Intervistë / Jam i sigurt në pafajësinë e personaliteteve emblematike të UÇK-së

10 maj 2026 | 13:59

Çështja e shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës ka ngjallur reagime të shumta. Për këtë çështje kërkuam mendimin edhe të politologut dhe shkrimtarit Bardhyl Mahmuti, i cili gjatë luftës ka qenë Përfaqësues Politik i UÇK-së.

Në një intervistë të shkurtë për “Epokën e re”, ai ka theksuar se asnjëri nga 127 dëshmitarët e prokurorisë të cilët kanë dëshmuar në sallën e gjyqit në Speciale, nuk solli asnjë provë të vetme që do të vërtetonte akuzat e sajuara në Beograd dhe të formësuar në një aktakuzë që mban emrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Ndërkaq sipas tij, nga ana tjetër, jemi dëshmitarë të faktit se mbrojta e të akuzuarve solli personalitete me integritet të njohur ndërkombëtarësh që thye shtyllën kurrizore të aktakuzës, duke shpërfaqur publikisht argumente të pakontestueshme për pafajësinë e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Bardhyl Mahmuti ka thënë se është i sigurt në pafajësinë e personaliteteve emblematike të UÇK-së. “Në rastin konkret, unë jam tërësisht i SIGURT në pafajësinë e tyre, sepse gjatë procesit gjyqësor dolën në shesh argumente të pakontestueshme që çmontuan tërësisht sajesat serbe mbi të cilat prokurorët kishin përpiluar aktakuzën”, ka deklaruar Përfaqësues Politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti.

“Epoka e re”: Në kohën kur pritej nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale në Hagë të shpallte vendimin për procesin gjyqësor kundër figurave emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Rexhep Selimi dhe z. Jakup Krasniqi, ata e shtynë afatin deri në muajin korrik. Si e shihni këtë shtyrje afati?
Bardhyl Mahmuti: Që nga hapja e procesit gjyqësor më 5 nëntor 2023 e deri në përfundim të dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë, trupi gjykues dhe qytetarët e Kosovës që kanë ndjekur procesin gjyqësor nëpërmjet mediave, kanë pasur mundësi të konstatojnë se asnjëri nga 127 dëshmitarët e prokurorisë që dëshmuan në sallën e gjyqit, nuk solli asnjë provë të vetme që do të vërtetonte akuzat e sajuara në Beograd dhe të formësuar në një aktakuzë që mban emrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë të faktit se mbrojta e të akuzuarve solli personalitete me integritet të njohur ndërkombëtarësh që thye shtyllën kurrizore të aktakuzës, duke shpërfaqur publikisht argumente të pakontestueshme për pafajësinë e z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Rexhep Selimi dhe z. Jakup Krasniqi. Nëse shtyrja e shpalljes së vendimit është bërë për shkak të nevojës për të çmontuar tërësisht dhe hollësisht të gjitha pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe të hedhin poshtë të gjitha sajesat serbe për luftën çlirimtare të Kosovës, atëherë mund të gjendet njëfarë “mirëkuptimi” për vazhdimin e mbajtjes padrejtësisht prapa grilave të njerëzve që janë tërësisht të pafajshëm.

“Epoka e re”: Personalitete të shumta dhe struktura politike dhe ato të dala nga lufta çlirimtare kanë shprehur publikisht besimin e tyre të plotë se udhëheqësit e UÇK-së janë tërësisht të pafajshëm. Në qëndrimin tuaj keni pasur një nuancë dallimi. Si qëndron puna?
Bardhyl Mahmuti: Çështje e “BESIMIT” është çështje subjektive, ku personi është i bindur për diçka, pa pasur prova objektive. Në rastin konkret, unë jam tërësisht i SIGURT në pafajësinë e tyre, sepse gjatë procesit gjyqësor dolën në shesh argumente të pakontestueshme që çmontuan tërësisht sajesat serbe mbi të cilat prokurorët kishin përpiluar aktakuzën. Prandaj shpresoj që pafajësia objektive e të akuzuarve në këtë proces politik të konfirmohet nëpërmjet vendimit të trupit gjykues. Mund të ndodh gjithçka, por unë nuk besoj se juristë të lindur dhe të shkolluar në shtetet demokratike do të anashkalojnë argumentet e shumta për pafajësinë e të akuzuarve dhe të pranojnë për të vërteta sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë. Pra nuk besoj se këta juristë do të pranojnë me vetëdije të plotë të bëhen pjesë e skandalit më të madh dhe të mbeten në analet e historisë si gjyqtarë që përdhosën drejtësinë, duke përligjur sajesat e një pale ndërluftuese kundër palës tjetër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Trepça ka njoftuar se të gjitha biletat për ndeshjen…