Invadimi rus i Ukrainës si sprovë për ndryshime në gjeopolitikë

26 shkurt 2022 | 15:08

Lufta invaduese ndaj Ukrainës, që nisi më 23 shkurt 2022, ndonëse nga vetë presidenti rus V. Putin “arsyetohet” me pretekst gjojanacional si rikthim te “djepi i Rusisë”, në të vërtetë ai nxori në shesh aspiratën për rikthimin e kontrollit nga Rusia ndaj shteteve kufitare me Rusinë, si një neocarizëm, por me këtë dhe përtej kësaj, Rusia po synon rikompozimin e sferave të interesit gjë që, nëse do t’ia dalë, do të sillte një ndryshim radikal gjeopolitik të botëse ky është një rrezik i ri.

Shkruan: Hajdin Abazi

Proceset globale përgjithësisht, përfshirë ato të sigurisë dhe  kooperimit ndërshtetëror, dy dekadat e fundit janë zhvilluar kryesisht në mënyrë evolutive, në kuptimin e shprehjes së aspiratave nga shtetet sovran për t’u pvrfshirë në proceset integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Popujt që kanë shijuar sado pak demokracinë, lirinë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin e vendeve Euro-Atlantike (të NATO-s, të BE-së etj.), e kanë kthyer në përcaktim arritjen e kushteve të tilla në vendet e tyre, duke shprehur aspirate për t’u anëtarësuar, jo për të rrezikuar ndonjë vend tjetër, por sepse vetë ndjehen më mirë në bashkësi të tilla “liberal-demokrtike”.

Ky trend e ka penguar kahmot Rusinë, sidomos pas shembjes së perandorisë sovjetike, kur ajo e humbi dominancën mbi “Bllokun socialist”, dhe vendet dikur anëtre të këtij blloku si Polonia, Çekia, Sllovakia, Bullgaria, Rumunia, Hungaria, vendet baltike etj. iu bashkuan vendeve Euro-Atlantike, gjë që aleanca perëndimore iu afrua në kufij Rusisë, të cilën ajo po e percepton si rrezik dhe po bën përpjekjen për të rikthyer vasalitetin e vendeve të dikurshme të perandorisë sovjetike.

Atë që e humbi Rusia gjatë kohës së tranzicionit dhe për shkak të pafuqisë për të detyruar vendet tashmë të bashkuara perëndimit, në dy dekadat e para të këtij shekulli Rusia arriti një rifuqizim shtetëror e ushtarak si rrjedhojë e fuqizimit ekonomik. Çelësi duket se ka qenë oligarkia ruse, e cila me kontrabandë, krim e nëntokë, arriti me shpejtësi marramendëse të pasurohet, dhe të ekspandojë me biznes, tregëti të jashtme, investime dhe kursime monetare në bankat perëndimore. Megjithatë, si gjithherë, si në Rusinë cariste edhe në atë sovjetike, edhe tash pushteti rus ka qenë forca që ka dominua vendin, klasat, elitat dhe itneresat parciale, duke vendosur për kahet politike të zhvillimit, ashtu sikurse tash po bën me luftën për invadim në Ukrainë, luftë kjo e cila, po qe se zbërthehet, tregon se mbi të gjitha interesat tjera ajo ka vënë interesin e sigurisë së Rusisë, të cilën e percepton si të rrezikuar nga që shtetet kufitare po bashkohen me Perëndimin, e në fakt po dëshiron të fuqizohet duke i vasalizuar shtetet e dikurshme të Bllokut.

Gjatë këtyre dekadave Rusia, po ashtu, kishte bërë ca hapa për të shtrirë ndikimin në vendet kufitare, përmes puçeve nga brenda, blerjen e regjimeve dhe kthimin e tyre në vasalë e deri te organizimi i një aleance ushtarake, ku Serbia ka statusin e vëzhguesit, që domethënë se është e afërt me Rusinë edhe në aspektin ushtarak. Më tepër se kaq, duket një qasje e njëjtë gjeopolitike: Serbia, e cila këto dy dekadat e fundit, e sidomos nga ardhja e Vuçic në krye të shtetit, ka shërbyer si “kolonë e pestë” ruse në Evropë përmes rolit të saj tensionues në Ballkanin Perëndimor duke e mbajtur artificialisht konfliktin me Kosovën ndonëse nuk ka asnjë arsye reale për mospranim të realitetit të ndryshuar midis Kosovës dhe Serbisë; pastaj duke nxitur trazira në Maqedoninë Veriore (pushtimi i Parlamentit atje), në Mal të Zi (përmes Kishës Serbe) dhe në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës përmes Republikës Serbe (Dodik haptazi përgatit shkëputjen, përkundër vërejtjeve nga SHBA dhe BE). Rusia ka plan ta përdorë Serbinë në funksion strategjik në një zonë neuralgjike me pretekste farsë, për çka presidenti serb Vuçic u deklarua se inteligjenca ruse i kontrollon shumicën e mediave në Serbi dhe inteligjencën serbe. Me gjithë kërkesën e BE që Serbia ta dënojë agresionin rus, kryetari i Parlamenrit Daçiq u deklarua kundër, qeveria serbe votoi kundër dhe, me këto qëndrime, presidenti serb Vuçiç nuk dënoi aktin e pushtimit të Rusisë, por tha se mbështet sovranitetin e Ukrainës. Me gjithë vërejten, madje me tone të ashpra, duket se BE u mjaftua që në mënyrë të tërthortë Serbia u deklarua, ashtu që të paktën të mos dale hapur në përkrahje të Rusisë.

Ndërkaq Kosova, u rreshtua, për fat, drejt dhe qartë, duke dënuar invadimin rus dhe duke ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë, me efekt solidariteti me vendet Euro-Atlantike. Kosova është e bekuar me relacionet me SHBA, pasi që ekzistenca jonë si Kosovë, duke e pasur ish-pushtuesen Serbi në kufi si një shtet i fuqishëm ushtarakisht dhe me predispozita pro-ruse, varet vetëm nga bashkërendimi me SHBA-në (kur them SHBA nënkuptojë gjithmonë edhe aleatët e saj Euro-Atlantikë, BE dhe NATO). Duhet rikonfirmuar përcaktimi i Kosovës si sferë interesi perëndimor, duke u koordinuar edhe për rreziqet e mundshme të ndonjë mësymje të Serbisë në veri të Kosovës, e cila ka shprehur disponim të tillë qysh në shtator 2021.

Rreziqe përtej luftës në Ukrainë janë evidente. Rusia ka përsynimin rikonfigurimin e sferave të interesit, me pretekstin se ajo nuk ndjehet e sigurt me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke insistuar që një vendi sovran t’ia diktojë interesat kombëtare të sigurisë ruse si gjoja urkainase, ani se Ukraina ndjehej e rrezikuar pikërisht nga Rusia (pushtimi i Krimesë me 2014 etj.) dhe jo nga NATO, madje ajo ndjehej e mbrojtur si anëtare e saj. Rusia kërcënoi edhe Finlandën dhe Suedinë që të mos anëtarësohen në NATO. Përveç se cenon parimin e sovranitetit, ky qëndrim nxjerrë në shesh pretendimin e hapur të sferës së interesit rus në Evropë. Rusia, kështu, po synon t’u imponojë gjeopolitikën vendeve sovrane, me pretekstin e rrezikimit të sigurisë nacionale ruse, imponim përmes përdorimit të forcës ushtarake. Rreshtimi i shteteve sovrane duhet të bëhet sipas interesit rus, ndryshe – ju pret fati i Ukrainës!

Vendet e NATO-s, në krye me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, Kanadanë e Australinë aspirates perandorake ruse iu përgjigjën me unitet, duke ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë, prej të cilave humbja fillestare ishte prej 39 miliardë dollarësh e që do të rriten marramendshëm humbjet, suspendimi nga Këshilli Evropian, futja në listën e zezë, nisja e vëzhgimit të prokurorisë për krime lufte ndaj Putinit, deri te shqyrtimi i izolimit të plotë të Rusisë nga vendet e Perëndimit, përfshirë përjashtimin nga SWIFT.

Ndërkohë janë shtuar ndihmat në financa, me ushqim e armatim të Ukrainës nga vendet e Perëndimit.

Përkrahja ndaj Rusisë duket e zbehtë nga ata që mund t’i pandehmte si aleatë. Në Këshillin e Sigurimit të KB ishte Rusia e vetme, e cila me anë të së drejtës së vetos, të cilën e vendosi, pengoi aprovimin e rezolutës për ndërprerjen e luftës në Ukrainë; domethënë në këtë mbledhje ajo dështoi të rreshtojë kah vetja ndonjë anëtarë të Këshillit të Sigurimit.

Vendet Euro-Arlantike po tregohen të përmbajtura, dhe mjaft të kujdesshme, duke mos e vënë alternativën e luftës drejtpërdrejtë në funksion pra duke e evituar një lufte të armatosur me Rusinë, me pikësynim për ta mposhtur dhe detyruar të kthehet në shtëpi, do të ishte një stragtegji paqësore e fitores. Ky veprim strategjik i aleatëve perëndimorë tregon se ato kanë një aleancë të konsoliduar dhe janë të sigurtë. Por Rusia nuk është e sigurt, sepse, me gjithë arsenalin e madh ushtarak, me sanksionet dhe bllokadat nga perëndimi ekonomia ruse mund të kolapsohet shpejt, protestat anti-luftë të forcohen krahas pasojave që do të bien mbi qytetarët (se ka frikë nga qytetarët e tregon edhe ndalimi nga Putini që u bëri mediave ruse) dhe madje pakënaqësitë qytetare të kthehen në bllokadë të neocaristit Putin dhe gjeopolitikës së tij ekspansioniste, luftënxitëse dhe konfrontuese me popujt e vendeve perëndimore.

Putinit i duhet një luftë e hapur me vendet e NATO-s, por jo edhe NATO-s. Prandaj alternativa e fundit, por vendimtare nëse do të imponohet, do të jetë kundërpërgjigja e NATO-s, e cila do të konceptohet si luftë për të mposhtur dinosaurin Putin dhe për të shpëtuar një pjesë të Evropës nga invazioni rus shkatërrimtar, e në të njëjtën kohë edhe si shpresa e vetme për liri dhe paqe dhe për mbrojtjen e demorkacisë.

Se si do të shkojnë zhvillimet është vështirë të parathuhet. Gjithsesi, vendimtare do të jetë se kah do të rreshtohen përfundimisht Kina dhe India. Konsistenca e vendeve Euro-Atlantike për të respektuar vullnetin e sovranit, dhe për t’iu kundërvënë ngulfatësit të këtij vullneti V. Putin, është konsistencë paqësore, për të ruajtur stabilitetin, sigurinë dhe lirinë, si vlera themelore për njerëzimin. Prandaj, duhet për ta bërë që të dështojë Putini dhe strategjia e tij e kthimit të popujve dhe vendeve sovrane në vasalë të interesave të një shteti agresiv. Popujt dhe vendet duhet të mbeten sovrane dhe të kenë të drejtën për vetëpërcaktim, ashtu sikurse është në interes jetik të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ka bërë një video-adresim, duke thënë…