Irani paralajmëron Evropën se mund të rrisë kapacitetin e raketave

03 shkurt 2019 | 14:40

Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka thënë se Teherani do të detyrohej të bënte një “hap strategjik” në rritjen e kapaciteteve të raketave të tij, nëse shtetet Perëndimore tentojnë t’i kufizojnë ato.

“Nëse evropianët, apo kushdo tjetër, dëshiron të komplotojë që t’ia heq raketat Iranit, ne do të detyrohemi të bëjmë një hap strategjik”, ka thënë zëvendëskomandanti i Gardës, Gjenerali Hossein Salami për medien shtetërore iraniane.

Ai i ka paralajmëruar “evropianët dhe të tjerët” se duhet “të pajtohen me realitetin e ri të fuqisë raketore të Iranit: nuk ka pengesa apo kufizime teknike që ne ta zgjerojmë gamën e tyre”.

Salami ka theksuar se po zhvillon teknologjinë e raketave të saj, në përputhje me “strategjinë e mbrojtjes”.

Deklarata e tij vjen pak kohë pasi Irani ka njoftuar se ka kryer “me sukses” testimin e një rakete të re, me rreze veprimi prej më shumë se 1 350 kilometrash.

Testimi i raketës, që është bërë më 2 shkurt, erdhi pikërisht në ditën kur Irani festoi përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Ministri i Mbrojtjes së Iranit, Amir Hatami ka thënë se raketa “Hoveizeh” ka goditur me sukses objektivat e përcaktuar, raporton “Rel”.

Megjithatë, testimi i kësaj rakete nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Njëra nga arsyet se pse Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila lehtësonte sanksionet ekonomike ndaj Iranit, në këmbim të frenimit të programit bërthamor, ishte se Irani nuk ka hequr dorë nga zhvillimi i raketave dhe mund të paraqesë rrezik për Izraelin.

Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 2015, i bën thirrje Teheranit “të heqë dorë nga zhvillimi i raketave me kapacitet bërthamor prej një periudhe prej 8 vjetësh”.

Teherani ka thënë se raketat e tij nuk mund të bartin koka bërthamore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për ngritjen e…