Irani njoftoi se po kopjon teknologjinë amerikane me 15 raketa që u gjetën të paplasura në territorin e saj
Garda Revolucionare Islamike (IRGC) njoftoi sot se ka zbuluar 15 raketa amerikane të paplasura në provincën jugore Hormozgan dhe mijëra municione të vogla në provincën veriore Zanjan, më pak se një muaj pas përfundimit me armëpushim të përplasjes SHBA-Izrael kundër Iranit.
Sipas një deklarate të së dielës nga Korpusi “Imam Sajjad” i IRGC-së, me bazë në Bandar Abbas, ekipet për çaktivizimin e bombave kanë neutralizuar me sukses më shumë se 15 raketa të rënda amerikane në këtë provincë.
Zyrtarët e cituar nga Press Tv thanë se raketat ishin kryesisht të tipit GBU dhe BLU, si dhe modele të tjera të avancuara, duke shtuar se ato janë dërguar në njësi teknike dhe kërkimore të IRGC-së për t’u analizuar dhe për t’u përdorur si bazë për zhvillime të mëtejshme raketore iraniane.
Gjithashtu bëhet e ditur se forcat kanë neutralizuar ose shkatërruar mbi 60 raketa dhe dronë, përfshirë bomba depërtuese, raketa lundruese dhe dronë të avancuar, që nga fillimi i përplasjes në fund të shkurtit.
IRGC deklaron se operacionet për pastrimin dhe çaktivizimin e mjeteve shpërthyese në provincën Hormozgan janë përfunduar me sukses.
Ndërkohë, Korpusi “Ansar al-Mahdi” në Zanjan njoftoi se ekipet e tij kanë gjetur mbi 9,500 municione të vogla në zona të ndryshme të provincës.
Sipas deklaratës, këto municione janë hedhur gjatë operacioneve ajrore me bomba thërrmuese, me qëllim kontaminimin e zonave strategjike.
Ekipet e çaktivizimit në Zanjan kanë neutralizuar gjithashtu rreth 55 raketa dhe mjete të tjera, përfshirë edhe një bombë depërtuese GBU-57, e cila është çaktivizuar dhe dorëzuar tek autoritetet përkatëse.



