Irani zotohet për hakmarrje pas “sulmit izraelit”

12 prill 20:50

Centrifugat e reja të avancuara për pasurimin e uraniumit porsa ishin aktivizuar. Izraeli nuk e ka komentuar incidentin në impiantin e Natanzit, por radioja publike izraelite ka cituar burime të Inteligjencës të kenë thënë se ky operacion është kryer nga “Mossadi”, shërbimi sekret i Izraelit
Ministri i Jashtëm iranian ka shpalosur të hënën synimin e vendit të tij “për të marrë hak” ndaj një sulm të ndërmarrë në një impiant bërthamor nëntokësor, për të cilin vendi ka fajësuar hapur Izraelin.
Teherani zyrtar ka njoftuar se uzina për pasurimin e uraniumit në Natanz ishte cak i “terrorizmit bërthamor” të dielën, pasi që fillimisht u raportua për dështim të sistemit elektrik.
Centrifugat e reja të avancuara për pasurimin e uraniumit porsa ishin aktivizuar. Izraeli nuk e ka komentuar incidentin, por radioja publike ka cituar burime të Inteligjencës izraelite të kenë thënë se ky operacion është kryer nga “Mossadi”, shërbimi sekret i Izraelit.

Burimet kanë theksuar se dëmet kanë qenë më të mëdha sesa që i ka raportuar Irani.
Zyrtarët amerikanë të Inteligjencës i kanë thënë gazetës “New York Times” se një shpërthim i madh ka shkatërruar krejtësisht sistemin e brendshëm të pavarur të energjisë që kishte furnizuar centrifugat nëntokësore të uzinës. Ata pretendojnë se do të duhen së paku edhe nëntë muaj që të rifillojë pasurimi i uraniumit në këtë uzinë.
Agjencia iraniane e lajmeve “Nour”, që është e lidhur me Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, ka cituar një burim brenda Ministrisë së Inteligjencës të ketë thënë se është identifikuar “sulmuesi kryesor” dhe se po kryhet një operacion për arrestimin e sulmuesve.
Izraeli ka intensifikuar së fundmi paralajmërimet për programin bërthamor të armikut të përbetuar në kulmin e përpjekjeve për ringjalljen e marrëveshjes atomike të vitit 2015, prej së cilës ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kishte tërhequr Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasuesi i tij, demokrati Joe Biden, ka thënë se synon që t’i kthehet ujdisë historike. Por Irani dhe pesë fuqitë e tjera botërore ende janë pjesë e saj – Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Britania e Madhe – dhe tani duhet që të gjejnë një shteg për ta detyruar atë t’i tërheqë sanksionet amerikane dhe që Irani t’u kthehet zotimeve të mëhershme për programin e vet bërthamor.
Zyrtarët amerikanë dhe ata iranianë po mbajnë bisedime të tërthorta në kryeqytetin austriak, Vjenë, me qëllim që të provojnë të dalin prej rrugës pa krye. Zyrtarët evropianë po shërbejnë si ndërmjetës.
Bashkimi Evropian ka njoftuar se duhen sqarime shtesë për të qartësuar faktet mbi incidentin në Natanz, por ka hedhur poshtë “çfarëdo përpjekjeje për të minuar ose dobësuar përpjekjet diplomatike ndaj marrëveshjes atomike”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili po qëndron për vizitë në Izrael, ka thënë se ka dëgjuar raportet për sulmin në Natanz dhe se përpjekjet diplomatike të administratës së Bidenit për riangazhim me Iranin në aspektin diplomatik do të vazhdojnë, pavarësisht tensioneve të reja.
“Sionistët dëshirojnë të marrin hak për shkak të përparimit tonë në shtegun drejt tërheqjes së sanksioneve”, është shprehur ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, kanë raportuar mediat shtetërore iraniane. “Ata kanë thënë publikisht se nuk do ta lejojnë këtë. Por ne do të marrim hak nga sionistët”.
Irani nuk e njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe shpesh i referohet si “shteti sionist”.
Ministria e Jashtme gjermane ka vlerësuar se incidenti “nuk ishte kontribut pozitiv” për përpjekjet evropiane për afrimin e qëndrimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Islamike lidhur me programin atomik të Iranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, ka deklaruar gjatë ditës në Teheran se “natyrisht” se Izraeli qëndron prapa sulmit të fundjavës.
“Izraeli, fatmirësisht, nuk shkaktoi ndonjë dëm te njerëzit ose në mjedis. Megjithëkëtë, mund të ishte katastrofë. Ky është një krim kundër njerëzimit dhe kryerja e veprimeve të tilla është në linjë me thelbin e regjimit sionist”, ka deklaruar ai. \ AP-BBC

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar lidhur me fushatën…