“Marshi për drejtësi” po merr mbështetje maksimale, UÇK-ja i përket secilit qytetar

29 mars 2023 | 19:15

Këtë të diel platforma “Liria ka emër” organizon marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Deri më tani ky marsh ka marrë mbështetje të madhe nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, disa parti politike, deputetë, shoqëria civile, artistë, shoqata dhe organizata të ndryshme dhe nga disa oda ekonomike.

Ideatori i platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ka theksuar se ky marsh do të përçojë dy mesazhe: njëri mesazh do të jetë thirrje për drejtësi, tjetri për shprehje të mirënjohjes.

Ai ka thënë se është i nevojshëm përbashkimi i shoqërisë sonë rreth disa temave që janë premisa mbi të cilat janë ndërtuar dinjiteti dhe krenaria jonë kombëtare.

Tasholli ka theksuar se deri më tani në çdo takim që kanë pasur, “Marshi për drejtësi” ka marrë mbështetja maksimale.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm për peshën e situatës ku ndodhemi sot dhe e konsiderojnë përkrahjen të nevojshme. Tekefundit, secili e respekton veten kur respekton periudhën më të ndritur të historisë së re të vendit tonë qoftë edhe nëpërmjet simbolikës së marshit”, ka thënë ai.

Tasholli në këtë intervistë ka thënë se UÇK-ja i përket secilit qytetar të këtij vendi, duke theksuar se ish-krerët e saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, nuk janë emra të përveçëm, por janë disa nga emrat e lirisë.

“Duhet të jemi shumë të vëmendshëm në kompleksitetin e ngjarjeve që po rrjedhin atje, duke lënë anash hidhërimet politike tipike ballkanike dhe ta dëshmojmë maturinë si veprim të përbashkuar. Mos ta harrojmë, duke mbrojtur ata atje e mbrojmë vetveten, mbrojmë të ardhmen tonë”, ka deklaruar Tasholli.

“Epoka e re”: Platforma “Liria ka emër” më 2 prill do të mbajë marsh për drejtësi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Po dihet qëllimi i këtij marshi, por më gjerësisht cili do të jetë mesazhi që do të jepni këtë të diel?
Tasholli: E kemi përsëritur në vazhdimësi rëndësinë dhe nevojën e përbashkimit të shoqërisë tonë rreth disa temave që janë premisa mbi të cilat janë ndërtuar dinjiteti dhe krenaria jonë kombëtare. Shenja që e ka fuqinë e ruajtjes së kohezionit shoqëror, pa asnjë dyshim, është UÇK-ja. Këtë të diel e kemi mundësinë e përçimit të dy mesazheve. Njeri mesazh do të vijë në formën e thirrjes për drejtësi, tjetri mesazh do të jetë ai i mirënjohjes. Mirënjohjes së atyre që dikur marshuan për liri. Sepse fara më e keqe që mund të mbillet në një shoqëri është mosmirënjohja dhe nuk guxon të na ndodhë kjo.

“Epoka e re”: Keni pasur disa takime me parti politike, organizata dhe shoqata të ndryshme. Sa keni mundur të merrni përkrahje për këtë marsh dhe a prisni që më 2 prill përkrahja të jetë e madhe?
Tasholli: Në secilin takim që kemi pasur thirrja jonë për mbështetje ka gjetur mirëkuptimin maksimal. Të gjithë janë të vetëdijshëm për peshën e situatës ku ndodhemi sot dhe e konsiderojnë si të nevojshme përkrahjen. Tekefundit, secili e respekton veten kur respekton periudhën më të ndritur të historisë së re të vendit tonë qoftë edhe nëpërmjet simbolikës së marshit.

“Epoka e re”: A është e mjaftueshme kjo përkrahje?
Tasholli: Shpresojmë që do të jetë mjaftueshëm e dinjitetshme edhe pse kurrë nuk është boll për ata që i dhanë të gjitha për këtë vend.

“Epoka e re”: Ju si ideator i platformës “Liria ka emër” keni theksuar më herët se ky proces nuk ka të bëjë me emra të përveçëm, por me UÇK-në, një epokë e cila ka sjellë lirinë e këtij populli.
Tasholli: E vërtetë. Ne si shoqëri duhet ta ushtrojmë dhe zhvillojmë sensin e dallueshmërisë së asaj çfarë quajmë politike ditore dhe vlera të përjetshme universale. Ata atje nuk janë emra të përveçëm. Ata atje janë disa nga emrat e lirisë. UÇK-ja i përket secilit qytetar të këtij vendi dhe mbi këtë fakt duhet ta mendojmë reagimin kur historia rrezikohet nga riinterpretimet e saj. Ajo se çfarë do të vendoset në Hagë do të përcaktojë jo vetëm të sotmen tonë, por edhe të ardhmen e Kosovës. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm në kompleksitetin e ngjarjeve që po rrjedhin atje, duke lënë anash hidhërimet politike tipike ballkanike dhe ta dëshmojmë maturinë si veprim të përbashkuar. Mos ta harrojmë, duke mbrojtur ata atje e mbrojmë vetveten, mbrojmë të ardhmen tonë.

“Epoka e re”: Kanë kaluar dy vjet që ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim. Si e keni parë ju këtë proces gjyqësor të Dhomave të Specializuara?
Tasholli: Nuk dua të flas për procesin si të tillë, sepse do të më duhej edhe autoriteti juridik të ma legjitimoj diskursin. Ka shumë paradokse, dilema dhe apori etike.

(Mal Qorraj / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka…