Isak Guta, vigan i diasporës!

01 tetor 2023 | 19:19

Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci

Fizika kuantike ka zbuluar se shkëputja e një trupi nga një tjetër nuk do të thotë ndarje përfundimtare, absolute e tyre.

Këta dy trupa mund të largohen nga njëri-tjetri në distanca të mëdha astronomike që maten me vite drite dhe përsëri të japin dhe marrin me njëri-tjetrin me një shpejtësi që e kalon atë të dritës, pra të ushtrojnë ndikim reciprok në kuptimin e njëkohshmërisë.

Shkurt, kështu largesa kthehet në një madhësi krejt të papërfillshme, inekzistente. Ky është një ligj universal që vlen edhe në jetën njerëzore, ndaj dhe interesimi ynë për këto njohuri që lidhen drejtpërdrejt me botëkuptimin tonë. Edhepse dijet e kësaj shkence gjejnë zbatim të gjerë në jetën tonë të përditshme, që është cilësisht krejt e ndryshme nga ajo e brezave të shkuar, fizika kuantike përsëri është trajtuar si një gjysmëshkencë, disi si një lloj dije që qëndron mes fiksionit dhe realitetit. Me fjalë të tjera, herë pas here është thënë hapur se ajo është më shumë fantazi sesa shkencë.

Vetë Albert Ajnshtajni (Albert Einstein) që në vitin 1905 e mori cmimin Nobel për kontributin e tij në lëminë e optikës kuantike e shikoi deri në fund të jetës së tij këtë teori me dyshim dhe mosbesim. Ai që me gjithë jetën e tij kishte qenë kundër cdo lloj autoriteti, për ironi të fatit, vetë u kthye në një autoritet frenues. Ajnshtajni besonte ne një botë deterministe që nuk lë hapësirë për rastësinë, të cilën sot fizikanti Anton Cailinger e konsideron si gjënë më të cmueshme në shkencën bashkëkohore. Nuk thuhet kot se e vërteta vonon, por vjen një ditë dhe ajo triumfon.

Vitin e kaluar Komiteti i Nobelit në Stockholm u kujtua më në fund për kontributorët më të mëdhenjë të kohës sonë në këtë lëmi, për amerikanin Xhon Klauzër( John Clauser), francezin Alen Aspekt (Alain Aspect) dhe austriakun Anton Cailinger (Anton Zeilinger), të cilëve u dha Nobelin 2022 për fizikë. Tanimë përfundimisht u bë e qartë gjithcka: në rastin e fizikës kuantike nuk bëhet aspak fjalë për fantazi, por për shkencë të mirëfilltë, për një shkencë që e ndryshon botëkuptimin tonë.

Dikush mund të thotë ç’lidhje ka fizika kuantike me fatin e një shqiptari të mërguar. Në shikim të parë asgjë, por nëse cështjen e shohim më thellë, nga kënvështrimi i dijes, shumë, jashtëzakonisht shumë. Jeta e njeriut, edhe ajo e mërgimtarit nuk del jashtë kuadrit të ligjeve të natyrës, sepse njeriu dhe natyra përbëjnë një unitet, njeriu është natyrë, pjesë e saj.

Fati jetësor i Isak Gutës ishte i tillë që mund të ilustrojë bindshëm këtë ligj universal të ndarjes dhe njëkohësisht të kontaktit të vazhdueshëm të pjesës me tërësinë, prej të cilës ajo është shkëputur, siç e dimë nga jetëshkrimi i tij, përmes dhunës së jashtme. Jeta e tij është një udhëtim i gjatë e i ngatërruar drejt Itakës që mori fund pak ditë më parë. Ai u kthye aty, në vendin që ai e deshi me gjithë shpirt. Isak Guta vërtet fizikisht për një gjysmëshekulli të tërë jetoi larg atdheut, por me zemër ishte gjithmonë brenda tij. Ai u lind në këtë vend dhe tani që nuk është më fizikisht në mesin tonë eshtrat e tij pushojnë në këtë dhe. Jetoi larg atdheut, por atdheun e kishte brenda tij, thellë në zemër. Shqipëria për të ishte atdhe shpirtëror që kurrë nuk mund të braktisej, pavarësisht sesa larg saj mund të ishte ai.

Këtë bindje të tij të palëkundshme më në fund e dëshmojnë librat e tij që shkroi në vitet kur Kosova më nuk ishte nën sundimin serb. Një pjesë të krijimtarisë së tij letrare dhe aktivitetit kulturor ia kushtoi aktorit me famë botërore Aleksandër Moisiu, me të cilin, veç artit të madh, e lidhte edhe fati i mërgimtarit. Isak Guta mishëron tipin e shqiptarit që është i lidhur me mijëra fije të padukshme me atdheun e tij. „Fati i popullit tim është fati im“ thoshte Pjetër Bogdani. Kjo thënie i shkon shumë jetës së Isak Gutës. Ai jetoi për këtë vend dhe gjithë energjitë shpirtërore i vuri në shërbim të atdheut, edhepse jo rrallë kontributi i tij nuk u përfillë e nuk u kuptua në masën e duhur.

Por kjo gjë nuk ndodhte për herë të parë dhe vetëm me të, historia jonë kombëtare dhe ajo botërore njeh shumë raste të tilla, vetë fizika kuantike i ka trajtuar në njëfarë mase paraardhësit e saj gjenialë si sharllatanë, ndaj dhe presidenti amerikan Xhon Kenedi i përballur me këtë përvojë gjithnjerëzore thoshte: mos shiko se ç‘bën vendi yt për ty, por bëje atë që ti duhet ta bësh për të. Bindja ime është se Isak Guta pikërisht këtë gjë ka bërë. Ai ka punuar gjithmonë për Shypninë, ndaj dhe ne e nderojmë e i përkulemi punës së tij.

Isak Guta e vlerësonte shumë traditën shqiptare, sepse ai gjente pikërisht aty forcën për të qëndruar i pathyer në vështirësi dhe frymëzimin për të shkruar librat e tij.

Shqiptari kurrë s‘u përkul para vështirësive, por qëndroi krenar në furtunën e shekujve dhe u bë edhe më i fortë. Njëri nga këta shqiptar, pikërisht në këtë aktivitet përkujtimor është momenti të thuhet ajo që nuk i është thënë asnjëherë, ishte edhe vetë Isak Guta, jeta e të cilit përbën një frymëzim të madh për të gjithë ne.
Me Isak Gutën u njoha në vitin 2006 në Berlin, në kuadër të një aktiviteti të diasporës sonë në Gjermani që i kushtohej rolit, krizës organizative në të cilën ndodhej ajo dhe nevojës së saj të ngutshme për riorganizim.

Isak Guta ishte i interesuar dhe shumë i angazhuar për ringjalljen organizative të mërgimtarëve tanë, sepse ishte i ndërgjegjshëm për ndihmën e madhe që ata mund t’i jipnin vatrës në këtë moment të rëndësishëm historik të kthesës së madhe. Veç luftës duhej fituar edhe paqja. Ai gjithmonë diasporën e ka shikuar si një Shqipëri tjetër, të jashtme që bën gjithcka për atdheun, një engjëll mbrojtës të saj. Pas tryezës dhe debatit që u zhvillua në takimin e sipërpërmendur shkuam në klubin „Oda shqiptare“ në kryeqytetin gjerman ku patëm mundësi të vazhdojmë diskutimin e të njihemi nga afër. Më kanë mbetur në kujtesë fjalët e tij: „Kam shumë pak jetë për të punuar për çështjen tonë kombëtare.

Mundohem që të punojë, të shkruajë, të hedhë sa më shumë në hambarin kombëtar.“ Për gjërat e mëdha me të vërtetë koha është e pamjaftueshme! Isak Guta ishte i vetëdijshëm se për çështjen tonë të madhe secili duhej të jipte më të mirën e tij, sepse vetëm kështu „hambari kombëtar“, siç e quante ai figurativisht çështjen tonë të përbashkët kombëtare, do të ishte plotë, dmth. kështu do të sigurohej ekzistenca e kombit tonë. Menjëherë e kuptova se kisha para vetes një njeri tej mase të përkushtuar e të dhënë pa asnjë rezervë pas kauzës shqiptare.

Në vitet në vazhdim ne u njohëm edhe më mirë me njëri-tjetrin. Në një varg aktivitetesh kulturore ku Isak Guta dha një kontribut të çmuar kuptova se kisha të bëja me një njeri që kurrë nuk iu kishte shmangur detyrimeve atdhetare dhe kishte punuar me të gjitha mundësitë që kishte për mobilizimin e shqiptarëve për momentin vendimtar. Dhe atë moment ai e përjetoi gjatë Luftës sonë Çlirimtare në vitet 1998 e 1999. Isak Guta nuk e pranoi kurrë Jugosllavinë si shtet legal në hapësirën tonë etnike.

Vetë emri i shtetit i përjashtonte shqiptarët nga përbërja e tij, sepse në fakt kjo ngrehinë shtetërore që në krye të herës ishte koncipuar si një shtet për sllavët e jugut dhe jo për shqiptarët. Në programin e këtij shteti, zhbërja e shqiptarëve si entitet ishte pothuajse e vetëkuptueshme, një detyrim për elitën e këtij shteti. Viti 1913 i Konferencën e Londrës që e ndau Shqipërinë dhe gjysmën e territoreve të saj ia dha dy mbretërive sllave që më vonë u bashkuan edhe me popujt e tjerë sllavë në një mbretëri të vetme, për Isak Gutën ishte viti i tragjedisë sonë të madhe kombëtare.

Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit më 1881, ndarja e Shqipërisë në vitin 1913 përbënte ngjarjen e dytë të madhe të defaktorizimit të shqiptarëve, të cilët po bëheshin gjithnjë e më të vegjël dhe më të parëndësishëm për Ballkanin. Dhe, çka është më e rëndësishmja, për veten e tyre! Isak Guta kishte studiuar për filmin në Pragë të Çekisë që atëherë quhej Çekosllovaki. Përgatitjen e tij profesionale ai vuri në shërbim të diasporës shqiptare që atëbotë luftonte me mjete politike për çlirim nga Serbia. Në Düsseldorf ai i organizoi mërgimtarët tanë në fushën e kulturës, formoi grupin teatral.

Kështu ai synonte që diaspora jonë të dëshmonte se edhe në kulturë ajo nuk e pranonte diktatin serb. Jugosllavia, ky shtet kundërshqiptar, në atdhe anëtarët e organizatave ilegale i arrestonte dhe i dënonte, kurse në diasporë i vriste, por megjithatë nuk arrinte që t’i nënshtronte shqiptarët përderisa ata ishin në gjendje të zhvillonin edhe aktivitet kulturor jashtë kontrollit të saj. Shkurt, kultura në sytë e tij ishte një fushë e gjerë e veprimit atdhetar që e mbante gjallë frymën e qëndresës. Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës për të kishte qenë një moment i kristalizimit të vetëdijes se për lirinë e kombit shqiptar njeriu duhej të ishte i gatshëm të vdiste në çdo moment.

Nëse kjo jetë kishte ndonjë vlerë, atëherë vlerën asaj ia jepte pikërisht lufta me përkushtim absolut për çlirimin e ardheut, pa përfillur asnjë rrezik. Tani çështja e madhe i kishte dhe heronjtë e saj që para së gjithash ishin dhe heronjtë e Isak Gutës. Në vitet e luftës sonë çlirimtare, ai u vu në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që prej momentit që ajo u paraqit në jetën tonë publike, dmth. që nga prilli i vitit 1996 dhe dha gjithcka që kishte mundësi për të dhënë, në mënyrë që lufta e armatosur për liri të kurorëzohej me sukses.

Pas shumë dhjetëvjecarësh aktiviteti intenziv në shërbim të atdheut, pas 12 qershorit të vitit 1999, Isak Guta këtë përvojë të madhe jetësore e hodhi në librat e tij, në të cilat ai vazhdon të jetojë. Tani, thoshte ai tërthorazi, ishte koha e librit, lufta duhej të vazhdonte përmes tij, me mjete të tjera, sepse vetëm një popull i ndriçuar në shpirt e në mendje do të ishte i gatshëm të mbronte në çdo çast lirinë e tij të fituar me gjak.
Isak Guta u largua nga vendlindja e tij shumë herët, si fëmijë, në kohën e zezonës, në vitet 1950, kur ishte vetëm 12 vjeç.

Ishte, pa asnjë dyshim, largim i dhunshëm, dëbim. Ishin kohë të vështira ato vite kur Beogradi ishte tërbuar politikisht, prandaj e rriti trysninë e aparatit represiv të shtetit, në formën e veprimtarisë kriminale të UDB-së, mbi popullsinë shqiptare për ta thyer përfundimisht shpirtin e saj qëndrestar. Spastrimi etnik, për të cilin është folur aq shumë në këto 30 vitet e fundit dhe vazhdon të flitet ende për të, në Kosovë ka qenë realitet që në vitin 1913, edhepse ai atëherë kishte një emër tjetër: quhej masakër.

Austriaku Leo Frojndlih (Leo Freundlich) na ka lënë dëshmi rrëqethëse për këtë kohë. Një gazetar tjetër nga Rusia, Leon Trotzki, që shkruante në këtë kohë nga Ballkani, e ka dokumentuar masakrën e shqiptarëve në Kumanovë që përbën një prej masakrave më të mëdha të këtij viti të përgjakshëm. Shqiptarët përndiqeshin në forma të ndryshme, por ky trajtim jonjerëzor i tyre nuk i mjaftonte qarqeve shoviniste në Beograd, kështu që atje vazhdimisht bëheshin plane e hartoheshin elaborate e memorandume për dëbimin masiv të shqiptarëve nga viset e tyre. Çdo shqiptar ishte në shënjestër të kësaj politike kriminale që assesi nuk mund të pajtohej me faktin se në këtë dhe dhe në këtë nënqiell kjo racë njerëzore jetonte mijëra vjet para ardhacakëve që makutërisht donin hapësirë të pakufijshme vetëm për veten e tyre.

Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e pengoi realizimin e marrëveshjes jugosllavo-turke të vitit 1938 për dëbimin e shqiptarëve në Turqi. „Iseljevanje Arnauta“ e Vasa Ćubrilović-it e dëshmon faktin se elitat serbe pandërprerë janë marrë me hulumtimin e rrugëve dhe gjetjen e mënyrave efektive për dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre të lashta.

Në emër të historisë veprohej në mënyrë kundërhistorike. Historiografia serbe konstruktonte gjithfarë skenarësh për të arsyetuar politikën kundërshqiptare të Beogradit politik. Autoktonia e shqiptarëve kontestohej jo vetëm në politikë, por edhe në të ashtuquajturat shkenca serbe. Kontestimi i prejardhjes sonë ilire është ndërtuar mbi themelet e kësaj politike kundërshqiptare. Mund të thuhet se që prej projektit „Načertanija“ të Ilija Garašanin-it në mesin e shekullit XIX Serbia nuk pushoi së shestuari plane për uzurpimin e tokave shqiptare, përvetësimin e tyre të plotë dhe zbrazjen nga shqiptarët. Ajo donte hapësirë dhe jo njerëz që nuk do të pranonin kurrë projektet e saj politike shtetomëdha.

Në këtë kuptim ekspansionizmi serb ishte në armiqësi edhe me gjithë popujt e tjerë, jo vetëm me shqiptarët, por, me shqiptarët, siç e dëshmon historia, serbët u treguan shumë të egër, të pamëshirshëm e mizor. Ne të tjerët, në një moment të dhënë, të favorshëm për ta, e kërkonin marrëveshjen, me shqiptarët ata, serbët, si dje ashtu edhe sot, ajo që ndodh sot në Veri nuk përbën asgjë të re, kurrë nuk deshën të merren vesh, nuk synuan marrëveshje, por thjesht zhdukjen e tyre fizike. Shprehja se shqiptari është i mirë vetëm si shqiptar i vdekur nuk ka lindur rastësisht në mesin serb. Jugosllavia komuniste pati premtuar barazi për shqiptarët dhe realizim të parimit të vetëvendosjes, por ajo shpejt i harroi premtimet e saj dhe e ndryshoi në mënyrë rrënjësore kursin e saj politik, duke u kyqur në traditën e Jugosllavisë mbretërore.

Aleksandar Ranković-i kishte filluar në dimrin e vitit 1956 aksionin për mbledhjen e armëve që shqiptarët nuk i kishin se kur i kishin pasur, kishin ditur ç’të bënin me to. Kryengritja e Ferizajt në vjeshtën e vonë të vitit 1944 tregon se shqiptarët e kësaj anë kur ende kishin armë ishin të vendosur për të mbrojtur veten e tyre. Më 2 dhjetor 1944 ata i pritën partizanët në llogore lufte. Ripushtimin serb aq shumë e urrenin saqë më parë vdisnin se nënshtroheshin. Por në vitin 1944 e 1945 në botë zotëronte një konjunkturë tjetër, për lirinë e shqiptarëve askund nuk mund të gjeje mirëkuptim e mbështetje, kështu që Kryengritja e Ferizajt u shtyp relativisht lehtë nga çetnikët që ishin konvertuar në partizanë. Ende edhe sot për këtë ngjarje të madhe nuk ekziston një studim. Ata që vdiçën në këtë luftë sikur i harruam. Ky është një mëkat i madh, i pafalshëm! Mëkat dhe turp!

Familja e Isak Gutës, siç u tha, u zhvendos në vitin 1956 në Shkup. Shkupi që për shekuj kishte qenë kryeqyteti i këtyre viseve në këtë kohë shërbente si vend ku grumbullosheshin shqiptarët që do të dëboheshin në Turqi, sipas marrëveshjes së re jugosllavo-turke të Koća Popović-it e Mehmet Fuat Këprülü-t të po këtij viti, të arritur pikërisht në Shkup. Familja e Hamit Gutës mbeti në Shkup ku Isaku e vazhdoi shkollën fillore dhe e kreu shkollën e mesme. Për studime ai shkoi në Pragë të Çekisë, në universitetin më të vjetër të Europës. I kreu me sukses studimet dhe u kthye në atdhe, por pushtetmbajtësit që e kishin degdisur jashtë atdheut nuk i dhanë punë, kështu që ai edhe njëherë tjetër u detyrua të marrë rrugët mërgimit.

Vdekja sjellë me vete pikëllimin dhe hidhërimin e thellë kur paraqet fundin, por kur ajo është diçka tjetër, dmth. kur nuk është fund, por fillim i diçkaje të re, me fjalë të tjera kur ajo është pjesë e një kthese të madhe, atëherë më nuk mund të flasim për pikëllim, por shpresë.

Isak Guta u lind në verën e fundit të Shypnisë, siç quhej atëherë në popull shteti titullar, dhe vdiç në një verë tjetër që ndoshta do të jetë vera e kthesës së madhe për fatet e Shypnisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analizë nga Anisa Bahiti 1. Në një darkë informale Presidenti…