Nuk kemi asnjë dilemë për fitoren e LDK-së më 29 nëntor

25 tetor 2020 | 11:45

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, është shprehur i bindur në fitoren e vet më 29 nëntor.

Ai ka bërë me dije se qytetarët e Komunës së Podujevës e kanë vetëm një adresë politike dhe ajo është LDK-ja.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Rudari ka thënë se fitoren e synon pa balotazh.

“Qytetarët e kësaj komune e kanë një adresë politike dhe ajo adresë është Lidhja Demokratike e Kosovës. Natyrisht se jemi të bindur se do të fitojmë qysh në raundin e parë, sepse kemi ofertën më të mirë dhe, gjithashtu, kemi bërë punë të mira deri më tani. Pra nuk kemi asnjë dilemë në fitoren tonë më 29 nëntor”, ka deklaruar Rudari.

Ai ka vlerësuar se fitoren do t’ia sjellin punët e mira që deri më tani i ka bërë qeverisja në Podujevë. “Edhe për këtë intervistë po ju lajmërohem nga terreni, ku jam duke i mbikëqyrur punimet për shtrimin e disa rrugëve dhe rrugicave që kanë mbetur në disa fshatra të komunës. Ajo që shoh nga terreni është një disponim i mirë i qytetarëve për këto zgjedhje. Qeverisja jonë ka bërë punë të mira dhe do të vazhdojmë të bëjmë punë të mira”, ka deklaruar ai.

Rudari ka thënë se nuk është sikurse dy kundërkandidatët e tij të cilët nuk jetojnë në Podujevë. “Ne i njohim mirë qytetarët e kësaj komune, sepse jetojmë bashkë me ta në Podujevë. Domethënë unë nuk jam banor rezident i një komune tjetër që të vij e të kandidoj për kryetar të Komunës së Podujevës. Unë jam i lindur këtu, jetoj këtu dhe nuk kam banesë në Prishtinë. Pra më njohin mirë qytetarët e kësaj komune, por edhe unë i njoh ata”, është shprehur Rudari.

Duke treguar për ofertën e tij për qytetarët e kësaj komune, Rudari ka thënë se do ta vazhdojë realizimin e projekteve të zotuara më herët.

“Epoka e re”: Z. Rudari, presidenti ka vendosur që më 29 nëntor të mbahen zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës. Si e keni parë këtë vendim për këtë datë?
Rudari: Ne e kemi mirëpritur caktimin e datës për zgjedhje në Podujevë. Ne si subjekt politik kemi qenë të përgatitur që zgjedhjet të mbahen edhe në muajin mars, por situata epidemiologjike dihet çfarë ka qenë atëherë dhe është dashur të anulohen. Shpresoj se gjatë kësaj kohe nuk do të kemi rritje të madhe të të infektuarve dhe ky proces zgjedhor do të shkojë ashtu siç duhet.

“Epoka e re”: Sa jeni të gatshëm për këto zgjedhje?
Rudari: Ne si subjekt i madh politik, pra si subjekt me traditë në organizim, vazhdimisht kemi pasur kontakte me strukturat tona, me qytetarët e kësaj komune dhe kemi qenë në pritje të caktimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve. Ne kemi qenë dhe jemi të përgatitur për këto zgjedhje.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta juaj për qytetarët e kësaj komune?
Rudari: Ne e kemi programin e punës të cilin e kemi miratuar në zgjedhjet e fundit lokale. Kështu që, ne do të vazhdojmë t’i realizojmë ato premtime dhe zotime që janë të parapara në programin tonë qeverisës katërvjeçar. Dihet se në muajin tetor të vitit të ardhshëm pastaj do të organizohen zgjedhjet e reja lokale dhe për ato zgjedhje do të dalim me program të ri. Ndërsa për këtë mandat do të vazhdojmë t’i zbatojmë të gjitha ato obligime dhe zotime që i kemi marrë para tri vjetësh e gjysmë.

“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni për ditën e zgjedhjeve?
Rudari: Edhe për këtë intervistë po ju lajmërohem nga terreni, ku jam duke i mbikëqyrur punimet për shtrimin e disa rrugëve dhe rrugicave që kanë mbetur në disa fshatra të komunës. Ajo që shoh nga terreni është një disponim i mirë i qytetarëve për këto zgjedhje. Qeverisja jonë ka bërë punë të mira dhe do të vazhdojmë të bëjmë punë të mira. Ne i njohim mirë qytetarët e kësaj komune sepse jetojmë bashkë me ta në Podujevë. Domethënë unë nuk jam banor rezident i një komune tjetër që të vij e të kandidoj për kryetar të Komunës së Podujevës. Unë kam lindur këtu, jetoj këtu dhe nuk kam banesë në Prishtinë. Pra më njohin mirë qytetarët e kësaj komune, por edhe unë i njoh ata. Ua di shqetësimet dhe problemet. Kështu që, besoj se ata do të dinë të përcaktohen drejt në ditën e zgjedhjeve më 29 nëntor.

“Epoka e re”: Pse po e përmendni çështjen e banimit? Kundërkandidatët tuaj nuk jetojnë në Podujevë?
Rudari: Jo. Ata asnjëri nuk jetojnë në Podujevë. Të dytë jetojnë në Prishtinë. Njëri në Prishtinë e tjetri në Bërnicë. Ata në Podujevë vijnë vetëm gjatë fundjavës.

“Epoka e re”: Mendoni se nuk është e drejtë të kandidohet për kryetar të komunës nëse nuk jeton aty?
Rudari: Njerëzit kanë të drejtë të jetojnë ku të duan, mirëpo ata që jetojnë me qytetarët e kësaj komune janë më afër shqetësimeve të tyre dhe i njohin më mirë problemet e tyre sesa ata që vijnë vetëm në fundjavë.

“Epoka e re”: Besoni se kjo do të jetë një përparësi për ju?
Rudari: Natyrisht se kjo është përparësi për mua, sepse jetoj këtu, i njoh dhe më njohin më mirë njerëzit e kësaj komune. Ndërsa, siç thashë, ata vijnë vetëm gjatë fundjavës.

“Epoka e re”: Pretendimet e tyre janë se do ta fitojnë këtë garë zgjedhore. Sidomos kandidati i LV-së, Shpejtim Bulliqi, është shprehur i bindur se do të fitojë më 29 nëntor.
Rudari: Ai po harron se më nuk është në LDK. Ka qenë rreth 28 vjet në këtë parti, por nuk është më. Sigurisht se po llogarit në votat e LDK-së për t’u bërë kryetar. Ai duhet ta dijë se LDK-ja nuk ka vota për kandidatët e partive të tjera. Votat e LDK-së janë për kandidatin e kësaj partie. Ai ende nuk po e kupton se më nuk është në LDK, por është kandidat i LV-së.

“Epoka e re”: Sa besoni se do të arrini ta mbroni bastionin e LDK-së?
Rudari: Mendoj dhe jam shumë i bindur se qytetarët e kësaj komune do të dinë ta vlerësojnë secilin prej kandidatëve për kryetar dhe, gjithashtu, subjektet politike që ata përfaqësojnë. Pra ata më njohim mua dhe partinë që e përfaqësoj. Unë prej dhjetë vjetësh kam qenë në shërbim të tyre, qoftë si drejtor i arsimit dhe si nënkryetar i komunës për një mandat e gjysmë. Kështu që, e kanë më të lehtë të zgjedhin. Pra qytetarët kanë një adresë. Ajo është LDK-ja.

“Epoka e re”: Fitoren e synon në raundin e parë apo të dytë?
Rudari: E thashë se qytetarët e kësaj komune e kanë një adresë politike dhe ajo adresë është Lidhja Demokratike e Kosovës. Natyrisht se jemi të bindur se do të fitojmë qysh në raundin e parë, sepse ne kemi ofertën më të mirë dhe kemi bërë punë të mirë deri më tani. Në këtë mënyrë nuk kemi asnjë dilemë në fitoren tonë më 29 nëntor.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rashit Qalaj është sistemuar në pozitën e këshilltarit të shefit…