Ripërcaktimi i kufijve përmbyll kapitullin e konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan

11 dhjetor 2022 | 17:25

-Veriu është barrë e rëndë për Kosovën, qasja e kryeministrit Albin Kurti, e gabuar

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se veriu vazhdon të jetë një barrë e rëndë për Kosovën.

Ai theksuar se politika, jo vetëm që e ka injoruar veriun, por e ka drejtuar debatin për zgjidhjen e problemit të tij në funksion të luftës së brendshme politike.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Murati ka deklaruar se qasja e deritashme e kryeministrit Kurti nuk ka zgjidhur asgjë në veriun e vendit.

Ndërsa duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Murati ka thënë se themelimi i tij do të shndërrohej në një gur të rëndë mbi shpinën e shtetit të brishtë të Kosovës.

Në këtë kontekst, Murati ka thënë se në situatën në të cilën është Kosova, nën presionin për të zbatuar asociacionin dhe për t’u bërë pjesë e një marrëveshjeje që nuk është zgjidhje e problemeve me Serbinë, qasja më e duhur është që në tavolinën e bisedimeve të shtrohet për zgjidhje edhe çështja e Kosovës Lindore.

“Ripërcaktimi i kufijve do të shënonte përmbylljen e kapitullit të konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan dhe besoj se do të shënonte fillimin e një epoke të re në këto marrëdhënie e në kuadër të tyre edhe të Kosovës me Serbinë”, ka thënë Murati.

Intervistoi: Lirim GECI

“Epoka e re”: Z. Murati si jeni duke i parë zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, sidomos ato në raport me dialogun me Serbinë, duke përfshirë veriun?
Murati: Duan apo nuk duan kryeministrat tanë, qeveritë dhe partitë politike, çështja e marrëdhënieve me Serbinë do të përcaktojë fatin e çdo qeverie deri në zgjidhjen e këtyre marrëdhënieve. Kjo edhe për faktin se dialogu dhe rezultatet e tij lidhen edhe me sigurinë rajonale e cila në dritën e agresionit rus në Ukrainë merr peshë edhe më të madhe. Situata e kohëve të fundit, duke filluar nga “kriza e targave” deri tek kriza e këtyre ditëve, që po manifestohet me incidente të përnatshme në veri, e që fillimisht lidhej me zgjedhjet lokale në veriun e vendit si pasojë e largimit nga institucionet e përfaqësuesve serb e dëshmon këtë. Tani ndonëse kemi shtyrje të zgjedhjeve, veriu vazhdon të jetë i tensionuar dhe i bllokuar për shkak të arrestimit të një ish-polici serb, i cili ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyrave të KQZ-së dhe policisë në veri. Ky bllokim në të vërtet është një reaksion dhe mesazh politik për të dëshmuar se Kosova e ka vështirë të vendos rend dhe ligj në atë pjesë të vendit. Veriu i vendit është një barrë e madhe për Kosovën, e të cilën politika jonë jo vetëm që e ka injoruar, por e ka drejtuar debatin për zgjidhjen e problemit të tij në funksion të luftës së brendshme politike dhe si mjet elektoral. Sigurisht krejt kjo situatë lidhet me dialogun, me presionin ndërkombëtar, me faktin se të dyja palët për arsye të ndryshme nuk janë entuziaste me atë që po quhet plani franko-gjerman. Ndonëse është i rëndësishëm pozicioni dhe qasja e Serbisë, se me të duhet të merremi vesh, ne në radhë të parë duhet të brengosemi për pozicionin dhe hapat që po i merr qeveria jonë. Për mendimin tim, politika populiste e kryeministrit Kurti, nuk identifikohet askund më shumë se me qasjen që ka ai ndaj dialogut me Serbinë. Rrjedhimisht qasja e tij e deritanishme nuk ka zgjidhur asgjë në veriun e vendit, por vetëm ka tensionuar situatën dhe e ka shpërfaqur të vërtetën lakuriq mbi veriun e vendit për të cilin qeveritë tona kanë pas krijuar iluzione tek qytetarët dhe opinioni publik se e kanë shtrirë sovranitetin.

“Epoka e re”: Po punën e qeverisë Kurti?
Murati: Realisht ne më shumë duhet të kemi vërejtje për mos punën e qeverisë Kurti, sesa vërejtje për punët që po i bën. Përkundër një opozite të gjatë qeveria Kurti e cila ka ardhur në pushtet duke kritikuar ashpër qeveritë e kaluara, nuk është duke dëshmuar se ka ndonjë vizion të qartë mbi drejtimin që do t’i jap vendit në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë e madje as të sundimit të ligjit. Përderisa nuk vërehet ndonjë vizion, nuk mund të flasim pastaj për politikat konkrete. Si shumë qeveri të kaluara, kemi veprime ad hoc, për më tepër kjo qeveri është një qeveri e reaksionit, e jo një qeveri e aksionit. Edhe në këtë qasjen e reagimit, krijimi i konflikteve dhe shpallja e armiqve nga e gjithë shoqëria, duke u nisur nga sindikatat, për të vazhduar tek bizneset e mediat, e për të përfunduar tek gjyqësia dhe prokuroria mbetet një tipar i mendësisë qeverisëse të kryeministrit Kurti, mendësi që e ka mbjell gjerësisht edhe sa ka qenë në opozitë. E mbi të gjitha deri më tani, kjo qeveri me tërë këtë legjitimitet, në vend se të jetë qeveri e projekteve të mëdha, ajo është qeveri e bllokadave të mëdha. Nën një frikë të supozuar nga mundësia e korrupsionit, kemi bllokim të shumë projekteve dhe një qasje jo të duhur ndaj nismave për investime. Të shpresojmë se kjo logjikë qeverisëse do të ndryshojë në mënyrë që hapet debati për projektet konkrete, e jo për mungesën e tyre.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për “betejën” që Kurti kishte bërë për targat ilegale serbe?
Murati: Është në natyrën e politikanëve populistë, dhe politikave populiste, që të dizajnojnë politika të cilat në dukje janë parimore, të fitojë kështu simpatinë e publikut dhe elektoratit, por të cilat shtyhen përpara për të krijuar tensione dhe për të mos zgjidhur probleme. E tillë është edhe çështja e targave serbe në Kosovë. Ajo në pamje të parë është një çështje e sundimit të ligjit, dhe Kosova është në të drejtën e saj që të shtrij sundimin e ligjit në tërë territorin e saj. Por në anën tjetër, Kosova po ashtu është në një proces negociator. Dhe mbi të gjitha ai proces po zhvillohet për shkak të veriut të vendit dhe vështirësive që Kosova ka pasur prej vitit 1999, e me theks të posaçëm nga ai 2008 që të shtrij sovranitetin atje. Andaj shumë më i rëndësishëm sesa zgjidhja e problemit të targave, është zgjidhja politike e problemit të veriut, në kuadër të së cilës pastaj çështja e targave do zgjidhej lehtësisht. Mbi të gjitha është gabim i jashtëzakonshëm që me Serbinë të negociohet për çështjet e brendshme të Kosovës. Nëse nuk ka mundësi të implementimit të targave të Kosovës apo të ndonjë projekti tjetër, më mirë është të shtyhet deri në një moment të duhur sesa të dialogohet me Serbinë. Në këtë mënyrë nuk ishin tensionuar marrëdhëniet me aleatët tanë, e as nuk do të bëhej Serbia palë në kompromiset që shteti ynë bën për një çështje të sovranitetit të brendshëm.

“Epoka e re”: Bashkësia ndërkombëtareve është duke insistuar që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A do të mund t’i bëjë ballë këtij presioni kryeministri Kurti?
Murati: Çfarëdo përgjigje në këtë pyetje është hipotetike. Sidoqoftë, duke u nisur nga diskursi politik mbi të cilin e ka ndërtuar identitetin e tij politik, fatkeqësisht gjithmonë në funksion të votave dhe luftës për pushtet, e jo zgjidhjes së problemeve, unë konsideroj se kryeministri Kurti nuk do ta zbatojë asociacionin, e sidomos jo nëse ai vjen si parakusht për planin franko-gjerman dhe pa njohjen zyrtare nga ana e Serbisë. Dhe deri këtu, për mendimin tim është në rregull. Problemi fillon kur ky refuzim përcillet me mungesën e opsioneve alternative nga ana e palës sonë. Mungesa e këtyre alternativave e vendos qeverinë tonë në pozicion të vështirë negociues. Unë nuk jam prej atyre që mendojnë se do të ndodhte apokalipsi në rast të refuzimit të zbatimit të asociacionit, edhe pse Kosova e ka pranuar atë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe e ka ligj të brendshëm. Por në anën tjetër Kosova me këtë qasje në bisedime, e nisur që nga viti 2011, ka humbur shumë kohë në zgjidhjen e problemeve që ka me Serbinë dhe rrjedhimisht ka humbur kohë konsolidimin dhe funksionalizimin e brendshëm. Kosova dhe elita politike nuk do të duhej t’i shihte bisedimet me Serbinë si kusht i vendosur nga ndërkombëtarët, por si mundësi për t’i zgjidhur problemet e mbetura me Serbinë. Kur do të shihej kështu dialogu, atëherë qasja jonë do të ishte shumë më aktive, do të kishim më shumë alternativa dhe nuk do të vendosnim vija të kuqe bllokuese në bisedime, por do të përdornim imagjinatën në funksion të vizionit politik që do të ofronte zgjidhje funksionale përmes platformave politike të ndërtuara me kujdes dhe konsensus.

“Epoka e re”: Çfarë do të ndodhte me vendin nëse Kurti do ta pranonte asociacionin të cilin e kishte kundërshtuar fuqishëm?
Murati: Në radhë të parë, zbatimi i asociacionit edhe nëse do të vinte me një avancim në subjektivitetin e jashtëm do të thoshte dobësim i funksionalitetit të brendshëm të Kosovës. Kosova edhe ashtu vuan nga jonfunksionaliteti i brendshëm që buron nga kushtetuta e vet e që rrjedh nga Pakoja e Ahtisaarit, për shkak të garantimit të privilegjeve për pakicën serbe, e sidomos mundësisë që përfaqësuesit politik serb (nën ndikimin e Serbisë, por me mundësi edhe të Moskës) kanë për të bllokuar ndryshimet kushtetuese dhe miratimin e disa prej ligjeve në fushat që konsiderohen vitale. Tash nëse këtij rregullimi ia shtojmë edhe një mekanizëm si asociacioni, qoftë me përgjegjësi e qoftë pa ato ekzekutive, ne futemi në një cikël të ri jofunksionaliteti. Asociacioni që do të grumbullonte komunat serbe si një mekanizëm institucional që ka kryetar, qeveri e asamble kur të kombinohet bashkë me privilegjet kushtetuese që serbët i kanë të garantuara nga Kushtetuta e Kosovës, shndërrohet në një gur të rëndë mbi shpinën e shtetit të brishtë të Kosovës, duke e rënduar funksionalitetin e përditshëm të republikës sonë. Me këtë zgjidhje, problemet nuk mbarojnë, vetëm barten në një nivel tjetër. Tani më, Kosovës do t’i duhet të merret tërë kohën me obstruksionet që do t’i vinin nga asociacioni, sigurisht në këto rrethana të nxitura edhe nga Beogradi zyrtar, duke vënë në pikëpyetje edhe të arriturat e subjektivitetit të jashtëm. Për më tepër në këto rrethanat e reja gjeopolitike, Rusia po ashtu do të mund të shfrytëzonte një mekanizëm të tillë për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Sado i rëndësishëm që është për një shtet dhe sovranitetin e tij pjesa e jashtme e këtij sovraniteti, unë do ta kisha vendosur prioritet në zgjidhjen e problemeve me Serbinë sovranitetin e brendshëm. Ka shtete që janë edhe pjesë e OKB-së por kanë probleme thelbësore me sovranitetin dhe funksionalitetin e brendshëm. Mos të shkojmë hiç më larg se në rajonin tonë dhe ta marrim si shembull Bosnjë dhe Hercegovinën. Andaj mendoj se qasja e qeverive tona, e sublimuar me sloganin e kryeministrit Kurit se ‘bisedimet me Serbinë duhet ta kenë në qendër njohjen’ ka qenë e gabuar. Për më tepër siç po shihet nga ajo që ka dal në opinion nga plani franko-gjerman fare nuk do të ketë njohje me këtë plan. Qasja e vetme e drejtë në këto bisedime është dashur të jetë dhe duhet të jetë reciprociteti në qendër: çfarëdo që zgjidhje që gjendet për veriun e vendit të ofrohet për Kosovën Lindore.

“Epoka e re”: A mund ta dërgojë vendin në zgjedhje refuzimi i asociacionit?
Murati: Nuk mendoj që si i vetëm, refuzimi i zbatimit të asociacionit do ta dërgonte vendin në zgjedhje, përderisa dështimi i arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë edhe mund të krijojë rrethana për zgjedhje të reja. Ai që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje për shkak të presionit për asociacionin është vetëm kryeministri Kurti. Sidoqoftë njëherë përnjëherë nuk po duket se ka gjasa që të kemi zgjedhje së shpejti. Në parim ne kemi një qeveri me një legjitimitet të madh popullor, me mundësi që ky legjitimitet të shfrytëzohet për të zgjidhur problemet më të mprehta me Serbinë dhe nuk është në interesin e Kosovës që vendi të shkojë në zgjedhje. Por këto rrethana mund të ndryshojnë dhe varen jo vetëm nga zhvillimet e brendshme dhe faktorët e brendshëm politik, por edhe ndikimi që mund të kenë faktorët e jashtëm në proceset e brendshme e sidomos sa i përket dinamikës dhe rezultateve të dialogut me Serbinë.

“Epoka e re”: Kur jemi të marrëveshjet Kosovë-Serbi, çfarë vlerësimi keni për planin franko-gjerman?
Murati: Siç e theksova më herët, ky plan (për aq sa ka dal në opinion dhe komentuar jo zyrtarisht), i cili nuk është një plan përfundimtar, ka bërë përpjekje të balancojë interesat e të dy palëve. Në planin e sovranitetit të jashtëm Kosovës i hapet rruga për njohjen nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, hapja e rrugës për anëtarësim në NATO, etj. Serbisë nuk i kërkohet të njoh shtetin e Kosovës, por në një mënyrë i kërkohet të njoh gjendjen faktike juridike. Në këtë drejtim, ky plan është më i favorshëm për Kosovën. Sidoqoftë, ky plan duket se përmban edhe pjesën që obligon Kosovën të zbatojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë drejtim, ky asociacion e godet sovranitetin e brendshëm të Kosovës, rrjedhimisht funksionalitetin e saj. Po ashtu duke qenë se plani nuk është përfundimtar, dhe nuk i kërkohet Serbisë njohje eksplicite në këtë fazë, i jep planit një përkohshmëri, duke synuar të balancojë interesat e Serbisë. Për shkak të këtij konteksti të komplikuar dhe kompleks, personalisht nuk besoj se plani do të pranohet nga të dyja palët. Ndonëse për aq sa po mund të përvijohet nga qëndrimet qoftë të qeverisë sonë, qoftë të presidentit Vuçiq, ka një tendencë që refuzimi fillestar t’i atribuohet palës tjetër në mënyrë që kështu të përfitohet ndonjë simpati në raport me ndërkombëtarët.

“Epoka e re”: Z. Murati jeni nga të pakët politikanë që jeni duke insistuar në idenë e korrigjimit të kufijve. Mund të na zbërtheni se mund të duket korrigjimi i kufijve?
Murati: Në radhë të parë Kosova duhet t’i ik një gracke në të cilën është futur që nga viti 2011, që në bisedimet me Serbinë të flitet për çështjet e brendshme të Kosovës. Ka ndodhur një përjashtim i shkurtër në këtë qasje, atëherë kur në vitin 2018, si rezultat i një konteksti ndërkombëtar të favorshëm, u hap për bisedime çështja e korrigjimit të kufijve dhe kur ish-presidenti Thaçi theksoi se pjesë e këtij korrigjimi duhet të jetë edhe Kosova Lindore. Përndryshe as kjo qeveri që ka ardhur me aq bujë kundër këtij formati të bisedimeve nuk ka dal nga kjo grackë, përkundrazi është futur edhe më thellë në të, duke vazhduar dhe zbatuar marrëveshje që kanë të bëjnë me çështje të brendshme të Kosovës (si energjia, letërnjoftimet, targat etj.). Kosova dhe Serbia kanë probleme të pazgjidhura dhe ato janë pozita e serbëve në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan në njërën anë dhe pozita e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Këto probleme duhet të zgjidhen duke zbatuar parimin e reciprocitetit. Çfarëdo zgjidhje që do të vlejë për veriun e Kosovës duhet të vlejë edhe për Kosovën Lindore. Në situatën në të cilën është Kosova, nën presionin për të zbatuar asociacionin dhe për t’u bërë pjesë e një marrëveshjeje që nuk është zgjidhje e problemeve me Serbinë, qasja më e duhura dhe më e drejta është që në tavolinën e bisedimeve të shtrohet për zgjidhje edhe çështja e Kosovës Lindore dhe e shqiptarëve që jetojnë atje duke u bazuar në parimin e reciprocitetit. Në këtë drejtim, nëse i njëjti asociacion, përcjell me ndryshime kushtetuese në Serbi, ku shqiptarëve do t’u garantoheshin të njëjtat zgjidhje kushtetuese si për serbët në Kosovë, atëherë edhe zbatimi i asociacionit në Kosovë do të mund të ishte opsion. Nuk ka dyshim se një qasje e tillë, logjikshëm do të hapte mundësinë që duke mos u futur në aranzhmane të tilla të komplikuara kushtetuese, juridike dhe politike, të zgjidhnim problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht çështjen shqiptaro-serbe përmes ripërcaktimit të kufijve duke u bazuar në vetëvendosjen e popujve të atyre pjesëve. Andaj si zgjidhje përfundimtare, e cila Kosovën jo vetëm se do ta funksionalizonte në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, por do të hapte rrugën edhe për bashkimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, është ripërcaktimi i kufijve: pjesa ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të bashkohen me Kosovën, pjesa ku serbët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të bashkohen me Serbinë.

“Epoka e re”: A besoni se korrigjimi i kufijve do t’i jepte fund mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi dhe rrjedhimisht edhe asociacionit?
Murati: Ripërcaktimi i kufijve do të shënonte përmbylljen e kapitullit të konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan dhe besoj se do të shënonte fillimin e një epoke të re në këto marrëdhënie e në kuadër të tyre edhe të Kosovës me Serbinë. Sigurisht shekuj të armiqësive, pushtimit dhe luftërave nuk do të mund shpejt e shpejt të harroheshin, por e rëndësishme është se do të krijoheshin kushtet që baza e marrëdhënieve të reja të vendosej. Mbi të gjitha pas ripërcaktimit të kufijve, do të krijoheshin rrethanat që Kosova të ndryshonte kushtetutën e vet dhe të hiqte pengesat kushtetuese për bashkim me Republikën e Shqipërisë. Kështu do të krijoheshin rrethanat që të ndërtoheshin raporte të tjera me Shqipërinë dhe do të hapej rruga për krijimin e një shteti të përbashkët, nëse për këtë do të kishte vullnet të qytetarëve. Për të qenë krejtësisht i sinqertë, unë besoj thellë se në rast të heqjes së pengesave, dhe në një kontekst ndërkombëtar të favorshëm, vullneti për bashkim do të ishte absolut në të dy shtetet tona. Kjo do të ishte e tillë edhe kur të merren parasysh zhvillimet e fundit gjeopolitike, që një shtet i tillë do të ofronte një siguri më të madhe për qytetarët e saj, si dhe një ekonomi më komplementare e kompetitive. Ky shtet i përbashkët do të krijonte një situatë krejtësisht të re në Ballkan, dhe do të ishte përgjigja përfundimtare e synimeve serbe për kthim në Kosovë. Dhe kjo situatë po ashtu do të ndikonte që hapja e kapitulli të ri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe të ndodh në rrethana krejt të tjera dhe shumë më të barabarta se në të kaluarën. Sidoqoftë me apo pa bashkim, përmes kësaj zgjidhjeje, ne përfundimisht do të futeshim në një epokë të re politike në Kosovë, ku qendra e debatit më nuk do të ishim marrëdhëniet me Serbinë dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës, por mirëqenia e qytetarëve, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi e shëndetësia etj. Në një situatë të tillë do të kishim një ndryshim edhe të garniturës politike. Çdoherë e më pak do të kishte vend për politikanë e politika populiste dhe vendin e tyre do ta zinin politikanët racional me politika të përpunuara në fushat konkrete. Përndryshe me problemet e veriut dhe dialogun me Serbinë si tema të vazhdueshme, ne do të kemi në qafë edhe këta politikanë, që armën më të fortë elektorale i kanë politikat populiste dhe raportet me Serbinë.

“Epoka e re”: Z. Murati si çfarë vlerësimi keni për politikën e jashtme të Kosovës?
Murati: Politika e jashtme e shteteve të vogla si Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme e balancuar e fokusuar dhe e koordinuar me ata që i konsideron aleat strategjikë. Përshtypja ime është që politika e jashtme e kësaj qeverie është konfuze dhe pa ndonjë busull të qartë. Ka një tension me aleatët kryesor e sidomos me SHBA-në dhe BE-në e që lidhet kryesisht me qasjen rreth dialogut, dhe ka një izolim të pakuptueshëm në raport me shtetin shqiptar dhe mungesë e dukshme e koordinimit të politikës së jashtme në kohën e ngritjes së peshës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sigurisht në raport me vijën strategjike, siç u dëshmua me qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë, edhe kjo qeveri ka koordinuar politikat e saj me atë të aleatëve. Kohëve të fundit vërehet një aktivizëm në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku është aplikuar në pranverën e këtij viti dhe ku gjasat janë reale për t’i anëtarësuar, përkundër mos procedimit të deritanishëm të kërkesës sonë dhe kushtëzimit jo publik me rezultatet e dialogut. Po ashtu pritet aplikimi për vend kandidat në BE, një hap që ndonëse mund të konsiderohet se nuk do të jap rezultat konkret, duket se qeveria po e bën si një lloj presioni politik mbi Bashkimin Evropian por edhe si një veprim politik në funksion të politikës së brendshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi u largua me sy të përlotur nga fusha e…