Irma Kurti, një filozofi e gërshetuar malli dhe dashurie, shkrirë në vargje

05 prill 2024 | 13:28

Përsiatje letrare rreth vëllimit “Diellin shoh pas qelqesh” botuar nga Youcanprint, Itali 2023

Maxhun Osmanaj

Në vend të hyrjes

Për të hyrë në interpretimin e një vepre letrare apo në shpirtin poetik të një poeti, nuk mjafton vetëm leximi i veprës në akcilën mënyrë, por duhet parë edhe udhëtimi bibliografik që ka kaluar shkrimtarja, në këtë rast, Irma Kurti. Irma ka ndërtuar një “kala” vlerash gjatë udhëtimit të saj letrar dhe rri “këmbëkryq” në sofrën e madhe të letërsisë shqipe dhe atë të huaj. Deri tani, ajo e ka stolisur letërsinë me 28 libra në gjuhën shqipe në zhanre të ndryshme, 24 libra në italisht dhe 15 në gjuhën angleze. Librat e saj janë të përkthyera dhe të botuara në 15 gjuhë të ndryshme të botës. Ka përkthyer gjithashtu edhe 19 libra të autorëve të ndryshëm. Ajo është autore e mbi 150 tekste këngësh. Vlen të theksohet se, është vlerësuar me 90 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, prandaj, me të drejtë mund të konkludojmë, se, Irma është një Ambasadore e denjë e kulturës shqiptare në botë, që guximshëm shpalos vlera të nxjerra nga “miniera “ e pasur e mendjes, zemrës dhe shpirtit të saj. Shkrimtarja Irma Kurti mund të quhet me të drejtë një urë e fortë lidhëse e kulturave në botë.

Vëllimi poetik “Diellin shoh pas qelqesh”

Vëllimi poetik “ Diellin shoh pas qelqesh”, përmban 66 poezi dhe këtë dedikim: “Ky libër u kushtohet prindërve të mi, Hasan Kurti e Sherife Mezini. Dashuria për ta do të mbetet gjithnjë e fortë dhe e pazgjidhshme, ashtu si në çastin kur belbëzova fjalën e parë…”. Parathënia është shkruar nga shkrimtarja dhe kritikja letrare Vesna Andrrejevic .
Në “minierën” e pasur poetike, pra në shpirtin e saj, gërshëtohet filozofia e dashurisë si dhimbje dhe dashuria si filozofi e mallit si magnet. Po cili është ky mall, që e “ngacmon” poeten thellë në mendje, në zemër, në shpirt, që reflekton dhimbje, vetmi, nganjëherë trishtim…? Ky mall vjen nga kroi i shpirtit dhe derdhet me nostalgji lotësh udhëve të mërgimit. Pra, që nga largimi i poetes shumë vite më parë nga atdheu – Shqipëria, malldhimbja nuk e lë rehat duke shpërthyer herë si vullkan, herë si erupcion, herë si tërmet në vargje dhe duke e bartur si “peshë” e rëndë n’udhëtim apo si “mëkat” në kohë. Si të ikësh nga ky “mëkat”?
Poetja, ka fuqi shpirtërore të mundë çdo dridhje që trand, por edhe me dashurinë e madhe për jetë, gëzon jetën, sepse vetë e ndërton, nuk ia lë në duar fatit… Malli i kthyer në dhimbje , herë në trishtim, hetohet atëherë kur poetes i vdesin prindërit dhe duket sikur kjo humbje bën që të shembet një pjesë e tokës.
Gjeografia tematike e poetes është e larmishme, e pasur me tharmin e dashurisë, qoftë prindërore, qoftë dashuri për njerëzit, botën, qoftë dashuri për heroin lirik të zemrës, pa marrë parasysh betejat dhe stuhitë që e rrethojnë atë.
Horizonti i saj krijues, nuk na vjen vetëm si dëftim poetik, por edhe si përjetim, si ndjesi, si pjekuri , heroinë jete, si qëndresë : “Vargjet e Kurtit udhëtojnë poetikisht në dy binarë kryesorë: në të parin mbizotëron tema e vetmisë…, dhe binari i dytë poetik i përmbledhjes, më i ndjeshmi dhe më prekësi që përshkon gjithë poetikën e Kurtit, ka të bëjë me përshkrimin e trishtimit dhe humbjes personale, me shpirtin që pikon dhimbje” thekson Andrejevic në parathënien e librit (fq.7).

Filozofia e dashurisë gërshetohet me ndjesi, dhimbje dhe mall si në poezinë “ Toka”, ku ajo shkruan : “ I ndjej të tëra dridhjet e tokës sate/ britmat që përplaseshin pas mureve/ për t’u tretur pastaj thellë në errësirë./ Shikoj me mijëra fëmijë të pafajshëm që kërkonin ndihmë”. Kjo ndjesi-dhimbje krijon ofshama, rënkime për shtëpi dhe për njerëz: “Në shpirt strehoj ofshamat, rënkimet…”(fq.12). A nuk është ky varg metaforik i mjaftueshëm , perlë, për të hetuar një botë emocionale, një shpirt shpërthyes, për një realitet qoftë të ikur, qoftë pasqyrë jete të përditshmërisë?!
Ndërsa malli dhe dashuria “rriten” si një bimë në arën e shpirtit dhe nuk vyshken kurrë në asnjë stinë, ashtu siç shprehet në poezinë “Një fotografi”, ku autorja, preket dhe pushtohet nga emocioni sa herë vështron imazhin e prindërve: “Fotografinë tuaj mbaj në duar./ Ajo dridhet ashtu si një gjethe/ e njomë, laget nga lotët e mi/ si nga shirat e vjeshtës së vonë” (fq. 16). Poezi e stolisur me dashuri, mall dhe figura letrare.
Krahas temës bosht të mallit, gërshetohet tema e peizazhit, meditimit, poezi personale me tharmin e filozofisë dhe dashurisë. Poetja Kurti është vrojtuese e ndjeshme e realitetit ku jeton dhe manifestimet i shfaq me nostalgji të theksuar herë-herë duke zhbiruar me skalperin e mendjes dhe syve të shpirtit, siç shkruan ajo: “Qyteti im ka parë shumë dhembje/ brenga, vaje dhe po kaq dëshpërim/ rreth vetes është tkurrrur: ndërtesat/ shtëpitë heshtin, si të kenë ngrirë…” (fq.51).
Autorja shpesh i kthehet kohës së ikur, arratiset nga e tashmja, sikur ndjen një lumturi në të ikurën imagjinative: “Jetojmë me kujtimet, arratisemi nga e tashmja/ nga kurthet e përditshme që duan të na vrasin/ dhe në gjumë. Ah, sa të lumtur ishim ne dikur!” (Poezia “Të lumtur” fq.47). E ikura, i ngulitet si rriçri në shpirt dhe e përcjell. Një gërshetim meditativ-filozofik e ndeshim në poezinë “ Tuneli”. Poetes i mungon liria, e përditshmja, dashuria dhe shkruan për to me dëshirë e mall.. “Një ditë do të dalim nga ky tunel/ edhe pse drita na duket larg tani/ ashtu si dielli që fshihet pas resh/mbuluar me mjegull, lot dhe shi”. (fq.46).
Ndërsa poezia: “Një grusht dhe i huaj” na shaqet si një pikturë e dhimbjes me ngyra të zbehta, të ftohta si vdekja, një përkushtim babait “Si shpirti yt i dëlirë dhe i pastër baba” (fq.20). Poetja Kurti përdor edhe poezi urbane.

Një atmosferë tjetër paksa e zymtë e shpirtit të autores dhe mëse e kuptueshme sepse vargjet janë shkruar në periudhën e vështirë të pandemisë, brenda “kalasë” ku zhvillohen betejat e brendshme, hetohet gjatë gjithë poezisë. Në to shpërfaqet haptas zhgënjimi, mallëngjimi dhe nuk kursehet para asaj që sheh, vrojton, ndjen, përjeton ku thotë “Kam kohë që e shoh diellin pas qelqesh/pemët e lulet që blerojnë, trëndafilat që/ më kot përpiqen gonxhet e tyre t’i çelin/ perëndimin e diellit të zbehtë, të ftohtë. (Poezia “Diellin shoh pas qelqesh”, fq.44), që i jep titullin edhe librit. Duket se poezia nuk është vetëm peizazh natyre, por peizazh shpirti, një poezi në mes simbolikës dhe filozofisë. Janë plot dhembje vargjet përmbyllëse: “Dhembja më e madhe, sigurisht është / që një mëngjes ti të mos i hapësh më sytë.” Tërë ky zhgënjim është rrjellojë e periudhës së vështirë të vitit 2020, kur janë shkruar një pjesë e mirë e këtyre poezive, kur liria ishte e kufizuar, kur jeta jetohej brenda katër mureve të shtëpisë dhe kur qyteti ku poetja jeton, Bergamo, u kthye në simbolin e humbjes së jetëve njerëzore nga Covid.
Lirika e dashurisë kalëron sa në fillim, sa në fund të librit. Herë na vjen si dashuri e humbur, herë si dashuri në prekje, herë si përjetim imagjinar: “Ende të pres me mijëra rrudha/të shpërndara në lëkurën time/me vështrimin e lagur me lot/me shpirtin transparent e plot /dritë, si një pikë e kthjellët / me vesë që do të ëndërrojë gjer në/amshim, e dashuruar me ty” (Poezia “Të kam dashur”, fq.58). Ndërsa libri mbyllet me lirikën e dashurisë “Emri yt”, si një dashuri e shkuar, e ikur e heroit lirik, ku dy vargjet e fundit përcjellin mesazhin e të gjithë poezisë: “Emri yt kishte mbetur pezull në hapësirë/teksa thithja ajrin me mushkëri, thithja shkronjat e tij” (fq.76).

Gjuha dhe figuracioni poetik

Poetja Irma Kurti përdor një gjuhë të pasur figurative, që bart semantikën shumëdimensionale në fjalorin poetik. Ndër figurat më të shpeshta hasim: metaforat, krahasimet, antitezat, simbolet, epitetet etj.. Ndodh që vetëm brenda një strofe hetojmë 3-4 figura , p.sh, sa vijon:
“Ti më mbështjell në një heshtje të gjatë” Metaforë)
si një shkretirë që në shpirt më digjet (krahasim)
unë endem e përhumbur, rrethuar nga
mijëra pyetje që, jo, s’gjejnë përgjigje (hiperbolë).

Ndërsa përsa i përket metrikës së vargëzimit, poetja nuk i qëndron “besnikërisht” metrikës tradicionale, u largohet normave konvencionale, por ruhet fuqia emocionale, bukuria e mendimit dhe mesazhit të çdo poezie. Kurti përdor strofa që nga 2 vargjëshe deri në njëmbëdhjetë vargje të lira, pa rimë dhe muzikalitet. Gati gjysma e poezive kanë si titull vetëm një fjalë, qoftë emër apo folje.
Autores Irma Kurti i urojmë botime dhe suksese të reja!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë në konferencën dyditore…