Investitorët e huaj përballë burokracisë dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar

05 maj 2025 | 15:55

Që nga viti 2020, kompania Simtex, me bazë në Zvicër, punëson dhjetëra punëtorë në Kosovë. Por, edhe pas rreth 17 milionë eurosh investime, pronarët e Simtex shprehin pakënaqësi me pengesat në biznesbërje në Kosovë.

Menaxheri i kompanisë, Reshad Cej, thotë se institucionet shtetërore në Kosovë nuk kanë ofruar ndonjë ndihmë apo lehtësim për kompaninë. Ai madje thotë se çdo kërkesë apo procedurë has në vonesa të gjata nga institucionet. “Po ua jap vetëm një shembull: Kur kemi aplikuar për lejen e tensionit të lartë të energjisë elektrike, kemi pritur nëntë muaj për ta marrë. Kjo është një sfidë jashtëzakonisht e madhe dhe humbje për kompaninë”, thekson ai për “Radion Evropa e Lirë”.

Aktualisht me 150 punëtorë, kjo kompani eksporton prodhimet e saj të tekstilit në vendet e Bashkimit Evropian.
Problemet, sipas Cejit, janë shtuar edhe më shumë pas liberalizimit të vizave, në janar të vitit 2024, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe ekspertëve të tekstilit. “Jemi të varur nga inxhinierë të huaj. Aktualisht, kemi 25 inxhinierë të tekstilit nga Turqia”, shprehet ai.

Ai ankohet se punëtorët që i merr kompania dhe i trajnon për tre deri në gjashtë muaj, në fund e lënë kompaninë për të emigruar jashtë vendit. Ceji nuk është i vetmi që përballet me probleme të tilla.

Ish-ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ismet Mulaj, thotë se procedurat burokratike vazhdojnë të mbeten pengesë për investitorët edhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Për të zgjidhur këtë problem dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja, Mulaj propozon krijimin e një zyre të veçantë që do të përshpejtonte të gjitha shërbimet për bizneset e huaja.

Një zyrë e tillë, sipas tij, do ta zvogëlonte burokracinë dhe do përmirësonte imazhin e Kosovës si vend i sigurt dhe fitimprurës për investime. “Kërkesat e investitorëve të huaj kalojnë nëpër procedura të shumta administrative, të cilat mund të zgjasin mbi dy vjet. Investitorët seriozë nuk kanë kohë të presin kaq gjatë. Për shembull, për të tërhequr një investitor të huaj në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duhet të kalohen 28 procedura, dhe vetëm afati kohor minimal është dy vjet”, thotë Mulaj për “Radion Evropa e Lirë”.

Investimet e huaja në rritje, të përqendruara në patundshmëri

Pavarësisht këtyre sfidave, investimet e huaja në Kosovë janë shtuar në vitet e fundit. Sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), këto investime arritën në mbi 856 milionë euro vitin e kaluar, nga 840 milionë euro sa ishin në vitin paraprak.

Nga të gjithë sektorët, më së shumti investime të huaja janë bërë në sektorin e patundëshmërisë, sipas të dhënave të KIESA-s.
Fokusi në patundshmëri nuk është gjë pozitive, sipas Mulajt. Ai beson se më e dobishme do të kishte qenë nëse investimet do të bëheshin në sektorë që krijojnë vende të reja pune apo nxisin zhvillim ekonomik. “Investitorët nga diaspora kryesisht po investojnë në blerjen e banesave, shtëpive dhe tokave”, thotë ai.

Me të pajtohet Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, i cili beson se investimet në patundshmëri nga diaspora ndodhin kryesisht për shkak të mungesës politikave lehtësuese për biznesbërje ose mosinformimit të investitorëve mbi sektorët potencialë për investim.

Sipas Ahmetit, pasiguria e furnizimit me energji elektrike, situata e paqëndrueshme politike, trazirat e herëpashershme në veriun e Kosovës, procedurat burokratike dhe sundimi i paqartë i ligjit e bëjnë vendin më pak tërheqës për investime në prodhim apo aktivitete që do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike. “Përmirësimi i mjedisit për investimet e huaja mund të ndihmojë në uljen e shkallës së papunësisë, rritjen e prodhimit dhe eksporteve, si dhe reduktimin e numrit të punëtorëve të pakualifikuar në tregun e punës”, shprehet Ahmeti.

Shumica e investimeve të huaja në Kosovë vijnë nga shtetet ku është e përqendruar diaspora kosovare. Në vitin 2024, nga Gjermania janë investuar rreth 200 milionë euro, ndërsa nga Zvicra rreth 190 milionë euro.

Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në Kosovë janë 13.388 biznese të regjistruara më pronarë të huaj. Prej tyre, 7.245 janë aktive.

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 167 biznese të reja, që sipas Ministrisë, tregon një trend pozitiv dhe interes të vazhdueshëm nga investitorët e huaj për sektorë të ndryshëm.

Si sektorë të mirë për investime të huaja në Kosovë, ekspertët e ekonomisë theksojnë ato të energjisë së ripërtëritshme, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), agrokulturën dhe turizmin.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, duket se viti…