Irani ndalon gërmimin e Bitcoinit, shkak kriza e energjisë elektrike

30 maj 2021 | 20:31

Irani ka vendosur një ndalim disa mujor në gërmimin e Bitcoinit pas ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike në vend.

Ndalimi, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, do të zgjasë deri më 22 shtator.

Duke fajësuar “minierat” e palicencuara të Bitcoin-it për krizën e energjisë elektrike në vend, presidenti Hassan Rouhani tha se gërmimet e paligjshme të kësaj kriptovalute konsumojnë deri në 2 mijë megavatë energji elektrike në krahasim me 300 megavatët e përdorur për operacionet e ligjshme të Bitcoinit.

Firma shtetërore iraniane e energjisë elektrike Tavanir, tha se vendi ka vetëm 50 impiante të licencuara të gërmimit të Bitcoinit, kurse 85 për qind e gërmimeve kryhen në mënyrë të paligjshme, duke konsumuar 95 megavatë energji të subvencionuar në orë.

Ndalimi i të gjithë gërmimeve të ligjshme dhe të paligjshme vjen në mes të një rritjeje të kërkesës për energji elektrike në javët e fundit, shoqëruar me ndërprerje të paralajmëruar të energjisë në shumë qytete që prekin bizneset dhe shërbimet mjekësore.

Irani tani përbën 4.5 për qind të minierave në botë të Bitcoinit, pasi operatorët joshen nga energjia e lirë dhe rezervat e mëdha të gazit natyror.

Energjia elektrike e nevojshme për operacionet e minierave të Bitcoinit konsumon rreth 10 milionë fuçi naftë bruto në vit. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një variant i ri i koronavirusit është zbuluar në Vietnam…