Intervistë / Krasniqi: Pres nga Gjykata Kushtetuese t’i jep zgjidhje kushtetuese ngërçit politik

26 maj 2020 | 21:19

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend.

Ai ka thënë se ambienti politik si dhe debati politik janë tepër larg asaj që do të duhej të ishin.

Sipas Krasniqit, të gjitha koalicionet qeverisëse në Kosovë pas pavarësisë si dhe këto të fundit kanë treguar se u mungon përgjegjësia dhe kultura për të gjetur gjuhën e qeverisjes për të mirën e vendit e të qytetarit.

Duke folur për vendimin që pritet ta japë këtë javë Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin (Avdullah Hoti) për formimin e qeverisë së re, Krasniqi ka theksuar se pret nga Gjykata Kushtetuese të jetë në rolin e saj kushtetues për t’i dhënë një zgjidhje kushtetuese këtij ngërçi politik që nuk i duhet askujt.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë me dije se praktika parlamentare e njeh shumicën parlamentare. “Tani ne në Kosovë përveç Kushtetutës kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014, varet shumë se në cilën rrugë ecën Gjykata Kushtetuese, por praktika parlamentare e njeh shumicën parlamentare, besoj që kjo praktikë parlamentare e shumicës parlamentare i është e njohur edhe politikës sonë. Partitë politike duhet ta dinë se në Kosovë nuk ka pasur parti fituese, ka pasur parti të parë dhe kjo nuk është e njëjta gjë”, ka thënë Krasniqi.

Në këtë intervistë Krasniqi ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se dialogu deri më tani më shumë ishte monolog sesa dialog. “Dialogu është në këtë nivel edhe për faktin se presioni ndërkombëtar nuk është bërë në adresë të duhur. Dhe adresa e duhur mbase edhe e vetme ka qenë e ka mbetur Serbia me politikat e saja agresive. Sipas njohurive e bindjeve të mia, Serbia nuk është e gatshme për dialog e marrëveshje, pasi ajo që dyzet e më tepër vite nuk ka qenë e gatshëm për bashkëpunim e partneritet”, ka thënë Krasniqi.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi klasa politike në vend pozitë e opozitë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi për mandatarin për formimin e qeverisë së re. Çfarë vendimi prisni ju nga Kushtetuesja?
Krasniqi: Në rend të parë pres nga politika dhe “ekspertët” që ta kuptojnë se Gjykatës Kushtetuese e Kosovës nuk është Gjykatë Apeli apo Gjykatë Supreme në kuadër të Sistemit të Drejtësisë, është gjykatë për interpretimin e kushtetutshmërisë dhe për të lehtësuar e jo ndërlikuar vendimmarrjen politike, sidomos atëherë kur politika e bënë interpretimin sipas këndvështrimeve të ngushta partiake. Pres që Gjykata Kushtetuese të jetë në rolin e saj kushtetues për t’i dhënë një zgjidhje kushtetuese këtij ngërçi politik që nuk i duhet askujt.

“Epoka e re”: Ju keni qenë kryetar i Kuvendit për dy mandate, dhe po duam një mendim tuajin. A mund ta bëjë qeverinë një shumicë tjetër parlamentare pas mocionit pa pasur nevojë të shkohet në zgjedhje?
Krasniqi: Tani ne në Kosovë përveç Kushtetutës kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014, varet shumë se në cilën rrugë ecën Gjykata Kushtetuese, por praktika parlamentare e njeh shumicën parlamentare, besoj që kjo praktikë parlamentare e shumicës parlamentare i është e njohur edhe politikës sonë. Partitë politike duhet ta dinë se në Kosovë nuk ka pasur parti fituese, ka pasur parti të parë dhe kjo nuk është e njëjta gjë. Populli që po thirren shumë, partisë së parë ia ka dhënë vetëm një mundësi: Me pasë të drejtën për të zgjedh i pari aleatin e koalicionit qeverisës.

“Epoka e re”: Me sa di ju nuk keni dhënë asnjë qëndrim tuajin për Qeverinë Kurti për ato ditë të punës para mocionit dhe tash vazhdimit të saj si qeveri në detyrë. A keni prit që kjo qeveri do ta ketë kaq shkurt jetëgjatësinë?
Krasniqi: Jo se ambienti politik si dhe debati politik janë tepër larg asaj që do të duhej të ishin. Kurse sa i përket pjesës së fundit të pyetjes suaj, se a e kam pritur këtë jetëgjatësi të shkurtër, thënë sinqerisht nuk e kam pritur jo vetëm jetën kaq të shkurtër të kësaj qeverie?!

“Epoka e re”: Nisma Socialdemokrate është shprehur kundër zgjedhjeve të reja dhe ka shprehur gatishmërinë për një koalicion me LDK-në, AAK-në dhe minoritetet nëse Kushtetuesja i jep të drejtën e formimit të qeverisë kësaj shumice. A mund të funksionojë një koalicion i tillë?
Krasniqi: Të gjitha koalicionet qeverisëse në Kosovë pas pavarësisë si dhe këto të fundit kanë treguar se u mungon përgjegjësia dhe kultura për të gjetur gjuhën e qeverisjes për të mirën e vendit e të qytetarit. Të shpresojmë, se nga praktikat e këqija do ta nxjerrim më në fund rrugën e duhur. A do të ndodh tani? Shpresa ka pak. Po, duhet ecur përpara.

“Epoka e re”: Keni dhënë qëndrime disa herë për dialogun Kosovë-Serbi. Me rifillimin e dialogut çfarë qasje duhet të ketë udhëheqja e Kosovës në këtë proces, kur dihet se tanimë kemi një angazhim edhe të ShBA-së?
Krasniqi: Dialogu është tepër i nevojshëm, por dialogu deri më tani më shumë ishte monolog sesa dialog. Dialogu është në këtë nivel edhe për faktin se presioni ndërkombëtar nuk është bërë në adresë të duhur. Dhe adresa e duhur mbase edhe e vetme ka qenë e ka mbetur Serbia me politikat e saja agresive. Sipas njohurive e bindjeve të mia, Serbia nuk është e gatshme për dialog e marrëveshje, pasi ajo që dyzet e më tepër vite nuk ka qenë e gatshëm për bashkëpunim e partneritet.

(Mal Qorraj / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverdes, nuk po i pëlqen ideja…