Isa Mustafa pasi Presidentja Osmani mandatoi Konjufcën: Deklaratë e mjerë dhe ftesë për tradhti

05 nëntor 2025 | 19:43

Pavarësisht se partitë ish-opozitare dhe parti të minoriteteve jo-serbe kanë deklaruar se nuk kanë votë për Vetëvendosjen, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka vendosur që të mandatojë, Glauk Kojufcën, si kandidat i dytë i VV-së për kryeministër. Kur është pyetur për gjasat që Konjufca të votohet në këto rrethana kur s’ka sinjale të partive politike për votë ndryshe, Osmani për të arsyetuar vendimin e saj, ka thënë se në histori ka pasur raste kur deputetët kanë votuar ndryshe nga qëndrimi i partisë, duke nisur me shembullin e saj kur kishte votuar në vitin 2014 kundër zgjedhjes së Isa Mustafës kryeministër.

Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa  ka thënë se kjo deklaratë e Osmanit i ka bërë përshtypje dhe e ka bërë të mendojë se si dikush mundohet ta shesë si vlerë demokratike tek të tjerët “një tradhti” ndaj partisë së vet.

Mustafa thotë se kjo deklaratë e Osmanit ishte ftesë për tradhti, meqë “përmes asaj rruge do të ndodhë vlerësimi dhe avancimi nga Lëvizja Vetëvendosje.”

Sipas tij, deklarata e Presidentes tregon “një nivel të mjerë” të saj.

“E dëgjova dhe më la përshtypje! Mendova, si munden njerëzit që tradhtitë e tyre ndaj partisë që i ka ngritur dhe i ka bërë deputet të mundohen ti shesin si vlera demokratike për të tjerët. Ajo thjesht tha, unë e kam tradhtuar partinë time, i kam tradhtuar njerëzit që më kanë përkrahur dhe më kanë besuar. Kështu jam bërë presidente. Veproni edhe ju kështu dhe do të vlerësoheni dhe avancoheni nga VV-ja. Thjeshtë tregoi dhe predikoi që tradhtitë dhe mosdëgjueshmëritë brenda subjekte tjera të shërbejnë si kritere mbizotëruese për nominim të kandidatit të dytë për kryeministër. Ky ishte niveli i mjerë i Presidentes”, ka thënë Isa Mustafa për Express.

Ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së tutje është shprehur se mbase nuk do t’ia zinte për të madhe Osmanit një deklaratë të tillë, nëse Qeveria Kurti që u formua mbi një “tradhti” të tillë, do t’i kishte shërbyer Kosovës për të mirë.

“Ndoshta s’do të ia kisha parë për të madhe, nëse “qeveria e shpresës” e cila zuri fill mbi këto sjellje t’i kishte shërbyer Kosovës për të mirë. Në të kundërtën, e katandisën vendin, e vunë nën sanksione ndërkombëtare, e shkelën Kushtetutën shumë herë, bllokuan shtyllën e drejtësisë dhe ushqyen korrupsionin”, ka thënë Mustafa.

Një deklaratë e tillë, që Mustafa e cilëson si krekosje, thotë se mund t’i adresohet vetëm “ndonjë mbeturine të mentalitetit të saj në LDK”.

“Krekosja se nuk e ka votuar kryetarin e partisë së saj ( ish partisë së saj) mund ti adresohet ndonjë mbeturine të mentalitetit të saj në LDK”, është shprehur ai.

Mustafa në fund ka thënë se vlerëson qëndrimin e LDK-së dhe besimin që deputetët po e tregojnë në raport me programin dhe vlerat të një partie që ka formuar shtetin e Kosovës.

Sipas ish-kreut të LDK-së, përpjekjet për shkatërrim nga brenda të partive politike janë sulm ndaj vlerave të shtetit.

“Kosova do të ec përpara vetëm nëse zhvillohet jeta plurale duke u forcuar partitë politike, jeta demokratike dhe konkurrenca programore. Tendenca për shkatërrim nga brenda të subjekteve politike dhe konkurrencës demokratike është sulm ndaj vlerave të shtetit tonë”, ka përfunduar Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas sheshit “Rexhep Luci”, në qendër të Prishtinës po transformohet…