
Ish-ambasadori i Holandës, qytetarëve të Kosovës: Protestoni me dinjitet, Gjykata Speciale duhet të shfuqizohet
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka ftuar qytetarët e Kosovës që nesër (e enjte) të protestojnë me dinjitet, pa dhunë dhe pa slogane të këqija.
Bosch që ishte ambasador në Kosovë kur është themeluar Gjykata Speciale, ka thënë se kjo gjykatë ka devijuar nga qëllimi që ishte krijuar.
Ai ka thënë se pavarësisht që u konfirmua që nuk ka pasur trafikim të organeve, Specialja po vazhdon të veprojë pa asnjë mbikëqyrje.
“Ajo u krijua mbi bazën e akuzave për trafik organesh. Kur gjyqtari Williamson përfundoi se kjo nuk kishte ndodhur, arsyeja e ekzistencës së saj u zhduk dhe procesi duhej të ndalej. Tani kjo gjykatë, e cila supozohet të jetë një gjykatë kosovare, vepron pa asnjë mbikëqyrje”, ka thënë ai për “Nacionalen”.
Ish-ambasadori Bosch ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka asnjë transparencë. Madje, me pranimin e provave të fundit nga Shërbimi Sekret i Serbisë, vetëm sa e minon besimin.
“Siç u vendos nga BE-ja, BE-ja duhet të shohë çfarë po bëjnë ata keq, sepse nuk tregojnë asnjë transparencë, gjë që është shumë keq. Gjithashtu, pranimi i të ashtuquajturave prova nga shërbimi sekret serb e minon edhe më tej besueshmërinë e tyre”, ka thënë Bosch.
Ai ka kërkuar që kjo gjykatë të shfuqizohet dhe të themelohet një gjykatë për krimet e luftës në Ukrainë.
“Kjo gjykatë, e cila i kushton shumë taksapaguesve, duhet të shfuqizohet për t’i lënë vend një gjykate për Ukrainën”, ka thënë ai.
Si rezultat, Bosch ka një mesazh për qytetarët.
“Mesazhi im është: protestoni me dinjitet – pa dhunë apo slogane të këqija”, është shprehur ish-amabsadori i Holandës në Kosovë.