Intervistë / Akuzë dhe gjykim me paragjykim për UÇK-në dhe luftën e saj

18 prill 2024 | 10:25

Gjenerali në pension, prof. dr. Kudusi Lama, ka vlerësuar se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë ka kaluar përmasat e gjykimeve mesjetare.

Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se nëse Gjykatës Speciale do t’i bëhej një vlerësim i performancës, “do të fitonte të gjitha vlerësimet maksimale si gjykatë serbe që dënon shqiptarët”.

Lama ka thënë se që të katërtit e UÇK-së do të duhej të ishin pranë familjeve të tyre. “Nuk dua të paragjykoj, por realisht më duket se ka një mobilizim të gjerë për të mos i lënë ata të kthehen në Kosovë…”, ka thënë Lama.

Epoka e re”: Gjeneral Lama, më 3 prill është bërë një vit nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Si jeni duke e parë zhvillimin e këtij procesi maratonik?
Gjeneral Lama: Mirë e keni shprehur “zhvillim i një procesi maratonik”, se vërtetë është një bredhje e gjatë dhe e lodhshme, një vijim i zgjatur dhe i pandërprerë i një veprimtarie të pakuptimtë. Vetëm me një ndryshim, se burrat shqiptar të marrë peng në izolim në Hagë nuk janë vrapues që marrin pjesë në garën e maratonës, por u diktohet të jenë të privuar nga liria edhe e drejta e takimit me njerëzit e tyre të dashur, jo më të thithin ajrin e pastër e të freskët siç e thithin maratonistët që marrin pjesë në garat e vrapimeve të gjata.
Por kjo është vërtetë një maratonë e një zvarritjeje të gjatë e të lodhshme për të gjithë shqiptarët që kanë pak ndjenjë kombëtare shqiptare, sepse ka një mobilizim për të na njollosur historinë, duke na i munduar një çetë burrash që na i mbajnë pengë vetëm se duan të përkëdhelin kriminelin. E kriminali është ai që bëri të gjitha krimet mbi shqiptarët në Kosovë e më tej, por që duket se disa shqiptarë kanë harruar. Uroj të mos u bjerë në kokë përsëri ajo që kaluam dhe ajo kundër të cilës luftuam dhe fituam.
Është një gjyq ky që i ka kaluar përmasat e gjykimeve mesjetare.
Është një gjyq ku ata që kanë interesa bëjnë si të fortë.
Është një gjyq që bën përpjekje të bëjë drejtësi politike, por jo të gjej të drejtën e të japë të drejtën atij që i takon.
Është një gjyq që bën fajtor burrat e gratë e Kosovës pse luftuan kundër Serbisë.
Është një gjyq që kërkon llogari përse nuk i lamë serbët të vijonin masakrat mbi shqiptarët deri në zhdukjen e tyre.
Është një gjyq ku dëshmitarë thirren ata që edhe sot nuk përtojnë të shprehin urrejtjen e pakufishme ndaj luftës çlirimtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Është një gjyq që për interesat e fuqive evropiane tregon se nuk ndjen askush dhimbje nëse sakrifikohen ata që nuk duhet të sakrifikohen.
Është një gjyq që botës po i jep masazhin se duhet të nënshtrohen masakrimit dhe robërisë, pasi në të kundërt nëse luftojnë për liri e çlirim nga pushtimi do të ballafaqohen me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Është një gjyq që u jep të drejtë pushtuesve të bëjnë çfarë të duan me vendet dhe popujt e pushtuar deri në shfarosjen e popujve autokton.
Është një gjyq që përpiqet të justifikojnë krimin duke akuzuar viktimën.
Është një gjyq që nuk ndalet e nuk do të ndalet deri kur ta ndalin shqiptarët me forcën, e unitetin dhe me zërin e tyre përballë të gjithë atyre që po përpiqen të na kriminalizojnë luftën për liri dhe historinë më të lavdishme kombëtare.
Ky gjyq është modeli se si nuk mund e nuk duhet bërë drejtësi. Është modeli se si nuk mund të gjendet e drejta dhe e vërteta dhe se si nuk duhet të vihen njerëzit në bankën e të akuzuarit.
Ky gjyq është modeli se si nuk duhet të punojnë institucionet e një shteti. Pasi kjo prokurori e gjykatë speciale siç quhet se vërtetë është speciale në llojin e vet, është një institucion që megjithëse është krijuar nga Parlamenti i Kosovës, është krijuar sipas ligjeve të Kosovës, thirret si institucion i Kosovës, vepron sipas ligjeve të Kosovës, por Kosovës, Parlamentit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, presidentit të Kosovës dhe popullit të Kosovës nuk u jep llogari. As që donë të dijë se ekziston Kosova, ajo që i intereson këtij institucioni është vetëm thjeshtë të thirret në emër të tij. Nuk ka një tjetër të botë të krijuar ndonjëherë në histori që nga lashtësia e deri sot që të jetë i këtij modeli. Ky është modeli më i pa kuptimtë dhe kundërligjor që ekziston në botë.
Kur u kërkua krijimi i këtij institucioni, ishte rekomandimi se: meqenëse nuk mund të keni një prokurori e gjykatë të pavarur për këtë nivel gjykimesh siç janë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, sepse prokurorët dhe gjyqtarët do të jenë nën presion dhe nuk do të mund të bëjnë drejtësi si duhet. Prandaj u tha: duhet të jetë një institucion drejtësie që të jetë i vendosur jashtë Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës të vendeve të tjera jo të Kosovës, sepse kështu nuk do të jenë nën presion.
Dhe Kosova meqenëse nuk i kishte askujt borxh, por të tjerët i kishin borxh, meqenëse nuk kishte bërë asgjë që binte ndesh me ligjet ndërkombëtare të luftës, pranoi ta krijonte këtë gjykatë. Por krijoj një gjykatë të sajën, jo një gjykatë të askujt e që thirret në emër të saj. Kurse po del se kemi krijuar një prokurori dhe një gjykatë shtesë për interesat e Serbisë. Dhe kjo vetëm se të fuqishmit nuk duan të shohin të drejtën dhe të vërtetën. Prej nga shihet se nuk mjafton vetëm e vërteta por edhe forca njerëzore e qytetare e të fuqishmëve për të bërë që të fitojë e drejta.
Prandaj edhe për mua kjo gjykatë është një instrument presioni ndaj shqiptarëve për hatër të Serbisë e të Rusisë, për të treguar gjoja se jemi për baraspeshë të përgjegjësive. Megjithatë duhet thënë qartë se nuk është e drejtë të shtypemi ne për të rregulluar interesat politika e të mëdhenjve, se mjaft jemi shtypur e mjeruar.
Por kjo gjykatë që në themelimin e saj është rekomanduar nga “miqtë”, me hile, kurse miqtë e vërtetë nuk e kanë marrë seriozisht. Dhe hilja qëndron pikërisht në fshirjen e krimeve serbe në Kosovës prej kompetencave të saj, për t’i hetuar e gjykuar; por krijimi i saj për të hetuar krime të supozuara të UÇK-së. Krime që nuk kanë adresë, por që montohen prej prokurorisë së këtij institucioni. Kurse që akoma sot në Kosovë janë të zhdukur mbi 1600 qytetarë shqiptarë të Kosovës nga Serbia as që i intereson dikujt të merret me këtë çështje. E me rëndësi është se dikujt i është dhënë një pëllëmbë nga dikush në kohën e luftës e tani duhet të japin llogari në gjyq për krime lufte për këtë pëllëmbë udhëheqësit e UÇK-së e të luftës së saj të lavdishme.
Dhe për të gjitha këto gjenden edhe dëshmitarë të montuar, sikur një shqiptar që shkruante se e mbaj mend mirë në verën e vitit 1998 kur Hashim Thaçi më ka kapur për krahu e më ka shtyrë. Deri këtu kemi arritur. Sikur nuk kishte punë tjetër Hashim Thaçi në verën e vitit 1998 vetëm të kapte për krahu e të shtynte tutje një kalbësirë. Jo. Në atë kohë Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij kishin punë të mëdha e të mençura për të bërë; kishin shumë punë trimërie e burrërie për të bërë, nuk kishin kohë të merreshin me ata që vajtonin se po u ikën Serbia. Por ky është portreti i kësaj gjykate dhe këtë mall ka për tregun e seancave të saj.

“Epoka e re”: E vlerësoni të padrejtë mbajtjen për gati katër vjet në paraburgim të liderëve të UÇK-së ndonëse disa herë kanë bërë kërkesë që të mbrohen në liri?
Gjeneral Lama: Unë e quaj të padrejtë që ata janë marrë atje, jo më që po mbahen prej katër vitesh në atë vend ndalimi, por as që ka dëshirë dikush ta marrë në konsideratë çfarë vlerësimi kam unë e çfarë vlerësimi kanë të gjithë shqiptarët që e duan sadopak atdheun e tyre. Megjithëse vlerësimi që ata duhet të jenë pranë familjeve të tyre është më se normal. Duket se ata dikujt i prishin punë po të jenë në Kosovë. Nuk dua të paragjykoj, por realisht më duket se ka një mobilizim të gjerë për të mos i lënë ata të kthehen në Kosovë, çoftë të lirë duke marrë pafajësinë, qoftë duke vazhduar procesin gjyqësor siç ndiqen në gjithë botën duke qëndruar në liri e duke u paraqitur në gjykatë kur ka vijim të procesit gjyqësor. Ndërsa krerët e UÇK-së po rrinë në izolim a thua se janë të rrezikshëm. Kur dihet se ata kanë shkuar në atë vendndalim veçse i kanë thirrur jo se i mori dikush me forcë. E ashtu ata do të kishin shkuar sa herë të thirreshin për të vijuar ballafaqimin me akuzat.
Por, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë figura që nuk përsëriten. E ajo tufë burrash prej tyre që janë shkëputur e janë futur në izolim do të mbahen për të mbajtur nën kërcënim edhe të tjerët, që kanë mbetur të heshtur edhe mbështetësit e tyre që i mbajnë nën kërcënimin e arrestimit. Kjo që po ndodhë në Kosovë me luftëtarët e UÇK-së është një dukuri e pa ndodhur në asnjë vend e luftë çlirimtare tjetër në botë.
Vetë fakti që dy kryeprokurorë në këtë gjykatë, të cilët kanë mbledhur e montuar gjithçka për ta bërë të funksionojë këtë institucion, janë arratisur, është tregues i qartë i pathemelësisë së kësaj prokurorie e gjykate të thirrur në drejtësinë, por jo në të drejtën.
Ne u bëmë dëshmitarë që kryeprokurori i dhomave të specializuara, e quajtur gjykata speciale për krimet e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë, i cili quhej Alex Whiting dhe që e kishte marrë këtë detyrë në nëntor të vitit 2022, duke zëvendësuar ish-kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale në Hagë, Jack Smith-in, i cili u arratis nga Haga për arsyet që i di ai dhe shteti i tij, ShBA-të, por që realisht la të kuptohet se u gjet mënyra që ai të largohet nga detyra, e që duket se shembullin e tij ndoqi edhe ky zëvendësues, me të njëjtat arsyetime.
Bën përshtypje fakti, që për të hetuar ish-presidentin e ShBA-së, Donald Trump, u dashka që prokurorët të bëjnë një provë në dhomat e specializuara, të quajtura gjykata speciale për krimet e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë. Përse kështu? A nuk paska ShBA-ja të tjerë prokurorë të aftë që të ndjekin e dënojnë presidentin Donald Trump, por duhet pa tjetër të gjenden të tillë që të bëjnë një provë në përndjekje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Kush është në gjendje të justifikojë të drejtën në këtë rast? Nuk mund të thuhet se aty gatuhet drejtësi sipas të drejtës. Aty gatuhen interesa që shkojnë prej Prishtine, në Beograd, Bruksel, Moskë e deri në Nju-Jork e Uashington. Më vjen keq për ata burra që po vuajnë pa asnjë faj. Por jam krenar me ta dhe i lumtur që i kam njohur dhe e di cila është burrëria dhe qytetaria e tyre.

“Epoka e re”: Kujt po i pengon që ata të mbrohen në liri pasi ata vullnetarisht janë paraqitur para Gjykatës Speciale duke qenë bashkëpunues në të gjitha fazat?
Gjeneral Lama: Çështja e mbajtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në paraburgim siç thuhet e realisht në izolim do të thosha unë, nuk është çështje e interesave të individëve. Sepse askush nuk do të guxonte të ndërmerrte hapa individuale për t’i mbajtur ata të mbyllur. Ky është një mekanizëm i ndërtuar ndërkombëtarisht për ta prerë në besë Kosovën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E ne shqiptarët si naivë që jemi kur mbështetemi në besën, të cilën shumë herë ua kemi dhënë atyre që nuk duhet, e përfituam edhe në këtë rast besëprerjen e atyre që na e dhanë. Dhe këtë besë na e dhanë edhe ShBA-të edhe Bashkimi Evropian e edhe OKB-ja. Por të gjithë sa na mashtruan harruan fjalën e dhënë dhe na përdorën për të kënaqur Serbinë dhe klanin antishqiptar ndërkombëtar.
Serbia nuk e përmendë më çështjen e krimeve të luftës kundër serbëve në Kosovë, as çështjen e të ndaluarve në Hagë. Dhe mirë e ka. Këtë çështje e ka vënë në arshivë. Tani nxjerrë çështje të tjera. Çdo ditë do të nxjerrë një çështje të re. Serbia ka një plan. Ne jemi gjithnjë në rrjetën e Serbisë. Dhe kjo vjen sepse nuk kemi një strategji të deklaruar të qëndrimit tonë, përtej të cilës nuk bëhen lëshime dhe nuk kemi një plan për ta bërë të qartë portretin e Serbisë siç e bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën çlirimtare. E cila pikërisht pse kishte një strategji të qartë arriti të sjellë gjithë botën në luftë kundër Jugosllavisë e Serbisë në Kosovë, arriti të bindë botën moderne për të drejtën e luftës së saj dhe për pastërtinë e asaj lufte.
Prandaj edhe kjo është një nga arsyet pse ata burra mbahen të izoluar. Sepse ata dinë të bëjnë strategji, dinë të bëjnë plane afatgjata, dinë t’i tregojnë botës kush është Serbia dhe cila është fytyra e saj e përgjakur.
Ju thoni se ata luftëtarë në Hagë kanë qenë bashkëpunues gjithnjë. Keni të drejtë. Por bashkëpunimi që të quhet i tillë duhet të jetë i dyanshëm. E në rastin tonë këtu nuk ka bashkëpunim. Është Kosova me disa burra të saj në izolim dhe një institucion i Kosovës që ka dalë mbi Kosovën duke shkelur të gjitha ligjet që është duke bërë si e fortë se ka çelësa dhe mbyll dyert e burrave tanë atje për t’i mbajtur peng.
Ka ardhur një kohë, që nëse ekziston një ligj i së drejtës ajo prokurori dhe ajo gjykatë të quajtura speciale duhet të hidhen në gjyq dhe duhet të futen në burg. Dhe kjo mbështetet në ligjin e së drejtës, nëse ekziston e drejta.
Ata burra që po mbahen atje në izolim, unë nuk e përjashtoi mundësinë që një ditë të gjenden në pozicionin e politikanit rus Aleksej Navalni në burgjet e Siberisë. Dhe të jeni të sigurt se askush nuk jep llogari nëse ndodhë.
Nuk gjej asnjë arsye që ata burra mos të ndiqen në liri meqenëse kanë dëshirë t’i ndjekin. Por asaj gjykate askush nuk i bën të qartë hapësirat e të drejtave të saj. Ata i kanë dhënë vetes të drejtën të jenë mbi të gjithë.
Ajo gjykatë nëse do të bëhej një vlerësim i performancës së saj do të fitonte të gjitha vlerësimet maksimale si gjykatë serbe që dënon shqiptarët. Kush i njeh veprimtaritë e UDB-së, të prokurorisë e të gjykatës së Serbisë kundër shqiptarëve në kohën e sundimit të Milosheviqit, besoj e kupton se kjo prokurori e gjykatë speciale në Hagë nuk ka asnjë ndryshim prej tyre dhe po ndjek të njëjtën linjë, veçse gardianët nuk janë si ato të Serbisë se nuk i rrahin e torturojnë të ndaluarit apo të marrët peng si në rastin e burrave të Kosovës që janë mbyllur në Hagë.

“Epoka e re”: Sipas jush a ka dështuar Prokuroria të ofrojë ndonjë fakt inkriminues për katërshen e UÇK-së?
Gjeneral Lama: Në Hagë po bëhet një lojë e shpifur. Ajo prokurori dhe ajo gjykatë kanë dështuar që në start, kur kanë ngritur akuza sipas thënieve të prokurorisë së përgjithshme të Serbisë. Ato kanë dështuar, që kur filluan të marrin dëshmitarë të fshehtë duke u bërë premtime e mashtrime dhe duke i emërtuar me germa e numra sikur hebrenjtë në kampet naziste të shfarosjes.
Pra që këtu, duket se ky institucion ka marrë një përgjegjësi për të përmbushur detyra të parashkruara, jo detyra sipas të drejtës dhe të vërtetës.
Ndërsa mangësia jonë qëndron në faktin se ne kemi harruar atë thënien e famshme të Ciceronit se: “Pas fitores ke më shumë armiq”. Nuk e kishim menduar se pas fitores dhe çlirimit të vendit nga pushtuesi gjakatar e masakrues i shqiptarëve armiqtë do të masivizoheshin. Se armiqtë do të lindnin edhe në Prishtinë për të plotësuar interesat e tyre të prishura e edhe në gjithë Evropën për të përkëdhelur Serbinë e Rusinë. Ne nuk u treguam në nivelin e duhur të vigjilencës për të mos lënë që të gjallërohen armiqtë e luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët duke bërë një luftë pa kompromis kundër luftës dhe UÇK-së, realisht po përpiqen të zhvillojnë ëndrrën e tyre për kthimin e Kosovës nën Serbi, ëndërr që e shikon çdo ditë edhe Aleksandër Vuçiq.
E në këto kushte, Serbia ka të drejtë të jetë e lumtur dhe të jetë agresive, sepse shikon se ne duam të biem nën pushtetin e xhuxhëve, pasi siç ka thënë Uinston Çurçilli: “Kur lufta e gjigandëve mbaron, atëherë fillon lufta e xhuxhëve”. Dhe tani të gjithë duhet ta dinë se kjo luftë po zhvillohet. Nuk është diçka e re. Por e re është që të merren peng udhëheqës të luftës së gjigandëve.
Kjo prokurori e gjykatë të quajtura speciale, të ngritura me ligjet e Kosovës, por që vepron kundër Kosovës, ka dështuar që në start, kur nuk donë të dëgjojë për mbi 16 mijë të vrarët në Kosovë, prej të cilëve 14 mijë civilë të masakruar dhe nuk donë të dijë për rreth 1 600 të zhdukur që edhe sot e kësaj dite i kërkojnë familjet, por kërkon 300 serbë të supozuar se mund të jenë zhdukur nga UÇK-ja, por që nuk dihet cilët janë ata, si quhen ata, ku e kanë vendbanimin ata, cilat janë familjet e tyre etj. që këtu ky institucion i “drejtësisë” ka dalë nga shinat e qenies si i tillë.
Deri sot asgjë nuk është vërtetuar. Dëshmitarët që u fshehin jo vetëm fytyrën, por edhe çfarë thonë ata, janë treguesi më i qartë se ata nuk kanë asnjë mundësi faktesh për të qenë transparent përpara qytetarëve të Kosovës.
Pa folur që ky institucion, në vend se të marrë përgjegjësi për të zbardhur se çfarë vërtetë ka ndodhur në periudhën e luftës Çlirimtare të Kosovës, duke i koordinuar veprimtaritë e të dy armiqve që janë ndeshur në atë luftë, merr në shqyrtim vetëm çfarë ka dëgjuar a i kanë thënë serbët për UÇK-në, a thua se ajo në Kosovë në vitet 1998 – 1999 ka luftuar me veten. Duket sikur në Kosovë në atë kohë nuk kanë qenë fare forcat serbe, por kanë qenë disa njësi të UÇK-së që kanë rrahë me shuplaka kë u ka dalë përpara. Prandaj këtij institucioni të “drejtësisë” i duhet bërë e qartë se në atë kohë në vitet 1998 – 1999 në Kosovë kanë qenë Forcat ushtarake, policore, paramilitare, kriminale e vullnetare, si dhe ato të mbrojtjes territoriale, që përbënin rreth 160 mijë luftëtarë me armë, të cilët patën dështime të njëpasnjëshme në luftimet përballë formacioneve të UÇK-së. Por ata duke treguar botërisht se janë forca që nuk zbatojnë asnjë ligj lufte, sa herë dështuan në luftimet përballë formacioneve të UÇK-së, i përdorën armët e tyre, pushkët, automatikët, mitralozat, topat, tanket dhe helikopterët e avionët gjuajtës bombardues, për të vrarë qytetarët në shtëpitë e tyre, për të vrarë shqiptarët nëpër rrugë, nëpër sheshe të qyteteve, për të shkatërruar shtëpitë e shqiptarëve e për të prishur gjithçka shqiptare. Këtë e kanë parë të gjithë. Por për fat të keq nuk e ka parë ky institucion i “drejtësisë” që vepron në emër të Kosovës, kundër Kosovës në Hagë.
Prandaj unë do të propozoja, se meqenëse Parlamentit të Kosovës i është dhënë e drejta që në vitin 2015, që të prodhojë gjykata speciale për krime lufte, e lus atë parlament të marrë mundimin të krijojë edhe një gjykatë tjetër për krime lufte, por tashmë për krimet e Serbisë e serbëve me të gjitha llojet e mjeteve kundër shqiptarëve të pa armatosur. E lus Parlamentin e Kosovës të prodhojë edhe një gjykatë të tillë se ia ka borxh Kosovës, meqenëse ka prodhuar të parën, atë që po mban peng një grup burrash lufte në Hagë.
E kjo gjykatë e krijuar tani të jenë të sigurt parlamentarët, qeveritarët, politikanët, qytetarët e edhe serbët se do të jetë e suksesshme dhe do të ketë punë edhe për 50 vjet deri sa t’i kryej të gjitha çështjet që janë prezent në Kosovë dhe në Serbi të krimeve të kryera nga Serbia e serbët kundër shqiptarëve. (Vijon)

(Lirim GECI / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në çerekfinalet e Ligës së Evropës zhvillohet përballje mes dy…