INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (1)

25 shtator 2023 | 17:58

Një çerek shekulli nga Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. INTERVISTË EKSKLUZIVE me ish-përfaqësuesin politik të UÇK-së, Bardhyl Mahmuti

I alarmuar nga rreziku potencial i një katastrofe humanitare si pasojat e ofensivës së forcave të armatosura jugosllave të verës së vitit 1998, më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1199. Për rëndësinë e kësaj rezolute të një çerek shekulli më parë dhe për çështje që lidhen me diplomacinë e UÇK-së, para disa ditësh kemi zhvilluar një intervistë ekskluzive me politologun Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Epoka e re”: I alarmuar nga rreziku potencial i një katastrofe humanitare si pasojat e ofensivës së forcave të armatosura jugosllave të verës së vitit 1998, më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1199. Çfarë do të veçonit nga kjo rezolutë dhe cili ishte qëndrimi politik i UÇK-së në atë kohë?
Bardhyl Mahmuti: Që të kuptohet domethënia dhe rëndësia e kësaj rezolute më duhet të përmend disa fakte që lidhen me kontekstin e zhvillimeve dramatike të asaj kohe, duke filluar nga marsi i vitit 1998. Pas krimeve që kryen forcat serbe ndaj shqiptarëve gjatë tërë muajit mars, më 31 mars 1998, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1160. Në paragrafin tre të kësaj rezolute tekstualisht shkruhej se Këshilli i Sigurimit: “Dënonte përdorimin e tepërt të forcës nga ana e forcave të armatosura të policisë serbe kundër civilëve dhe manifestuesve paqësorë në Kosovë si dhe të gjitha aktet terroriste të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ose nga çfarëdo grupi apo individi tjetër. Në të njëjtën kohë dënohej çfarëdo mbështetje e jashtme për aktivitete terroriste në Kosovë, sidomos në formë të burimeve financiare, të armëve apo trajnimeve”. Përveç mënyrës sesi e trajtonin luftën, po përmend edhe një element shumë të rëndësishëm: në pikën 17 të kësaj rezolute Këshilli i Sigurimit e angazhoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi “të fillonte grumbullimin e informatave lidhur me aktet e dhunës në Kosovë”. Duke trajtuar krimet në kuadër të “akteve të dhunës”, kjo rezolutë përjashtoi ta konsideronte luftën në Kosovë si “konflikt i armatosur”, pra në të njëjtën cilësi si luftërat në Slloveni, në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

“Epoka e re”: Domethënë krimet serbe cilësoheshin si “dhunë e tepruar”, kurse veprimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “akte terroriste”, së cilës duhej t’i ndërpritej mbështetja e jashtme financiare, ajo me armë dhe trajnimet?! Çfarë dallon rezoluta e miratuar gjashtë muaj më vonë, më 23 shtator 1998?
Bardhyl Mahmuti: Fillimisht duhet të përmendet se si pasojë e ofensivës gjenocidale të Forcave të Armatosura Serbe në Kosovë ishin vrarë mbi 2 000 civilë shqiptarë, ishin rrënuar mijëra shtëpi dhe prona shqiptarësh dhe qindra mijëra të tjerë ishin detyruar t’i braktisnin vatrat e tyre. Rezoluta 1199 shprehte qartë brengosjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “përdorimin e dhunës së tepërt dhe të padiskriminuar të forcave serbe të sigurisë policore dhe atyre ushtarake jugosllave, të cilat kanë shkaktuar vrasjen e shumë viktima civile dhe, sipas vlerësimeve të Sekretarit të Përgjithshëm, zhvendosjen e më shumë se 230 mijë personave (…) 50 mijë prej të cilëve kishin mbetur të pa strehë”. Ky realitet bëri që situata të cilësohej si rrezik që së shpejti të ndodhte një katastrofë humanitare. Përveç kësaj, në paragrafin pesë të rezolutës theksohet se KS i OKB-së “ishte në dijeni se më 7 korrik 1998 në letrën që Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i kishte drejtuar Grupit të Kontaktit vlerëson se situata në Kosovë përbën një konflikt të armatosur në kuptimin e termave të mandatit të kësaj Gjykate”. “Përkeqësimi i situatës në Kosovë përbënte rrezik për paqen dhe sigurinë e rajonit” dhe, rrjedhimisht, kjo çështje duhej të trajtohej në kuadër të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Këto aspekte paraqesin një hap të madh në drejtim të trajtimit të çështjes së Kosovës në të njëjtin nivel si ishin trajtuar çështjet e tjera në procesin e shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë.

“Epoka e re”: A ndryshoi diçka në këtë rezolutë që lidhet me qëndrimin ndaj luftës sonë çlirimtare?
Bardhyl Mahmuti: Për dallim nga rezoluta e 31 marsit 1998, ku aktet terroriste i atribuoheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rezolutën e 23 shtatorit 1998 dënoheshin të gjitha aktet e dhunës të kryera nga të gjitha palët si dhe aktet terroriste të kryera për motive politike nga të gjitha grupet dhe nuk përmendej aspak Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Epoka e re”: Sipas jush, çfarë ndikoi që të ketë një lëvizje të tillë të institucioneve ndërkombëtare?
Bardhyl Mahmuti: Mosnjohja e së vërtetës për luftën tonë çlirimtare dhe ndikimi i propagandës aktive serbe në rrafshin diplomatik kishin ndikuar në perceptimin negativ të luftës sonë dhe në cilësimin e veprimeve të UÇK-së si “akte terroriste”. Mirëpo gjërat ndryshuan me krijimin e mundësive e vendosjen e kontakteve me diplomatët e shteteve relevante të skenës politike ndërkombëtare. Gjatë këtyre takimeve ne kemi arritur t’i shpalosim qëllimet dhe metodat që përdorte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Po përmend dy ngjarje që shënojnë çaste kthese të luftës sonë diplomatike: Më 26 qershor të vitit 1998, dy ditë para mbajtjes së një mbledhjeje të Grupit të Kontaktit për ish-Jugosllavinë, ku do të shqyrtohej situata në Kosovë, së bashku me Ramadan Avdiun u takuam me një delegacion prej tetë anëtarësh të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe Pentagonit. Delegacionin amerikan e udhëhiqte ambasadori Robert Gelbard. Në këtë takim, që zgjati rreth pesë orë, u kërkua nga ne që ta sqaronim platformën e UÇK-së. Takimin e konsideruam të suksesshëm, sepse në mbrëmje të asaj dite, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Xhems Rubin, doli në konferencë për shtyp dhe e konfirmoi takimin që kemi pasur. Për ne ishte e një rëndësie të madhe fakti se për herë të parë institucionet shtetërore të ShBA-së hodhën poshtë cilësimin “terrorist” që i vishej UÇK-së dhe deklaruan haptas se UÇK-ja duhej të përfshihej në bisedimet për ardhmërinë politike të Kosovës. Ngjarja tjetër e rëndësishme ndodhi më 27-28 qershor 1998. Në Zvicër mbahej Forumi i Crans Montanas (Krans Montana). Me ftesë të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Vladimir Thanati, së bashku me Ramadan Avdiun, shkuam ta takonim kryeministrin e Shqipërisë, z. Fatos Nano, i cili merrte pjesë në këtë forum. Kryeministrin Nano e njoftuam për angazhimet tona, vështirësitë që kishim dhe nevojën që diplomacia shqiptare të na ndihmonte aty ku ne nuk kishim mundësi të depërtonim. Rreth orës 20:00 të asaj dite më mori në telefon kryeministri Nano dhe më njoftoi se duhej të nisesha për në Crans Montana, sepse më kishte siguruar një takim me ambasadori amerikan z. Richard Holbrooke, në orën 23:00. Sado e çuditshme që m’u duk ora e takimit (pak para mesnate!), situata në Kosovë ishte tepër dramatike që përjashtonte çfarëdo farse që zakonisht i bëjnë politikanët njëri-tjetrit. U nisa menjëherë! Takimi, që ishte i një rëndësie të madhe, filloi në orën 23:00 dhe zgjati deri në 04:45 të mëngjesit. Ishte një takim tepër i suksesshëm. Në konferencën për shtyp të asaj të diele të 28 qershorit 1998, gazetarët e pyetën për vërtetësinë e pohimeve të gazetës “The New York Times” për kontaktet e ambasadorit Robert Gelbard me përfaqësues të UÇK-së. Ambasadori Richard Hollbruk pohoi për takimin e vet dhe atë të ambasadorit Robert Gelbard me përfaqësues të UÇK-së dhe deklaroi: “Gjatë dhjetë viteve të fundit serbët kanë krijuar rrethanat e revoltës. E hoqën autonominë e krahinës, i mbyllën shkollat, i dërguan njerëzit nëpër burgje. Kosovarët dëshirojnë tjetër statut. Duhet t’u jepet një gjë e tillë”. Pas përgjigjes për domosdoshmërinë e dhënies së statutit politik Kosovës, gazetarët kërkuan të dinin qëndrimin e z. Holbrooke lidhur me këmbënguljen e UÇK-së për ta realizuar pavarësinë nga Serbia. Ambasadori Holbrooke deklaroi se ShBA-ja nuk e përjashtonte pavarësinë e Kosovës si zgjidhje, nëse një gjë e tillë do të bëhej në mënyrë analogjike siç ndodhi me ndarjen e Çekisë nga Sllovakia. Ishte hera e parë që një diplomat i këtij rangu linte dyert e hapura për kërkesën tonë për pavarësi. Meqë ra fjala për Samitin e mbajtur në Crans Montana, e shoh të rëndësishme për lexuesit të sjell edhe një ngjarje. Qëndrimet e ambasadorit Holbrooke revoltuan tej mase kryeministrin e Jugosllavisë, Momir Bullatoviq, i cili deklaroi: “Ata që kanë rrokur armët në Kosovë janë terroristë të financuar nga paraja e drogës në Zvicër dhe në Gjermani” dhe u largua nga Crans Montana.

No description available.

“Epoka e re”: Kur kemi të bëjmë me këto takime, qoftë në intervista me shkrim, qoftë në intervista televizive, z. Xhavit Haliti ka deklaruar disa herë se ai ju ka autorizuar të takoheni me ambasadorët amerikanë. Ju asnjëherë nuk jeni deklaruar rreth kësaj çështjeje. Si u organizuan këto takime diplomatike?
Bardhyl Mahmuti: Është e vërtetë se për takimin me delegacionin amerikan të udhëhequr nga z. Gelbard, Xhavit Haliti më ka njoftuar se unë dhe Ramadan Avdiu duhej ta përfaqësonim UÇK-në këtë takim. Ndërsa takimi me z. Holbrouke, siç thashë më parë, është organizuar falë ndihmës së madhe të kryeministrit të Shqipërisë në atë kohë, Fatos Nano. Gjithashtu, është e vërtetë se z. Xhavit Haliti, i cili gjatë asaj kohe rrinte në Shqipëri, e kam njoftuar jo vetëm për këto dy takime, por për të gjitha takimet diplomatike që kemi zhvilluar si Grup Diplomatik i UÇK-së deri në kohën kur z. Adem Demaçi hapi Zyrën e UÇK-së në Prishtinë. Pas krijimit të Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, çdo njoftim ia kam dërguar z. Demaçi.

“Epoka e re”: Me një fjalë, falë angazhimit diplomatik për ta sqaruar orientimin politik dhe format e luftës që zbatonte UÇK-ja dhe mbështetjes që gjetën këto sqarime te diplomatët amerikanë, në Rezolutën 1199 u hoq ndërlidhja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me aktet terroriste.
Bardhyl Mahmuti: Plotësisht e saktë! Kjo ishte një fitore e madhe për luftën tonë të drejtë!

“Epoka e re”: Në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, Këshilli i Sigurimit kërkonte nga të gjitha palët që menjëherë t’i ndërpritnin armiqësitë, të arrihej një armëpushim dhe të vendosej një Mision Verifikues i OSBE-së për ta mbikëqyrur respektimin e kushteve të vendosura me anë të kësaj rezolute. Dy javë pas miratimit të kësaj rezolute, UÇK-ja shpalli armëpushim. Si ndodhi kjo?
Bardhyl Mahmuti: Në kontekstin që përmendët në pyetjen tuaj, në orët e vona të datës 7 tetor 1998, nëpërmjet telefonit më kontaktoi ambasadori Richard Holbrooke dhe më caktoi takim për ditën e nesërme, në orën 8:00 të mëngjesit, në Selinë e NATO-s në Bruksel. Përveç z. Holbrooke, në takim ishte i pranishëm komandanti i NATO-s, z. Wesley Clark, dhe ambasadori i ShBA-së, Lawrence Rosin (i njohur si Lari Rosin). Qëndrimet e tyre ishin të qarta: pala që nuk do t’i respektonte kërkesat kategorike të Këshillit të Sigurimit për armëpushim do t’i bartte pasojat. Këshilli i NATO-s e kërcënoi Serbinë me sulme ajrore në rast të mosrespektimit të këtyre kërkesave, ndërsa ne ballafaqoheshim me kërcënimin e ndalimit të të gjitha mundësive për ta ndihmuar UÇK-në me mjetet e nevojshme. Përpara udhëtimit për në Beograd, ambasadori Holbrooke kërkoi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ta shpallte armëpushimin dhe ky veprim do t’ia pamundësonte Sllobodan Millosheviqit t’u shmangej obligimeve që i dilnin nga kjo rezolutë. Duke parë interesin jetik që kishte për popullin shqiptar ndërprerja e luftës dhe krijimi i mundësisë që nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga aktorët kryesorë të skenës politike ndërkombëtare, t’u jepej një shans përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pa konsultuar askënd pranova kërkesën e tyre. Për të mos humbur kohë derisa të kthehesha nga Brukseli dhe të vija kontakte me Adem Demaçin, z. Holbrooke i diktoi Lari Rosinit tekstin model se si do të dukej një deklaratë për shpallje të armëpushimit, Lari Rosini e përktheu në frëngjisht, ndërsa unë e përshtata tekstin në përputhje me rrethanat tona. Kur e përfundova redaktimin u mundova të komunikoj me z. Adem Demaçi, por ai ishte jashtë rrjetit të valëve. Edhe përpjekja për të kontaktuar me Xhavit Halitin doli e kotë. Meqenëse nuk mund ta dija se pas sa kohe do ta vendosja kontaktin me z. Demaçi ose me z. Haliti, unë thirra në Zvicër (Kadri Veselin, Bilall Sherifin dhe Ramadan Avdiun) ua diktova tekstin dhe i porosita t’ia përcillnin qoftë z. Demaçi, qoftë z. Haliti. Të tre ishin të mendimit se duhej t’u jepej një shans përpjekjeve diplomatike për zgjidhje të çështjes së Kosovës nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar dhe më sugjeruan t’ua dërgoja medieve. Përkundër nevojës së madhe që armëpushimi të shpallej sa më parë, u pajtuam se një veprim i tillë duhej të bëhej nga Prishtina, sepse tanimë kishim Zyrën e UÇK-së në kryeqytet. Përveç kësaj, z. Adem Demaçi kishte mundësi që brenda 24-orësh të bënte një njoftim në të katër anët e Kosovës.

No description available.

“Epoka e re”: Kush ia përcolli tekstin Zyrës së UÇK-së në Kosovë?
Bardhyl Mahmuti: Ka kaluar një çerek shekulli nga ajo kohë dhe njerëzve nuk u kujtohet saktësisht. Nëse nuk ka shkuar porosia nga të tria drejtimet, për një jam i sigurt: Ramadan Avdiu personalisht ka vënë kontakt me Zyrën në Prishtinë dhe ua ka diktuar tekstin.

“Epoka e re”: Deklarata është e datës 8 tetor 1998. Duke parë situatën dramatike në Kosovë, për çfarë arsye armëpushimi hyri në fuqi një ditë më vonë?
Bardhyl Mahmuti: Shpalljen e menjëhershme të armëpushimit e kërkonte edhe ambasadori Holbrooke. Mirëpo mungesa e një komande qendrore që e ka karakterizuar UÇK-në dhe vështirësitë e komunikimit impononin shtyrjen e kohës për së paku 24 orë që të kemi mundësi t’i njoftojmë të gjitha mediet dhe në këtë mënyrë të njoftohen radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për armëpushimin. Për shkak të mungesave të shumta që kishim, hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 tetor bartte me vete rrezikun që shumica e strukturave të UÇK-së të mos ishte në dijeni dhe të ndërmerrte ndonjë aksion kundër forcave të okupatorit. Me një veprim të tillë do ta humbnim besimin dhe vështirë se do të arrinim të ndërtonim raporte serioze me aktorët kryesorë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej armëpushimit dhe vendosjes së 2 000 pjesëtarëve civilë dhe të paarmatosur të shteteve anëtare të OSBE-së për Misionin e Verifikimit në Kosovë, Sllobodan Millosheviqi nuk e ndali projektin e vet për gjenocid në Kosovë. Cilat ishin efektet diplomatike të asaj periudhe?
Bardhyl Mahmuti: Prania ndërkombëtare në Kosovë nuk e parandaloi zbatimin e politikës së gjenocidit në Kosovë. Megjithatë, nuk e di se çfarë kahe do të kishin marrë ngjarjet nëse nuk do të kishin qenë në terren pjesëtarët e Misionit Verifikues në Kosovë. Guximi i kreut të këtij misioni, diplomatit amerikan William Walker, për ta shpalosur përpara opinionit publik ndërkombëtar aktin gjenocidial në fshatin Reçak, krijoi një dinamikë të tillë të mobilizimit ndërkombëtar që rezultoi me Konferencën Ndërkombëtare në Rambouillet të Francës, refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen, ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe përfundimi i luftës! Kam bindjen e plotë se serioziteti që kemi treguar në çaste vendimtare ka ndikuar që të arrijmë deri te çlirimi i vendit dhe realizimi i pavarësisë së Kosovës, me të gjitha mangësitë që ka!

(Muhamet Mavraj / 15.09.2023)

Pjesën tjetër të intervistës do ta lexoni të hënën e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një automjet i blinduar i tipit “Pinzgauer” dhe një kundërajror,…