Intervistë / Shkarkimi i ambasadorëve, i dëmshëm për diplomacinë

20 maj 2021 | 20:59

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe në Turqi, Avni Spahiu, ka kritikuar veprimin e institucioneve të politikës së jashtme të Kosovës për t’i liruar nga detyra 12 ambasadorë politikë.

Ai ka thënë se shkarkimi përnjëherë i këtyre ambasadorëve është i dëmshëm për diplomacinë e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Spahiu ka vlerësuar se zëvendësimi i tyre është dashur të bëhet në mënyrë graduale.

“Natyrisht se kjo ndikon në politikën e jashtme të Kosovës, pra e dëmton atë. Ka mundur që zëvendësimi i ambasadorëve të bëhet në mënyrë graduale duke filluar prej atyre që kanë mbushur mandatin dhe pastaj me të tjerët gradualisht”, ka thënë Spahiu.

Ai ka bërë me dije se të ngarkuarit me punë nuk mund të veprojnë si ambasadorët fuqiplotë. “Dihet që në disa vende Kosova nuk ka pasur ambasadorë dhe me shkarkimin e këtyre ambasadorëve shtohet numri i vendeve që Kosova nuk ka ambasadorë dhe po vepron me të ngarkuar me punë. Kjo është një e metë për diplomacinë e Kosovës sepse të ngarkuarit me punë nuk janë të plotfuqishëm dhe nuk janë krejtësisht të qasshëm në vendet ku shërbejnë. Prandaj, po them se është veprim i dëmshëm që përnjëherë të largohen 12 ambasadorë”, është shprehur ai.

Ish-ambasadori i Kosovës në Uashington ka thënë se nuk ka pasur ndonjë arsye për këto shkarkime. “Siç po shihet, lirimi i tyre nga detyra është bërë duke mos pasur asnjë vlerësim të punës së tyre. Nuk është e domosdoshme që të bëhet një analizë apo vlerësim i punës së tyre por, faktikisht, nuk ka pasur ndonjë arsye që do të ishte bazë për lirimin e tyre nga detyra”, ka deklaruar Spahiu. Sipas tij, procesi i zëvendësimit të këtyre ambasadorëve duhet të ndodhë shpejt në mënyrë që të mos krijohet një problem më i madh në aspektin e funksionimit normal të shërbimit diplomatik të Kosovës.

Spahiu ka paralajmëruar se zëvendësimin e këtyre ambasadorëve qeveria aktuale do ta bëjë me ambasadorë me “çelës politik”. “Ligji aktual thotë se raporti i ambasadorëve politikë me ata të karrierës duhet të jetë 50 me 50. Nuk besoj se kjo qeveri do të heqë dorë prej këtij raporti. Pra, sigurisht se edhe kjo qeveri do t’i emërojë ambasadorët e vet politikë. Përzgjedhja që duhet ta bëjnë varet prej tyre. Nuk do të hyjë në atë se çfarë profilesh do të duhet të zgjedhin”, ka thënë Spahiu.

“Epoka e re”: Z. Spahiu, me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, presidentja Vjosa Osmani ka liruar nga detyra 12 ambasadorë të cilët kanë qenë të emëruar politikisht. Si e keni parë këtë veprim të institucioneve të Kosovës?
Spahiu: Nëse shikohet nga aspekti formal ligjor këtu nuk ka ndonjë shkelje, sepse këtë ia mundëson ligji. Një parti e re që vjen në pushtet është normale të kërkojë shkarkimin apo zëvendësimin e ambasadorëve politikë, mirëpo largimi i dhjetëra apo më shumë ambasadorëve përnjëherë e dëmton funksionimin normal të misioneve diplomatike.

“Epoka e re”: Sa ndikon në politikën e jashtme të Kosovës largimi i një numri kaq i madh i ambasadorëve?
Spahiu: Natyrisht se ndikon në politikën e jashtme të Kosovës, pra e dëmton atë. Ka mundur që zëvendësimi i ambasadorëve të bëhet në mënyrë graduale duke filluar prej atyre që kanë mbushur mandatin dhe pastaj me të tjerët gradualisht. Dihet se në disa vende Kosova nuk ka pasur ambasadorë dhe me shkarkimin e këtyre ambasadorëve shtohet numri i vendeve që Kosova nuk ka ambasadorë dhe po vepron me të ngarkuar me punë. Kjo është një e metë për diplomacinë e Kosovës, sepse të ngarkuarit me punë nuk janë të plotfuqishëm dhe nuk janë krejtësisht të qasshëm në vendet ku shërbejnë. Prandaj, po them se është veprim i dëmshëm që përnjëherë të largohen 12 ambasadorë.

“Epoka e re”: A është dashur që para se të merret ky vendim të bëhet një vlerësim i punës i këtyre ambasadorëve?
Spahiu: Siç po shihet, lirimi i tyre nga detyra është bërë duke mos pasur asnjë vlerësim të punës së tyre. Nuk është e domosdoshme që të bëhet një analizë apo vlerësim i punës së tyre por, faktikisht, nuk ka pasur ndonjë arsye që do të ishte bazë për lirimin e tyre nga detyra. Gjithashtu, problemi është edhe me ligjin ekzistues, sepse fillimisht Ligji për Shërbimin e Jashtëm ka qenë me një raport 30 për qind e ambasadorëve duhet të jenë politikë, kurse 70 për qind e tyre duhet të jenë diplomatë të karrierës. Pastaj u ndryshua ligji dhe ky raport është bërë 50 me 50. Me sa di, me draftligjin që është duke u punuar tani është paraparë që të kthehet raporti 30 me 70, pra shumica të jenë ambasadorë të karrierës. Kjo flet edhe për këtë fakt se nuk është mirë që raporti të jetë 50 me 50.

“Epoka e re”: Në 23 misione diplomatike tani Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Mund të ketë pasoja për diplomacinë një vakum i tillë?
Spahiu: Shpresoj që ky vakum do të plotësohet së shpejti në mënyrë që të mos krijohet një problem më i madh në aspektin e funksionimit normal të shërbimit diplomatik të Kosovës. Sa më gjatë që të shkojë ky moszëvendësim atëherë dëmi do të jetë më i madh për Kosovën.

“Epoka e re”: Si mendoni se duhet të bëhet zëvendësimi i tyre? Duhet të zëvendësohen prapë me ambasadorë politikë?
Spahiu: Ligji aktual thotë se raporti i ambasadorëve politikë me ata të karrierës duhet të jetë 50 me 50. Nuk besoj se kjo qeveri do të heqë dorë prej këtij raporti. Pra, sigurisht se edhe kjo qeveri do t’i emërojë ambasadorët e vet politikë. Përzgjedhja që duhet ta bëjë varet prej saj. Nuk do të hyj në atë se çfarë profilesh duhet të zgjedhë.

“Epoka e re”: A është praktikë e mirë që kur të ndërrohen pushtetet, të ndërrohen edhe ambasadorët politikë?
Spahiu: Ne e kemi krijuar ligjin e tillë, i cili lejon këtë raport të ambasadorëve politikë me ata të karrierës. Pasojat e atij ligji po i vuajmë edhe tani. Madje ka pasur rast që numri i ambasadorëve politikë ka shkuar deri në 70 për qind, pra përtej asaj që ka lejuar ligji. Ky problem do të vazhdojë me çdo qeveri që do të vijë, sepse baza ligjore është e tillë. Shpresoj se do të bëhet ndryshimi i ligjit aktual, pra të bëhet që 70 për qind e ambasadorëve të jenë të karrierës, kurse 30 për qind të jenë politikë.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Gastronomëve e Kosovës në shenjë revolte për mos…