Intervistë / T’i respektojmë masat kundër Covidit gjatë festës së Bajramit

13 maj 2021 | 10:12

Kryeimami i Bashkësisë Islame i Kosovës, Vedat Sahiti, ka kërkuar nga besimtarët myslimanë që të kenë kujdes dhe t’i respektojnë masat kundër Covidit gjatë festës së Fitër Bajramit.

Ai ka thënë se në kohë pandemie është obligim moral dhe fetar që çdo kush të kujdeset për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka deklaruar se jeta është dhunti e të Zotit dhe ajo duhet të ruhet si amanet i shenjtë. “Apelojmë te të gjithë besimtarët që edhe gjatë kësaj feste të kujdesen për veten e tyre, t’i kushtojnë kujdes higjienës personale, ta ruajnë shëndetin dhe t’u përmbahen rekomandimeve të institucioneve tona shëndetësore ngaqë jeta është dhunti e të Madhit Zot dhe ajo duhet të ruhet si amanet i shenjtë”, ka thënë Sahiti.

Ai ka deklaruar se për shkak të pandemisë janë anuluar pritjet tradicionale për urim në Kryesinë e Bashkësisë Islame. “Meqë jemi në kohë pandemie, ne kemi për obligim moral, fetar dhe njerëzor që të kujdesemi maksimalisht për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit tonë, prandaj ne si Bashkësi Islame kemi anuluar edhe pritjen tradicionale për urim në Kryesinë e Bashkësisë Islame dhe u kemi rekomanduar vazhdimisht besimtarëve që këto vizita mos të bëhen shkak për ta rrezikuar shëndetin e të dashurve tanë, në veçanti të prindërve dhe të gjyshërve në moshë të shtyrë”, është shprehur ai.

Më tutje, kryemami ka sqaruar kushtet në të cilat do të falet namazi i Fitër Bajramit. “Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit do ta kemi kënaqësinë që namazin e Fitër Bajramit ta falim në xhamitë tona, ndërsa namazin e sabahut do ta falim në shtëpi si një masë preventive për shkak të mundësisë së infektimit nga qëndrimi i gjatë brenda objekteve të mbyllura”, ka thënë Sahiti.

“Epoka e re”: Z. Sahiti, të mërkurën përfundon muaji i Ramazanit, ndërsa të enjten është dita e parë e festës së Fitër Bajramit. A do të ketë falje të namazit të Bajramit këtë vit?
Sahiti: Pas një sakrifice dhe përkushtimi njëmujor të besimtarëve gjatë gjithë muajit të bekuar Ramazan, ne me plot gëzim ditën e enjte do t’ua mësyjmë xhamive për ta falur namazin e Fitër Bajramit si shenjë falënderimi e madhërimi për Krijuesin Fuqiplotë. Kjo festë madhore vjen pas kryerjes dhe përmbushjes së një prej pesë obligimeve (kushteve) të fesë islame.
Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit do të kemi kënaqësinë që namazin e Fitër Bajramit ta falim në xhamitë tona, ndërsa namazin e sabahut do ta falim në shtëpi, si një masë preventive, për shkak të mundësisë së infektimit nga qëndrimi i gjatë brenda objekteve të mbyllura.

“Epoka e re”: Për festën e Bajramit vizitat në farefisni janë të pashmangshme. Meqenëse në kohë pandemie këto vizita nuk janë të pëlqyera, cili është mesazhi juaj për besimtarët?
Sahiti: Festat tona fetare tradicionalisht manifestohen dhe karakterizohen nga vizitat e ndërsjella te familjarët, miqtë e dashamirët për faktin se feja jonë e pastër i jep një rëndësi të veçantë kultivimit të marrëdhënieve familjare dhe ndërnjerëzore. Meqë jemi në kohë pandemie, ne kemi për obligim moral, fetar dhe njerëzor që të kujdesemi maksimalisht për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit tonë, prandaj ne si Bashkësi Islame kemi anuluar edhe pritjen tradicionale për urim në Kryesinë e Bashkësisë Islame dhe u kemi rekomanduar vazhdimisht besimtarëve që këto vizita mos të bëhen shkak për ta rrezikuar shëndetin e të dashurve tanë, në veçanti të prindërve dhe gjyshërve në moshë të shtyrë. Apelojmë te të gjithë besimtarët që edhe gjatë kësaj feste të kujdesen për veten e tyre, t’i kushtojnë kujdes higjienës personale, ta ruajnë shëndetin dhe t’u përmbahen rekomandimeve të institucioneve tona shëndetësore ngaqë jeta është dhunti e të Madhit Zot dhe ajo duhet të ruhet si amanet i shenjtë.

“Epoka e re”: Cilat kanë qenë aktivitetet e BIK-ut gjatë këtij muaj? Sa keni arritur t’u dilni në ndihmë besimtarëve gjatë kësaj kohe?
Sahiti: Kryesia e Bashkësisë Islame, në vigjilje të muajit të begatë Ramazan, ka miratuar një platformë të veçantë lidhur me punët, detyrat dhe aktivitetet që do të realizoheshin gjatë këtij muaji të bekuar, gjithnjë duke marrë parasysh masat kundër Covidit. Për realizimin dhe zbatimin e kësaj platforme kanë qenë të përfshira të gjitha drejtoritë dhe të gjithë sektorët e Kryesisë së Bashkësisë Islame, përfshirë këtu edhe këshillat vendore dhe institucionet e tjera të Bashkësisë Islame. Për shkak të masave kundër Covidit një sërë projektesh i kemi anuluar dhe ndërkohë jemi fokusuar më shumë në produksionin tonë, duke realizuar një numër të madh emisionesh, ligjëratash dhe kronikash të cilat i kemi transmetuar në faqet tona zyrtare dhe besojmë se ato e kanë zbutur në masë të madhe mospraninë fizike të ligjëruesve nëpër xhami. Ndërsa sa iu përket ndihmave humanitare dhe mbështetjes së shtresave me gjendje të rëndë sociale, ne gjatë gjithë muajit Ramazan ia kemi dalë të ndihmojmë një numër të madh familjesh skamnore nga fondi i Zekatit dhe Sadakatul Fitrit përmes shoqatës sonë “Bereqeti”, si dhe falë mbështetjes së partnerëve dhe donatorëve vullnetmirë vendorë, nga diaspora dhe të jashtëm.

“Epoka e re”: Është viti i dytë që muajin Ramazan po e presim ndryshe. Për shkak të pandemisë, besimtarët nuk kanë mundur të shkojnë si zakonisht në iftare te njëri-tjetri. Si ka qenë ky muaj për BIK-un dhe sa ka ndikuar pandemia në të ardhurat e kësaj bashkësie?
Sahiti: Gjendja pandemike e ka rënduar jetën sociale dhe ekonomike për të gjithë. S’ka dyshim se edhe ne si Bashkësi fetare jemi ndikuar nga kjo gjendje dhe kemi pasur vështirësi të mëdha për funksionimin normal gjatë kësaj periudhe. Ne si institucion dhe si Bashkësi kemi pasur rënie të theksuar të të hyrave, qoftë nga pagesa e anëtarësisë, qoftë nga të hyrat e Zekatit dhe të Fitrave. Duke pasur parasysh faktin se këto të hyra jepen në bazë vullnetare, pa dyshim se kjo rënie e të hyrave financiare ka ndikuar në masë të madhe për funksionimin e institucioneve dhe të organeve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Por, megjithatë, falënderojmë Zotin që, pavarësisht prej vështirësive, ia kemi dalë mirë.

“Epoka e re”: BIK-u vazhdimisht ka pasur kërkesa të caktuara ndaj institucioneve të Kosovës, që kanë pasur të bëjnë me mësimbesimin, çështjen e financimit të bashkësive fetare etj. A ia keni adresuar këto kërkesa qeverisë së re?
Sahiti: Bashkësia Islame e Kosovës, sikurse edhe bashkësitë e tjera fetare në vend, në mungesë të ligjit që përcakton qartë pozitën juridike të bashkësive fetare, pa dyshim se ka vështirësi të mëdha për funksionim normal e të qëndrueshëm.
Besoj se kjo është kërkesa jonë parësore si Bashkësi Islame dhe në këtë kuadër mendojmë se mund të zgjidhen edhe një mori problemesh dhe kërkesash të tjera që mund t’i kemi ne si Bashkësia më e madhe fetare në vend për të mirën e besimtarëve.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: E. B. White E përktheu: Granit Zela Shumë janë…