Trafiku Urban rriti çmimet e biletave për shkak të vendimeve të gabuara elektorale

01 korrik 2026 | 17:24

Trafiku Urban rriti çmimet e biletave për shkak të vendimeve të gabuara elektorale. Prishtina si asnjë qytete në Evropë udhëtime falas për mijëra qytetarë

Shkruan: Altin Ahmeti

Pak ditë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, në njërin prej autobusëve urbanë të qytetit, kondukteri i linjës po kalonte për të disatën herë lart e poshtë autobusit, por asnjëri nga qytetarët e ulur nuk po blinte biletë. As nuk e ngrinin kokën. U afrua tek unë vetëm pasi i bëra me shenjë dhe nxora paratë për të paguar biletën.

I komentova se, me këtë ritëm, edhe pak ditë nuk do të kishte më nevojë për konduktorë, pasi gjithnjë e më shumë kategori qytetarësh ishin liruar nga pagesa e biletës me vendim të Komunës së Prishtinës.

Ai qeshi, por menjëherë shtoi se problem nuk do të ishin vetëm konduktorët. Sipas tij, do të vihej në pikëpyetje edhe sigurimi i pagave, pasi të hyrat nga biletat nuk po mjaftonin as për të mbuluar shpenzimet bazë të funksionimit.

“Dje, gjatë gjithë ndërrimit, mezi i bëmë 150 euro, ndërsa vetëm mbushja me naftë e rezervuarit të një autobusi gjatë një ndërrimi kushton mbi 200 euro”, tha konduktori, duke shprehur habinë e tij për vendimin e marrë nga Komuna e Prishtinës për të liruar kategori të tëra nga pagesa e transportit urban.

Kryetari i Komunës së Prishtinës mori vendim, pak para zgjedhjeve, duke zgjeruar programin e personave që përfitonin udhëtime falas, çka lë të kuptohet qartë se kemi të bëjmë më shumë me një vendim elektoral sesa me një vendim për funksionimin e mirë të Transportit Urban.

Deri në këtë kohë, nga 7 kategori që përfitonin deri atëherë udhëtime falas, programi u zgjerua në 15 kategori. Mes përfituesve tashmë u përfshinë edhe njerëz që nuk kishin nevojë për një subvencionim të tillë.

Udhëtim falas dhe i subvencionuar nga shteti, përpara se kryetari Përparim Rama ta “lëshonte dorën”, po përfitonin pensionistët, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, veteranët e UÇK-së, zjarrfikësit, personat me aftësi të kufizuara dhe nxënësit e shkollave fillore, ndërsa me vendimin e marrë pak para zgjedhjeve lokale, programi u zgjerua duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave të mesme, studentët, stafin shëndetësor të institucioneve komunale, stafin arsimor të institucioneve komunale dhe punonjësit e administratës komunale.

Pra, janë rreth 100 mijë qytetarë nga 500 mijë që thuhet se jetojnë në Prishtinë, të cilët në bazë të këtyre vendimeve gëzojnë të drejtën e udhëtimit falas apo të subvencionuar.

Duke i llogaritur në mënyrë hipotetike, janë rreth 30 mijë pensionistë në qytetin e Prishtinës, 40 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, 20 deri në 25 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës dhe të universiteteve private, bashkë me policinë, 5–6 mijë policë, ushtarë të FSK-së dhe zjarrfikës si dhe mijëra veteranë nga lufta e vitit 1999.
Këtyre me zgjerimet e reja iu shtuan edhe rreth 7–8 mijë persona të stafit arsimor, shëndetësor dhe punonjës të administratës komunale të Prishtinës, të cilët janë të lejuar nga pagesa e biletës së Trafikut Urban.

Por pse duhet të subvencionohen biletat për administratën komunale, për stafin shëndetësor, përfshirë mjekët, për stafin arsimor dhe për kategoritë e tjera që paguhen më mirë se punëtorët e sektorit privat, të cilët, në të shumtën e rasteve, marrin paga më të vogla se kategoritë e subvencionuara?

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare në sektorin publik është 744 euro, ndërsa në sektorin privat 596 euro.

⁸Pra, po subvencionohen duke iu paguar udhëtimin ditor njerëzve që kanë paga më të larta kundrejt atyre që kanë paga më të vogla.

Në këto kushte dhe me numrin e madh të atyre që përfitojnë lirim nga pagesa, është normale që Trafiku Urban të dalë me humbje dhe të shohë shpëtimin te rritja e çmimeve, duke i goditur sërish ata që punojnë në kompanitë private.

Që nga sot, ata do të paguajnë bileta më të shtrenjta, edhe pse kryetari Përparim Rama u mundua të thoshte se po i rrisin çmimet vetëm për biletat që paguhen me para në dorë dhe jo për biletat që paguhen në mënyrë digjitale, gjë që nuk është e vërtetë.

Dhe rritja e çmimeve nuk është e vogël. Nëse marrim biletën ditore që ka kushtuar deri tani 80 cent dhe do të vazhdojë të paguhet me para në dorë, atëherë rritja do të jetë 50 për qind, pra 1 euro e 20 cent. Ndërsa nëse e njëjta biletë paguhet në mënyrë digjitale, atëherë rritja e çmimeve do të jetë 25 për qind, që gjithsesi nuk është e vogël.

Bileta njëdrejtimshe që tani kushton 50 cent do të rritet në 80 cent, ose një rritje prej 60 për qind nëse paguhet me para në dorë, por nëse blihet në mënyrë digjitale, atëherë efekti i rritjes do të zvogëlohet nga 50 cent në 60 cent, ose rritje prej 20 për qind.

Rritje prej 50 për qind ka pësuar edhe bileta javore nëse paguhet me para në dorë, nga 4 në 6 euro, ose 25 për qind rritje nëse paguhet në mënyrë digjitale.

Duhet theksuar se rasti si i Trafikut Urban në Prishtinë është shumë i rrallë, pasi në shumicën e vendeve udhëtimi i subvencionuar u ofrohet kategorive të rralla.

Është shumë e pazakontë që një qytet si modeli i Prishtinës të lirojë nga pagesa 15 kategori të gjera që përfshijnë hipotetikisht rreth 100 mijë qytetarë.

Trafiku Urban ka statusin e një ndërmarrjeje publike komunale dhe është i organizuar si shoqëri aksionare. Aksionar i saj është Komuna e Prishtinës, e cila është pronare e ndërmarrjes.
Gjeneron të hyra nga biletat, por shumica e financimit vjen nga subvencionet e Komunës së Prishtinës.

Nëse shifrat janë të sakta të publikuara në internet, Trafiku Urban mezi arrin të sigurojë 30 për qind të hyrave nga shitja e biletave, ndërsa shumica e parave, prej më shumë se 10 milionë eurove që i duhen kompanisë për të mbijetuar, vijnë nga komuna e Prishtinës në formën e subvencioneve. E gjithë kjo për shkak të vendimet politike kqija, elektorale dhe me përfitime afashkurtëra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pjesë të ndryshme të Shkupit janë përmbytur nga uji pas…