë. Jeta dhe vepra e tij e lartë­sojnë atdhetarin, intelektualin, artistin, diplomatin, i cili shquhej për dijen, kulturën, edukimin erudicionin e pakrahasueshëm me personalitetet e tjera të shqiptarëve, pothuajse në të gjitha periudhat e kohës.

Nga jeta e tij mësojmë çka është liria, atdheu dhe pavarësia, pastaj çka është: frymëzimi, përkushtimi, guximi, vullneti, mundimi, dashuria, sakrifica, besimi, shpresa, durimi, ndër­gjegjësimi, pasuria, të cilat evidentohen edhe në testamentin e Mid’hat Frashërit, ndërsa nga vepra e tij mësojmë për vlerat e identitetit, qytetërimit, kulturës, historisë, letërsisë, gjuhës, shkencës. Këtu do të përjetësohej madhështia.

 

Në një kumtesë, lidhur me raportin e poezisë me shoqërinë, keni paraqitur mendime shumë interesante. A do të shtonit diçka më tepër lidhur me këtë çështje?

 

Nëse më lejohet, në vend të ndonjë përgjigje tjetër, do t’i përsëritja ato mendime që i kam shprehur para pesë vjetësh. Përsëritja nuk është vetëm figurë e shqiptimit poetik, por diçka edhe më shumë.

Poezitë e bukura për shiun, për lulet, për zjarrin, për dashurinë, për vetminë, për lirinë, për atdheun etj. i kapin shenjat e tyre të veçanta për të prodhuar efekte estetike dhe ndjeshmëri, kryesisht përmes gjuhës, figurave, stilit. Secila prej këtyre poezive e ka përmbajtjen dhe domethënien e vet, të cilat i referohen lexuesit, për t’i dalluar apo pëlqyer të mirën, të keqen, të bukurën, të shëmtuarën etj.

Poezia gjithmonë e ka ndjenjën e pavarësisë nga artet e tjera. Kjo ndjenjë mund të shpërblehet me pasionin e poetit për ta ndërtuar konceptin e botës së saj për shoqërinë dhe njerëzimin në përgjithësi. Shoqëria pa lexues të poezisë do të dukej shoqëri e vdekur përbrenda një imazhi të shkretëtirës. Në fakt, Poezia nuk mësohet. Ajo ndihet– thoshte Borhesi. Kjo thënie mund ta përmbysë çdo teori të interpretimit të poezisë.

Duke u nisur nga një model i ngjashëm, secili poet mund t’i mbledhë kujtimet dhe mendimet e përzgjedhura brenda kujtesës së tij për ta prodhuar imazhin e caktuar nga vullneti krijues, pra për të shkruar një poezi e cila nuk do të mësohej, por do ta kishte ndjenjën e përjetimit nga të tjerët. Pastaj, lexuesi do të kuptonte se çfarë është metafora e dritës dhe e errësirës, e ëndrrës dhe e zhgjëndrrës, e natës dhe e ditës, e dhembjes dhe e lumturisë etj., nëse ajo poezi do të kishte misionin e ndikimit në jetën njerëzore, me idetë, përmbajtjen dhe porosinë e saj.

Për më tepër, kujtesa dhe imagjinata sikur do të koncepto­heshin me velin e figurave të bukura për ta ndërtuar fillin e frymëzimit, se si lindin ndjenjat, nga burojnë ato apo se si gdhenden fjalët më të zgjedhura për ta paraqitur një fakt, kësaj radhe, faktin estetik, i cili ndërlidhej me fjalën e shkruar, bashkë me imazhet më të fuqishme që e ndërtojnë botën e poezisë.

Prandaj, poezia, kjo mbretëreshë e arteve, e ka klithmën e vet të pakrahasueshme, për t’i shprehur ndjenjat, shqetësimet, gëzimet, lumturinë, pikëllimin, dhembjen, dashurinë etj., duke e saktësuar kënaqësinë e ndjesive dhe të përjetimit estetik, në radhë të parë, brenda ligjërimit dhe figurës për ta përcaktuar vizionin e një bote krijuese, e cila mund të bëhet pikë referimi për një shtresë lexuesish apo për një pjesë të caktuar të shoqërisë njerëzore të cilët e lexojnë, e çmojnë dhe e duan.

Nëse mund ta përcaktojmë rolin dhe misionin e poezisë, atëherë mund të krijojmë edhe përfytyrime e shpërfytyrime mendimesh të ndryshme që kanë të bëjnë me një lloj ‘dyluftimi’ midis imagjinatës dhe realitetit, për ta favorizuar komponentin e përjetimit të asaj që nuk mësohet, por përjetohet, siç është poezia. Fjala vjen, lëvizja e figurave përbrenda një poezie moderne, nëse do t’i përdornim në kuptimin figurativ e simbolik, siç janë: Toka, Qielli, Uji, Zjarri etj., do të mund ta ndërtonin botën e imazhit të veçantë për krijuesin, i cili e hulumton lëvizjen e shpirtit drejt përsosmërisë së gjykimeve të tij. Dallimet, ngjashmëritë, faktet, idetë, dëshmojnë për per­ceptimin e një realiteti të rikthyer në figurë. Sidoqoftë, labirintet e një kërkimi të tillë e krijojnë gjuhën e vet, pra gjuhën e poezisë.

Idenë e fuqisë së poezisë së çdo gjuhe dhe etnie e krijojnë poetët, duke e përcaktuar ndikimin e saj në shoqëri. Poezia shqipe më së miri e ka provuar se ndikimi i saj në proceset e zhvillimit të shoqërisë shqiptare ka pasur një prani të jashtë­zakonshme, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Mesazhi i kësaj poezie është bërë program kulturor e kombëtar për identitetin e një letërsie, siç është letërsia shqipe, por edhe program edukimi.

Në shekullin XXI roli dhe ndikimi i poezisë në shoqëri nuk mund të krahasohet me periudhat e caktuara historike. Sot poezia e fuqizon misionin e saj për një shtresë të caktuar lexuesish. Rënia e popullaritetit të saj në shumë vende të botës i ka dhënë mundësi më shumë prozës, si dhe llojeve dhe formave të tjera të letërsisë. Megjithatë, poezia mbetet arti më elitist, i cili e mishëron sistemin e vlerave njerëzore të qytetë­rimeve të ndryshme. Madje, siç do të thoshte Oktavio Paz, që prej epokës paleolitike, poezia ka qenë në simbiozë me të gjitha shoqëritë njerëzore. Nuk ka ekzistuar shoqëri që të mos ketë njohur njërën ose tjetrën formë të poezisë.

Vizioni ynë për botën mund të perceptohet, madje edhe të ndryshojë përmes poezisë. Shumë poetë të njohur botërorë kanë krijuar vepra të bukura poetike brenda të cilave qarkullojnë idetë për të ardhmen e shoqërisë së njerëzimit. Kështu, shikuar nga ky aspekt, roli i poezisë në shoqëri mund të trajtohet në shumë rrafshe të interpretimit.

Kur i lexon veprat e Homerit, Dantes, Brehtit, Lorkës, Bodlerit, Eliotit, Borhesit etj., të cilët u përkasin letërsisë botërore apo veprat e Pjetër Budit, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, që i përkasin letërsisë shqipe, lexuesi mund ta kuptojë dijen dhe shijen e secilës vepër poetike, për ta dalluar rolin e poezisë së këtyre poetëve jo vetëm për letërsinë e secilit komb, por edhe më gjerë.

Një poezi e shkruar në lashtësi, në mesjetë, në bashkëkohësi i ka veçantitë e saj, e ka kohën dhe hapësirën e vet, idetë, konceptet, temën, përmbajtjen, motivet për të krijuar një pikëpamje apo botëkuptim për njeriun dhe shoqërinë. Fjala vjen, një poezi e shkruar para një shekulli me fuqinë e saj shprehëse do të ishte aktuale edhe sot, pikërisht me mesazhet e saj për proceset e shoqërisë njerëzore.

Diversiteti i kulturave nuk e njeh diversitetin e poezisë. Poezia krijohet bashkë me universalitetin e kulturave, të identiteteve, të gjuhëve. Poezia e ka botën e vet. Bota e saj është imagjinata. Përmes ligjërimit të veçantë poetik ndërtohen gjuha, ritmi, figurat, fjalori poetik, të cilat bëhen dokument shpirtëror i jetës njerëzore.

Koncepti i ndikimit të poezisë në shoqërinë postmoderne është problematik dhe i diskutueshëm. Për t’i karakterizuar qëllimet dhe efektet e këtij ndikimi varen nga shumë faktorë letrarë dhe jashtëletrarë. Gjithashtu, edhe fryma e globalizmit në fundin e shekullit XX dhe në fillimet e shekullit XXI u nënshtrohet drejtpërdrejt vlerave të tjera të shoqërisë njerëzore në përgjithësi, si dhe specifikave të qytetërimeve të ndryshme, në radhë të parë, përbrenda botës së teknologjisë dhe të komunikimit.Megjithëkëtë, mendoj se poezia edhe në ditët e sotme e ka ruajtur magjinë e saj të veçantë dhe gjithsesi është në epërsi të dyfishtë me llojet dhe zhanret e tjera, pikërisht për shkak të kodeve ligjërimore të saj dhe besimit të vazhdueshëm të lexuesit në kategoritë fundamentale estetike, të cilat dalin dhe burojnë nga shpirti i poezisë së vërtetë apo i poezisë së vlerave.

Një poezi e cila i shpalos idetë, vizionet, mendimet e njeriut, mund të bëhet pikë referimi për zhvillimin e ndërgjegjes njerëzore, prandaj shumë poetë përfaqësues të kulturave të mëdha dhe të vogla të qytetërimit botëror, pikërisht me poezitë e tyre kanë arritur t’i paraqesin idealet e kombeve të tyre. Kjo ka ndodhur në shekujt e kaluar, në periudhën e zhvillimit dhe të pavarësimit të identiteteve dhe kombeve.

Sot ndikimi i poezisë në shoqëri mund të vështrohet nga kompleksiteti i traditës së favorshme të saj dhe nga sfida e postmodernizmit drejt teknologjive të reja të komunikimit. Natyrisht, kërkimet për ndikimin e poezisë në jetën shoqërore mund të varen nga shumë faktorë. Prandaj, faktori edukativ, kulturor, social, madje edhe faktori politik, secili prej tyre, e zë vendin e vet në rrethana të caktuara kohore.

Vlerësimet e sotme për rolin e poezisë në shoqëri mund të krijojnë bindje të ndryshme të bashkëlidhura shumë ngushtë me vetë pozicionin dhe misionin e poetit në një shoqëri me demokraci të zhvilluar, në një shoqëri më pak demokraci apo në një shoqëri tjetër pa demokraci.

Në këtë mënyrë do të hiqeshin apo do të shtoheshin dilemat se e ardhmja e poezisë pa rolin e saj në shoqëri,mund të ishte një mendim utopik, i cili do ta ndërtonte parabotën e vet drejt një misteri të çuditshëm dhe të panjohur. Prapë po e përsëris mendimin e Pazit, se poezia ka qenë simbiozë me të gjitha shoqëritë njerëzore, për ta dëshmuar fuqinë dhe ndikimin e saj në periudha të ndryshme të njerëzimit.

Si do ta mendonim sot artin e poezisë pa veprat monumentale të Homerit, Dantes, Hugoit, Gëtes, Pëtefit, Posë etj. të cilat kanë ndikuar dhe ende ndikojnë në zhvillimin e mendjes njerëzore? Kjo është çështja.

 

Cili është mendimi juaj për letërsinë e të rinjve dhe për botimet?

 

Letërsia shqipe në Kosovë i njeh brezat letrarë apo gjeneratat poetike. Botimi dhe afirmimi i vlerave të letërsisë shqipe në Kosovë kryesisht është projektuar përbrenda brezave letrarë, të cilët orientimisht janë përcaktuar përbrenda një dhjetëvjeçari. Kjo ka të bëjë me letërsinë në Kosovë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Për shembull, brezi letrar i viteve gjashtë­dhjetë, brezi letrar i viteve shtatëdhjetë, brezi letrar i viteve tetëdhjetë etj. Në kuadër të brezave letrarë janë afirmuar indi­vidualitetet kryesore letrare të cilët jo rrallë janë bërë projek­tues dhe bartës të prirjeve të ndryshme letrare, estetike dhe stilistike.

Në këtë drejtim, gjysma e dytë e shekullit XX shquhet për prirje dhe tendenca të reja tematike, figurative dhe stilistike të secilit brez, duke filluar nga dimensioni social e deri tek ironia lirike. Produksioni botues i realizuar nga Ndërmarrja Botuese Rilindja, sidomos në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit XX në Kosovë, ka krijuar një ambient dhe klimë kulturore për avancimin e vlerave letrare, për botimin dhe promovimin e tyre dhe, pa dyshim, pos rolit të veçantë kulturor, ka pasur edhe një mision të rëndësishëm edukativ.

Përveç Ndërmarrjes Botuese, gjithashtu gazeta e përditshme Rilindja, revista letrare Jeta e re, revista për kulturë, art dhe letërsi Fjala, si dhe gazeta të shumta javore e dyjavore, Zëri i rinisë, pastaj me emrin Zëri, Bota e re, Shkëndija, Kosovarja etj., kanë arritur të krijojnë një ambient kulturor në Kosovë i cili më vonë u ka prirë shumë proceseve për ndryshimin e realitetit jetësor, social, madje edhe politik në Kosovë. Gjithsesi, është me rëndësi paraqitja e këtyre fakteve, për të kuptuar më qartë dhe më saktë kontinuitetin e kulturës dhe të letërsisë shqipe deri në vitet nëntëdhjetë, ku ndodhi aparteidi kulturor, arsimor e politik nga regjimi i Serbisë deri te pushtimi i insti­tucioneve dhe përzënia e shqiptarëve nga vendet e punës. Në këtë rast, duhet thënë se roli i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitet ’90 të shekullit të kaluar pothuajse ka qenë vendimtar për shumë procese kombëtare, por edhe kulturore në Kosovë.

Nëse kultura është shpëtimi ynë i vetëm, siç thoshte Borhesi, atëherë nxitja, përkrahja dhe mbështetja e krijuesve të rinj duhet të jetë orientimi i një shoqërie që synon promovimin dhe zhvillimin e vlerave të saj identitare.

Autorët e rinj natyrisht se i kërkojnë temat e reja për t’i prodhuar frymëzimet e tyre letrare dhe estetike në vepra të caktuara, në lloje dhe zhanre të ndryshme. Ndryshimi i shoqërisë, proceset e reja demokratike, pavarësia e Kosovës, si dhe ambienti kulturor në këta dy dhjetëvjetëshat e fundit, ka përcaktuar një dinamikë tjetër në fushën e botimeve, por edhe në përkrahjen e letërsisë së të rinjve.

Në rrethana të tilla, pa dyshim, përkrahja institucionale sigurisht se do të krijonte një mundësi të rëndësishme për konsolidimin e gjeneratave të reja të cilat do të shquheshin në fusha të ndryshme të kulturës, të artit dhe shkencës. Në këtë mes, letërsia e të rinjve, kryesisht e përqendruar me botimin e veprave të tyre nga botues privatë, me gjithë përpjekjen e këtyre të fundit me fonde modeste, megjithatë nuk ka arritur ta gjejë rrugën e sigurt të suksesit të saj, prandaj janë shumë faktorë që ndikojnë jo vetëm në mospërkrahjen e kësaj letërsie.

Pothuajse, fillimet e secilit krijues të ri në Kosovë i përkasin poezisë. Kështu poezia mbetet shqetësimi kryesor i autorëve të rinj të cilët përpiqen t’i artikulojnë ndjenjat dhe mendimet e tyre, duke trajtuar tema të përditshmërisë, por edhe tema të tjera që ndërlidhen me frymëzimet dhe shqetësimet e tyre krijuese.

Botimi më i vogël i veprave me prozë (tregime, novela, romane), pastaj i veprave të rralla në fushën e kritikës, si dhe i veprave dramatike, dëshmon se interesimi i autorëve të rinj është përqendruar kryesisht në fushën e poezisë.

Një ndër çështjet më të rëndësishme që do të duhej disku­tuar sot në debate të ndryshme, kur flitet e shkruhet për letërsinë dhe për botimet e veprave të autorëve, është pikërisht profesionalizmi po në këtë fushë, që ndërlidhet me punën e shtëpive botuese, në radhë të parë për kompetencat profe­sionale të disa mekanizmave vendimmarrës për botimin e librit të ri, siç janë: redaktori, recensenti dhe lektori, pastaj përgatitja teknike, shpërndarja, shitja, honorarët etj. Gjithsesi, në këtë drejtim nuk mjafton vetëm vullneti dhe përkushtimi. Dija dhe profesionalizmi janë baza kryesore që një libër të botohet sipas kritereve letrare.

Në anën tjetër qëndron roli dhe misioni i kritikës letrare. Mendimi kritik për librin, i shfaqur publikisht, pa paragjykime, por vetëm me fakte dhe argumente kritike, është në interes të vlerësimit të krijimtarisë së autorit, por edhe të zhvillimit të letërsisë shqipe.

 

Mundësisht, na lini të shkruar këtu një këshillë për një poet të ri.

 

Nuk do të mund të përfytyrohej asnjë propozim që do të mund të bëhej detyrim i caktuar për një poet të ri. Megjithatë, këshillat për një poet të ri sigurisht janë të mirëserardhura dhe mund të ndikojnë në rrugëtimin e tij krijues. Për secilin poet shkrimi është një aventurë e qëllimshme krijuese, që niset nga procesi i një leximi pasionues e të vëmendshëm, për ta pro­dhuar komunikimin individual me të tjerët përmes shkrimit që e prodhon vetë, pra që bëhet pasuri shpirtërore nëpërmjet ideve, motiveve, temave dhe përbërësve të tjerë.

Këshilla për poetin e ri është: vullnet, përkushtim dhe punë.

 

Cila është poezia dhe proza juaj poetike më e mirë? Ndajini dy.

 

Një provë e vështirë për secilin poet për ta përzgjedhur kri­jimin e vet më të mirë. Zgjedhja nuk i nënshtrohet gjithmonë horizontit tregues të parimeve të shpirtit, midis arsyes dhe ndjenjës apo, madje, edhe midis përfilljes dhe shpërfilljes. Mund të jetë ndikim i drejtpërdrejtë apo edhe i tërthortë i çastit. Një grindje jo e lehtë me vetveten. Përse e zgjodha këtë e jo atë tjetrën? Cili do të ishte gjykimi i shijes estetike të poetit për vetveten, kësaj radhe, në mesin e pothuajse një mijë krijimeve poetike (shtatëqind poezive e treqind prozave poetike), për t’i dalluar dy prej tyre. Sigurisht herën tjetër do të jepja një mendim ndryshe. Shembujt mund të jenë të shumtë. Megjithatë, po i dalloj dhe po i lavdëroj dy prej tyre: Vjersha që po jepte shpirt dhe Liri me gjarpër në gji. E para, është botuar në librin Dalje nga trishtimi (1999), ndërsa e dyta në librin Plagomë (1994).

Përse kësaj radhe po i dalloj këto dy krijime poetike?

E kam të qartë se përgjigjja vjen vetvetiu nga çasti i përcak­timit të një ndjenje të miratuar, e cila buron nga brenda, sipas vetëdijes për vetë ekzistencën e krijimit poetik, ndoshta lidhja më emocionale. Kjo mund të jetë edhe fryma, por edhe pasioni im për saktësinë e kësaj përzgjedhjeje, sipas mënyrës sime.

Vjersha që po jepte shpirt është shkruar në vitin 1997. Ishte fundi i muajit shtator. Poezinë e shkrova me laps-kimik në një fletë të bardhë. Disa herë mendoja ta grisja, sepse më dukej se kishte shumë vargje elegjiake. Pastaj e radhita në makinën e shkrimit. Vajzat e mia më bënin lloj-lloj pyetjesh, thuajse unë po bëhesha lakmitar i të gjitha përgjigjeve, ndoshta edhe për aftësinë e imagjinatës sime përbrenda filozofisë së ndjenjave.

Pothuajse të gjitha ma bënin pyetjen tepër interesante: si jep shpirt poezia? U shtanga nga zgjuarsia e tyre, pastaj sikur u çlirova nga ankthi i frymëzimit dhe më dukej se fëmijët e mi po i imitonin ëndrrat e tyre, të përziera me ndjenjën e frikës dhe të dhimbjes, por edhe të dashurisë.

Tani mund të them se shenjat autobiografike, bashkë me kujtimet personale, dëshmojnë kohën dhe çastin që në pamjen e parë e poetizojnë çastin e dhimbshëm për zbërthimin e imazheve përmes ligjërimit mohues (mos e gris, mos e djeg, mos e plagos, mos e përgjak, mos e varros). Është një shkallëzim i situ­atave të përjetuara shpirtërore, midis shprehjes dhe komuniki­mit, të cilat e bartin mesazhin përmes aktantëve, në këtë rast, fëmijëve të mi: Albulena, Besiana, Doruntina, Etleva dhe Rozafa. Aty ka rikuptimësim, por edhe rikontekstualizim të asociacioneve, pikërisht përmes ndjenjës së fajit dhe ndjenjës së katarsisit, për ta fuqizuar hapësirën kuptimore me ringjalljen e formave ligjërimore dhe të formave gjuhësore. Ankthi, dhimbja, mëkati, shpëtimi dhe shpirti e krijojnë një sistem ligjërimor dhe figurativ, për ta shqiptuar përmasën e aktit të veprimit përbrenda përfytyrimit të situatave të zhgënjimit dhe të refuzimit, në të njëjtën kohë.

Përse vjersha po jepte shpirt?

A është ky kufiri i së vërtetës reale, i konceptuar përbrenda shumësisë së kuptimeve përmes thënies e kundërthënies drejt bërjes dhe shpërbërjes së një ideje poetike, kur hamendja e sprovonte nxitjen e një veprimi, për të arritur në pikën përfun­dimtare: vjersha që po jepte shpirt.

Më kujtohet mirë se si ishte mbërthyer në kujtesën time kjo poezi, si dëshmi fantastike që më tërheq edhe sot për ndjesinë e përjetimit të një çasti dashuror, pikërisht në stinën e vjeshtës, në stinën e krijimtarisë sime poetike.

Pothem edhe disa mendime për krijimin e dytë që e zgjodha. Pra, proza poetike e rimuar, Liri me gjarpër në gji, e shenjëzon kodin ligjërimor përmes shprehjeve konceptuale të ndërlidhura me realitetin dhe me sfondin mitologjik. Është një skemë e përmbysjes së kuptimeve brenda një trinie: liria, gjarpri, gjiri. Njohja e realitetit është përjetim, pikërisht brenda çastit të ligjërimit, aty ku kemi prani, por edhe mungesë të lirisë.

Liri me gjarpër në gji është strukturuar si poetikë e dhimbjes në robëri. Bërthama e kësaj proze poetike është liria. Kjo prozë poetike është e rëndësishme për mua, meqë isha dëshmitar i ngjarjeve të rënda që ndodhnin në atë periudhë për popullin tim. Në fakt, ishte një dhunë me sulme të vazhdueshme ndaj identitetit shqiptar, ndaj gjuhës, kulturës, historisë, që bëhej nga regjimi i Serbisë, i instaluar në atë periudhë në Kosovë.

Sikur çdo ditë mendonim për udhëtimin drejt të panjohurës.

 

Bashotët, fqinjët tuaj, i keni të pranishëm në disa poezi. Përpiqeni të komunikoni me ta nëpërmjet vargjeve. Sa shpesh shkoni në vendlindje, te fqinjët dhe tek e ëma, meqë ka vite që jetoni në Prishtinë?

 

Kujtimet e dashura dhe të paharruara për Nënën i kam rrëfyer në fillim të intervistës, të cilat sikur më ngjajnë si ligjërata që kanë një art të veçantë.

Vendlindja është ngrohtësia e veçantë emocionale. Me farefisin tim jam i lidhur shumë shpirtërisht. Çdo kujtim imi i fëmijërisë strehën më të dashur e ka në ambientin e vendlin­djes. Kam provuar gjithmonë të kem respekt për më të dashurit e mi.

Emri im është trashëgim nga gjyshi. Thonë se gjyshi im, i cili kishte vdekur tri vjet pa lindur unë, ishte njeri me virtyte të larta. Ishte bamirës dhe shquhej për guximin dhe për vendo­smërinë e tij. Kam dëgjuar shumë rrëfime interesante për jetën dhe të bëmat e tij, sidomos për parimet, mençurinë dhe humorin e tij. Rrëfimet e shumta për gjyshin më kanë frymëzuar një kohë të gjatë në rrugët e jetës, ndërsa disa ngjarje të dëgjuara i kam paraqitur edhe në poezinë time.

Farefisin tim, pra Bashotët, i kam të pranishëm në shumë poezi të mia, gjithnjë si një shpërthim i rrëmbyeshëm i ndje­njave të mia në shenjë respekti dhe mirënjohjeje. Pa dyshim, kjo ndjenjë dashurie më ka dhënë vetëbesim dhe kurajë për t’i fuqizuar idetë e mia krijuese në veprën time letrare, duke e ditur faktin se historia e Bashotëve mbartë në vete krenari kombëtare.

 

Gjatë gjashtë dekadave jetë keni lexuar gjithçka, keni parë lloj-lloj personazhesh dhe lloj-lloj personash. Unë nuk dua të jeni më ndryshe se kështu si jeni, po ju, si cili personazh i letërsisë shqiptare a botërore a si cili shkrimtar do të donit të ishit?

 

Në çdo rrethanë apo situatë më së miri është të jesh vetvetja. A thua a është kjo jeta ideale? Pse mos të jesh edhe si Tjetri?

Gjithmonë më ka pëlqyer koncepti apo pikëvështrimi për dallimin e gjërave, sendeve, fenomeneve, pastaj krahasimi i tyre. Ndër të pëlqyerit e mi janë: Dante, Lasgushi dhe Borhesi.

Do të doja të isha si Dante Aligeri por, për fat, i paskam shpëtuar vdekjes në moshën e tij (Dante jetoi vetëm 56 vjet), pastaj të isha edhe si Lasgush Poradeci (sipas vitit së ikjes të tij në amshim, mua më kanë mbetur edhe 26 vjet), por edhe si Jorge Luis Borgesi (lindi po atë vit kur lindi Lasgushi, por iku në amshim një vit më herët).

Është e çuditshme se për shkrimtarët që do të doja të isha si ata, nuk kam shkruar asnjë ese apo studim letrar, përveçse nga një poezi kushtuar Lasgushit (Poezi e pambaruar te varri i Lasgush Poradecit) dhe Borhesit (Borhesi i verbuar).

Nga Dante më pëlqen krijimi i kuptimit simbolik për jetën, për dashurinë dhe për vdekjen, apo numri i trinisë: Ferri, Purgatori dhe Parajsa. Në këtë kontekst, estetika e receptimit do të shëmbëllente si shenjë dhe si strukturë, pikërisht me imazhin simbolik, nga kujtesa e leximit kur Dante vishej me kostume të kaltra, duke e imagjinuar Batriçen me kostume të kuqe. Kësaj radhe mund të jetë analogjia e poezisë me pikturën, pikërisht në rikthimin e imazheve.

Po kështu mund të flas me admirim për Lasgushin, njërin nga poetët më të mençur të poezisë shqipe, i cili mund të jetë referencë për të gjithë poetët. Do të dëshiroja t’i ngjaj vetëm imagjinatës së tij ndaj ligjërimit të dashurisë. Kur e kam lexuar studimin e Kutelit për poezinë e Lasgushit, kam menduar me vetveten: a do të më ndodh ndonjëherë një dashuri e tillë zbuluese e leximit, midis poetit dhe kritikut.

Do të doja të isha si Borhesi për ta shijuar imagjinatën time në jetë, por edhe në vepra, duke ligjëruar para Pasqyrës së Jetës Njerëzore. Po ashtu, për t’iu bërë lutje poetëve (në lindje dhe në perëndim të diellit) që të shkruajnë vetëm për dashurinë njerëzore.

Është ndjenjë e mirë kur thua do të doja të isha… sepse, pos një aventure shpirtërore, do të ishte një fat i mrekullueshëm, së paku për të ëndërruar për të hyrë në një botë imagjinare dhe për të shkuar edhe pak më tej…

 

(Intervistën e plotë, prej 62-pyetjesh dhe përgjigjesh, do të mund ta lexoni në librin ‘Dialog me Sali Bashotën’ që do të botohet këtë vit).

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja e njohur nga Kosova, Liberta Spahiu, është mjaft aktiven…