Irina Scherbakova: Nëse Ukraina fiton, do të shpëtohet edhe Rusia

18 shtator 2023 | 23:29

Historiania Irina Scherbakova ishte një nga bashkëthemelueset e Memorialit në vitin 1988.

Asokohe, zbulimi dhe denoncimi i krimeve të komunizmit stalinist dukej kushti thelbësor për ndërtimin e një demokracie.

30 vjet më vonë, OJQ-ja e parë ruse mori Çmimin Nobel për Paqe dhe njëherazi u shpall e paligjshme nga Vladimir Putin.

“Kam jetuar në Moskë për më shumë se 70 vjet, por me pushtimin rus të Ukrainës mbylla shtëpinë time dhe u largova me një valixhe”, ka treguar Scherbakova.

Një zgjedhje e bërë nga qindra mijëra të mërguar rusë, “emigrimi më i madh politik që nga viti 1917, të cilët tani për tani nuk kanë asnjë shpresë për t’u kthyer”.

Por kush ka mbetur në Rusi?

“Gazetarët falë të cilëve ne e dimë se çfarë ndodh, që punojnë pavarësisht frikës. OJQ si Golos, e cila monitoron drejtësinë e zgjedhjeve: drejtuesit e saj janë në burg, por aktivistët vazhdojnë të denoncojnë mashtrimin zgjedhor”, ka treguar Scherbakova.

Po ashtu vullnetarët që ndihmojnë refugjatët ukrainas të arratisen nga Rusia dhe që shmangin dërgimin në front të fëmijëve rusë.

“Avokatët fantastikë, që mbrojnë viktimat e pafajshme të represionit në gjyqe. Rusët e zakonshëm, që shkojnë në gjyqet e disidentëve, që u shkruajnë letra të burgosurve politikë, që vendosin pengesa të hequra nga autoritetet, që sjellin lule në monumentet e shkrimtarëve ukrainas, që shkruajnë slogane kundër luftës dhe Putinit në mure, një protestë e fshehur, që lind nga poshtë dhe që nuk ndalet”, ka treguar ajo.

Sipas saj, kjo ndoshta nuk mjafton. Por ekziston.

“Moska është një vend absurd, ende duket të jetë një qytet i pasur, me stacione të reja metroje, trotuare të rinovuara, restorante, kafene, teatro plot me njerëz. Shumica, si gjithmonë, nuk është kundër asaj që po bën regjimi, por as nuk e mbështet atë”, ka thënë Scherbakova.

Ata përshtaten, përpiqen të distancohen, të fshihen nga shteti.

Por njëherazi ka shumë rusë fatalistë, të cilët thonë se “ne nuk mund të bëjmë asgjë”.

“Ne e dimë nga librat mbi stalinizmin se si dikush përshtatej, si fshihej, si shkruante denoncime dhe si tradhtonte miqtë. Memoriali foli shumë për atë se si Rusia u përfshi nga ajo frikë e madhe. Kemi parë shumë filma për Gjermaninë naziste dhe sot është e tmerrshme ta shohësh të ndodhë në realitet, me kaq shumë intelektualë, regjisorë, aktorë”.

A sheh ajo një rrugëdalje?

“Për momentin jam pesimiste, çarjet në regjim ekzistojnë dhe janë të dukshme, dhe frika nga Putini. Por nuk shpresoj për zgjidhje të shpejta”.

Sipas Scherbakova, sanksionet shpesh anashkalohen falë edhe oportunizmit të sipërmarrësve perëndimorë dhe Rusia fatkeqësisht ka ende shumë mundësi për të vazhduar luftën.

“Përfaqësuesit e regjimit të Putinit do të ndryshojnë mendje vetëm kur të shohin se alternativa për ta është të vdesin ose të humbasin gjithçka. Popullsia është pasive dhe e heshtur, ata dhanë atë që u kishte mbetur nga liria për t’iu nënshtruar shtetit”.

Për të, kjo është hera e parë në historinë e Rusisë që një luftë është paguar mirë, duke nxitur cinizëm monstruoz.

“Regjimi i Putinit thërret ‘vlerat tradicionale’ ndërsa shkatërron moralin, duke u ofruar rusëve të pranojnë vdekjen e të dashurve të tyre në këmbim të miliona rublave që nuk do t’i kishin fituar kurrë ndryshe”.

Shpresa e vetme për një të ardhme për Rusinë, sipas saj, është fitorja e Ukrainës, ose të paktën paqja sipas kushteve të saj.

“Pa të, regjimi do të kalbet, në një dekompozim që nuk mendoj se do të çojë në një luftë të vërtetë civile, por në një përplasje midis bandave të ndryshme, në një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve. Gjithçka që mund të bëjmë sot është të ndihmojmë ukrainasit, në çdo mënyrë të mundshme”.

Mënyra e vetme se si mund t’i jepet fund kësaj diktature, sipas Scherbakova, është vetëm duke njohur dhe marrë përgjegjësinë morale, politike dhe ligjore për krimet e tmerrshme të luftës të kryera nga rusët kundër Ukrainës.

“E kuptoj hidhërimin e ukrainasve kur thonë se të gjithë rusët mbajnë fajin për luftën, por në mënyrë paradoksale fajësimi i të gjithëve mund t’i lejojë ata që janë përgjegjës të arratisen”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ndërsa shifra e vdekjeve nga përmbytjet në Derna është…